Interpelancë me ministren e turizmit znj. Kumbaro, mbi ligjin e “Zonave të Mbrojtura” i cili lejon betonizimin e këtyre zonave | 4 prill 2024

Siç jeni në dijeni, para pak javësh ka kaluar ligji “Për zonat e mbrojtura”, duke e transformuar zonën e mbrojtur në një zonë praktikisht të pambrojtur, ku ndërtimi është aktiviteti i sugjeruar për zonat e mbrojtura; ku ndërtimi dhe betonizimi janë të lejuara dhe ku vendimmarrja për këto zona varet vetëm nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, pra, praktikisht, nga Kryeministri dhe nga ministrat e tij.  

Sot e kam thirrur zonjën Kumbaro në një interpelancë për të na sqaruar se si, me një truk qeveritar, ata futën një projektligj, të firmosur nga 12 deputetë të mazhorancës, që jam e bindur se ata as që e dinë se çfarë kanë firmosur, disa prej të cilëve, madje, nuk kanë folur ndonjëherë në Parlament, ligj që më pas  e ndryshuan me një propozim të qeverisë, por pa e kaluar në konsultim publik. 

Deputetët u shprehën se spunton e morën nga një shkresë e ardhur nga kryebashkiakët socialistë. Dua t’ju tregoj diçka në lidhje me këtë shkresë… 

(Ndërhyrje nga salla pa mikrofon) Do të mbani qetësi, apo mos të vazhdoj?  

Ina Zhupa – A e mbaroi show-n zoti Braçe? A të vazhdoj? 
 Ina Zhupa – Unë pres derisa ju të pini kafet, siç po i pini në zonat e mbrojtura, që doni t’i vdisni! 

Kjo shkresë është depozituar nga kryebashkiakët socialistë, të cilët ishin të shqetësuar se nuk po shfrytëzonin zonat e mbrojtura dhe nuk po merrnin të ardhura prej tyre. E dini çfarë është më qesharakja? Se në këtë shkresë kanë firmosur edhe kryebashkiakë që nuk kanë fare zona të mbrojtura. Fjala bie, kryebashkiaku i Cërrikut ishte shqetësuar shumë pse nuk shfrytëzonte zonat e mbrojtura, kur nuk kishte fare në territor zona të mbrojtura.  

U keni marrë disa firma kryebashkiakëve, pa e ditur se çfarë po bënit. Në fakt, ju e kishit të qartë se çfarë po bënit, po përgatisnit një ligj me porosi, që të jepnit ndërtimet në zonat e mbrojtura. Po përgatisnit një ligj që Divjakën, Pishporon, Velipojën dhe Butrintin t’i jepnit për ndërtim. Zonja Kumbaro ka precedentë, në fakt.  A e mbani mend atë pikën e vogël fare, që ishte zonë e mbrojtur, që zonja Kumbaro e hoqi në vitin 2019?  Ajo është sot një shesh ndërtimi me komplekse vilash private. Kjo është zona e mbrojtur në Parkun Kombëtar të Butrintit, për të cilën ka reaguar UNESCO. UNESCO në raportin e fundit thotë se është hequr “zona e mbrojtur” nga parku kombëtar, që është cenuar Buffer Zone, dhe është ndërtuar atje ku nuk duhet të ishte ndërtuar. Ky është modeli që ka Mirela Kumbaro për menaxhimin e zonave të mbrojtura. Ju doni ta bëni Shqipërinë të mbushur me pikëza të vogla ndërtimesh dhe betoni. Një ministre Mjedisi që njeh vetëm betonin, nuk meriton më të quhet e tillë. Nga sot, unë do t’ju drejtohem si “ministrja e ndërtimit”, sepse shqetësimi juaj, zonja Ministre e ndërtimit, është ku të ndërtoni resorte, hotele me 5 yje dhe vila të oligarkëve, me demek se i shërbyekan turizmit. Më shpjegoni, si i shërben betoni mjedisit? Si i shërben mjedisit shkatërrimi i  lagunave, i liqeneve dhe i lumenjve? Më thoni, si i shërben mjedisit prerja e pyjeve? Si i shërben mjedisit shfarosja e biodiversitetit, florës dhe faunës? Më thoni! 

