Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Realisht, si deputete e Sarandës e ndiej dyfish përgjegjësinë dhe kjo ka qenë arsyeja pse e kam ndjekur dhe e ndjek këtë çështje në çdo komision, edhe pse komisionit tonë iu privua e drejta për të qenë, sipas Rregullores, përgjegjës, por kjo nuk na ndal që ta vazhdojmë betejën.
Butrinti po jepet me koncesion, Butrinti po kalohet në administrim privat. Që nga dita e djeshme ne nuk kemi pasur asnjë informacion, pra dje në mbledhjen e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik kam pasur vetëm një relacion të përgatitur nga Këshilli i Ministrave dhe një projektligj me 2 nene që e kam votuar. Nga dje, sot orë pas ore na jepet ndonjë dokument i ri, nuk e di nëse kjo kohë shfrytëzohet për t’i bërë këto dokumente, është presioni publik, por e rëndësishme është që ende ka shumë për të dhënë nga plani për dhënien e Butrintit me koncesion.
Po e nënvizoj edhe unë që plani i biznesit, faqja 66, është një letër e bardhë, nënkupton paratë. Ku do të shkojnë paratë? Sa para parashikohet të mblidhen? Si do të shpenzohen? Si do të mblidhen të ardhurat? Janë pikërisht paratë motivi pse po bëhet edhe kjo. Dikush thotë për t’i administruar më mirë dhe dikush tjetër, që ka lexuar edhe Departamentin Amerikan të Shtetit, meqë e kemi edhe Fondacionin Amerikan, dhe thotë që në Shqipëri korrupsioni është ende mik. Nuk kam arsye pse të mos besoj që ky korrupsion “ende mik”, që prek të gjitha degët, paska lënë një ishull, Ministrinë e Kulturës, pa e prekur. Korrupsioni “ende mik”, që thotë Departamenti Amerikan i Shtetit, i ka prekur të gjitha, jam e sigurt që nuk ka shpëtuar as Ministria e Kulturës, as Kryeministria, përkundrazi institucionet shtetërore janë vetvetiu më të prekura nga korrupsioni dhe në këto nivele alarmante që ne jemi sot në Shqipëri, po nga amerikanët.
Shtojca 3, gjithashtu është protokolli i bashkëpunimit. Edhe kjo është një letër e bardhë. Nuk na vihet në dispozicion dhe, në rastin e planit të biznesit e kuptoj, sepse aty janë paratë, aty është loja, aty bëhet gjithçka, në protokollin e bashkëpunimit, të paktën, nuk e kuptoj se çfarë fshihet, ende nuk arrij dot ta kuptoj pse nuk e kemi dhe pse është sekret.
Zonja Margariti, që dje mbronte marrëveshjen sekrete dhe konfidencialitetin, tha që bordi i drejtorëve do të jetë prapë ministria që do të vendosë, për të na qetësuar neve dhe për të na thënë që ne do të jemi përsëri. Në fakt, në një informacion tjetër që nisën sot, del që bordi i parë i drejtorëve përbëhet nga 5 persona. Zonja Margariti është vetëm 1 ndër këta 5 persona. Pra, nuk ka as ndonjë autoritet më të lartë brenda bordit të drejtorëve, as ndonjë votë në formë vetoje, që e ndryshon situatën brenda bordit, por janë personi që përmendi zoti Spaho, Richard Hodges, dhe 3 persona të tjerë privatë shqiptarë, të cilët janë përfaqësues, nëse doni, mund t’ju them edhe emrat, por është një informacion publik, dhe është vendosur edhe drejtori i parë ekzekutiv i këtij fondacioni. Ky është shqiptar dhe gëzohem që të paktën drejtorin e paskeni vendosur shqiptar.
Pra, janë vendosur bordi i drejtorëve, drejtori ekzekutiv dhe kush do të menaxhonte Butrintin, pra një menaxhim totalisht privat me koncesion. Si do të menaxhohen paratë ende nuk e dimë. Zoti Spaho bëri një llogaritje, 30 milionë euro duke llogaritur me 10 euro biletën. Në fakt, në atë që parashikohet, edhe në relacionin tuaj, bileta do të rritet dhe jo vetëm do të rritet një herë, por do të rritet vit pas viti, duke indeksuar, por edhe duke shtuar 30% plus indeksimit. Bordi i drejtorëve dhe ky fondacion vit pas viti do të marrin më shumë para, duke mbushur arkën e këtij fondacioni, që do të menaxhojë Butrintin.
Ndërkohë, zonja Denaj, po ashtu deputete e Sarandës, ju tha: pse 2% dhe jo 12%, dhe jo 20%, dhe jo 30%? Pra, cilat janë negociatat që ju bëni? Pse ne, si deputetë, nuk kemi mundësi të dimë si kemi arritur deri këtu? Cilat kanë qenë ofertat dhe kundërofertat? I garantoj qytetarët, dhe kjo është një pyetje, por në informacionin tim është që nuk ka pasur një thirrje për shprehje interesi se cili fondacion mund ta merrte Butrintin, por ka qenë e paracaktuar se kush do ta merrte atë. Me sa duket qenka histori që nga viti 1993, që unë, për shkak të moshës, jam shumë e vogël që ta kem përjetuar atë histori në kohë reale. Keni vendosur t’ia jepni këtij fondacioni pa garë, pa thirrje, pa kritere, pa vendosur pse është më e mira për menaxhimin e Butrintit dhe pse jo.
