Interpelancë me Ministren e Arsimit, Evis Kushi, për çeshtjet Maturës Shtetërore | 10 Mars 2022

Nevojën për interpelancë, që ka në fokus vetëm maturën shtetërore, e kam shprehur më 9 shtator dhe rastësisht bëhet sot pas një krize të rritjes së çmimeve, që nuk mund ta anashkalojmë, duke nisur edhe nga lufta, por jo vetëm. Qeveria ka përgjegjësi të reagojë në çdo situatë të jashtëzakonshme, dhe jo siç thotë Kryeministri se është tregu dhe janë çmimet, por duke ndikuar tek taksat që u merren kompanive, tek akcizat, pasi janë në dorën e qeverisë. Nuk mund të mos e thosha këtë, pasi qytetarët e këtij vendi do të protestojnë sërish sot në orën 17:00 para Kryeministrisë për të kërkuar që qeveria të reagojë ndaj kërkesave të tyre të drejta.

Nevojën për interpelancë e shikoj të lidhur me faktin që ne nuk duhet të diskutojmë këtu për maturën shtetërore pasi nxënësit të protestojnë për dështimin e radhës së testeve të matematikës, së letërsisë apo të cilësdo lënde, pasi të jetë bërë dëmi dhe e vetmja gjë që mund të bëhet është të ulet kufiri për notën, siç e bëtë një herë, për t’u dhënë një dorë maturantëve, që do të studiojnë këtu apo jashtë vendit.

Kushdo që është prind e di se matura është pjesa më stresuese e jetës së një adoleshenti, pasi bëhet fjalë për provimet që do të ndikojnë në të ardhmen e nxënësve dhe në shkollimin për profesionin e jetës. Këto provime ne mund t’i kalojmë me shumë lehtësi, por për ata janë të rëndësishme, sepse shënjojnë profesionin e tyre.

Të mos harrojmë diçka shumë të rëndësishme, të cilën kam merak ta them: ne për herë të parë kemi atë që quhet “matura e pandemisë”. Kjo maturë ka nisur në shtator të vitit 2019 dhe semestri i dytë i vitit të parë është zhvilluar në kushte të tmerrshme pandemie, siç nuk ka ndodhur ndonjëherë, në karantinë të plotë nga një sëmundje që terrorizoi këdo. Normalisht që vëmendja te mësimi do të ishte më e ulët, aq më pak në Shqipëri, ku mësimin online u fut me shumë vështirësi, nuk u fut dot në fillim, pasi mungonte infrastruktura e internetit dhe infrastruktura buxhetore.

Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se edhe viti i dytë u bë me një miksim të mësimit online me mësimin fizik.

U mundua që nga data 1 deri më 24 shtator të vitit të kaluar të bëhej përsëritje, por në masën më të madhe nuk funksionoi. Kjo gjë u pranua edhe nga vetë mësuesit dhe nxënësit, ndaj duhet marrë parasysh si do të mund të harmonizohet problemi i mësimit online dhe mësimit fizik të bërë gjatë 3 vjetëve të këtyre maturantëve në testet e maturës shtetërore.

Zonja Ministre, ju duhet të na thoni nëse keni arritur të bëni teste pilote për të parë se cilat janë vështirësitë dhe cilat pjesë të programit nuk janë përthithur nga nxënësit? Cili është niveli mesatar që kanë maturantët që do të përballen me testin e maturës shtetërore?

Mos e lini testin e maturës shtetërore si të vetmin test që i penalizon ata. Në momentin kur ju bëni teste pilote paraprake, rezultatet e tyre mund t’i fusni për të hartuar tezën finale të maturës shtetërore duke përjashtuar, për shkak të kësaj pandemie, pjesët e programit që nuk janë përthithur, edhe për arsye objektive, që mund të kenë qenë gjatë procesit të mësimdhënies online.

Kam kërkuar me të gjitha mundësitë e mia për të parë mekanizmin që ju keni përdorur për të informuar prindërit, nxënësit, universitetet, institucionet tuaja në varësi për maturën shtetërore dhe kam vënë re që mungon pothuajse totalisht konstituimi i organizmave të mirëfillta, që ju mund t’i përdorni për t’u informuar në procesin e maturës shtetërore. Mjafton t’ju kujtoj se sivjet janë bërë vetëm dy konsulta, një me 15 persona më 17 qershor 2021, (cilësia e fotos nuk është shumë e mirë), dhe një interpelancë online me parlamentin e nxënësve, ku tema kryesore nuk ishte matura shtetërore. Këto dy takime janë bërë nga ministrja për maturën 2021.

