Komunikim në Komisionin për Ekonominë dhe Financat për të mbrojtur çeshtjen e Butrintit | 17 Maj 2022

Ç’është e drejta, kam ezauruar mbi 130 pyetje, shumica pa përgjigje. Edhe pyetjet, kur drejtoheshin, ishin në interes të opinionit publik dhe jo në interesin tim personal, sepse realisht unë i kisha shumë të qarta duke lexuar të gjitha dokumentet e Fondacionit dhe të marrëveshjes. Por dua të them disa gjëra, duke iu drejtuar fillimisht kolegëve, të cilët do të kenë mundësi që edhe ta votojnë, por edhe duke përfituar nga prezenca e ministres.

Së pari, më vjen keq që ndodhemi këtu në një datë, në datën 17 maj, ku marrim vendim për të kaluar në një model hibrid te privati Butrintin për 10 vjet, në një formë koncesionare, jo vetëm falas, por edhe me një bonus 2 milionë dollarë, që gjenden në arkat ekzistuese të Butrintit. Sot është dita kur 2 vjet më parë ju shkatërruat Teatrin Kombëtar, një vendim i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e këtij vendi, por pasojat e tij nuk u zhbënë dot, sepse Teatri ishe shembur.

Ju doni përsëri sot të kaloni një ligj, i cili do të atakohet në Gjykatën Kushtetuese, në qoftë se do ta kaloni kështu siç është, sepse është një model në kundërshtim me atë që thotë Konventa e Parisit e vitit 1972, edhe pse ju e keni bërë si model ligjor, pasi në vitin 2018 keni miratuar një ligj po me mbështetjen e të njëjtit fondacion, ku edhe ai ka nenet e veta antikushtetuese dhe antikonvente.

Për sa i përket krahasimit, që bëri zonja ministre dhe që e ka thënë shpesh, me muzeun Egizio di Torino, pra me Muzeun Egjiptian të Torinos, nuk është e njëjta gjë, por totalisht një gjë tjetër. Madje për këtë dua ta sqaroj opinionin publik, se unë personalisht në qëndrimet që kam mbajtur, dhe këtu flas totalisht në emrin tim personal, nuk kam asnjë problem në qoftë se dikush dëshiron të dhurojë për Butrintin, nuk kam asnjë problem në qoftë se një privat do të japë donacion për Butrintin dhe nuk kam asnjë problem në qoftë se një privat përfshihet në një bord shtetëror për të monitoruar paratë që ka dhënë vetë.

Problemi im është modeli juaj që ia jepni në mënyrë të plotë administrimin privatit dhe shteti është minoritar, siç nuk ndodh në asnjë vend të botës, ku sipas statutit të Fondacionit ju jeni dy anëtarë dhe fondacioni është tre anëtarë.

Siç nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër, dhe këtu do t’ju marr shembullin që ju sapo e përmendët dhe pata fatin që sapo e përmendët edhe vetë të njëjtin muze, për t’ju thënë se si administrohet ai muze.

E para, të gjithë themeluesit janë ex officio, që do të thotë se janë non in prioprio, ma nella sua qualità, pra nuk janë si emra të përveçëm, por janë në cilësitë e tyre si përfaqësues, gjë e cila nuk ndodh në statutin tuaj dhe në fondacionin tuaj, sepse, përveç jush, që jeni ministre (ku edhe aty nuk jeni si ministre, por jeni si emër), emrat e tjerë janë emra privatë, juristë privatë, që nuk përfaqësojnë asgjë në organet shtetërore.

E dyta, dhe këtu i referohem përsëri muzeut të Torinos, atij që iu referuat edhe ju, raporti në fondacion është 4 me 2, ku 4 janë përfaqësues shtetërorë dhe 2 janë përfaqësues privatë. Ndërsa raporti në Shqipëri është 3 me 2, ku 3 janë përfaqësues privatë dhe 2 janë përfaqësues shtetërorë.

