Interpelancë me ministrin e Kulturës në lidhje me çeshtjen e projektit TID për Durrësin, që është projekti i fshehur në titullin “Për përmirësimin e turizmit të Durrësit” / 14 Dhjetor 2025

Ministri këtu ishte, besoj duhet të jetë.  

Zoti Kryetar, Kam kërkuar këtë interpelancë në lidhje me projektin TID për Durrësin, që është projekti i fshehur në titullin “Për përmirësimin e turizmit të Durrësit”, por, në fakt, është një projekt për shkatërrimin e trashëgimisë së Durrësit.  

 Po të shkoni në Durrës dhe të bëni një shëtitje te “Vollga”, do të shikoni disa foto të Durrësit të vjetër, ku tregohet si ka qenë Durrësi, vendbanimet e Durrësit. Në fakt, ato që tregohen në atë foto, ju doni t’i shkatërroni: qytetin tremijëvjeçar, siç ka qenë, banesat e qytetarëve, të cilat nuk janë prekur dhe janë banesa historike, që kanë edhe tabela jashtë tyre, si mure historike, doni që të shkatërrohen. Për shembull, banesa e Isuf Mehmetit ka përpara derës: mur i periudhës otomane të vitit 1502. Kjo të shkatërrohet, ndërkohë, të ndërtohet një pallat ngjitur me të, pa kaluar 50 metra.  

Arsyeja pse e kam thirrur në interpelancë ministrin është të na shpjegojë: pse kjo sjellje pushtuesish me Durrësin? Kur pushtuesit shkonin në një qytet, digjnin banesat, shkatërronin vendbanimet, sepse vendbanimet janë pjesë e trashëgimisë kulturore. Pse keni zgjedhur të jeni pushtues? Çfarë njohjeje keni bërë me zonën? Si e keni bërë projektin? Si e keni zgjedhur? Cilat do të ishin kriteret për banesat që duheshin prishur?  

E vetmja njohje me zonën ka qenë kjo: (Tregon foto.) Elva Margariti me maskë, Sandër Sarapuli dhe Martin Mata, në një shëtitje në Durrës ku thoshin: kjo do të prishet, kjo të rrijë, kësaj t’i rrijë kati lart, kësaj t’i prishet kati poshtë.  Më pas u prodhua një plan, që është plani më i turpshëm i bërë ndonjëherë për një qytet; ky është plani i pushtuesve të Durrësit. Ky është plani që, të gjitha këto pikat e kuqe që ju shikoni këtu, janë banesa që do t’i shkatërrohen qytetarëve të Durrësit. Ministri sot të duhet të sqarojë qytetarët e Durrësit: pse pranë pikave të kuqe ka pika të bardha? Cilat janë kriteret që amfiteatri është këtu, dhe prishen shtëpitë te lagjja “Jani Kukuzeli”? 

Cilat janë kriteret që dy banesa me të njëjtin mur, gjysma e banesës prishet dhe gjysma tjetër nuk prishet? Cilat janë kriteret që keni përdorur për të bërë këtë masakër të qytetit të Durrësit?  

Ky është përçudnim i trashëgimisë, përçudnim i identitetit të Durrësit. Durrësi është Durrësi dhe me vendbanimet që ka Durrësi. Të na shpjegojë zoti Ministër, nëse janë bërë konsulta me banorët, siç e kërkon ligji. A janë informuar banorët para se t’i shkonte letra e shpronësimit? Të na tregojë ministri sot këtu, se si mund të zhvillohet turizmi i një qyteti duke i shkatërruar identitetin, dhe duke e bërë planin jo bashkia, me një plan të detajuar vendor dhe me një plan të përgjithshëm vendor, por duke e bërë AADF-ja – planin e një qyteti?! Planin e një qyteti nuk mund ta bëjë një organizatë që ka interesa private, ligji ia jep bashkisë ta bëjë. Pse nuk e bën dhe pse nuk e ka bërë dhe pse nuk bazohet në një plan të përgjithshëm vendor dhe një plan të detajuar vendor, ky plan i shkatërrimit të Durrësit?! Si shpjegohet që, në letrën që sjell Ministria e Kulturës, në shkresën nr. 941/1, të datës 14.11.2025, pas kërkesës sime për të kuptuar se çfarë konsultimesh ishin bërë, ministri thotë që jemi konsultuar me Ministrinë e Kulturës (veten e vet), Institutin e Arkeologjisë, Muzeun 

Arkeologjik, bashkinë, Qendrën Kulturore (pra, të gjitha institucione shtetërore) dhe Shoqatën e të Verbërve. Kanë konsultuar shoqatën e të verbërve se si do t’iu dukej Durrësi duke shkatërruar shtëpitë e banorëve.  

