Fjalim për raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor për Inceneratorët | 10 Mars 2022

Në fakt, Komisioni Hetimor i Inceneratorëve vërtetoi para të gjithë shqiptarëve atë që Partia Demokratike kishte gjashtë vjet që e thoshte: skemën korruptive kriminale me të cilën anëtarë të Këshillit të Ministrave, sekretarë të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave e të ministrisë së linjës bashkë me tre anonimë pa asnjë ekspertizë në fushën e menaxhimit të mbetjeve, gllabëruan nga buxheti i shtetit dhe lidhën kontrata me vlerën 430 milionë euro.

Sot shqiptarëve u mjafton të kujtojnë një fakt të thjeshtë: ku janë pronarët e këtyre tre koncesioneve kaq të ndershme, që paska bërë qeveria shqiptare? Ku janë këta tre pronarë? Pse nuk erdhën në komisionin hetimor? Sepse janë në kërkim ndërkombëtar për skemën e pastrimit të parave e për aferën e koncesionit dhe partneritetit publik privat. Te “Tirana”, për shembull, ju do të gjeni një çudi, një miksim midis koncesionit e partneritetit publik privat. Kontrata e Elbasanit po ashtu. Kjo sepse donin të bënin aferën më të madhe, aferën e shekullit, e cila vidhte nga taksat e taksapaguesve shqiptarë, nga paratë e buxhetit të shtetit 430 milionë euro.

Në qoftë se kjo skemë do të ishte kaq e pastër dhe kaq inoçente, sot nuk do të ishte në burg ish-ministri Lefter Koka. Dy nga akuzat e SPAK-ut janë pikërisht në lidhje me procedurat joligjore që Lefter Koka si ministër nuk kishte tagër t’i bënte i vetëm. Lefteri mund t’i niste procedurat, por nëse nuk firmosnin të gjithë ministrat, bashkë me Kryeministrin, ato ishin nul dhe nuk prodhonin efekte për buxhetin e shtetit, nuk prodhonin efekte për xhepat e shqiptarëve.

Prandaj sot çdo qytetar shqiptar që ka ndjekur punimet e Komisionit Hetimor është i bindur dhe është i qartë për vjedhjen që ka ndodhur. Kanë ardhur administratorët për të dëshmuar, që përveç lidhjes me kompanitë e mëparshme të ministrave dhe ish-ministrave tuaj, nuk kishin fare dijeni se çfarë ndodhi me paratë e kompanive të tyre, ku shkonin këto parà, kush i merrte këto parà, sa punonjës kishin, cilat ishin firmat nënkontraktore. “Nuk e di”, “nuk e mbaj mend” ishte refreni më i zakonshëm i administratorëve, i njerëzve përgjegjës në këto koncesione.

Ndërkohë, komisioni hetimor vazhdoi punën edhe me pengesa, të cilat lidheshin me moskthimin e përgjigjeve dhe mossjelljen e dokumentacionit. Mjafton t’ju kujtoj një fakt: ne kemi kërkuar relacionin e VKM-së nr.907 për koncesionin e Elbasanit dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave tha se do të na e sillte, ndonëse ia kishim kërkuar që më parë me shkresa, por sot ne e kemi mbyllur komisionin dhe ai dokument nuk ka ardhur. Megjithatë, jam e bindur se SPAK-u do ta vazhdojë këtë çështje, prandaj edhe ne kemi bërë padi penale për secilin, në mënyrë individuale, por kemi bërë padi penale edhe si një grup i strukturuar kriminal për të gjithë anëtarët e kësaj afere.

Ju mund të mbani këtu, në foltore, fjalime me orë të tëra duke lexuar studime të Bashkimit Europian e studime të tjera në lidhje me faktin se sa gjë e mirë është djegia e plehrave, por në të vërtetë ne nuk kemi ngritur një komision hetimor për të studiuar se cilat janë metodat më të mira të menaxhimit të mbetjeve. Ne kemi ngritur një komision hetimor për të zbardhur para shqiptarëve faktin se si kishit vjedhur, se si djegiet nuk po kryhen dhe se si një grup i strukturuar kriminal ishte koordinuar në veprimet dhe mosveprimet e tij për të çuar para te këta tre inceneratorë.

Skema e Durrësit, më e freskëta dhe më e vonshmja e kësaj skeme korruptivo-kriminale, tregonte hapur se si me qëllim nuk merreshin masa për mbetjet e qytetit të Durrësit, se si dihej paraprakisht që do të mbyllej Porto Romano dhe nuk kishte ndonjë surprizë për asnjë, dhe nuk parashikonin asnjë skenar se ku do të shkonin mbetjet, sepse në fund do t’i çonin atje ku i çuan, tek inceneratori i Tiranës, me çmimin më të lartë të mundshëm, duke dhënë 10 milionë euro me negocim pa shpallje dhe duke parashikuar edhe 30 të tjera për t’ia dhënë bashkisë Durrës.