Kur ky fondacion, përpara se të bënte planin 2020-2030, ka pas bërë edhe një plan tjetër të vitit 2013 dhe atëherë, ngaqë si duket nuk i ishte dhënë garancia për ta marrë vetë, nuk e kishte parashikuar fare që mund të ishte një fondacion privat apo mund të shihej një formë administrimi. Gjithçka fillon kur ju ndryshoni ligjin, për t’i hapur rrugë kalimit te privati, bëni planin që i përputhet kësaj dhe ia jepni fondacionit. Të gjitha këto: si ndryshimi i ligjit; si plani dhe si vetë fondacioni është i njëjti subjekt: AADF, Fondacioni për Zhvillim Shqiptaro-Amerikan. Në të gjithë logjikën juridike, por edhe morale, edhe njerëzore, edhe konceptuale, ky quhet konflikt interesi, që ti të bësh vetë edhe ligjin, edhe planin për atë gjë që do të marrësh po vetë. Është njësoj si të vendos unë kriteret për kryetare komisioni dhe të vendos të gjitha tiparet e mia dhe pastaj bëhem unë kryetare, gjithmonë brenda kritereve.
Gjithashtu, keni vendosur të jepen leje ndërtimi brenda parkut të Butrintit dhe në këtë leje ndërtimi keni krijuar një hapësirë, ku lihet të kuptohet që është për qendrën e vizitorëve. Qendra e vizitorëve, në fakt, duket si fjalë interesante, por çfarë përmban qendra e vizitorëve? Qendra e vizitorëve, sigurisht, besoj se nuk përmban fotot e Butrintit, sepse vizitorët e vizitojnë vetë atë, por dua t’ju pyes a përmban ato që konceptohen si restorante, bare apo qendra SPA, ku vizitorët të kalojnë kohën përpara se të hyjnë, sepse duke mos i vënë limit dhe duke e lënë të jetë çdo gjë, unë jua thashë dhe po e përsëris dhe i qëndroj kësaj, sepse ky është realiteti dhe kështu ka ndodhur në Shqipëri, që i vini një emër “qendra e vizitorëve” dhe pastaj shohim që aty bëhen dasma dhe, në rastin më të keq, ndonjë vaki. Kur ti i jep mundësinë një privati, që është 4 me 1 në raport me ju, ju nuk përfaqësoni veten, por të gjithë neve, ju përfaqësoni shtetin, interesat shtetërore, identitetin dhe jeni 1 nga 5 anëtarët e bordit, atëherë ky fondacion ka të drejtë që ta menaxhojë si ta mendojë vetë edhe qendrën e vizitorëve, se nuk ka ndonjë projekt sot, që ne ta dimë që qendra e vizitorëve thjesht me dy stola që do të qëndrojnë, apo do të ketë një ekran të madh, ku do të shfaqet historia e ku di unë. Sepse, të gjitha këto gjëra duhet të jenë të parashikuara, në mënyrë që ne ta dimë kujt po ia japim, si po ia japim dhe si do t’i shfrytëzojë. Jo t’i lini evazive, pa i treguar sekretet, e pastaj të gjendemi përpara faktit të kryer, dhe të thoni: “po, se na e lejon kontrata, ju vetë e keni votuar.” Këto janë mekanizma, që i kemi njohur dhe që kanë ndodhur shumë shpesh në këtë vend. Elementi tjetër. Keni vendosur jo vetëm që biletat t’i administrojë e t’u vendosë çmimin fondacioni, por dhe të ketë mundësi, thoni ju, që përveç biletës kryesore, të mund të vendosë po ashtu tarifa apo bileta të tjera për elementë të ndryshëm brenda parkut. Pra, ia keni dhënë këtë hapësirë për bileta shtesë, që do të thotë për parà shtesë, që do të thotë për të ardhura shtesë, për miliona shtesë.
A rrezikojmë ne që ky fondacion, që çdo objekt aty, brenda Butrintit, ta vendosë me një fee, me një tarifë? A rrezikojmë ne që gjithçka të kthehet në përfitim ekonomik, pa parë atë që i shërben identitetit, kulturës, trashëgimisë kulturore?
Pyetja tjetër, për të cilën nuk kam marrë përgjigje nga ju: a nuk e konsideroni problem dhe a nuk duhej të ishit ju avokatja, që në Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit nuk është marrë asnjë ekspert shqiptar, që ka shkruar këtë plan? A duhej që ekspertët shqiptarë, arkeologë shqiptarë, studiuesit shqiptarë, të ishin pjesë e këtij dokumenti, siç është Plani i Menaxhimit të Integruar të Butrintit 2020-2030, apo mjaftonn ta bëjë vetë ai që do të marrë fondacionin, për të mos futur asnjë ide. Veç kësaj, unë kam vërejtjet e mia, të konsultuara me ekspertët, në lidhje me informacionin historik që jep Plani i Menaxhimit të Integruar të Butrintit, që Butrintin e konsideron një koloni greke.