Për mendimin tim si pedagoge dhe anëtare e Komisionit të Edukimit, janë të pamjaftueshme. Nuk ka prind që sot nuk ka dilema, sepse nuk gjejnë asnjë mësues për t’u takuar e për t’u informuar se çfarë mund të bëjnë më mirë për zgjedhjet e fëmijëve, për provimet dhe për rezultate më të larta. Problematikat që ka matura do të kemi rast t’i diskutojmë më vonë.

Zonja Ministre, tezat e provimeve bien shpesh ndesh me kurrikulën dhe programin bazë, për të cilët maturantët janë parapërgatitur. Rasti më i fundit është matura 2021, kur nxënësit zhvilluan protesta me orë të tëra për rezultatet e matematikës dhe ju zgjodhët një rrugë të shkurtër, duke ulur kufirin për notat, por kjo nuk është zgjidhje. Ndërkohë, edhe sot ne nuk e dimë se cili grup pune e hartoi tezën e famshme të matematikës, që të paktën të dimë se cilët janë përgjegjësit, që qytetarët shqiptarë të dëgjojnë që nuk do të jenë të njëjtët persona, të cilët do të hartojnë tezat sërish në këtë vend.

Për ta mbyllur këtë pjesë të parë, a mund të na thoni se në çfarë faze jemi me konsultimet parapërgatitore të ofruara nga shkolla? Cili është kalendari që ka marrë komiteti i maturës shtetërore dhe rezultatet që ju prisni nga këto kurse?

Faleminderit!

PJESA 2:

Faleminderit, zonja Kryetare! Realisht, prisja përgjigje që u shërbenin maturantëve dhe prindërve. Vetëm në këtë sallë ka disa prindër maturantësh, edhe nga kahu ynë, që po thoshin se asnjë nga këto që thatë nuk u shërben maturantëve dhe nuk është e vërtetë.

Tani, për t’ju kthyer temës, matura shtetërore, zonjë, është e vërtetë, është një sistem shumë i mirë meritë-preferencë, që e ka futur Partia Demokratike. Ju po paraqisni sot si risi gjëra që janë bërë në vitin 2006, që ju i hoqët dhe tani, pasi ju kanë dështuar, doni t’i ktheni përsëri në sistem, duke na i treguar si risi, ndërkohë që ato kanë qenë aty. Për shembull, kur ju thoni që do të bëjmë testet me mësuesit më të mirë, kështu janë bërë testet edhe më parë, me mësuesit më të mirë, dhe ju i hoqët për të ndërtuar Qendrën e Shërbimeve Arsimore, e cila e degradoi arsimin dhe nuk jepte llogari se kush i bënte testet e nxënësve shqiptarë, drejtoreshën e së cilën ju e shkarkuat pa thënë as pse e shkarkuat; në fakt, dihej pse, sepse ju i kishit dhënë mbrojtje publike, ndërkohë që nuk kishte njeri dhe Zot që ta mbronte për atë që kishte bërë, për katastrofën e testeve që u bënte studentëve në maturën shtetërore, aq sa u arrit deri aty sa në vitin kur Rezana kishte vajzën maturante, shkolla që pati rezultatet më të mira të maturës shtetërore ishte shkolla ku studionte dhe vajza maturante e drejtoreshës. Kjo për të kuptuar se si bëheshin testet, fshehtësia e testeve dhe garantimi i cilësisë së testeve.

Folët për metodën Koeps; po, është vënë që në vitin 2006. Pra, ju këtu duhet të pranoni se keni dështuar dhe po u ktheheni praktikave të mira që ishin vënë edhe më parë në maturën shtetërore.

Zonja Ministre, në raportin që ju keni bërë publik vihet re mungesa e ekselencës në provime. Asnjë nxënës, pra zero, nuk ka arritur të marrë vlerësimin me 10,00 në katër provimet shtetërore të maturës; asnjë prej tyre nuk ka arritur të marrë 10,00 në tri provimet e tjera me zgjedhje.

