Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në radhë të parë, përfitoj nga rasti për t’ju falënderuar ju dhe nënkryetaren e komisionit, zonjën Çupi, për mundësinë që më jepni për të prezantuar projektligjin në një kohë të favorshme, duke u nisur edhe nga fakti se shumë kolegë vuajnë për të ardhur në kohë pranë komisioneve.
Është hera e dytë që unë ndodhem në komisionin tuaj dhe rastësia e sjell (por jo aq rastësi, në fakt, sepse lidhen me njëra-tjetrën) që të vij për ndryshimin e një ligji që ishte pikërisht burimi, po them, i marrëveshjes koncesionare për Parkun Kombëtar të Butrintit. Pikërisht në momentin kur po diskutohej ajo marrëveshje, unë, duke e shqyrtuar marrëveshjen, vura re se ligji që citonte marrëveshja, dhe të cilin marrëveshja e konsideronte si ligj kuadër, ishte antikushtetues, pasi ky ligj ishte miratuar në vitin 2018, në një kohë kur unë dhe kolegët e mi opozitarë e kishim të pamundur ta çonim në Gjykatën Kushtetuese për shkak të tejkalimit të afatit 2-vjeçar. Atëherë, kur një deputet vihet në dijeni se një ligj është antikushtetues, e vetmja zgjidhje është që të kërkojë ndryshime përkatëse për ta kthyer atë brenda rregullave kushtetuese.
Pikërisht për këtë arsye, unë kam sjellë përpara jush ndryshimin e neneve të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të cilët janë nenet 171, 172 dhe 173, të ligjit nr. 27/ 2018. Më konkretisht, këto 3 nene bëjnë të mundur, i hapin rrugën krijimit dhe dhënies me koncesion në fondacione private trashëgimisë sonë kulturore, duke mos e limituar atë në thjesht donacione, siç kërkon Konventa e Parisit, por duke e kaluar atë edhe në menaxhim, edhe në administrim të këtyre fondacioneve.
Konkretisht, vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 5 të saj shpreh detyrimin se: “Çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë e sistemit të brendshëm juridik dhe ajo zbatohet drejtpërdrejt…”. Pika 2 thotë: “Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendi që nuk pajtohen me të”. Në këtë rast, ajo që është shkelur dhe për të cilën unë do t’ju jap argumente, është Konventa Botërore e Parisit për Trashëgiminë Kulturore. Konkretisht, në nenin 4 të Konventës Botërore të Parisit parashikohet shprehimisht se: “Cilido shtet palë në këtë Konventë pranon se detyra e identifikimit, mbrojtjes, konservimit, prezantimit, transmetimit te brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, referuar nenit 1 edhe 2 të Konventës, i përket atij shteti. Ai do të bëjë gjithçka që mundet në këtë përfundim, deri në fund të burimeve të tij dhe ku është e përshtatshme, me ndihmë dhe me bashkëpunim ndërkombëtar në veçanti financiare, artistike, shkencore, teknike që mund të jenë në gjendje për të përfituar”. Pra, neni 4 i kësaj Konvente, që tashmë është e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, e thotë shprehimisht se detyra për ta identifikuar, për ta prezantuar, për ta konservuar trashëgiminë kulturore i takon shtetit dhe është vetë ai që e menaxhon trashëgiminë kulturore.
Neni 5 i kësaj konvente është edhe më eksplicit, pasi parashikon në mënyrë eksplicite të gjitha detyrimet e drejtpërdrejta menaxheriale që duhet të ketë shteti palë, të tilla si: adoptimi i politikave të përgjithshme; integrimi i mbrojtjes së trashëgimisë me programe planifikimi; ngritja e shërbimeve për mbrojtjen, konservimin dhe prezantimin e trashëgimisë; pajisja e tyre me personelin e duhur; zhvillimi i metodave operacionale që aftësojnë shtetin palë për t’u ndeshur me rreziqe të mundshme ndaj trashëgimisë. Pika 5/3 thotë: “Ndërmarrja e masave të duhura juridike, shkencore, teknike, administrative dhe financiare të nevojshme për identifikimin, për mbrojtjen, konservimin dhe prezantimin dhe rehabilitimin e trashëgimisë”.