Më thoni, zonja Ministre, se çfarë ndryshimi ka, dhe përgjigjuni në këtë interpelancë,  të dënohet një njeri që pret pyje (sepse me ligjin tonë dënohet një njeri që pret pyjet dhe quhet kriminel), të dënohet një njeri, i cili vret një kafshë të egër dhe quhet kriminel, ndërsa një njeri që merr zonën e mbrojtur, pret mijëra pemë dhe shfaros kafshët e egra, quhet “investitor strategjik”? Pse i pari quhet “kriminel” dhe i dyti quhet “investitor strategjik”, apo se i pari nuk ka para që t’ju blejë, ndërsa i dyti ka para dhe i ndan me ju? Ky është standardi që keni krijuar, zonja Kumbaro. Ju që keni dalë në raportet e UNESCOs për betonin e varfëruar të Butrintit; ju, që ishit kumbara e fillimit të masakrimit të zonave të mbrojtura.  

Si qenka në interesin publik që një pronë publike, që u takon të gjithë shqiptarëve, që mund ta gëzojë çdo shqiptar sot dhe nesër për brezat e ardhshëm, qenka e mirë të shndërrohet në pronë private të iks apo ipsilon oligarku?!  

Si mbrohet interesi publik, kur natyrën e shndërron në beton dhe pronën publike e shndërron në pronë private? Sqaroja opinionit publik, zonja Kumbaro, ministre e ndërtimit, a e ke përafruar legjislacionin tënd me legjislacionin e BE-së, në lidhje me standardet që duhet të kemi për mbrojtjen e mjedisit dhe me atë që thotë neni 108 i MSA-së, për degradimin mjedisor? 

Këto janë pyetjet që unë ju kam shtruar dhe pres me kënaqësi përgjigjet.  

Sqaroni, zonja Kumbaro, si është e mundur që ju, si ministre e Mjedisit dhe Turizmit, të mendoni se Shqipëria nuk paska përfitime në qoftë se profilizohet tek turizmi natyror?  

Pse mendoni se turizmi, që i shërben Shqipërisë, është turizmi i vilave private dhe i resorteve me 5 yje në zonat e mbrojtura dhe nuk bëtë të mundur ndërtimin e tyre në zona të tjera private, me kosto të biznesmenëve privatë, të cilët do të mbajnë edhe fitimin për vete?  Pse duhet që shteti të falë zonat e mbrojtura, të shkatërrojë një pasuri publike dhe një pasuri kombëtare, që u takon edhe brezave të ardhshëm, vetëm pse kështu keni rënë ju dakord me oligarkët e radhës? 

M’i sqaroni këto pyetje dhe unë kam të drejtën t’ju përgjigjem. 

PJESA 2

Zonja Kumbaro, nuk ishe fare surprizuese, në fakt, ishe ashtu siç të prisja, pa argument, pa të vërteta, në mungesë totale argumentimi se pse u dashka ndërtuar në zonat e mbrojtura, gjithashtu, në mungesë totale argumentimi se çfarë e mirë na vjen nga ky ligj. 

Tani, më lejoni të sqaroj opinionin publik, sepse ju e dini dëmin që keni bërë dhe i dini të vërtetat e mëdha që po thoni këtu, por dua ta sqaroj opinionin publik edhe për gënjeshtrat tuaja dhe për atë që është ligji.  

A e shikoni këtë çakmakun këtu?  Ky çakmaku ose një shkrepëse e blerë me 50 lekë të vjetër, mjaftojnë që një zonë e mbrojtur të kthehet në një shesh ndërtimi me ligjin e zonjës Kumbaro.  

Në nenin 2 paracaktohet parimi i përshtatshmërisë, që për mua është parimi i shkrepëses, që do të thotë se nëse një zonë e mbrojtur ndryshohet gjatë kohës dhe nuk është më e tillë, kjo zonë e humbet kategorinë dhe nuk ka ndonjë detyrim që ta kthejë në gjendjen e mëparshme. E thënë më thjesht: nëse në Pishë Poro ndizet një zjarr me këtë çakmakun apo me një shkrepëse tjetër dhe digjen pyjet, me parimin e përshtatshmërisë është më e përshtatshme ta kthejmë në resort sesa ta ripyllëzojmë përsëri. Kjo është mbrojtja që u garanton Ministrja e “ndërtimit”, zonja Kumbaro, zonave të mbrojtura.  

