Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për kërcënimin e mediave në Shqipëri dhe çeshtja e projektit TID-Aadf në Durrës / 30 Mars 2026

Fillimisht, dua ta nis fjalën time me një ngjarje, atë të kërcënimit të një pronari mediash në Shqipëri, të zotit Endri Meksi, pronar i televizionit “MCN”, i cili është intimiduar, është kërcënuar jo një herë, por dy herë, madje edhe para pak ditësh janë parë njerëz të armatosur të hyjnë në televizionin e tij. Kjo cenon rëndë lirinë e medias, sigurinë në këtë vend dhe vë në pikëpyetje integritetin që kanë institucionet ligjzbatuese në Shqipëri, që nga Policia e Shtetit te Prokuroria dhe të gjitha me radhë. Është e pafalshme që, kur dikush kërcënohet, qoftë edhe një qytetar i thjeshtë, të mos merret asnjë masë, jo më një pronar mediash.

Kjo lidhet me lirinë e shprehjes, me transparencën për publikun, me punën e dhjetëra gazetarëve, dhjetëra operatorëve, dhjetëra njerëzve që punojnë për interesin publik. Pra, të kërcënohet dhe të mos ketë asnjë reagim nga askush?! Këtu flitet për sigurinë e tij, por edhe për sigurinë e fjalës së gazetarëve që punojnë atje, të investigimeve që bëhen atje, të lajmeve që prodhohen nga një media, siç është “MCN TV”. Çështja e dytë që kam dhe që është shumë e rëndësishme, ndonëse këtu mungojnë ministrat, është binomi Kumbaro-AADF. Mirela Kumbaro na e futi AADF-në me të dyja këmbët në një ligj me porosi, në ligjin e trashëgimisë kulturore dhe sot AADF-ja është koncesionare e pothuajse të gjitha elementeve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri: nga Butrinti, që e ka marrë me koncesion; tek Elbasani, që është futur te kalaja; në Gjirokastër, ku është AADF-ja, por edhe në Durrës me projektet TID e BID, është AADF-ja.

Pra, falë një ligji me porosi, të paguar nga vetë AADF-ja, ku janë deklaruar 150 mijë dollarë të paguar për ligjin e trashëgimisë kulturore, AADF-ja është shtrirë kudo dhe sot e kemi kudo. Mirela tani ka marrë arsimin dhe, meqenëse Mirela ka marrë arsimin, binomi Mirela-AADF duhet të shtrihet edhe në arsim.  Keni sjellë një projektligj në Kuvend, i cili është të vësh duart në kokë, se nuk gjen në asnjë vend të Europës dhe në asnjë vend të botës që detyrat e shtetit t’i jepen një fondacioni privat. Keni sjellë projektligjin që parashikon shkrirjen e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, siç njihet QSHA-ja, dhe krijimin e një Agjencie Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, ku, me demek, do të jetë shtetërore, por de facto do të ketë vulën dhe kontrollin e AADF-së. Në relacionin shpjegues gjeni: “Ky projektligj është hartuar në bashkëpunim me Fondacionin ShqiptaroAmerikan për Zhvillim (AADF)”. AADF-ja na bëka projektligje!

Pra, në këtë vend bën projektligje AADF-ja, një subjekt privat, për të marrë gjëra shtetërore. Për këtë subjekt më në fund kemi një shkresë nga ambasada amerikane (shpëtoni edhe ju, që kishit merakun që ishin amerikanët apo jo) që thotë: nuk është institucion shtetëror amerikan, nuk ka lidhje me ne, është një organizatë private që ka aktivitetin e vet. Të sqarohemi edhe për këtë pjesë, sepse ishit të pasqaruar kur do të merrte Butrintin. I gjithë procesi, që nga njohja e diplomave të studentëve, të cilët kanë studiuar jashtë dhe duan të vijnë në Shqipëri, që tek tezat e Maturës Shtetërore, te licencimi i mjekëve, infermierëve, mësuesve, tek tarifat që do të paguajnë studentët shqiptarë për të marrë një vërtetim për të bërë një provim, të gjitha këto do t’i vendosë AADF-ja, sepse me bordin që ju keni krijuar, është e njëjta gjë. Është e frikshme se si i njëjti projektligj merret nga trashëgimia dhe çohet tek arsimi, vetëm sepse shkon Mirela Kumbaro dhe interesat e saj klientelistë.

Thuhet se risi është përbërja e këshillit drejtues të agjencisë së re dhe në këtë bord, donatorë do të jenë përfaqësuesit e partnerëve strategjikë. Kjo do të thotë se do të jenë përfaqësuesit e AADF-së. Pra, bordin na e merr prapë AADF-ja, siç e kanë marrë dhe siç e ka në të gjitha projektet e trashëgimisë.  Ky është fundi i një shteti, i cili nuk mban përgjegjësi për një nga shtyllat themelore, kërkesat e Kushtetutës, siç është arsimi dhe detyrimi për të ofruar standarde në arsim, që ia lini dhe i merr AADF-ja. AADF-ja bëhet Zoti i arsimit në Shqipëri, ku ministria de facto qëndron, por de jure nuk ka asnjë rol në proceset thelbësore, që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e arsimit në Shqipëri, që nga tezat e Maturës Shtetërore. 

Kjo është një çështje që, sigurisht, fillon sot; është një çështje që nuk lihet me kaq; është një turp i madh pafytyrësia e ministres së Arsimit që të marrë të njëjtët klientë. Pra, ashtu siç merr drejtorët që i ka në ndjekje penale, merr të njëjtët klientë privatë, siç ka AADF-në, që e kalon nga trashëgimia te zonat e mbrojtura, kur ishte te Ministria e Mjedisit, dhe tani te Ministria e Arsimit. Hiqni dorë nga këto paçavure, sepse nuk tregojnë…