Po ashtu, neni 6/3 i kësaj Konvente përcakton rolin unik dhe të pazëvendësueshëm të shtetit palë në rregullimin e statusit juridik dhe menaxhimit apo administrimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, duke u përcaktuar: “Çdo shtet palë zotohet të mos marrë asnjë masë të qëllimshme, që mund të dëmtojë direkt apo indirekt trashëgiminë kulturore apo natyrore që gjendet në territorin e këtij shteti sipas neneve të Konventës”.
Ndërkohë, në nenin 29 përcaktohet detyrimi i shteteve palë për të raportuar rregullisht para Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, pra janë shtetet palë që raportojnë për menaxhimin, nuk janë fondacionet private që raportojnë përpara UNESCO-s për menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Specifikisht thuhet: “Dispozitat legjislative dhe administrative të miratuara dhe veprimet e tjera të ndërmarra në zbatim të Konventës, raportohen nga shteti palë në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s” dhe është mëse qartë se menaxhimi i drejtpërdrejtë ekskluziv i shtetit i trashëgimisë së vet kulturore është kusht i domosdoshëm që ai duhet ta përmbushë në rast të detyrimeve të tij për ta garantuar përputhshmërinë e plotë me Konventën.
Por UNESCO nuk e ka lënë me kaq. Vetë organizata e ka trajtuar në mënyrë shteruese këtë çështje në botimin e saj si udhëzues praktik sesi menaxhohet trashëgimia kulturore botërore. Ky dokument shterues teknik dhe strategjik i nxjerrë nga vetë organet e UNESCO-s, të cilin ne ua vëmë në dispozicion edhe juve, thotë interpretimin përfundimtar dhe zbatimin në praktikë përfundimtare të normave të përcaktuara në Konventë, që është një farë mënyre edhe kushtetuta e trashëgimisë kulturore botërore.
Ritheksoj se parashikimet e neneve 4, 5, 16, 17, 29 të Konventës parashtrojnë qartë, bindshëm dhe pa asnjë ekuivok, se menaxhimi dhe administrimi i siteve me vlera universale botërore të shpallura dhe të marra në mbrojtje nga Konventa, është detyrim dhe përgjegjësi ekskluzive e patransferueshme e shtetit palë, në këtë rast flasim për shtetin shqiptar.
Gjithashtu, për të qenë të drejtë, Konventa i njeh fondacionet, prandaj vijnë ndryshimet e mia ligjore, sepse unë e kam specifikuar që ju mund të ndërtoni fondacione, por me fokus që këto të jenë publike dhe siç e kërkon Konventa. Kështu, sa i përket rolit që kanë fondacionet, Konventa e Parisit ka vetëm një parashikim në nenin 17 të saj, ku sanksionon se këto fondacione kanë si qëllim vetëm të ftohen për donacione, por jo të menaxhojnë dhe të administrojnë trashëgiminë kulturore apo të marrin në përdorim paratë publike për menaxhim.
Në nenin 17 Konventa e Parisit përcakton: “Shtetet palë në këtë konventë do të marrin në konsideratë ose do të inkurajojnë themelimin e fondacioneve kombëtare publike dhe private apo organizatave”, dhe përcakton qëllimin: “qëllimi i të cilave është të ftojnë donacione për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore”. Pikërisht kjo bëhet nga shumë vende të Europës dhe gjithë botës, duke u nisur nga Italia, e cila ka fondacione që bëjnë të mundur marrjen e fondeve edhe nga privatët. Muzeu “Egizio di Torino”, që e ka sjellë shembull ministria jonë e Kulturës, ka Intesa Sanpaolo dhe fondo risparmio, të cilat sjellin donacione, por gjithmonë menaxhimi i ngelet shtetit italian dhe institucioneve rajonale të Italisë. Në të gjithë botën nuk ka shembuj që fondacioneve private t’u jepen në menaxhim apo në administrim trashëgimi kulturore, pikërisht sepse është në kundërshtim me konventën që ata janë palë, siç është palë edhe Shqipëria. Pra, nuk është çështje ndërgjegjeje.