Në tabelën që ju shfaqni, në raportin që keni bërë vetë, konstatohet se mesatarja e notës në lëndën letërsi dhe gjuhë shqipe është 7,13 dhe mesatarja në matematikë është 6,5. Pra, me këto të dhëna, maturantët shqiptare janë në pikët minimale për të fituar të drejtën për të vijuar studimet e larta; për shembull, në degën e mësuesisë nuk do të shkonte askush me këtë mesatare, që ka dalë në shifrat e raportit tuaj.

Është interesante të kuptohet, zonja Ministre, se tri provimet me detyrim: matematikë, gjuhë-letërsi dhe gjuhë e huaj, janë provime ku nxënësit testohen tri herë me test kombëtar, pra testohen në klasën e pestë, në klasën e nëntë dhe më pas duhet të testohen në klasën e dymbëdhjetë.

Çfarë keni bërë ju, si ministri, për ta përmirësuar këtë tregues, që nga sistemi i shkollës 9-vjeçare? Sepse, kur të vijnë maturantët, normalisht, nuk mund të mësojnë më bazat e matematikës apo bazat e gjuhës, ato që i marrin në sistemin e shkollës 9-vjeçare. Sigurisht që nuk keni bërë asgjë.

Rrjedhja e informacionit të tezës së provimit nga maturantët ka ndodhur pothuajse cdo vit dhe ndodh ose disa orë para provimit, ose ndërkohë që po zhvillohet provimi.

Zonja Ministre, në nenin 21 të rregullores dhe në çdo rregullore ndalohet rreptësisht celulari nga administratorët e tezës në klasa, sigurisht, edhe për nxënësin. Vetë ministria ka miratuar një urdhër për ndalimin e celularit në shkolla që në 2018-n. Realiteti, siç e ka parë kushdo, është krejt tjetër.

Atëherë, më thoni, cilat janë masat penalizuese që ju keni ndërmarrë?

Sa mësues, administratorë të testeve, janë penalizuar?

A keni ju një raport për këtë? Sepse, për shembull, Kosova ka vendosur sanksione të forta me masa administrative direkte për personat që administrojnë procesin, 2000 deri në 3000 euro për shkelësit e procesit, dhe i çon për ndjekje penale, sepse kanë shkelur të drejtën për të konkurruar në mënyrë të drejtë, sipas ligjit, dhe e trajton në këtë mënyrë, ndërsa ne e trajtojmë si një rast sporadik, ku të paktën nuk merren masa të rrepta në mënyrë të tillë që të mos përsëriten.

Por faji nuk mund t’i lihet vetëm pjesës tjetër. Faji është edhe i ministrisë.

Në kohën e Partisë Demokratike janë vënë zhurmues nëpër sallat ku zhvilloheshin maturat shtetërore. 9 vjet më pas, a nuk duhet të kishim ne një metodë më të avancuar, e cila të garantonte moskopjimin?! Ne jemi përsëri te zhurmuesit, që janë vendosur në kohën e Partisë Demokratike.

Ju thatë që komiteti zhvillon raporte, që keni zhvilluar raporte lëndë për lëndë, që keni zhvilluar raporte se si ka ecur matura shtetërore shkollë për shkollë. Ku janë këto raporte? I keni ju në sirtarë? Sepse ti mund të thuash që i kam, por përderisa këto nuk janë raporte që diskutohen, që fliten me ekspertët, që njihen nga mësuesit, nga prindërit, pra të jenë materiale publike dhe jo mbrapa zyrave tuaja, me dyer të mbyllura, ku mblidhen të njëjtët persona, që i qarkulloni me të njëjtat pozicione: një herë e bëni drejtor, një herë e bëni drejtues në një vend tjetër e një herë e bëni shef sektori, këto nuk prodhojnë një rezultat për maturantin, për maturën shtetërore, për prindërit, për ata që janë drejtpërdrejt të prekur nga ky proces.

Ju pyeta nëse keni bërë teste pilote dhe nuk kthyet përgjigje, se nuk keni bërë. Ju nuk mund t’i lini këto, pra të kuptoni nivelin e boshllëqet e maturantit, ndërkohë që ai bën testin final të rëndësishëm të jetës së tij, që i garanton të drejtën e studimeve; ju këto duhet t’i bënit praktikisht, për të ndihmuar si maturantin, ashtu edhe mësuesin.

