Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Kënaqësi të jem për herë të parë në komisionin tuaj. Në fakt, nëse gjithçka do të ishte transparente që në fillim, unë nuk do të detyrohesha të shëtisja komision më komision dhe mbi të gjitha nuk do të detyrohesha të siguroja dokumente nëpërmjet emisioneve televizive si në rastin e fundit, ku për dokumentet e reja kam ardhur sot këtu, të cilat i kam siguruar falë emisionit “Opinion”.
Në fakt, kërkesat kanë qenë të shumta, jo vetëm kanë qenë të shumta, por kanë qenë edhe publike dhe përgjigjet kanë qenë po aq publike. Por për të mos i harxhuar kohë komisionit, sepse komisioni vjen nga një seancë me ministrin e Drejtësisë, do të kaloj në thelb.
Asnjë model në botë nuk e ka modelin tonë hibrid, ku i kalohet një fondacioni dhe krijohet një fondacion privat posaçërisht për administrimin e pasurisë kulturore. Nuk është e vërtetë që e kemi thënë ndonjëherë, nuk e di kolegët, po flas për veten, që privatizohet apo kalon në pronësi, sepse pronësia kalon me kontratë shitjeje apo me tjetërsim, me VKM. Por fondacionit po i jepet Butrinti falas me koncesion për 10 vjet, jo vetëm kaq, por po i jepet mundësia që të ndërtojë aty, t’i regjistrojë dhe të ketë mundësi të hyjë në garanci hipotekore për veprat që bën aty dhe t’i vendosë ato në regjistrin hipotekor.
Tani, në lidhje me pyetjet dhe të pavërtetat e thëna edhe këtu, fatkeqësisht, nga ministrja, është e vërtetë ajo që tha drejtuesja e komisionit që projektligji është në përputhje me ligjin e trashëgimisë kulturore, por dua të sqaroj se ligjin e keni bërë po ju dhe është advokuar dhe paguar nga AADF-ja. Unë kam depozituar një kërkesë me numër protokolli 1759, datë 11.05.2022 për ta ndryshuar këtë ligj dhe pikërisht nenet 171, 172, 173, të cilët ju kanë dhënë juve mundësinë ta bëni ligjin me porosi. Pra, nuk do të thotë se keni të drejtë vetëm se keni bërë ligjin që ju hap rrugën juve të merrni Butrintin.
Për ta sqaruar, fjala është shumë etike, është pjesë e raportit të Transparency International, që flet për ligje me porosi dhe ligje të posaçme. Nuk është fjalë fyese, por është ajo që thuhet në raportin e ndërkombëtarëve. Nuk flet për këtë, por flet për ligjet në përgjithësi. Unë e quaj këtë … (Ndërhyrje pa mikrofon) Ju lutem! Si deputete, unë mendoj se mund të futet në raportet e ardhshme për këto lloj ligjesh. Ndoshta nuk e fusim, por kjo ngelet për t’u parë. Është pikëpamja ime për këtë. Në bazë të asaj që ministrja ka deklaruar dhe e deklaroi edhe këtu, ministrja thotë se në bordin e drejtorëve ka një përfaqësi edhe ministrja. Sipas statutit, që unë e kam marrë dje, është pika 13/2, ministria ka të drejtë të propozojë dy anëtarë të bordit, AADF-ja ka të drejtë të propozojë dy anëtarë dhe anëtari i fundit i bordit të drejtorëve zgjidhet gjithmonë me propozim të AADF-së.
Pra, do të thotë se shteti është gjithmonë në minorancë 3 dhe 2 me privatin dhe është gjithmonë privati në maxhoritar për sa i përket fondacionit. Kjo është e shkruar këtu. Pra, është privati në fund të ditës ai që do të marrë vendimet për pasurinë dhe trashëgiminë tonë kulturore. A ju duket normale të themi është publike dhe shtetërore, kur është privati që i merr vendimet në fund të ditës, sepse ato merren me shumicë votash?