Tani, kjo përbën përçudnim të asaj që kërkon ligji, të interesit publik. Ju nuk mund të zgjoheni nga sot nesër dhe të shkelni të gjitha ligjet, të gjitha VKM-të ( unë do t’jua referoj pasi të flasë edhe ministri) dhe të vendosni nga sot nesër që ata nuk do të kenë më banesën e tyre, atë ku kanë jetuar. Elementi tjetër, keni bërë një shpronësim të fazës së parë për 12 familje. Metri katror për ata 12 familje ka qenë i vlerësuar 910 mijë lekë të vjetër. Në fazën e dytë të shpronësimit, për 74 familje, me VKM- në nr. 477, metri katror në Durrës, në një periudhë të më vonë nuk rritet, po ulet nga 900, që shpronësoheshin të parët, këta të dytët shpronësohen me 705 mijë lekë të vjetër metri katror; në një qytet ku sot, po të shkosh të kërkosh për të blerë një shtëpi, nuk mund ta gjesh nën 1500 euro metri katror. Ma shpjegoni se çfarë logjike ka ndjekur ministria, që mendon se turizmi në Durrës është shkatërrim i shtëpive dhe banesave të qytetarëve të Durrësit? Çfarë logjike përdor Ministria e Turizmit me një projekt të Elva 

Margaritit, teksa thotë që më e mira e Durrësit është të shkatërrohet jeta e palcës së qytetarëve.

(Bie gongu.) 

Niko Peleshi – Mbaroni fjalinë, ju lutem! Ina Zhupa – Sepse po të shikoni listën e banorëve që shpronësohen, ju do të shikoni mbiemrat autoktonë të qytetit të Durrësit, do të shikoni palcën e atij qyteti, që nuk kanë vënë një gur, dhe nuk kanë ngulur një gozhdë në mur, sepse nuk donin të shkatërronin atë që ishte identitare dhe e pacenueshme, dhe sot shkon shteti dhe i thotë që do t’u vërë fadromën. 

PJESA 2 :

Zoti Ministër, mua më vjen keq, se viheni në pozitë për një projekt i cili nuk është juaji. Jeni i detyruar ta mbroni, por edhe mund të tërhiqeni. Nuk është turp të pranoni dështimin e ministres përpara jush. Unë tani do t’ju them, do t’ju cilësoj, të gjitha shkeljet ligjore, të gjitha mangësitë e projektit dhe të gjithë shkatërrimin që i sjell qytetit të Durrësit. Më erdhi keq që harxhuat 10 minuta kohë për të na treguar sesa i bukur, sa i mirë dhe sa vlera ka Durrësi. 

Këtu jemi dakord bashkë dhe unë po them t’ia ruajmë ato vlera, ndërsa ju po thoni t’ia shkatërrojmë ato vlera. Këtu ndahemi bashkë, sepse unë mendoj se palca e qytetit, vendbanimet e qytetit janë të rëndësishme për t’u ruajtur të patjetërsueshme. Kur shkova në Durrës dhe takova banorët, turistët fotografonin dhe ishin në rrugicat e Durrësit për të parë qytetin, siç ai ka qenë dhe siç është jetuar edhe më përpara. Edhe për murin, të cilin e bëtë legjendë, ai është pjesë e një banese dhe projekti nuk parashikonte as ndriçimin dhe as ruajtjen, por parashikonte atë që them unë, shembjen e banesës, të gjithë siç është, sepse banesa është bashkë me muret brenda, nuk ka banesë pa mure.  