Në raportin e atij që ju merrni shembull dhe thoni se është shembull i njëjtë, do t’ju them se cilët janë përfaqësuesit: është ministri i Kulturës, prapë si ex officio, kushdo qoftë ministri i Kulturës; është presidenti i rajonit të Piemontes, prapë nella sua qualità; është presidenti i provincës së Torinos; është kryetari i bashkisë së Torinos, pra katër autoritete shtetërore, me pozicion të qartë shtetëror dhe për interes publik (pra, kryetar bashkie, jo njerëz që i cakton ministria, që është ky individi), dhe ka dy përfaqësues privatë, që janë presidenti i kompanisë San Paolo dhe presidenti i Fondacionit Casa di Risparmio di Torino.

Jua u solla, sepse keni thënë shumë herë se ky është modeli dhe, për ta sqaruar opinionin publik se ky nuk është modeli, sepse nuk ka model në botë, madje jua them me garanci të plota, si modeli shqiptar. Modeli shqiptar është i vetmi që i jep privatit shumicën dhe shtetit pakicën, ku shteti është aty thjesht si për të na hedhur hi syve që unë jam pjesëtar, se në fund të ditës, është e vërtetë, që ti nuk e shet Butrintin, se nuk ke mundësi, nuk ekziston mundësia që ti të shesësh pasurinë kulturore, por ti e jep atë në mënyrë të plotë dhe në një menaxhim totalisht të varur nga privati për 10 vjet. Sigurisht, kjo gjë çon edhe, siç e thotë në statut, pra dominimi i privatit çon në heqjen e institucioneve shtetërore, të cilat bëjnë monitorimin e fondeve publike, dhe në rastin konkret të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Madje, siç e ka vetë statuti i Fondacionit, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ndërpret marrëdhëniet me Butrintin, sepse nuk i monitoron dot paratë e privatit, gjë të cilën e thotë vetë në nenin 26/5: “Këto nuk konsiderohen më fonde publike dhe nuk janë objekt i Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Këto jua solla si detaje për të kuptuar se sa të pavërteta janë thënë këto kohë në lidhje me “do ta ketë prapë shteti, e ka shteti”. Shteti e ka aktualisht, ekziston një bord me shtatë anëtarë, i ngjashëm me bordin e Torinos, por ndryshimi është që nuk ka privat dhe janë të gjithë ex officio, si: agjencia e turizmit, bashkia e Torinos e të tjera.

Ju keni eliminuar totalisht pushtetin lokal, keni eliminuar totalisht përfaqësuesit e pushtetit lokal, që janë edhe përfaqësuesit që kanë më shumë detyrime edhe për komunitetin, ndërkohë flisni këtu, po edhe nëpër komisione, se ju keni fokus kryesor komunitetin, se unë si deputete e Sarandës duhet të jem e lumtur e të tjera e të tjera. Madje, bashkinë që ka në fokus kryesor pikërisht komunitetin ju nuk e keni përfshirë fare, ndërkohë që të gjitha fondacionet në të gjitha vendet e botës kanë një përfaqësues të pushtetit lokal brenda këtyre fondacioneve. Tjetër, zonja Ministre, modeli që ju na sillni është një model, i cili realisht, jua garantoj që unë do të jem promotore që ta bëj këtë dhe të mos e lë të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, pra ky ligj, në qoftë se e miratoni kështu siç e keni, do t’ju rrëzohet, siç u rrëzua edhe vendimmarrja për Teatrin.

Tani, ftoj anëtarët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, si komision përgjegjës, të reflektojnë në tagrin e tyre si deputetë, si përfaqësues dhe të mos nisen nga një vendimmarrje thjesht politike, sepse këtë e ka sjellë qeveria dhe kështu e do ajo, por të reflektojnë sepse kjo nuk është mënyra se si jepet pasuria kombëtare, trashëgimia kulturore, në duart e një privati. Sot mund të kemi të gjithë dëshirën e mirë për ta kuptuar se ai privati mund të jetë shumë prestigjioz, por ju kujtoj atë që e kemi përmendur edhe më parë në këtë komision: studiues të nderuar si ata që janë, po them, themeluesit e atyre që janë gjetur në Butrint, si Ugolini, mbushën valixhet dhe morën me vete ato që u zbuluan atje.