E dyta, zonja Margariti ka deklaruar se në cilësinë e ministres do të jetë kryetare (kushdo që të jetë ministër do të jetë kryetar), ndërkohë që statuti nuk thotë kështu. Statuti thotë që zonja ministre do të jetë 2 vjet kryetare. Pra, kryetari i parë i bordit të drejtorëve do të jetë ministri përgjegjës për Trashëgiminë Kulturore me një mandat 2-vjeçar dhe pas përfundimit të mandatit kryetari do të zgjidhet nga bordi i drejtorëve. Në pikën tjetër thuhet se secili nga anëtarët e bordit ka të drejtë për t’u zgjedhur kryetar. Pra, e gjithë propaganda që keni bërë, që do ta drejtoni ju për 10 vjet, sepse e drejton shteti, nuk është e vërtetë, sepse bordin mund ta drejtojë Riçard Hoxhis, vendimmarrjet merren 3+2 dhe i merr AADF-ja, kurse shteti është aty thjesht për t’i ruajtur shpatullat nga publiku.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Ky është elementi tjetër që ka të drejtë zonja kryetare.
Pra, edhe atë që ju …
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Ka shumë të drejtë kryetarja. Nuk ka as dy vota, as nuk ka të drejtë vetoje, por është menduar që shteti të jetë gjithë kohën në minorancë me privation.
Faleminderit që ma riktheve në vëmendje!
Nga ana tjetër, nëse e dëgjuat sot në komision ministren, e tha këtë si një arritje të rëndësishme, sepse kryetari drejton mbledhjet. Pra, është edhe pjesa e përgjegjësive që ka kryetari edhe në thirrjet e mbledhjeve, në relatim e të tjera, por unë nuk po i hyj çdo pike, sepse e keni kohën e kufizuar.
Po ashtu, statuti përcakton se mund të shtohen edhe anëtarë të tjerë të bordit, si dhe ka edhe disa kritere që të jenë individë me integritet të lartë e të tjera.
Çështja tjetër, që ju e keni mohuar dhe drejtori ekzekutiv i fondacionit e ka mohuar në një dalje publike, por që, në fakt, statuti e ka të rregulluar, është pika 14/7: “Anëtarët e bordit të drejtorëve, si rregull, ushtrojnë funksionin e tyre pa shpërblim, por në varësi të kushteve, të numrit dhe të kohëzgjatjes së mbledhjeve, ata rimbursohen me shpenzime nga fondacioni, mund të shpërblehen në mënyrë të arsyeshme për pjesëmarrjen e tyre në mbledhje, në përputhje me rregullat e brendshme të fondacionit”. Ju e keni mohuar dhe keni thënë “po punojmë pro bono”, ndërkohë që statuti u jep mundësinë juve të merrni dy pagesa, edhe si ministre, edhe si kryetare përkohësisht e bordit të drejtorëve.
Kryetari i bordit, siç e thashë, jeni ju në momentin e parë, për dy mandate, por më pas mund të jetë kushdo.
Këto çështje unë i kam nxjerrë këto ditë dhe të jeni të sigurt se këto pyetje nuk janë bërë në asnjë komision tjetër. Ky bord, që drejtohet dhe ka gjithmonë shumicë nga privati, ka një pikë shumë të rëndësishme, neni 17/2, te kompetencat e bordit të drejtorëve. Thotë: “miraton të gjitha llojet e ndërhyrjeve që bëhen në pasurinë kulturore”. Pra, të gjitha llojet e ndërhyrjeve që bëhen në Butrint do t’i miratojë bordi me shumicë privatin.
Pra, privati do të miratojë atë që ju thoni se duhet të jetë tagër i shtetit. Duhet të jetë përgjegjësi shtetërore, por ju ia keni lënë me statut privatit. Po ashtu, bordi, ku jeni gjithmonë në minorancë, miraton ndryshimin e numrit të anëtarëve të vet bordit.
Kriteret për t’u zgjedhur anëtar janë interesante, janë të përgjithshme. Kërkon thjesht arsim të lartë, eksperiencë 5-vjeçare në çfarëdolloj fushe, ligjore, financiare, menaxheriale dhe të mos jetë i dënuar.
Ndërkohë, është e rëndësishme, dhe në këtë rast menaxhon trashëgiminë kulturore, çfarë përfaqëson zotëria apo zonja që futet në këtë bord, në raport me identitetin shqiptar, sepse kemi të bëjmë me trashëgiminë kulturore shqiptare.