Për të mos e kthyer vetëm në një rast, sepse, në fakt, këtu është shkelur i gjithë procesi, është qesharake të thoni se janë bërë konsulta dhe dëgjesa, sepse i ka dëgjuar edhe Kryeministri, i ka dëgjuar edhe Martin Mata apo Sandër Sarapuli. Ligji i shpronësimeve është shumë i qartë. Ligji kërkon që banorët e prekur drejtpërdrejt të dëgjohen dhe të konsultohen. Nuk mund të konsultosh institucionet e tua për të prishur banesën e dikujt; nuk mund të bësh transparencë me institucionet e tua në vartësi pa i thënë të zotit të banesës që do t’i prishet banesa, siç e kërkon ligji. Ligji nr. 8561 i vitit 1999, pikërisht, për shpronësimet, sepse jeni duke bërë këtë proces, të kërkon që banorët të jenë të njoftuar dhe banorët nuk janë njoftuar as në fazën e projektimit, as në fazën e konsultimit, as në fazën e vendimmarrjes. Dokumentet themelore, zoti Ministër, si pasaporta e objektit, akti i konstatimit teknik, projektet, preventiva, ekspertiza, nuk janë, nuk ekzistojnë dhe nuk u janë vënë kurrë në dispozicion. Zoti Ministër, unë sot do t’jua jap juve një kopje, ta keni, sepse ndoshta jua fshehin, pasi e kam bërë edhe një kopje për ju. Këto janë deklaratat personale, të firmosura nga të gjithë banorët, me kartë identiteti secili, me të dhënat e tyre personale, që tregojnë se për këtë projekt nuk janë pyetur kurrë, nuk janë dëgjuar kurrë, nuk u është ofruar asnjë lloj informacioni dhe prona e tyre rezulton e ndryshme në realitet nga ajo që reflektohet në projekt. Në projekt shumë nga pronat janë të hedhura me gabime, sepse janë bërë duke marrë Google Maps ata italianët që ka zgjedhur AADF-ja dhe nuk kanë shkuar kurrë në terren për ta parë se si është realiteti. Kam këtu pronën e zonjës Entela Koja, ku projektuesit i thoshin: jo, nuk ka qenë ky kati lart. Kur i nxorën të dhënat që ai kati ka qenë edhe në dokumentarët e Italisë (po të shihni edhe dokumentarët e LUCEs, i ka nxjerrë me prona, kanë qenë): epo nuk ka gjë tani, do të prishet, se kështu na është dukur neve. Kjo është çmenduri, që ti të vendosësh një standard se si i duket njërit apo tjetrit.  

 Kam këtu pronën, të marrë përsëri nga ushtria italiane, e marrë me dokumente nga ushtria italiane, që është totalisht siç ka qenë atëherë, të zonjës Enada Laçi, e cila e ka marrë, zoti Gonxhe, me dokumente, me foto dhe është njësoj, siç ka qenë atëherë është edhe tani, sepse këta njerëz janë treguar të kujdesshëm që të mos ta tjetërsonin trashëgiminë. Ashtu siç ishte në foton e ushtrisë italiane, është edhe sot. Tani, pse kjo nuk është trashëgimi për t’u ruajtur dhe duhet shembur, dhe duhet bërë aty një stol në park?! Nuk e kuptoj se cila është vlera e turizmit dhe vlera e projektit?!  

