Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në Komisionin e Ligjeve, ditën e sotme u diskutua mbi disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018, “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, nismë e deputetes së PD-së, Ina Zhupa.
Në përgjigje të pyetjeve se ku shkelet Kushtetuta dhe Konventa e Parisit tek ligji ekzistues, Ina Zhupa u përgjigj se sipas 4 prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ligji nuk ka një paracaktim eksplicit që të thotë se shteti duhet të jetë dominues ndaj privatit, në fondacione.
Zhupa tha se është detyra e shtetit, sipas Kushtetutës, që të mbrojë pasurinë dhe identitetin kombëtar si dhe trashëgiminë, pasi këto fondacione duhet të jenë për të ndihmuar shtetin e për të dhuruar para.
“Ajo që unë kërkoj të bëjmë, është që me vullnetin e të gjithë deputetëve, ne të arrijmë që të mos kundërshtojmë ekzistencën e fondacioneve, sepse këtë e lejon Konventa e Parisit, por të kundërshtojmë ato fondacione të tipit të Butrintit, ku shteti është në pozita minoritare dhe nuk ka asnjë mundësi të ndërhyjë në vendimmarrje”, u shpreh deputetja Zhupa.
Më tutje, ajo citoi mendimin e njërës prej gjyqtareve, Marsida Xhaferllarit, sipas së cilës, roli parësor i shtetit nuk është garantuar për dy arsye: së pari administrimi i pasurisë kombëtare me vlera universale është fragmentarizuar, gjë që sjell rrezik të qenësishëm në konservimin e integruar të saj dhe së dyti është lejuar të kryhet ky administrim nga një entitet i së drejtës private.
Ina Zhupa tha se, kërkesën për ndryshime në ligj e ka bërë, bazuar në nenin 17 të Konventës së Parisit, sipas së cilit krijimi i fondacioneve është bërë vetëm me qëllimin e mbledhjes së donacioneve.
“Ligji 27/2018 prodhon një model amorf i cili nuk gjendet në asnjë vend tjetër të botës”, tha Zhupa, duke ftuar kolegët e Komisionit të Ligjeve mos e shohin këtë nismë si politike por që lidhet vetëm me trashëgiminë kulturore.
Në përfundim të fjalës së Ina Zhupës, kryetarja e komisionit të ligjeve, Klotilda Bushka, tha se çmonte që nisma nuk qëndronte dhe u sugjeroi kolegëve të komisionit të mos e miratonin, pasi ligji i ri, është bërë sipas standardeve të UNESCO-s.