Pse është i rëndësishëm ky ndryshim?
Ky ndryshim është i rëndësishëm jo sepse lidhet drejtpërdrejt me betejën për Butrintin, sepse kjo betejë është sot në Gjykatën Kushtetuese dhe jam e bindur se do të ketë një vendimmarrje pro Butrintit, jam e bindur, si për shkak të cilësisë së padisë, edhe për shkak të shkeljeve të hapura që i janë bërë Kushtetutës në disa pika të tjera, jo vetëm në Konventën e Parisit, por është e rëndësishme për atë që mund të ndodhë më tej, pasi këto tri nene antikushtetuese i japin mundësi Ministrisë së Kulturës Shqiptare që çdo sit të trashëgimisë sonë kulturore t’ia kalojë privatit, pra identitetin, historinë tonë kombëtare ta kemi në tagër për ta garantuar, për ta mbrojtur dhe për t’ua transmetuar brezave të ardhshëm nëpërmejt një private. Ndërkohë, vetë Kushtetuta në nenin 3 të saj e ndalon këtë gjë, ku thuhet se çështja e identitetit, e trashëgimisë kulturore dhe transmetimi i tyre te brezat e ardhshëm është detyrë parësore e shtetit.
Lidhur me këtë, UNESCO në vitin 2021, (këtë mund t’jua vëmë në dispozicion), ka miratuar dhe përditësuar udhëzimet operacionale për zbatimin e konventës së trashëgimisë botërore. Pra, çfarë ka bërë UNESCO? Nuk e ka lënë që konventën ta lexojë çdo shtet dhe ta interpretojë sipas dëshirës, por i ka bërë vetë udhëzimet operacionale për zbatimin e saj, në mënyrë të tillë që të mos lërë shkaqe për interpretime të ndryshme nga qëllimi bazë mbi të cilin është ngritur konventa, që është ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe forcimi i rolit që duhet të kenë shtetet palë, qoftë në krahasim me shtetet e tjera, qoftë edhe me fondacione apo organizma privatë, që mund të synojnë marrjen e trashëgimisë kulturore apo tjetërsimin e saj.
Në kreun VII me subjekt “Fondin e trashëgimisë botërore dhe asistencën ndërkombëtare”, Udhëzimet Operacionale, thuhet: “Shtetet palë inkurajohen për të nxitur ngritjen e fondacioneve, shoqatave kombëtare publike dhe private me qëllim grumbullimin e fondeve për të mbështetur përpjekjet konservuese të trashëgimisë botërore”. Pra, vetëm për këtë duhen fondacionet: për të dhënë donacione dhe për të mbështetur shtetin në këto donacione, jo siç e keni shndërruar ju në ligj, ku fondacionet zëvendësojnë shtetin, dhe shteti bën një marrëveshje dhe i kalon të gjitha të drejtat fondacionit për menaxhim 10-20-30-vjeçar, në varësi se si mendoni ta bëni edhe për site të tjera të trashëgimisë kulturore.