Ju, si fondacion, nuk mund ta lini dot kaq të zgjeruar, sepse kushdo me prirje antishqiptare, me botime antishqiptare, njerëz të cilët quajnë tokë greke jo vetëm Butrintin, por edhe Sarandën, mund të jenë anëtarë bordi dhe vendimmarrës për pasurinë tonë kulturore. Në këtë rast flas për zotin Riçard Hoxhis. Është publike, sepse është edhe në planin tuaj të menaxhimit, që zotëria mendon se bëhet fjalë për një tokë greke dhe një koloni greke.
Sipas asaj që ju keni sjellë në Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit 2020-2030, ekipi i konsulentëve, që është i gjithi i huaj, ku është zoti Hoxhis dhe asistenti i tij, Oliver, është përgjegjës për konservimin arkeologjik. Pra, Hoxhis është hartuesi i planit të menaxhimit, është anëtar i bordit, ka marrë edhe një projekt nga ju, institucionet e arsimit të lartë, bashkë me zonjën Nevila Molla për të gërmuar atje. Pra, Hoxhisi i bën të gjitha në Butrint. Çfarë ka ngelur më për t’i dhënë? A do t’i jepni ndonjë copë toke, që të ndërtojë edhe një shtëpi dhe pastaj është komod se i kryen të gjitha funksionet aty?
Kam një pyetje tjetër për statutin tuaj. Zonja kryetare tha një gjë shumë të saktë në pjesën e auditimit të financave, që ka qenë edhe shqetësimi im personal shumë i gjatë për këtë gjë. Në nenin 26/5, dhe ju garantoj që këtë statut nuk e ka asnjë nga ju, se nuk e kanë sjellë …
(Ndërhyrje pa mikrofon) Dakord. Statuti nuk gjendet as online.
I ftoj gazetarët ta verifikojnë këtë gjë. Çdo financim i fondacionit …
Në këtë rast flasim për Fondacionin e Menaxhimit të Butrintit, sepse është e rëndësishëm të dallojmë dy gjëra që ju nuk i dalloni. AADF-ja është tjetër dhe Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit është një gjë tjetër. Është e bashkëkrijuar nga AADF-ja, por nuk janë të njëjtat entitete. Sa herë që doni të mbroni Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit, ju e vishni me arritjet dhe me atë që përfaqëson AADF-ja, por, në fakt, ky fondacion ka rregullat dhe statutin e vet, nuk ka statutin e AADF-së. Ndryshe, nuk bënte statut fare, por merrte statutin e AADF-së dhe e kishim statut edhe për Butrintin. Pse e them këtë? Sepse keni menduar gjithë kohën që emrin e mirë i AADF-së ta shfrytëzoni për këtë koncesion të Butrintit.
(Ndërhyrje pa mikrofon) Ju lutem!
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Çdo financim …
(Ndërhyrje pa mikrofon) Faleminderit për respektin, por po bëj pyetjet!
(Ndërhyrje pa mikrofon) Po bëj pyetjet duke shpjeguar pse po e bëj atë pyetje.
– Po them vetëm diçka për të kuptuar pse po bëhet pyetja. Çdo financim i fondacionit, çdo e ardhur e gjeneruar prej tij dhe e përfshirë si aktiv i fondacionit, nuk do të konsiderohet fond publik dhe sigurisht nuk do të jenë objekt i Kontrollit të Lartë të Shtetit, thoni ju në fondacion. Ndërkohë që argumentoni gjatë gjithë kohës që kjo është shtetërore, është po shteti, do të jetë shteti, me statut dhe siç është normale, se është privati në fund të ditës, siç e kemi thënë ne, e thoni vetë që nuk mund të auditoheni nga KLSH-ja. Kjo do të thotë automatikisht që ne kemi të drejtë, sepse është private dhe nuk auditohet nga KLSH-ja. Nëse do të ishte ent publik, do të auditohej nga KLSH-ja siç auditohet sot Butrinti, që është po ashtu në formën e një bordi, por është bord shtetëror, jo si ky që doni të bëni ju, që ia jepni një privati.
Pikërisht për këtë bord është VKM-ja nr. 176, datë 03.05.2002, meqë jemi në komision po ndaloj te ligjet, statuti dhe nenet, ku thuhet se Bordi i Administrimit të Butrintit ka shtatë anëtarë dhe ju si ministre jeni një nga anëtarët. Nëse ju doni, ju lexoj të gjithë anëtarët, por besoj se është e panevojshme.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Ju lutem!
