Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Është kënaqësi të jem prezente në komisionin tuaj. Kjo është hera ime e parë këtu.
(Ndërhyrje pa mikrofon) Jo, në drejtimin e kryetares. Isha në drejtimin e zotit Klosi dhe tani jam në drejtimin e kryetares
Fillimisht dua t’i bëj me dije komisionit (në rast se ju keni një informacion më tepër, qoftë kolegët, qoftë kryetarja, mund të ma vini edhe mua në dispozicion), se me gjithë ato që ka publikuar Kuvendi dhe ato që na kanë ardhur nga Kuvendi, ne ende sot kemi mungesa në dokumentacion. Konkretisht, unë nuk e kam statutin e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit. Nuk e di nëse e ka ndonjë nga ju, që të mund të ma vërë edhe mua në dispozicion.
Sipas asaj që na kanë vënë në dispozicion, që është krijimi i fondacionit, mjafton t’ju citoj faqen 7 të këtij vendimi, që thotë: “mënyra e zgjedhjes së organeve drejtuese dhe funksionimi i tyre përcaktohet me statutin e fondacionit.” Statutin e fondacionit ne nuk e kemi dhe nuk na e ka vënë njeri në dispozicion. Është shumë e rëndësishme kjo gjë. Ministrja e Kulturës, e cila propagandon se është kryetarja e bordit, ka një mandat 2 – vjeçar, ndërkohë që koncesioni është 10-vjeçar. Po më pas si do të jetë forma dhe kush do ta drejtojë këtë bord? A do ta drejtojë …
Mimi Kodheli – Besoj se ministri, gjithmonë.
Ina Zhupa – Jo, sepse këtu thuhet: “ Kryetari bordit të drejtorëve për mandatin e parë do të jetë ministri i Kulturës me një mandat 2-vjeçar. Mënyra e zgjedhjes së organeve drejtuese dhe funksionimi i tyre përcaktohet me statut”. Për aq kohë sa unë …
Mimi Kodheli – Dakord. Gjithsesi, ministri do të jetë, sepse karrige ministri do të ketë gjithmonë te kultura.
Ina Zhupa – Ministri do të jetë anëtar i bordit, por nuk thuhet askund që do të jetë gjithmonë. Mimi Kodheli – Është relevante kjo, Ina?
Ina Zhupa – Po, është e rëndësishme për të kuptuar atë që na kanë thënë gjithë këto ditë, me idenë që shteti nuk po e jep Butrintin, që është ministrja aty, që do të jenë ministrja dhe institucioni garantë dhe u arrit deri aty sa në Komisionin e Ekonomisë u tha se do të quhej edhe institucion publik,
Ndërkohë, bordi me pesë persona dhe i gjithë fondacioni, jo AADF-ja, por Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, që ka partner edhe AADF-në, është një OJF, një organizëm privat, i cili ka anëtar bordi dhe ministren e Kulturës.
Sipas dokumenteve, ministrja do të jetë kryetare e bordit për 2 vjet, por askund nuk thuhet se ka ndonjë të drejtë vetoje për të ndryshuar vendimet që mund të merren 4 me 1 në atë bord. Duke parë statutin e fondacionit kuptojmë edhe më shumë se cilat janë …
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Po, kjo është kërkesa e parë.
Edhe pse kemi 2 javë që e diskutojmë nëpër komisione dhe flasim për dëshirë për të bërë transparencë, ne ende kemi dokumente të pasjella. Uroj që këto gjëra të mos bëhen me qëllim dhe ndërkohë kalohet nga komisioni në komision.
Është hera e parë që unë po e kërkoj statutin.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Sepse unë i kam ndarë çështjet sipas komisioneve. Duke qenë se jeni Komisioni për Politikën e Jashtme, nuk e di nëse ju keni ndonjë dokument të UNESCO-s, të vënë në dispozicion nga Ministria e Kulturës apo nga zonja Margariti, sepse unë si anëtare në Komisionin e Edukimit nuk kam, por edhe komisionet e tjera nuk kanë, me aq sa unë kam pyetur. Thuhet se ne kemi pasur një shkëmbim të vazhdueshëm me UNESCO-n. Duke qenë se ky është Komisioni për Politikën e Jashtme, këto miratime që këta pretendojnë se kanë marrë nga UNESCO për planin e menaxhimit të Butrintit, duhet të ishin të disponueshme për Komisionin e Politikës së Jashtme.
Për sa i përket …
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Zoti Petro, ju keni votuar marrëveshje sekrete, kështu që ….
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Ju lutem!
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Dakord.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Faleminderit!
E kuptoj që ndez zjarre për ata që kanë votuar marrëveshje sekrete.