Foli dhe unë e prisja, në fakt, e kam gati edhe përgjigjen, sepse e di se çfarë thotë zakonisht në këtë propagandën e vet, sepse ju, si mazhorancë, keni diçka shumë të bukur: ju i keni projektet 3D, propagandën 4D dhe vjedhjet 5D. Kështu që, në këtë rast uroj që për zonat e mbrojtura të mos keni përgatitur ndonjë vjedhje 5M me 5 ministra, të cilët përgatiten të marrin plaçkën e zonave të mbrojtura.  

Thatë këtu që keni rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura. Do t’jua argumentoj se çfarë keni bërë, por të jeni të sigurt që ju mund ta rrisni dhe ta quani të gjithë Shqipërinë “zonë e mbrojtur” në 100% të territorit, sepse me të njëjtat kritere ndërtohet si në zonë të mbrojtur, ashtu dhe në zonë të pambrojtur. 

KKRT-ja, Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, vendos si për në mes Tiranës, ashtu edhe për në Butrint, kështu që nuk përbën ndonjë diferencë, sepse ju ia keni prerë kokën ligjit “Për zonat e mbrojtura” dhe të gjitha shifrat që mund të thoni janë kot, sepse nuk hyjnë në punë për aq kohë sa nuk kanë mbrojtje. 

Mirëpo edhe për këtë që thoni, unë do t’jua argumentoj se çfarë keni bërë. Ju kontributin kryesor në rritjen e kësaj sipërfaqeje e keni nga parku kombëtar i lumit të Vjosës, nga zgjerimi i Alpeve dhe nga shpallja e parkut natyror të Munellës. 

Zonja Kumbaro, duhet ta dish që sipërfaqja u zgjerua në mënyrë të konsiderueshme, mirëpo u hoq rezervati strikt natyror i lumit të Gashit dhe jo vetëm kaq, por edhe rezervati strikt natyror i Kardhiqit u kthye në park natyror, duke i ulur shkallën e mbrojtjes dhe sot Shqipëria nuk ka asnjë rezervat strikt natyror. Ky është fakt, zonja Ministre e “ndërtimit”.  

Vjosën e shpallët “Park kombëtar”, por po ju them një risi, sepse sot më ke kujtuar Elvën në mashtrimet që bënte, dhe paç fatin e Elvës! Te 

Vjosa keni shpallur “Park kombëtar” vetëm rrjedhën e lumit, pa përfshirë deltën e saj. Pra, sipërfaqja e Vjosës “Park kombëtar” është 13 mijë metra hektarë, ndërkohë që vetëm delta është 19 mijë hektarë. A e di se çfarë do të thotë kjo? Që, pak a shumë, të shpallësh vetëm trupin të mbrojtur dhe jo kokën. Kështu e kanë shpallur “Park kombëtar” dhe pasi e kanë shpallur “Park kombëtar”, kanë përgatitur projektin që degën e lumit Vjosa, Shushicën, ta marrin, ta devijojnë dhe ta çojnë ujin për investimet strategjike të oligarkëve në Himarë. Kjo është mbrojtja që i garantohet parkut kombëtar të Vjosës, që shifrën e 13 mijë hektarëve e konsiderojnë si rritje të parqeve dhe të mbrojtjes së zonave të mbrojtura, por, në fakt, nuk kanë bërë asgjë tjetër, vetëm një shembull qesharak, që nuk gjendet në asnjë vend të botës, që u mbrojtka vetëm rrjedha e lumit dhe jo delta e lumit.  