Shfuqizimi i këtyre dispozitave ligjore, që mundësojnë administrimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore nga persona privatë apo nga fondacione të krijuara ndërmjet institucioneve publike dhe personave privatë, iu heq mundësinë këtyre të fundit të përfshihen në skema korruptive, klienteliste, abuzive dhe të përdorin pasurinë kombëtare për t’u pasuruar vetë apo për qëllime të tjera. Institucionet tona të trashëgimisë kulturore, por edhe institucionet tona shkencore kanë të gjitha kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe logjistike për të siguruar miradministrimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore, por jo vetëm kaq, kanë të gjithë mundësinë që çdo donator duke u nisur nga donatorët e Butrintit, por edhe nga të tjerë, t’i ftojnë brenda fondacioneve publike për të donuar, por edhe për të monitoruar paratë që japin, sepse i gjithë problemi ka qenë që duhet të japin para, por si t’i monitorojnë. Zgjidhet shumë thjesht: duke i monitoruar paratë që ata vetë i japin brenda fondacioneve tërësisht dhe vetëm publike, kombëtare të drejtuara nga shteti, ku privati vetëm mund të japë donacione. Pra, t’i monitorojë nëse donacionet që jep përdoren për qëllimin që ai ka dhënë: pikërisht, për konservimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Duhen theksuar detaje të asaj që sjell ky ndryshim: e para, sjell shfuqizimin e germave “a” dhe “c” të pikës 3 dhe të pikave 5 dhe 6 të nenit 171 të ligjit 27/2018, të cilat mundësojnë dhënien në administrim të pasurisë së trashëgimisë kulturore; së dyti, sjell shfuqizimin në tërësi të nenit 172, i cili përmban rregullime të posaçme për fondacionet që krijohen nga personat fizik ose juridikë privatë”(në rastin tonë kemi “Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit”) dhe ndryshimin në nenin 173, i cili heq referencat e nenit 172, duke e shfuqizuar kudo në ato pjesë të ligjit që ai përmendet.
Është e rëndësishme të theksohet që ky projektligj nuk parashikon asnjë efekt financiar shtesë në buxhetin e shtetit, përkundrazi është një projektligj, i cili, nëse kalohet, i jep mundësi buxhetit të shtetit të përfitojë paratë e trashëgimisë kulturore, të cilat në rastin e dhënieve me koncesion si Butrinti, nuk menaxhohen nga shteti, nuk kontrollohen më nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por prej një nukle private, nga një fondacion privat.
Në rastin e Butrintit kemi edhe një shkelje tjetër, por nuk do të thotë që kjo shkelje mund të përsëritet edhe në raste të tjera, sepse konventa është specifike, pra edhe në rastet kur janë fondacione, këto fondacione nuk duhet të jenë të huaja, por duhet të jenë kombëtare, pra të shtetit palë, që të ruhet dhe të vlerësohet trashëgimia e shtetit më shumë sesa interesat që mund të ketë një palë e huaj. Megjithatë, kjo është specifike dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me çdo rast kur mund të jepet me koncesion pjesa e trashëgimisë kulturore.
Për ta përmbyllur, duke ju falënderuar për mundësinë që më dhatë për këtë prezantim edhe një herë, është e rëndësishme të kuptohet se këto ndryshime nuk vijnë, sepse u pa në një ditë të bukur që ishin antikushtetuese, vijnë sepse ky ligj e ka faktuar që është një ligj, i cili prodhon marrëveshje antikushtetuese; e ka faktuar me marrëveshjen e Butrintit, që i jep privatit në mënyrë të plotë menaxhimin dhe administrimin e trashëgimisë kulturore bashkë me paratë e shtetit dhe me gjithçka tjetër që ndodhet në atë trashëgimi, si dhe mundësinë për të luajtur pasuri të luajtshme jashtë territorit të Shqipërisë. Nuk po iu futem më shumë detajeve të marrëveshjes, të cilat i kemi diskutuar. Pra, nuk jemi duke kërkuar një ndryshim ligjor në bazë hipotezash që të themi se mund të ndodhë kjo; jemi duke kërkuar një ndryshim ligjor mbi baza faktike, dhe duke qenë se ka ndodhur, kërkojmë që të gjithë deputetët të ndërgjegjësohen që janë përpara një ligji antikushtetues, dhe sot është dita që të gjithë së bashku të jemi pro ndryshimeve të këtij ligji dhe ta kthejmë brenda hullisë kushtetuese.
Shumë faleminderit!