Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në këtë foto është qeveria “Rama 1”. Aktualisht, dy ministra janë në burg. Kush e ka radhën? Kjo është sfida e drejtësisë shqiptare. Të paktën dy… (Zonja Spiropali ndërhyn pa mikrofon) Ina Zhupa –
Ju e keni radhën pak më vonë, besoj, se jeni te “Rama 3”. Jemi akoma te “Rama 1”. Kjo është qeveria: Lefter Koka në burg, Saimir Tahiri në burg “kanabizimi i vendit” ishte akuza me fakte e me prova nga Partia Demokratike, ndërkohë në këtë Kuvend flitej për mushkonja, flitej për avionë pastrimi të mushkonjave imagjinare, flitej për komisarin Zagani, si kriminel, dhe i jepej mbrojtje politike Saimir Tahirit. Diçka e bëri kjo drejtësi, bëri minimumin e mundshëm, por është ende duke bërë diçka.
Ka një paradoks të madh, sepse Zagani është dënuar për shpërdorim detyre me 4 vjet, ndërsa Saimir Tahiri është dënuar për shpërdorim detyre me 3 vjet e 4 muaj. Të dy të dënuar, ndërkohë që Zagani akuzon Tahirin për ato që drejtësia e ka dënuar. Ndaj, duhet të vazhdohet, ne duhet të jemi dhe jemi këtu që drejtësia të vazhdojë rrugën e saj, kjo drejtësi e vonuar, kjo drejtësi me shumë probleme, por një drejtësi që duhet të ketë shansin të ketë atje gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët minimalisht kontrollohen nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe jo 100% nga kandidatët që miratoni ju, siç i miratuat të fundit në komision, ata me zero pikë, duke skualifikuar ata me pikët më të larta dhe duke i skualifikuar pa asnjë arsye ligjore, vetëm e vetëm për t’i kapur 100% KLGJnë dhe KLP-në, ku keni interesin të vazhdojë procesi i vetingut pa ndërkombëtarët.
Sigurisht, nuk ju intereson të hetohet afera 430 milionë euro, afera e inceneratorëve, që të paktën në këtë foto ka edhe 4 pjesëmarrës të tjerë që kanë firmosur, që kanë vulosur, që kanë marrë pjesë në procedura hapur në shkelje të ligjit, duke filluar që nga ky që sot është kryetar bashkie, Erion Veliaj, ky tjetri që i rri në krah, që sot është zëvendëskryeministër, vetë Kryeministri, ministri tjetër këtu. Të gjithë këtyre u vjen radha pas Lefter Kokës, që është bishti i kësaj afere. Të gjithë këta duhet të japin llogari se përse e shkelën ligjin dhe nuk e shpallën tenderin ndërkombëtar për 52 ditë, siç e kërkonte ligji, por e shpallën vetëm për 16 ditë? Kush i urdhëroi? Sigurisht, nuk mund të bënin asgjë pa Edi Ramën.
Këta duhet të shpjegojnë përse Erion Veliaj merr guximin dhe firmos një shkresë në emër të qarkut të Tiranës dhe jep miratimin pa pyetur Këshillin Bashkiak, siç ia detyron ligji? E jo vetëm kaq, por jep miratim edhe për bashkitë e tjera, që nuk janë fare në tagrin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke marrë ai përgjegjësi të firmosë për të gjitha bashkitë e qarkut të Tiranës.
Para drejtësisë duhet të dalin të gjithë ata që kanë firmosur kontratën, e cila parashikon sikur do të harxhohen 29 euro për ton, por që, në fakt, siç e thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit, paguhen 41 euro për ton; një kontratë korruptive. Dhe unë po flas vetëm për një nga tre inceneratorët, ai i Elbasanit, i Fierit dhe i Tiranës, në një komision hetimor ku ju po bëni gjithçka për ta zvarritur, po bëni gjithçka për ta penguar, por që ne vazhdojmë me vendosmëri duke nxjerrë çdo ditë fakte dhe prova se si para drejtësisë duhet të shkojnë ministrat tuaj dhe vetë Kryeministri, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, të cilët kanë vjedhur, parapërgatisin dhe vazhdojnë të paguajnë para dhe ndërkohë që Lefter Koka është në burg, ju u paguani 1,5 milionë euro atyre pronarëve që sot janë në kërkim ndërkombëtar, për të gjithë ata që nuk i dinë: Klodian Zoto, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri.
Por jo vetëm kaq. Ju promovoni për kryetare bashkie në Durrës atë të cilën e keni urdhëruar dhe e keni përdorur, sigurisht, edhe për aferën e inceneratorëve.