Ju i keni rrudhur zonat e mbrojtura, në fakt, keni bërë vetëm propagandë me to dhe nuk keni arritur sot, në ato minuta që përdorët këtu, të na thoni se çfarë e mirë i vjen vendit kur ti shkatërron zonat e mbrojtura. Çfarë të mire i sjell turizmit (jo më mjedisit që e shkatërron totalisht), kur ti shkatërron zonat e mbrojtura, kur ka resorte siç ka e gjithë bota?! Sepse, shumë mirë mund të ndërtosh resorte përtej zonave të mbrojtura apo në kufi me zonat e mbrojtura dhe askush nuk i ndalon biznesmenët, përkundrazi i nxisim, por të japësh falas tokën publike, zonën e mbrojtur, për të shkatërruar të veçantën që ka Shqipëria, këtë nuk na e justifikove dot, zonja Ministre e “ndërtimit”.   Kur miratuat ligji “Për zonat e mbrojtura” në vitin 2017 kishit një kapitull të veçantë se si e përafronte me legjislacionin e BE-së. Kam dëgjuar këto ditë Kryeministrin tuaj të thotë: “Europa i ka shkatërruar lumenjtë dhe zonat e mbrojtura në shekullin e 18-të, 19-të, do të na japin mend ata ne?”. Po është e vërtetë, madje Gjermania dhe Franca kanë qenë në luftë me njëra-tjetrën, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të fillojmë ndonjë luftë tani. Jemi në vitin 2024 dhe BE-ja funksion me parime të tjera dhe ka kritere të tjera për të qenë anëtarë të BE-së, por është edhe ndërgjegjësimi për natyrën. Ju doni të na ktheni në shekujt e 18-të dhe 19-të?! Pse ti, si Ministre e “ndërtimit”, nuk na dhe ndonjë shembull këtu se nga e ke marrë këtë legjislacion? Cili është ai vend i Europës, që bëka siç bën ti? Cili është ai vend tjetër që zonat e mbrojtura, që janë trashëgimi, që duhet t’ua lëmë brezave të ardhshëm, për të cilët do të flas, i merr dhe ndërton?  

Ai shembulli emocionues dhe prekës për Andin apo për filanin, që sajon ti këtu, nuk ka lidhje me realitetin, se, në fakt, ligjin nuk e ke bërë as për Andin, as për Pandin, por e ke bërë për oligarkët, se e ke përcaktuar se çfarë veprimtarish lejohen, zonja Kumbaro, në nenin 33, ku ke thënë: 

“Struktura akomoduese të ekselencës me 5 yje apo më shumë”, dhe nuk e bën besoj për atë që do të ndërtojë penxheren e shtëpisë te zona e mbrojtur, vetëm nëse ka ndonjë mbiemër oligarku Andi dhe e fsheh këtu, se Andi qytetar nuk i ka këto të ekselencës. 

Pra, ju e keni bërë për të ndërtuar komplekset e vilave, për të ndërtuar resorte me vila, ashtu siç keni bërë në Gjirin e Manastirit, ku oligarkët të marrin diell dhe ta kenë plazh privat, plazhin publik. Këtë keni bërë dhe kjo nuk i shërben as turizmit, aq më pak pastaj mjedisit. 

Neni 108 i Marrëveshjes së StabilizimAsociimit i referohet degradimit mjedisor dhe në raportin e Komisionit për Integrimin, tani Komisioni për Çështjet Europiane, për këtë ligj thuhet: “Ligji nuk i referohet asnjë objektivi të zhvillimit të qëndrueshëm”, meqenëse fole këtu, me demek, për zhvillim të qëndrueshëm. Po ashtu thuhet: “Ligji nuk synon të përafrojë asnjë direktivë”; “Ligji nuk është parashikuar në Planin Kombëtar për Integrimin Europian”. Është raporti i  Komisionit për Çështjet Europiane, kur, në fakt, ligje të tilla duhet të  përafrohen me parimet e BEsë dhe me kartën e BE-së, por ju keni arritur të bëni një legjislacion përlargues, ku na largoni nga të gjitha standardet e BE-së.  

Edhe shqetësimi që ngriti vetë delegacioni i BE-së të bën ty të reflektosh për këtë, jo se të intereson, sepse para oligarkëve ti nuk vë asgjë, as BE-në, as natyrën dhe asgjë tjetër, por, të paktën, qytetarët të jenë në dijeni dhe ta dinë.  