Pyetja tjetër. Zonja Margariti thotë se fondacioni i krijuar ka eksperiencë në këtë fushë. Tani, fondacioni i krijuar si i tillë, nuk ka eksperiencë pesëvjeçare, siç e kërkon VKMja, sepse sapo është krijuar. Pra, VKM-ja 625 kërkon nga ju, që kur t’i jepni një pasuri kulturore një fondacioni, ky fondacion duhet të ketë pesë vjet eksperiencë. Ju thoni tani, se përveç asaj që thotë VKM-ja…
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Fondacioni i menaxhimit të Butrintit, sepse VKM-ja është për fondacionin. Jo të marr unë CV-në e zotit Shalsi, ngaqë e kam shok, dhe të them se ja: kam edhe CV-në e këtij. Ligji është i shkruar ashtu siç është shkruar. Thotë: “Fondacioni që merr pasurinë natyrore për administrim duhet të ketë pesë vjet eksperiencë. Duke qenë se ky fondacion është krijuar vetëm vitin e kaluar, atëherë ku i ka këto pesë vjet eksperiencë? Apo për këtë fondacion do të fusni eksperiencën e njërit prej anëtarëve këtu, eksperiencën tuaj, eksperiencën e ministrisë apo ku di unë. Sepse, ju mund ta quani edhe kështu: meqë Ministria e Kulturës është pjesë e bordit, ministria ka eksperiencë gjithë jetën, ndaj çdo fondacion mund të krijohet sot, dhe nesër mund të marrë çdo pasuri natyrore, se kështu mund ta quani. Meqenëse në bord është Ministria e Kulturës, që ka eksperiencë më shumë se pesë vjet, i bie që çdo fondacion mund ta marrë, duke dhënë mundësinë të krijohen posaçërisht fondacione, për të marrë pasurinë tonë natyrore, identitetin tonë kombëtar, trashëgiminë tonë, çdo pasuri kombëtare që ne kemi, sitet tona arkeologjike, ato që paraqesin vlera nga ana historike, identitare e monetare.
Ta filloni këtë pikërisht me Butrintin, atë që prodhon më shumë në të gjithë Shqipërinë, më shumë se çdo sit tjetër arkeologjik, pra nga ai që ka të ardhurat më të larta, do të thotë se interesi është pikërisht e mbi të gjitha ekonomik. Nuk e fillon këtë eksperiencë për herë të parë me një sit arkeologjik, që nuk ka të ardhura aq të mira, me një sit arkeologjik, i cili mbase ka nevojë për më shumë ndërhyrje, me një sit arkeologjik që mbase është edhe më i harruar sa u takon vizitorëve, por e fillon me atë sit që ka numrin më të madh të vizitorëve, të ardhurat më të mëdha, e që s’ka pasur ndonjëherë problem për fonde, për para në arkën e vet, sepse nuk i kanë munguar.
Fakti që ju e nisni pikërisht me Butrintin, do të thotë se te Butrinti interesi është i qëndrueshëm, që te Butrinti paratë janë të garantuara, sepse fondacioni e di se po merr një gjë, e cila i mundëson fitim të sigurtë. Prandaj ju thanë edhe kolegët, që ma jep mua, se bëhem unë; bëhet zoti Vullnet Sinaj, që është biznesmen i nderuar, i cili e mban më me dinjitet, sepse është shqiptar dhe i dhimbset pasuria shqiptare, sepse të paktën ai është deputet i qarkut, se sa ia jep një fondacioni. Më falni, që ju përmenda për të ilustruar rastin!
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Për ta përmbyllur: ju si ministri keni bërë plane të menaxhimit të integruar edhe për site të tjera kulturore, dhe a është treguar kaq bujare ADF-ja apo fondacione të tjera? Pse gjithë kohën vetëm e vetëm me Butrintin, derisa arriti ta merrte?
Për të konkluduar në lidhje me këtë pjesë të parë, pasi do të diskutojmë këtu, por do të rishihemi edhe në komisione të tjera, shpresoj edhe në Komisionin e Edukimit, së bashku me Komisionin e Ekonomisë, uroj dhe insistoj që të sillni planin e biznesit, të sillni protokollin e bashkëpunimit, që të kemi mundësi të kuptojmë më shumë në lidhje me paratë e shqiptarëve dhe pasurinë e tyre.
Sigurisht, Butrinti nuk mund të trajtohet si mall, si plaçkë, si një aset tregtar, që e marrim, bëjmë një PPP, ia japim një privati, sipas asaj filozofisë, që nuk ka lekë shteti, nuk e mban dot shteti. Kjo sepse Butrinti, siç jua thashë, mbante veten e vet dhe kishte parà mjaftueshëm, aq sa ju thoni se do të transferoni 2 milionë dollarë, të cilat sot i ka në arkën e vet zona “A”, drejt këtij fondacioni të sapokrijuar për menaxhimin e Butrintit.
Faleminderit!