Kur flas për kurse përgatitore, nuk ka prindër e mësues që të mos e dinë që konsultat në shkollë (ju nuk na e thatë kalendarin) nuk funksionojnë. Pothuajse para çdo shkolle shkruhet se ofrohen kurse matematike, kurse për gjuhë të huaja, kurse për letërsi dhe kurse sipas lëndëve që nxënësit do të zgjedhin. Ndërkohë, edhe ato që ju kishit parashikuar, pra konsultat e parapërgatitura që duhet të ofronte shkolla, zhvillohen me grupe të mëdha; zakonisht zhvillohen ose herët në mëngjes, ose shumë vonë pasdite, zhvillohen sa për të kaluar radhën, nëse ka ndonjë pyetje, dhe ju nuk keni marrë masa që ky proces të jetë serioz, që të ndiqet seriozisht, që mësuesit të shpërblehen seriozisht për këtë dhe që të ketë një monitorim nga Ministria e Arsimit.

Testimet pilote janë shumë të rëndësishme dhe unë i mëshoj kësaj, sepse nxënësit kuptojnë veten se ku kanë mangësi, mësuesit kuptojnë se ku duhet të mëshojnë më shumë, por edhe ministria duhet të kuptojë që testet nuk ndërtohen si kurthe. Nuk është qëllimi as të ndërtojmë teste shumë të lehta, që të kalojnë të gjithë, dhe as të ndërtojmë teste shumë të vështira, që t’i shtrëngojmë. Qëllimi duhet të jetë që me këto teste të kuptojmë realisht nivelin që kanë maturantët shqiptarë dhe të na ndihmojnë të gjithëve ne, vit pas viti, që të përmirësojmë gjërat që duhet të ndodhin në kurrikulën e shkollës së mesme.

Zonja Ministre, besoj se jeni në dijeni edhe të ndryshimeve që kanë rezultatet e provimeve të maturës shtetërore me rezultatet që kanë gjatë gjithë vitit maturantët. Edhe në raportin që ju keni bërë thuhet që dukuria e pranisë së rezultateve të nxënësve në provimin e maturës shtetërore 2021 ka një ndryshim me 2, 3 ose deri 4 nota përkundrejt rezultateve vjetore të tyre, gjë që për mua, për ju dhe për raportin tregon një shkallë të lartë fiktiviteti në vlerësimin e nxënësve gjatë procesit mësimor, e cila vihet re më pas dhe me maturën shtetërore.

Tani, a duhet të marrë masa Ministria e Arsimit, që i gjithë procesi të jetë më i mirë? Sepse masë nuk mund të jetë thjesht ulja e kufirit, se ju e paraqitët dhe unë e kuptoj që një herë mund të ndodhë si situatë e jashtëzakonshme, por masat janë masa strukturore, që ndikojnë në të gjithë ndryshimin e procesit mësimor, edhe të vlerësimeve që u bëhen mësuesve, vlerësimeve të jashtme, se ju, kur merrni këtë raport, duhet të dilni dhe me emra konkretë, me raste konkrete dhe sipas shkollave konkrete, ku janë diferencat më të mëdha, ku janë cedimet më të mëdha, në mënyrë që t’i vini edhe ata para përgjegjësisë, që të ndryshojnë nga viti në vit, të kenë mundësi edhe të trajnohen. Unë nuk jam gjithmonë për penalitetin, që ta heqim nga sistemi dhe ta nxjerrim mësuesin, por t’i japim mundësi që edhe të reflektojë, se ndoshta mund të jetë dhe problem i kurrikulës, që unë e kam edhe të rëndësishme, sepse ju keni futur një kurrikul të re dhe nuk keni bërë testim nëse kjo kurrikul përthithet dhe është e përshtatshme për kontekstin shqiptar. Mjafton të bëni një kërkim në Google dhe do të shikoni që tekstet e tezave të provimit të Oksfordit dhe Kembrixhit ishin marrë dhe ishin përkthyer në variantin shqiptar dhe më pas ne kemi pasur ato fenomenet e letërsisë të vitit 2020 apo pyetjet e “Turit”, shumë të famshme edhe në rrjetet sociale, por fama e tyre është për keq, sepse ka ndikuar negativisht në vlerësimin e maturantëve, në atë që do të ishte dhe zgjedhja e maturantëve për shkollën e lartë.

