Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Është e sigurt që seanca e kaluar e këtij komisioni do të shënohet në procesverbalet dhe jetën parlamentare si i vetmi komision, i cili, me urdhër të nënkryetarit, votoi një marrëveshje sekrete pa e lexuar, pa ditur çfarë po firmoste, duke e konsideruar sekret shtetëror dhënien e Butrintit me koncesion, vetëm e vetëm sepse mendonte se kështu e do partia.
Në fillim të seancës së kaluar kam kërkuar për procedurë shtyrjen e asaj seance, për t’i dhënë mundësi që të vinte marrëveshja, por edhe të shqyrtohej nga Konferenca e Kryetarëve mundësia për ta ndërruar komisionin tonë nga komision dhënie mendimi në komision përgjegjës.
Kam pasur fatin këto ditë të shkoja në të gjitha komisionet dhe të shikoja si drejtohen komisionet. Shkova te Komisioni i Politikës së Jashtme, për të thënë kundërpeshën e mënyrës së drejtimit tonë, dhe zoti Tritan Shehu bëri një kërkesë për shtyrjen e diskutimit, sepse ua kishin çuar marrëveshjen, por e kishin çuar vetëm një ditë para dhe ata nuk e kishin lexuar, pasi ishte voluminoze. Zoti Klosi mori vendimin “Po, ta shtyjmë dhe të lexohet patjetër”, kurse këtu unë kërkova të shtyhet, sepse ne nuk kishim fare marrëveshje dhe po bënim rolin “nuk shikoj e nuk dëgjoj”, njerëz, vegla të partisë, dhe jo vetëm kaq, as nuk u tha pse të mos shtyhej, por iu dha fjala ministres. Pra, ai që drejtonte aty rastësisht, i dha fjalën ministres dhe nuk tha: “Zonja Zhupa, nuk do të shtyhet për një apo më shumë arsye”, por pranoi të ishte ushtar i bindur i partisë, pavarësisht interesave që kishte vendi, se flitej për Butrintin dhe jo për një kioskë të radhës.
Sigurisht, para kësaj shkeljeje të etikës, të Rregullores, nuk do të ishte normale një sjellje e butë dhe përkëdhelëse ndaj një maxhorance, që po vjen dhe po jep me koncesion falas, se thonë nuk po e shesin. Si mund ta shisni Butrintin?! S’e keni atë tagër ta bëni! Nuk e shet dot qeveria! Nuk blihet Butrinti me paratë e botës, por po ia jepni falas për 10 vjet një fondacioni. Unë u bëra thirrje edhe kolegëve, të cilët i respektoj për profesionet e tyre, u thashë të mos e votojnë pa e parë një herë, pastaj votojeni në qoftë se ju bind, por ju votuat pa parë asgjë, se ju tha Petro. Ky është turpi që do të ngelet në këtë komision, që nuk do të harrohet edhe në legjislaturat e ardhshme, që do ta marrin si kazus, kur duan të tallen e të shajnë një lloj votimi. Të jeni të sigurt që ai do të jetë rasti. Më vjen keq që do të jetë Komisioni i Edukimit dhe nga kolegët që kam këtu.
Sigurisht, unë nuk mund të ndalesha se donte një nënkryetar i radhës. Kjo gjë është shqyrtuar nga komisioni në komision, ku unë kam qenë pjesë dhe do të jem kudo dhe do të bëj çdo përpjekje, aq sa është mundësia ime dhe e kolegëve të mi për ta ndalur. Në këtë kuadër, meqenëse turpi është juaji, mbajeni! Unë dua për procedurë të shtoj te kalendari diçka. Ne si opozitë kemi një kërkesë: sipas nenit 32, pika 2 dhe nenit 36 pika 1 të Rregullores së Kuvendit kërkojmë një mbledhje të Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik më datë 17 maj, data e ekzekutimit të Teatrit Kombëtar, ora do të vendoset nga kryesia e grupit, për një seancë dëgjimore me të ftuar këtu zotin Auron Tare, zotin Apollon Baçe, zotin Neritan Ceka dhe me lidhje skipe me zotin Agron Alibali, zonjën Rudina Jasini dhe zotin Giora Solar, me përkthim nga anglishtja, që të mos ekzekutohet edhe Butrinti si Teatri, për të dëgjuar mendimet e tyre, për të dëgjuar publiku mendimet e tyre, për të dëgjuar shqiptarët ekspertët, që nuk janë pyetur për këtë aferë, e cila, më vjen keq ta them, është një plan menaxhimi nga një kompani angleze me 500 paund fond dhe me dy ekspertë. Ju miratuat një marrëveshje sekrete për Butrintin për 10 vjetët e ardhshëm. Duke qenë se në kalendar janë dy data për zonjën Muzhaqi, 16 ose 17, atëherë duke qenë se data 17 është kërkesa e Partisë Demokratike, sipas Rregullores për këtë dëgjesë, zonja Bora i bie të jetë në datën 16 maj, nëse na vjen pas 6 muaj që e kërkojmë Borën, e cila na jep leksione etike, por nuk mbaron dot një fjali dëftore pa gafa.
Së fundi, uroj shumë që ai rast të mbetet i vetmi precedent negativ dhe sigurisht jam e bindur se nën drejtimin tuaj kjo gjë nuk do të ndodhë, por mund të kemi raste të këqija, ku përsëri nënkryetari të marrë drejtimin dhe të mos përsërisë vetveten në asnjë rast. Jam e bindur se nuk është krenar që ka miratuar një marrëveshje sekrete. Ai duhej të ishte i pari që të ngrinte zërin dhe jo t’i thoshte ministrja që e kuptoj është normale të jetë sekret, sepse kështu e dashka bota. Kjo është video që unë e kam nxjerrë.
Faleminderit!