Pasi shpallët një krizë mjedisore në Durrës, e mbani mend besoj, këshilli bashkiak i Durrësit autorizoi nënkryetaren e Bashkisë së Durrëit, atë që sot është kandidatja juaj për të marrë Bashkinë e Durrësit, Emirjana Sakon, për të lidhur marrëveshje dhe kontratë specifikisht me inceneratorin e Tiranës. Ajo që sot kandidon, me një të rënë të lapsit, me negocim pa shpallje, pa asnjë garë, i ka dhënë 10 milionë euro nga taksat e taksapaguesve të Durrësit inceneratorit të Tiranës. Sigurisht, nuk do të kishte kandidate tjetër më të mirë për Durrësin sesa ajo që ju e keni bërë pjesë të grupit tuaj të strukturuar kriminal dhe e keni futur në një nga aferat më të mëdha, në aferën e inceneratorëve.
Madje, ju i ftoni sot qytetarët e Durrësit të votojnë zonjën Sako, sepse kjo e fundit ka mbështetjen e non-gratës Dako dhe mbështetjen e atij që është kreu i vërtetë i këtij grupi të strukturuar kriminal në aferën e inceneratorëve, Edi Ramës.
Të gjitha këto shkelje për ne dhe atë që ju parashikoni të bëni edhe me fushatën zgjedhore, duke zgjedhur kandidatë të tillë, janë të rëndësishme të gjykohen dhe të kenë përballë gjyqtarë dhe prokurorë të cilët e kanë kaluar vetingun. Prandaj vota jonë sot pro është një votë e cila shtyn përpara, jep një shans që drejtësia, e vonuar sigurisht, t’i vërë përpara drejtësisë që nga kreu i grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama, dhe deri te kandidatja e Bashkisë së Durrësit, që është e fundit e futur në grupin e strukturuar kriminal, dhe të gjithë ministrat me radhë që nga “Rama 1”, “Rama 2” dhe “Rama 3”.
Elisa Spiropali – Dhe “Rama 4”.
Ina Zhupa – Nuk besoj se do ta keni atë shans, me një drejtësi funksionale.
Zonja Spiropali, duhet të sqaroni këtu diçka, që, në fakt, do t’jua thosha më parë, por meqë m’u kujtua tani. Ju flisni në emër të qeverisë apo të oligarkëve me të cilët pini lëngje frutash në lokalet e Tiranës?
Është e rëndësishme të kuptojmë që drejtësia duhet t’i trajtojë të gjithë si të barabartë, edhe të majtët, edhe të djathtët. Ne kemi vazhduar më tej, jo vetëm që jemi pro vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por kërkojmë të bëhet edhe vetingu i politikanëve, që ju nga mbrapa të mos thoni gjëra pa sens. Të gjithë politikanët duhet të kalojnë në veting, përfshirë edhe mua, që s’kam pasur kurrë pushtet të mbështes ndonjë oligark dhe as kam të bëj me ndonjë oligark, por edhe ju që keni qenë drejtoreshë e doganave dhe ministre. Të shikojmë kush e kalon dhe kush nuk e kalon vetingun politik dhe pastaj të kërkojmë në këtë sallë të parlamentit deputetë me të njëjtat kritere që ne kërkojmë të bëhet vetingu për gjyqtarët, prokurorët, noterët dhe policët.
Që të mos flasë kushdo çfarë të dojë, të ndajmë njëherë e mirë shapin nga sheqeri, ata që vërtet janë të lidhur me krimin, me aferat korruptive apo që janë vetë të korruptuar, nga ata që kanë ardhur në këtë sallë për të përfaqësuar interesin e qytetarëve, për të dhënë kontribut për vendin dhe që e bëjnë këtë gjë me dinjitet dhe pasion.
Partia Demokratike jo vetëm që i ka shërbyer drejtësisë, por ka çuar në SPAK paditë për të cilat është arrestuar ish-ministri juaj Lefter Koka, duke treguar që çdo provë dhe indicie që kemi ne e çojmë te drejtësia. Vërtet drejtësia, me gjithë presionin dhe kapjen tuaj, mund të vonojë, mund të japë dhe dënime minimale, por ne nuk do t’ju ndahemi. Prandaj, për interesin publik të qytetarëve, ne do të jemi në krah të vetingut dhe gjatë gjithë kohës duke denoncuar aferat tuaja me fakte dhe me prova.
Faleminderit!
Replikë:
Zonja Felaj, ju ftoj të mos e paragjykoni fjalën time para se të ma jepni atë. Nëse unë e kërkoj fjalën për procedurë, ju dëgjojeni dhe nëse nuk është për procedurë, ndërpriteni!
Unë e kuptoj shumë mirë që ministrja Spiropali iku, sepse i është tharë goja nga drejtësia. Ajo ka një faturë 5 milionë euro për të justifikuar para drejtësisë, kurse unë nuk kam pasur ndonjëherë ndonjë post. Për sa i përket “Rama 4”, patjetër që mund ta bëni te burgu 313. Faleminderit!