Zonja Ministre, korrigjimi i testeve është një proces shumë i rëndësishëm. Do të them një shifër për të gjithë shqiptarët, që ta kuptoni se ku ka degraduar ky proces. Para vitit 2013, zonja Ministre, ata që korrigjonin, për një test e kishin tarifën 159 lekë bruto dhe merrnin 135 lekë në dorë. Në vitin 2019 mësuesit merrnin 45-55 lekë për test, në varësi të llogaritjes që bënte drejtoresha juaj, Rezana Vrapi. Ndërkohë, në 2020-n nuk kishte korrigjues, pasi ju i bëtë pyetjet me alternativa. Në 2021-shin u bë 100 lekë bruto dhe 85 lekë në dorë. Pra, ndërkohë që çdo gjë rritet në këtë vend, ndërkohë që çdo çmim rritet dhe çdo pagesë duhet të rritet, ju keni ardhur duke ulur tarifën me të cilën paguheshin mësuesit për testet. Pra, para vitit 2013, pyesni të paktën ekonomistët për inflacionin, ka qenë 159 lekë bruto dhe 135 lekë në dorë, që korrigjuesit të motivoheshin dhe t’i korrigjonin me seriozitet testet e fëmijëve tanë dhe ju e katandisët në 45- 55 lekë dhe tani e keni rritur, se pastaj vini këtu dhe thoni që e rritëm, pasi e çuat 45 lekë; thoni që e rritëm, që arritët në kuotën 85 lekë të rinj në dorë, meqë i doni me lekë të rinj. Kjo tregon se ju mungon vullneti për të dhënë para aty ku duhet të jepni para, te korrigjimi i testeve të nxënësve shqiptarë, të maturantëve shqiptarë, që të mos jetë pastaj gabim njerëzor për të cilin nuk mban përgjegjësi asnjë përveç maturantit, sepse interesi i mësuesit është të korrigjojë sa më shumë teste për arsyen që të marrë dhe sa më shumë para.

Duhet të investoni në arsim, që të marrim nga arsimi. Arsimi nuk bëhet pa para. Asgjë nuk bëhet pa para, por sidomos arsimi, që është një fushë që kur e hedh paranë, buxhetin e shtetit, kur e alokon fondin, duhet të marrë mbrapsht një brez edhe më të mirë se ne dhe se ata para nesh.

Zonja Ministre, është e rëndësishme të kuptoni që edhe distanca e provimeve nuk vendoset sipas dëshirës suaj, pra një vit kur ju keni fushatë elektorale vendosen të bëhen provime një herë në 2-3 ditë, po flas për provimet finale të maturës shtetërore, pastaj, kur nuk kemi fushatë dhe kemi më shumë kohë, i vendosim provimet një herë në javë. Jo, zonja Ministre, këto nuk bëhen sipas dëshirës, por me studime, se sa kohë i duhet një nxënësi që të riprodhojë një test tjetër, që të ketë mundësi të bëjë resetup, pra të fillojë të mendojë për provimin e radhës, të bëjë përsëritjen për provimin e radhës, të fshijë nga mendja e vet ato që janë bërë për të arritur në një provim tjetër, në një testim, sepse kalohet nga matematika në gjuhë, dy shkenca që realisht kanë shumë nevojë për këtë, se janë pothuajse të kundërta, pra janë shkenca ekzakte, shkenca natyrore me shkencën shoqërore.

Kështu që, për mendimin tim, kjo është ajo që ju duhet të bëni dhe duhet ta kishit bërë me kohë. Mos thoni që kështu është bërë herë e të tjera, se unë nuk jam këtu për të treguar histori nga e kaluara, por që të bëhet më e mira për nxënësit shqiptarë, jam këtu që, kur mua dhe ty si pedagoge të na vijnë studentët në auditorë, të kemi studentë cilësorë, që nuk i kanë marrë ato rezultatet as si rezultat i një korrigjimi të keq, as si rezultat i një stresi të jashtëzakonshëm, sepse provimet janë çdo dy-tri ditë, por i kanë marrë si rezultat i asaj që është qendra e sistemit, meritës dhe preferencës së tyre dhe, kur të vijnë në universitet, të jenë në universitetin që duan realisht dhe jo të kenë ardhur se aty u doli, sepse nuk e plotësuan formularin në kohë, se sistemi të djeg po nuk shkove te vendi i parë fitues, por sepse duan të studiojnë aty dhe duan ta bëjnë këtë me dëshirë, që edhe ne, pedagogët, të kemi kënaqësi kur japim mësim, por edhe të prodhojmë një brez që i shërben shoqërisë shqiptare. Ndaj edhe unë flas sot për maturën shtetërore.