Dispozitat që mundësojnë menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga fondacioni i huaj privat, pavarësisht nga ajo që mund të shitet, kanë një problem shumë të madh si me frymën, ashtu edhe me germën e Konventës së Parisit të vitit 1972 “Për trashëgiminë Botërore”. Neni 5 është i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe përcakton se Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtarë të detyrueshme për të.
Për të kaluar te Konventa e Parisit, neni 4 thotë: “Rolin e padiskutueshëm parësor të shteteve palë, të shteteve anëtare, në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territorin e tyre”. Neni 4 shprehet më se qartë. “Detyra për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe përcjelljen për brezat të ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, që ndodhen në territorin e tij, i takon në mënyrë parësore dhe ekskluzive atij shteti”. Si mund të zbatohen këto detyra, kur shteti nuk e menaxhon vetë sitin e trashëgimisë kulturore, por është thjesht anëtar i një bordi të një fondacioni privat?
Në nenin 6,1 ripohohet: “Sovraniteti i shteteve në territorin në të cilin ndodhet trashëgimia kulturore natyrore, respektohet plotësisht dhe këto të drejta pasurore duhet të mbrohen me legjislacionin kombëtar”.
Në nenin 6,3 thuhet: “Shtetet palë zotohen të mos marrin asnjë masë të qëllimshme, që mund të dëmtojë direkt ose indirekt trashëgiminë kulturore dhe natyrore që gjendet në territorin e shtetit palë”. Shpikja shqiptare ka filluar me ligjin e trashëgimisë kulturore, ku thuhet se shteti e administron indirekt. Fjala “indirekt” automatikisht e heq shtetin, se nuk e administron. Pra, si të them unë që indirekt administroj Parlamentin. Pra, ose e administron, ose nuk e administron. Nuk thuhet “e administron indirekt”. E administron shteti ose e administron privati.
U tha këtu që magneti është AADF-ja. Jo, magneti është Butrinti, se për Butrintin do të vijnë njerëzit, nuk do të vijnë për AADF-në. AADF-së, Butrinti do t’i shtojë një punë më të madhe në portofolin e saj prezantues, që ç’është e drejta, përfitoj nga rasti të them se ka bërë punë, ka financuar punë të mira në Shqipëri, siç u tha edhe këtu, por kurrë nuk ka administruar dhe nuk ka asnjë eksperiencë për të administruar një site arkeologjik, si partner strategjik në administrim. Në VKM përcaktohet se cili është fondacioni dhe thuhet se partneri strategjik ka eksperiencë 5-vjeçare. Ndërkohë, partneri strategjik ka eksperiencë 5-vjeçare në dhënien e parave financim, por jo në menaxhim, se ndryshon shumë të japësh para për filantropi, të ndihmosh është tjetër gjë nga menaxhimi.
Gjithashtu, edhe shqetësimi që ngriti kolegu Çollaku, që lidhet me identitetin dhe me historinë shqiptare është i rëndësishëm. Unë mund t’ju vë në dispozicion bibliografinë, që këta kanë përdorur edhe listën që na kanë vënë në dispozicion si palë dhe persona të konsultuar, ku shikoj që nuk ka ndonjë arkeolog shqiptar, i cili është marrë me Butrintin, apo që ka bërë punime për Butrintin. Nuk ka në asnjë rast një arkeolog shqiptar që është marrë me Butrintin, që ka vepra për Butrintin, që e njeh Butrintin, që ka gërmuar në Butrint, pra që ka një lidhje me Butrintin.
Sinqerisht, shumë nga ju mund të jenë edhe pedagogë, vetë kryetarja është pedagoge, unë do t’ia vë në dispozicion këtë bibliografi, por me këtë bibliografi që na është sjellë këtu, edhe një studenti i vitit të parë, në lëndën Shkrim Akademik, merr notën 4. Është një bibliografi pa vite, një bibliografi me libra përrallash. Unë do t’ju citoj njërin nga librat, “Shenjt dhe mëkatarë”, i cili është pjesë e bibliografisë mbi të cilën është bërë plani i menaxhimit të Butrintit. Domethënë, një nivel…
Për këtë plan janë paguar 250 mijë euro nga AADF-ja. Nuk e di, çfarë niveli ju kanë afruar ata që keni paguar, se nuk e keni bërë ju planin. Ju keni paguar kompaninë britanike Prince and Pears, në mos gabofshA, sepse është e parëndësishme para Butrintit. Meqë ra fjala, kjo është një kopani që ka 500 paund vlerë në themelimin e saj dhe dy veta që punojnë për të. Mund t’i shikoni. Pak rëndësi ka kjo, është e parëndësishme. E rëndësishme është ajo që i ofron Butrintit.