Nuk besoj se sot ka njeri, të madh apo të vogël, që nuk është i bindur se kompanitë e inceneratorëve kanë përdorur buxhetin e shtetit për të tërhequr paradhënie shumën e premtuar, paradhënie të cilat i kanë përdorur për të zhdoganuar mallra apo për t’u zotëruar në kontrata; se si kanë marrë dhe kanë transferuar paratë e buxhetit të shtetit jashtë vendit dhe kanë dalë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë pa e përfunduar punën; se si kompani fiktive kanë përfituar – dhe janë sot në hetim – nga skema e TVSH-së; se si paguhen për një shërbim që nuk e marrim. Ne paguajmë për inceneratorin e Tiranës 29 euro për ton, duke pasur parasysh faktin se këto do të digjen, por ndërkohë inceneratori i Tiranës është thjesht një fushë me lule, një fushë me bar, ku parashikohet se do të ngrihet incenerator.

Landfill është, po, por landfill kishim dhe landfill kemi. Kishim një shërbim publik, ndërsa tani kemi një monopol privat, i cili i shërben një grupi të strukturuar kriminal. Paratë e vërteta nuk dihet se ku shkojnë. Vetë Ministria e Financave – këtë e kam përmendur edhe në komision, sikundër e keni dëgjuar edhe këtu – ka thënë në raportin e auditit të brendshëm, që ne i kemi dhënë paratë 100 % sipas kontratës, sipas detyrimeve kontraktore, ndërkohë që firmat koncesionare kanë përdorur vetëm 30 % të tyre për investimet që do të duhej të bënin. Ku janë 70 % e parave? Kjo është pyetja rreth së cilës SPAK-u duhet të hetojë. Nuk e hetonte dot komisioni hetimor se kush i vodhi paratë, si i ndau paratë mes vetes grupi i strukturuar criminal? Kjo është ajo çfarë duhet të hetojë SPAK-u, për të kuptuar se ku kanë shkuar paratë e dhëna deri më tani, por edhe se ku parashikohet të shkojnë paratë.

Ju thoni se kontrata është deri në vitin 2047. Po, është firmosur kontrata për vitin 2047, është e vërtetë. Këto janë parà që jepen ndërkohë që ne flasim dhe që do të jepen. Nuk janë parà që mund t’i shmangësh apo parà që nuk ekzistojnë, por janë parà të firmosura me firmat e ministrave, si autoritete kontraktore dhe me firmën e Edi Ramës. Nga ana tjetër, askush nuk duhet të harrojë se kjo histori nis duke u dhënë koncesione miliona euro firmave që kishin kapital 800 euro. Pra, një kompani, e cila ka një kapital prej 800 eurosh, e krijuar muajin që do të merrte koncesionin, pa fare ekspertizë në fushën e mbetjeve, përzgjidhet si kompani fituese e koncesionit. Të ishte një rast, do ta quanim rastësi; të ishin dy raste, do ta quanim prapë një rastësi, por në të tria rastet njëlloj, dhe kur vërtetohet se që të tre pronarët kanë njohje me njëri-tjetrin, që kanë punuar më parë me njëri tjetrin, e për më tepër kanë njohje të mirëfillta me ministra dhe ish-ministra të kësaj qeverie, atëherë s’është më fjala thjesht për një dyshim, por ka diçka që SPAK-u duhet ta hetojë, për të kuptuar se deri ku kanë shkuar këto lidhje.

Ne kemi pasur anëtarë të komisionit njerëz me konflikt të pastër interesi, të cilët kanë bërë gjithçka për ta mbrojtur këtë aferë, edhe me urdhër politik, por edhe pse ishin vetë palë e kësaj gjëje. Ka pasur njerëz, të cilët kanë çuar shkresa dhe kanë miratuar koncesione. Ka pasur të tjerë që kanë qenë në autoritete, në ministritë përkatëse, të cilëve nuk po ua përmendim emrat ngaqë i dini. Ka pasur edhe nga ata që kanë qenë ish-kryebashkiakë dhe kanë dhënë tenderë po për këta njerëz, të cilët ne do t’i hetonim në lidhje me inceneratorët.

Prandaj edhe puna e komisionit nuk ishte e thjeshtë, por ishte vendosmëria jonë, vendosmëria e Partisë Demokratike për t’i shkuar deri në fund, për të marrë çdo informacion të nevojshëm, po mbi të gjitha për t’i bërë transparente para publikut të gjitha provat që ne kemi, të gjitha gjetjet e arritura nga Komisioni Hetimor Parlamentar.

Për mua është e rëndësishme që sot kemi parë një përpjekje të dëshpëruar, siç do ta shikoni edhe në fjalën e pasfolësve të mi, që do të jetë një përpjekje e dëshpëruar, me qëllim që gjithësecili të shpëtojë lëkurën e vet nga kjo aferë, duke e lënë korrupsionin jetim ose minimumi me ata që sot janë në burg, por nuk do të shpëtojnë.

Falemnderit!