Ka një parim në kartën e BE-së, që është parimi i solidaritetit ndërbreznor, që do të thotë, zonja Kumbaro, se ne nuk mund t’u lëmë fëmijëve tanë, nipërve tanë një Shqipëri më të keqe sesa ajo që jetuam, që do të thotë se ne trashëgiminë natyrore edhe zonat e mbrojtura do të duhet t’i ruajmë për t’ua trashëguar brezave të ardhshëm. 

Nuk mund t’u trashëgojmë fëmijëve, nipërve tanë vilën e oligarkut, nuk mund t’u trashëgojmë hotelin e oligarkut tjetër, por një lagunë, një lumë, një liqen. Pronën private të atij, e merr ai, kurse zonat e mbrojtura: Divjaka, Karavastaja, Narta, Pishë Poroja  janë të shqiptarëve dhe ne duhet të bëjmë që brezat e ardhshëm në Shqipëri të jetojnë më mirë sesa ne, jo të jetojnë më keq se ne, jo të humbim çdo shenjë të identitetit dhe të trashëgimisë sonë, siç po bëni ju dhe siç e keni nisur, se ju keni qenë edhe kumbarja e koncesionit të Butrintit.  

Ju keni qasjen që të ndërmerrni politika që nuk korrigjohen dot më, nga asnjë qeveri tjetër, ndërkohë që nuk e keni këtë mandat qeveritar për vendimmarrje që shkojnë përtej rikuperimit në mandate të tjera. Ju mund të keni vendimmarrje për politika ekonomike dhe sociale, dhe me politika të mira të një qeverie tjetër mund të rikuperohen dëmet, por jo të shkatërroni 

Shqipërinë, zonat e mbrojtura, duke ndërtuar atje, të cilat nuk i kthen dot kurrë në gjendjen e mëparshme. Kjo është shkelje e Kushtetutës dhe e parimeve të solidaritetit social dhe ndërbrezor, që i kërkon Kushtetuta, dhe e mbrojtjes së trashëgimisë për brezat e ardhshëm. Sigurisht ju, si Ministre e “ndërtimit”, as kjo nuk ju intereson. 

Më përpara planet e menaxhimit bëheshin nga ekspertët, tani kemi kaluar nga ekspertët në nivel politik, sepse pavarësisht se çfarë thotë plani i menaxhimit, ju e keni vënë që vendimmarrjen e merr Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, pra që është një nivel politik; kalon vendimmarrja nga niveli i ekspertit, në nivelin politik.  

E vetmja gjë që ju shikoni, kur bëhet fjalë për zonën e mbrojtur është: a më mbështet mua ky oligark? Sa vota më prodhon? Sa para më fut në xhep? Sepse për mbrojtjen e mjedisit, për mbrojtjen e biodiversitetit, për mbrojtën e florës dhe faunës, nuk pyesni. Ky është një ligj që nuk parashikon se çfarë dëmi të jashtëzakonshëm do të sillte impakti në ndikimin në mjedis.  

Flluskën e madhe të turizmit mund ta shikoni edhe tek të dhënat e INSTAT-it, ku thuhet se gjatë vitit të kaluar kanë ardhur 5 milionë vizitorë nga Kosova, 4 milionë e 930 mijë, që do të thotë se çdo shtetas i Kosovës ka ardhur 2 herë në Shqipëri, sepse ju interesoi të rrisnit flluskën e turizmit për të treguar atë që donit të bënit më pas, me demek se do t’i shërbente turizmit shkatërrimi i zonave të mbrojtura.  

Folët për qëndrueshmëri. Ky projekt e shkatërron agroturizmin (paska ikur edhe Ministrja e Bujqësisë), e shkatërron peshkimin, shkatërron të gjitha aktivitetet e vogla që mund të bëjnë komunitetet lokale, dhe faktikisht shkatërron edhe komunitetet lokale, që nuk do ta gëzojnë më zonën e mbrojtur me aktivitete, të cilat sot janë të lejueshme brenda zonave të mbrojtura, ato aktivitete që nuk e degradojnë, nuk e prishin, nuk cenojnë vlerën.  