Faleminderit

PJESA: 3

Zonja Kushi, jeni në qeveri. Në qoftë se keni dijeni për korrupsionin, është vepër penale dhe duhet ta kishit denoncuar, jeni në kohë, se jeni duke bërë edhe ju një vepër penale duke mos i denoncuar ministrat që kanë ndërruar notat në zyrë. Për sa u përket raporteve dhe takimeve, nuk them që duhet të jem unë e informuar, por duhet të jetë publiku, zonja Ministre. Në qoftë se ju mblidheni në zyrë, një grup i ngushtë nuk prodhon asnjë efekt publik për maturantët dhe për prindërit. Kur flasim për takime publike, ato bëhen për të informuar masivisht prindërit. Pyetini dhe kolegët deputetë, që janë edhe prindër, që kanë fëmijët maturantë, se sa të informuar janë për maturën shtetërore,. Nuk janë të informuar, jo se nuk e kanë dëshirën, se, e thashë, në mënyrë personale kanë investuar në kurse private, në mënyrë personale pyesin kolegët e tjerë, por unë po flas për masën, për qytetarët shqiptarë, për ata që duhet të jenë të informuar në mënyrë publike. Nuk mund të thuash që unë i bëj takimet, por nuk i nxjerr, ju nuk i dini dhe hajde ti po deshe, se nuk është çështja për mua, por për maturantët shqiptarë, është çështja për prindërit shqiptarë dhe për rininë shqiptare.

Unë e kuptoj fare mirë që nuk keni përgjigje për buxhetin, e kuptoj fare mirë që nuk e keni prioritet arsimin, e kuptoj fare mirë që ju nuk keni përgjigje për penalitetet, sepse mësuesit i keni kthyer në patronazhistë dhe nuk i hiqni e nuk i vini dot sipas rregullave, meritës dhe punës së tyre, sepse jua kanë sjellë me lista dhe ju duhet të zbatoni listën. Po të jetë për ta hequr mësuesin, do ta hiqni po të bëhet me Partinë Demokratike ose po t’ju dalë nga rreshti në zgjedhje. Unë e kuptoj fare mirë, se ndryshe ju do të vinit me rezultate konkrete, me punën e mësuesit, me konkurse reale, por duhet ta kuptoni që arsimi është përtej politikës dhe po bëni shumë gabim që e keni kthyer arsimin në një fushë ku punësoni ata që doni ju, ku bëni më të keqen e mundshme për maturantët shqiptarë, për nxënësit shqiptarë dhe i nxisni ata të braktisin vendin, që të ikin nga Shqipëria, sepse këtu nuk u jepet as e drejta e studimit. Ata shkojnë dhe e fitojnë të drejtën e studimit jashtë shtetit, dalin edhe të shkëlqyer dhe ndonjëherë ngelen pa shkollë brenda Shqipërisë, për shkak të këtyre sistemeve dhe pikëzimeve të çuditshme që bëni ju.

 Duhet të mendoni për nxënësin, për fëmijët tanë dhe për fëmijët tuaj nesër. Ndoshta keni mundësi t’i shkolloni jashtë, por për fëmijët e shqiptarëve duhet të mendoni ju, se ndaj jeni aty dhe prandaj e merrni rrogën.

Ndoshta, zonja Ministre (këtë nuk dua ta besoj), juve ju intereson një popull i paarsimuar, sepse kështu e keni më kollaj ta vini nën thundër, por neve na intereson një Shqipëri më e mirë dhe shqiptarë që të kenë mundësi të arsimohen dhe të kenë mundësi t’ju votojnë kundër për këtë që e meritoni, për këtë keqtrajtim që i bëni çdo ditë vendit dhe popullit shqiptar.

Faleminderit!