Kështu që asnjë nuk na e heq dyshimin që, sado i mirë të jetë privati, është thjesht privat dhe është shteti që ka detyrimin, qoftë edhe sipas Konventës së Parisit të vitit 1972, që duhet të jetë garant. Madje, modeli i të gjitha vendeve të botës është që në çdo fondacion, sado pjesëmarrje private të ketë, përsëri është shteti që ka shumicën. Ndërkohë, në Shqipëri jo vetëm nuk e ka shumicën, por edhe kryesimin e bordit e ka vetëm 2 vjet, pastaj kryesimin e bordit mund ta marrë secili nga anëtarët e tjerë pjesëmarrës në këtë fondacion.

Jua them me përgjegjësi të plotë që vetëm ministrja e Kulturës është si ministre e Kulturës, por edhe këtu me emër, ndërkohë që asnjë tjetër nuk ka një prezantim për çfarë përfaqëson për shtetin shqiptar, në momentin që është përfaqësues i shtetit shqiptar. Se ne nuk mund të marrim një individ privat dhe të themi që përfaqëson shtetin shqiptar. Në këtë moment ai është thjesht një individ privat, pra merren pozicionet siç i ka edhe Muzeu i Torinos, që ju e keni përmendur pa fund, pa fund në të gjitha komisionet, e përmendët edhe sot këtu.

Të nderuar kolegë, për ta mbyllur fjalën time, ju lutem, mos t’ia bëni këtë gjë trashëgimisë kulturore sot në dyvjetorin e shembjes së Teatrit Kombëtar, një vendimmarrje e cila u vërtetua se ishte edhe ajo antikushtetuese. Mos bëni një vendimmarrje tjetër antikushtetuese, në dëm të trashëgimisë kulturore! Butrinti është i përbashkët. Butrinti është juaji sa edhe yni, por, mbi të gjitha, është i brezave të ardhshëm të cilëve do t’ua lëmë.

Nuk ekziston në asnjë vend të botës ky model.

Ju lutem, mos e votoni!

 Faleminderit!

PËR PROCEDURE:

Së pari, për sa u përket studentëve, ju thatë se ishin studentë të arkeologjisë që kishin bërë një analizë të komunikimit. Analizën e komunikimit e bëjnë studentët e shkencave sociale ose të komunikimit dhe ata të arkeologjisë bëjnë analizën e pjesë së tyre, megjithatë e vlerësoj. Seanca nuk ka qenë publike, dhe kjo më duket ka qenë zgjedhja e studentëve, në mos gaboj.

Sot, më 17 maj, ditën e ekzekutimit të Teatrit Kombëtar, unë dhe 7 kolegë në Komisionin e Edukimit kërkojmë një dëgjesë për çështjen e Butrintit me Neritan Cekën, me Auron Taren, me Apolon Baçen, me Agron Alibalin, me Rudina Jasinin dhe me Giora Solarin. Duke qenë se maxhoanca juaj thotë se jemi shumë të hapur për dëgjesa, ata deklaruan publikisht që do ta bojkotonin dhe sot e kanë bojkotuar, dhe unë jam e detyruar që t’i lajmëroj që do të vij në një datë tjetër, kur të ketë kuorumin maxhorancë…

(Ndërhyrje pa mikrofon.) Këtë e keni me zë dhe figurë. Për të kuptuar vullnetin e një maxhorance, kanë thënë në komision dhe ka qenë pjesë e një debati, duke filluar nga nënkryetari, zoti Koçi, që unë nuk do të jem prezent dhe nga sekretari e të tjerë, që nuk do të jenë prezentë dhe ju kështu nuk keni kuorumin për ta zhvilluar, në qoftë se ne nuk vijmë. Kjo është thjesht për t’u ditur.

Ne sot po debatojmë. Është gjithçka online dhe mund a gjeni në faqen e Kuvendit. Ne për dy javë po debatojë modelin e menaxhimit të Butrintit, pra dhënien e Butrintit te privati. Nuk po debatojmë as vlerat, as gërmimet, as çfarë është gjetur aty, as nuk jemi arkeologë, a nuk pretendojmë të jemi arkeologë.

Ne po debatojmë modelin e menaxhimit dhe këtë marrëveshje që e japim te privati.

Faleminderit!