 Ti lexon një plan menaxhimi, i cili është bërë pa njohjen e zonës, pa nxjerrë aty brenda çfarë të mire do të kishte qyteti. Ju përveç planit TIDkeni edhe planin BID, të dyja të ndërthura dhe të dyja për interesa të privatëve. Sepse ju, edhe tani që e keni miratuar, jua thashë edhe në fillim në formë pyetjeje, nuk e keni të miratuar një plan të detajuar vendor për të thënë se këto banesa që do të prishen, nesër do të jenë lulishte apo do të jenë pallate të reja. Sepse plani i ri vendor që do të dalë, që nuk është miratuar, mund të miratojë që në vend të këtyre, e bukura e Durrësit është të jenë nga 15-kate, pallate të reja. Si e zgjidhim ne këtë? Cila është garancia këtuqë prona private nuk po rrëmbehet për t’ia dhënë një privati tjetër, i cili është pjesë e një karteli në Durrës?! Këtë e zgjidh ligji, sepse ju nuk jeni duke funksionuar me ligj, zoti Ministër.  Vazhdojmë. Ligji kërkon që pronari mund të marrë përsipër detyrimet për realizimin e investimit, në rast se ju keni një projekt për t’i ndryshuar fytyrën Durrësit. Kjo gjë nuk u është ofruar asnjëherë pronarëve, sepse ata as nuk janë takuar, nuk i është thënë pronarit që duhet të bësh këtë ndërhyrje për të mirën e qytetit, duhet ta shkëpusim këtë murin, duhet të bëjmë këtë tjetrën, fare. Nuk mund ta quash një projekt, se ju e thatë këtu në fillim: projekti i rijetëzimit, nuk është shkatërrimi, rijetëzim. Keni nxjerrë edhe një metodë (u habita atje, në fakt, kam konsultuar edhe arkitekt): e shembim, për ta rikonstruktuar. Nuk është më rikonstruksion ai, sepse kur ti e shemb mbaroi, nuk ekziston më ajo vlerë, po ndërton diçka krejt të re. Zoti Ministër, ky koncept nuk ekziston. Pastaj, erdhe këtu dhe nuk ma the (ma thuaj minutat e tjera): cili është modeli? Na thuaj një model të një qyteti në botë, që ka rrafshuar vendbanimet, ka rrafshuar banesat, për t’i dhënë hov turizmit apo për të ruajtur identitetin! Nuk ka asnjë model që rrafshon banesat. Po, ka vetëm një model, lufta. Pra, kur ndodh lufta, normale rrafshohen, sepse vjen pushtuesi dhe i rrafshon dhe mundohen pastaj qytetarët dhe qeveritë, që pas lufte t’i ndërtojnë siç kanë qenë, duke u munduar të bëjnë më të mirën. Pas lufte, patjetër. Në qoftë se ne jemi në luftë dhe në qoftë se janë banorët në luftë me qeverinë e tyre dhe qeveria e tyre është pushtuesi dhe AADF-ja është ushtria që e ka vënë pushtuesi për t’i shkatërruar, na e thoni dhe unë tërhiqem. Ka modele të luftërave kudo në botë. Por, në qoftë se është një qeveri, e cila duhet të ketë interesin publik, ligjin, VKM-të e këtij shteti, atëherë ju jeni duke i shkelur ato me të dyja këmbët. 

Në kërkesën që ju dërgova, zoti Ministër, ju kam referuar VKM-në nr. 169, të datës 20.2.2020. Në këtë VKM thuhet: mbahet procesverbal në dëgjesa. A më keni sjellë ju mua ndonjë procesverbal apo banorëve, në emër të interesit publik? Jo. Sepse nuk keni një procesverbal të mbajtur nga dëgjesat. Kush ka marrë pjesë dhe kush ka qenë në këto dëgjesa, siç jua kërkon VKM-ja? A e dini pse nuk e keni? Sepse ju vjen turp të sillni emrat e punonjësve tuaj, që kanë mbushur sallën aty; sepse ju vjen turp të sillni emrat e patronazhistëve, që nuk kishin fare lidhje me Durrësin, që vinin nga Tirana atje për të bërë show me Elva Margaritin dhe me Edi Ramën me maska. Dhe maskat ishin gjëja më e bukur që kishin aty, se i ngjanin fiks hajdutëve, të cilët kishin vajtur për të plaçkitur trashëgiminë e Durrësit, identitetin e Durrësit.  Ku e keni këtë procesverbal? Ku i keni procesverbalet e dëgjesave? Nuk mund të thoni: kemi dëgjuar veten, kemi dëgjuar bashkinë, ministrinë, muzeun e drejtorin tonë të financës, sepse këto nuk janë dëgjesa që kërkon ligji i planifikimit të territorit. Po ashtu, ligji i planifikimit të territorit kërkon që të gjitha ndërhyrjet në territor, të bëhen me plan të përgjithshëm vendor, me plan të detajuar vendor që miratohet nga këshilli bashkiak. Unë kam shkresën nga Bashkia e Durrësit, në të cilën thuhet: ne nuk kemi zë në këtë kapitull, sepse të gjitha i ka bërë AADF-ja. Pra, planin e një qyteti na e bëka AADF-ja. Dhe cila?! AADF-ja, që sot ka më shumë tërheqje vëmendjeje nga UNESCO, për plaçkitjen që po i bën trashëgimisë kulturore shqiptare, sesa çdo organizatë tjetër në të gjithë botën, sepse askund në botë nuk ekziston që të marrë privati: Butrintin, orën, Piramidën, çfarë keni ju këtu… Edhe kalanë e Elbasanit ia keni dhënë AADF-së, e cila nuk e di se ku fillon e ku mbaron interesi reciprok i të gjitha palëve. 