Në rast se ju doni dhe AADF-ja ka shprehur dëshirën për të dhënë donacion për Butrintin, dhe është falënderim nga ana jonë nëse do të bëhet kjo gjë, pse nuk shtohen 2 përfaqësuesit e AADF-së, 1 përfaqësues i AADF-së apo 3 përfaqësues të AADF-së si pjesë e bordit ekzistues, që është organ shtetëror dhe organ publik? Në bordin ekzistues të Butrintit shtojmë edhe anëtarët e AADF-së, të cilët të monitorojnë edhe paratë që do të japin vetë. Ky është një bashkëpunim publik-privat, që e ka shteti nën kontroll, por nuk keni zgjedhur këtë formë. Pse nuk keni zgjedhur këtë formë, por keni zgjedhur t’ia jepni 100% kontrollin privatit? Këtë dua të na sqaroni.
E parafundit, fondacioni, në nenin 29/2, që ju thatë se nuk mund të zotërojë, sepse ju i referoheni gjatë gjithë kohës AADF-së, ndërkohë që nuk po flasim për AADF-në, por po flasim për një fondacion tjetër, që është Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit, mund të zotërojë prona, struktura, pajisje, para, mjete të tjera monetare dhe asete të tjera, të krijuara brenda qëllimit të saj. Fondacioni mund të japë dhe marrë me qira, mund të bëjë kontrata furnizimi, shërbime pune e të tjera. Pra, ne flasim për fondacion të menaxhimit të Butrintit, se ju na lexuat që nuk mund t’i bëjë këto gjëra AADF-ja. Nuk e bëtë drejtpërdrejt me AADF-në dhe krijuat këtë, sepse ky fondacioni që ju krijuat i bën, sepse ka statutin e vet.
cioni që ju krijuat i bën, sepse ka statutin e vet. Për të arritur te pjesa e drejtorit ekzekutiv, drejtori ekzekutiv në këtë statut, përveçse ka kompetencat, ka edhe mënyrën se si zgjidhet. Mënyra si zgjidhet drejtori me atë që thotë statuti dhe me atë që ka ndodhur realisht dhe që pranoi live në emision drejtori, janë dy realitete të ndryshme. Ai tha: “mua më mori ministrja”, ndërkohë këtu ka një procedurë si zgjidhet drejtori.
Një e pavërtetë tjetër e thënë nga drejtori juaj i zgjedhur, i cili është po ashtu një nga njerëzit që ju keni konsultuar për planin, atë që do ta bëni drejtor, është neni 23/2, shpërblimi i drejtorit ekzekutiv do të caktohet nga bordi i drejtorëve. Pra, sigurisht që ka shpërblim, por masa e shpërblimit caktohet nga bordi i drejtorëve, se na keni thënë gjithë këto kohë, por e tha edhe ai në emision, që punon falas se është njeri i mirë, ndërkohë që këtu janë të sanksionuara shpërblimet në bordin e drejtorëve.
Është e rëndësishme, sepse ju e keni caktuar këtu atë që quhet detyrim për besnikëri dhe shmangie e konfliktit të interesit. Te konflikti i interesit ju keni vendosur 2 pika: të veprojnë duke pasur parasysh qëllimin e veprimtarisë së fondacionit dhe kanë detyrimin të mënjanojnë në mënyrë efektive konfliktin e interesit.
Për sa i përket konfliktit të interesit, nuk ka interes më të madh për një arkeolog, për një njeri që merret me Butrintin që nga viti 1993, siç është Hoxhis, që të tjetërsojë atë që zbulohet në Butrint dhe të marrë kreditet për zbulimet në Butrint. Këtë ia keni mundësuar ju me këtë marrëveshje, duke e bërë atë hartues, anëtar bordi, nesër kryetar bordi, se ia lejon edhe statuti, që gërmimet t’i bëj ai dhe gjithçka të varet nga vullneti i një studiuesi, i cili ka bërë betejë që arkeologët shqiptarë të mos ishin pjesë e ekspeditave. Këtë e keni të demonstruar dhe të thënë edhe publikisht nga zoti Neritan Ceka, zoti Apollon Baçe dhe zoti Auron Tare.
Këto janë pyetjet e mia totalisht të reja dhe të pakonsumuara në asnjë komision tjetër. Për këtë ju vë në dispozicion edhe procesverbalet e komisioneve të tjera.
Faleminderit!