Literatura që është përfshirë në planin e menaxhimit në 3 libra dhe vetë plani i menaxhimit e shikon dhe e trajton Butrintin si vend të një kolonie greke, si pjesë e një qytetërimi greko-romak. Edhe dje në një komision tjetër, pyeta zotin Luan Bërzhita: A jeni ju dakord me këtë pohim? Ai tha: “Jo, nuk jam dakord me këtë pohim, nuk është e vërtetë, nuk është grek”. E keni në procesverbale. Në plan është e thënë. Kështu që, ai që është anëtar bordi, ndoshta mund të vendosë edhe balancat e vendimmarrjes, sepse janë 5 anëtarë dhe mund të vendosin balancat e vendimmarrjes.
Gjithashtu, Richard Hodges e thotë në punimet e veta, në librat e veta, në një nga literaturat që ju e keni në planin e menaxhimit, ka arritur deri aty sa për Sarandën thotë:“…edhe Saranda, ky qytet i bukur grek”. Pra, si Komision i Politikës së Jashtme këto janë çështje me rëndësi për atë që është identiteti kombëtar shqiptar.
Së fundi, pasi çështje të tjera i kam trajtuar dhe do të vazhdoj t’i trajtoj edhe në Komisionin e Ligjeve, është e rëndësishme të kuptohet që në botë asnjë site arkeologjik nuk ka një model të tillë menaxhimi. Ajo që po shitet si model fondacioni, nuk ka të bëjë me këtë rast. Cila do të ishte mënyra më e mirë, nge e cila mund të përfshihej fondacioni si bamirës si filantrop? Bordi i Butrintit, që ekziston sot, i cili është ngritur me VKM që në vitin 1998 dhe është përmirësuar në vitin 2002, ka anëtarë Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Turizmit, ka 8 anëtarë dhe unë po të doni jua lexoj, por në vullnetin për të përfshirë dhe privatë, qoftë me fonde, dhe siç mund ta kenë edhe vende të tjera, që i përfshinë privatët dhe nuk ka ndonjë gjë të keqe ta përfshijë edhe AADF-në, me VKM t’i shtojnë një anëtar këtij bordi publik shtetëror, i cili të jetë përfaqësuesi i AADF-së. Kështu, mund të monitorojnë, edhe fondet që japin vetë, edhe mbetet një bord publik me përfaqësi nga institucionet publike.
Pra, kjo është një mënyrë që ti e përfshin privatin, e përfshin donacionin, e respekton fondacionin, i cili ka prirje filantrope, nuk e paragjykon dhe e bën pjesë të bordit. Por, në rastin shqiptar është modeli hibrid.
Giora Solar, një izraelit, ka qenë anëtar i UNESCO-s, po them, babai i trashëgimisë kulturore, ka përgatitur një plan menaxhimi për Butrintin, zonja Kryetare, në vitin 2012, të paguar po nga AADF-ja, i cili nuk u publikua kurrë dhe nuk u bë kurrë dokument zyrtar, sepse donatorit, thotë ai, me sa duket nuk i pëlqeu, sepse nuk parashikonte menaxhim privat, Ai e kishte bërë studimin me ekspertë shqiptarë, të cilët ishin marrë me Butrintin dhe parashikonte një formë menaxhimi nga shteti, ku mund të krijoheshin, siç janë edhe në botë…
Për ta përmbyllur. Pra, mund të krijoheshin borde, të cilat përfshijnë edhe privatë, sigurisht edhe organe të tjera. Për ta përmbyllur, kam nevojë për statutin e fondacionit dhe dokumentet e UNESCO-s.
Do të doja të bëja një ndërhyrje të shkurtër. Është e vërtetë që AADF-ja ka bërë financime për vepra kulturore në Shqipëri. Kjo është e pamohueshme, por në këtë rast kemi të bëjmë mirëfilli me marrjen në menaxhim nga një fondacion. Të dy zotërinj këtu janë anëtarët e këtij bordi, që do të menaxhojë Butrintin dhe jo si individë, por si përfaqësues të AADF-së. Pra, në këtë rast po flasim për një model, që nuk ekziston në asnjë vend tjetër të botës dhe të Europës në formën që e keni ju. Një model hibrid, i shpikur shqiptar. Për ta mbyllur, fatkeqësisht, asnjë arkeolog shqiptar, që është marrë me Butrintin, që ka gërmuar aty, nuk është pjesë e këtij plani nga i cili rrjedh më pas marrëveshja për të menaxhuar Butrintin.
Faleminderit!