Po ashtu keni shkelur VKM-në nr. 686, që detyron transparencën e procedurave të konsultimit, zoti Ministër. Të gjitha këto cenojnë disa të drejta, që janë të drejta kushtetuese të qytetarëve të Durrësit, si: e drejta e pronës, moskufizimi i lirive themelore të tyre dhe barazia e tyre përpara ligjit. Janë detyrimet sociale të shtetit për t’i garantuar banesën dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe është detyrimi juaj që të na argumentoni sot këtu: cili është interesi publik i Durrësit, cili është interesi publik që mbrohet duke shkatërruar atë që është identiteti i Durrësit?!  Ju duhet të na thoni sot këtu: cilat janë kriteret, zoti Ministër, që projekti juaj shkatërron banesën e Fatmir Zotajt, i cili ka kontribuar në qytetin e Durrësit më shumë se çdo njeri atje për t’i dhënë gjëra qytetit, për t’i vendosur drita qytetit, për t’i shtruar rrugicën qytetit? Cili është gabimi që ka bërë apo çfarë të keqeje i sjell qytetit të Durrësit banesa e Armand Rufës, që është i gatshëm të paguajë çdo gjë për ta bërë sipas projektit që doni ju, për të ruajtur trashëgiminë e banesës së tij 3 mijë vjeçare. Ma thoni se mbi çfarë baze kriteresh prishet shtëpia e Rita Kazazit, ndërkohë që atij që është brenda murit të shtëpisë dhe është bashkëkufitar, nuk i prishet, sepse ai nuk e dëmton trashëgiminë, se është babai i drejtorit atje dhe këtu, kurse shtëpia dhe biznesi i Ritës e shkatërron trashëgiminë?! Se u dashka më shumë një stol aty sesa jeta dhe vendbanimi i një banori, të cilit i shkatërrohet jeta. Ma thoni, zoti Ministër?! Sa u përket shpronësimeve, patjetër që ju e dini shumë mirë që në janar ndryshohen çmimet e referencës. Patjetër që ju e bëni këtë për t’u dhënë atyre një kothere. Nuk ka asnjë kuptim që ju të vini në dispozicion 3,1 milionë dollarë për shpronësimet, dhe 6,7 miliardë për ngjyrosjet e fasadave. Pra, kushtokan më shumë ngjyrosjet e fasadave, që t’i bëjmë të bukura, sesa jeta e banorëve që u shkatërrohet shtëpia dhe pronësia e tyre?! Këto janë shifra reale, janë shifra që janë në projekt. Si mundeni ju t’i thoni nga sot nesër njeriut që jeton me familje dhe me breza, 3 mijë vjeçar në Durrës (që kur ka rekorde, ata janë banorë aty): ik ti (nga sot nesër), ik për një copë bukë, ik se dua unë, ik pa ligj!? Ky është pushtues. 

 Unë ju ftoj, zoti Ministër, në shkelje të të gjithë këtyre ligjeve, është ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis (unë nuk doja ta bëja diskutim thelbësisht ligjor, sepse ju i keni shkelur të gjitha ligjet); ju nuk e keni bërë fare vlerësimin në mjedis, që është detyrim i çdo projekti. Ku e keni, nxirreni?! Nuk e keni për asnjë gjë. Sepse projekti është vendosur brenda zonës së mbrojtur arkeologjike dhe e keni detyrim, sipas ligjit. Ju nuk e keni bërë. Për aq kohë që janë shkelur të gjitha ligjet, të gjitha VKM-të, është bërë pa transparencë, pa konsultim, është kundra interesit publik, atëherë ju, si Ministër, mos ngelni peng e maskave të Elva Margaritit, Martinit dhe Sandrit apo të besës që mund t’i ketë dhënë Kryeministri, por ngrihuni në lartësinë e detyrës, kërkoni rishikimin total… 

Niko Peleshi – Ta mbarojë fjalinë. 