Çfarë do të bëjë banori lokal në një vilë private, në një resort vilash? Maksimumi mund të punojë për të pastruar vilën, por nuk mund të bëjë ndonjë aktivitet, nëse ju bëni një resort me vila, ku gjithsecili ka vilat e veta, siç po bëni në Gjirin e Manastirit. Çfarë të mire i sjell banorit?  

Ju doni të ndërtoni atë koncept, që, në fakt, jua kanë thënë me të drejtë ekspertët, që është “Golemizimi” i zonave të mbrojtura, t’i bëni zonat e mbrojtura siç janë ndërtimet në Golem, që kanë shkatërruar çdo gjë që lidhet me ato bukuri që duhet të kishin bregdeti dhe deti atje, për t’i kthyer në masivë betoni, të cilët shkatërrojnë natyrën dhe shëndetin e qytetarëve, sepse natyra është e lidhur domosdoshmërish me ajrin, zonja Kumbaro, me atë që thithim ne, që sot në Tiranë është më i rrezikshëm se në të gjithë vendet e Europës. 

Ju kështu doni ta ktheni të gjithë Shqipërinë në një dhomë gazi, ku të mos kemi dot mundësi të marrim ajër dhe t’u tregojmë fëmijëve tanë se çfarë është Shqipëria dhe cilat janë bukuritë e saj natyrore. 

Faleminderit! 

PJESA 3

Ngelesh folklorike në shprehjet e tua. Nuk u ngrite dot ndonjëherë në nivelin e ministres. Në fakt, ajo që the shkatërrohet vetëm me dy foto, zonja Ministre e “ndërtimit”, me ndërtimet në zonat e mbrojtura, me Gjirin e Manastirit. Kaq mjafton për të kuptuar se kush je ti dhe çfarë bën ti. Pasi hoqe 1390 hektarë nga zonat e mbrojtura, nuk të mjaftuan, ndaj tani hoqe të gjithë mbrojtjen nga zonat e mbrojtura. Ja, ky është modeli i mjedisit dhe modeli i turizmit, medemek elitar. Në fakt, ky nuk është turizëm. Këto janë vetëm vila private të oligarkëve, që shijojnë bregdetin publik si një bregdet privat. 

Zonja Kumbaro, keni zero përgjegjshmëri publike, sepse e keni treguar këtë duke fshehur raportet e UNESCO-s, kur donit të ndërtonit qoftet në Butrint; e keni treguar kur keni shpikur konceptin e betonit të varfëruar; e keni treguar sa herë që keni folur për mbrojtjen e për zonat e mbrojtura, teksa mohoni projektin e Divjakës, Divjaka Kingcoast, i cili është betonizimi i Divjakës; e keni treguar teksa mohoni planet për të ndërtuar në Pishë Poro; teksa injoruat Konventën e Bernës për punimet në aeroportin e Vlorës; teksa ndërtoni dhe parashikoni të vazhdoni të ndërtoni brenda Parkut Kombëtar të Butrintit, bashkë me atë qendrën e vizitorëve, me restorante, bare e dyqane të ndryshme suveniresh. Të gjitha këto janë fakte. Këto janë fakte që i di publiku dhe që janë të njohura me dokumente. Ajo që publiku do të kuptojë nga kjo interpelancë, është fakti që ministrja e Mjedisit ka hequr dorë nga mbrojtja e mjedisit dhe është shndërruar në një zëdhënëse të interesave të oligarkëve e të ndërtuesve në Shqipëri; që ministrja e Turizmit ka hequr dorë nga turizmi natyror, nga mbrojtja e natyrës, për t’u shndërruar në një maxhordome të vilave të oligarkëve. 

Sot shqiptarët kanë kuptuar se ministrja Kumbaro, që as ministre ndërtimi nuk meriton, ndonëse unë ashtu do ta quaj, është shndërruar thjesht e vetëm në shërbëtore të interesave të atyre që e kanë urdhëruar të firmosë një ligj pa konsultim publik dhe në kundërshtim me atë që kërkon Bashkimi Europian. 

Faleminderit!