Ina Zhupa – …të projektit, zbatoni ligjin dhe bëni më të mirën për Durrësin dhe për banorët e Durrësit, sepse Durrësi nuk ka kuptim pa banorët e vet brenda. 

PJESA 3:

Mua më vjen mirë që ju merrni angazhim për ta riparë, uroj që ta shikoni seriozisht, sepse këto që them unë janë absolutisht të gjitha të vërteta dhe të verifikueshme. 

Zoti Ministër, ju e lexuat edhe një herë listën e atyre që keni konsultuar. Qartësisht nuk janë në përputhje me ligjin, sepse nuk mund të konsultohet askush tjetër përveçse banorëve që do t’u prishet shtëpia. Jeni në proces shpronësimi, nuk jeni thjesht në një projekt: do të bëjmë një qendër kulturore dhe hajde të pyesim në përgjithësi banorët. Jeni në një proces shpronësimi dhe keni detyrimin ligjor t’i pyesni, t’i dëgjoni dhe të konsultoheni me ta. Nuk është bërë. Kjo është e prerë. 

Nga ana tjetër, ju thoni: janë disa banesa të papërshtatshme. Si, kur nuk kanë shkuar kurrë?! Sepse që të shkosh në një banesë, minimalisht duhet të njoftohet pronari i banesës për ta parë sa e papërshtatshme është, për t’u mbajtur apo për t’u prishur. Kjo prapë nuk është bërë. Prapë nuk arritët dot t’u thoshit qytetarëve se cilat janë kriteret, sepse në një projekt duhet të këtë disa kritere, kaq larg nga Amfiteatri, kaq afër, kaq e vjetër, kaq e re. Pra, duhet të ketë disa kritere. Ju sot nuk keni disa kritere të shpallura për të thënë që këto kanë qenë kriteret që ne kemi zgjedhur se cilat do të prishen dhe cilat i plotësojnë këto kritere do të prishen, cilat nuk i plotësojnë do të qëndrojnë. Sepse nuk i keni, ju i keni bërë ca të nënës e ca të njerkës për interesat e planeve tuaja afatgjata dhe kjo prapë nuk është në të mirën e Durrësit.   

Ju, zoti Ministër, nuk na thoni dot këtu që “E bëmë më shpejtësi, ndaj i bëmë shpronësimet tani për tani dhe nuk i lamë për në janar”, sepse ju e thatë vetë që është një projekt që nis që nga pandemia dhe nuk është çështje shpejtësie këtu për t’i dhënë hakun të zotit dhe për t’i dhënë shpronësimet, nëse do të arrinin në atë fazë.  

Sa u përket gjykatave ato janë në procese gjyqësore, janë pranuar paditë, por ju e dini shumë mirë që gjykatat në Shqipëri janë fatkeqësia më e madhe për të marrë të drejtën, sepse ju mendoni që t’i shembni shtëpitë, t’ua shkatërroni pa ligj dhe të enden 15 vjet, minimalisht, dyerve të gjykatës. Edhe po e morën të drejtën, çfarë do të marrin, sepse shtëpia nuk është më?  

(Bie gongu.) 

Po e morën të drejtën, maksimumi do të marrin ndonjë dëmshpërblim tjetër.  Kështu që tregohuni fillimisht qytetarë, më pas politikanë dhe mendoni që jeni duke shkatërruar jetën e njerëzve, jeni duke shkatërruar trashëgiminë e një qyteti. Mos u nxitoni, keni që nga pandemia, tërhiquni nga projekti, bëjini të gjitha fazat si duhet dhe nëse ka banesa që duhet të prishen për trashëgiminë, duhet të bëhet në bazë të kritereve, kriteret duhet të jenë të publikuara… 

(Bie gongu.) 

Niko Peleshi – Ta përfundojë fjalinë! 

Ina Zhupa – … dhe janë të gjithë të gatshëm të bashkëpunojnë, sidomos kur bëhet fjalë për Amfiteatrin, por nuk është logjike që banesat që ndodhen shumë larg Amfiteatrit, si shkolla “Jan Kukuzeli”, e të tjera, të prishen pa kritere, sepse kështu ka vendosur një fondacion privat.  

Sipas ligjit ju jeni garanti i interesit publik dhe qëndroni në devizën që ju jepet me ligj! 

Mbroni Durrësin dhe banorët e Durrësit! 

Shumë faleminderit!