Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Sot flasim për institucionet e reja të drejtësisë. Në fakt, do të isha shumë më optimiste në rast se në këtë foltore nuk do të kishte folur para meje Damian Gjiknuri. Mjafton të shikoje Damianin në këtë foltore, të fliste për drejtësinë e re, atë që bëri tërmet në Dibër, bëri tërmet me inceneratorin e Elbasanit, bëri tërmet me inceneratorin e Fierit, bëri tërmet me inceneratorin e Tiranës, për të kuptuar se si nuk po funksionin drejtësia e re. Mjafton vetëm ajo foto e tij në foltore, ndërkohë që duhej të ishte para institucioneve të drejtësisë. E jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë, të cilët, fatmirësisht, sot na e kursyen qenien e tyre në foltore. Nuk morën përgjegjësinë për të folur për drejtësinë e re, ndërkohë që duhej të ishin të pandehur të drejtësisë së re.
Në SPAK kemi parë të parakalojë një fshat i tërë, sepse qe thirrur për një autokombajnë. Në SPAK kemi parë një mbledhëse kanoçesh, e cila me fustanin e saj të vjetër parakalonte atje dhe merrej si e pandehur dhe si dëshmitare e drejtësisë së re. Por nuk ishin këta njerëzit, që ne prisnim të gjykonte SPAK-u. Nuk ishin këta njerëz, ata që mendonte Komisioni i Reformës në Drejtësi, kur u ngrit SPAK-u. Mendonin ca njerëz të tjerë, nga këtej e nga andej, me kollare e me kostum, të cilët kishin vjedhur e vjedhin shqiptarët, taksat tona. Nuk ka pamje më të dhimbshme se sa ta shikosh SPAK-un teksa gjykon si bose të inceneratorëve një zonjë, e cila është mbledhëse e mbetjeve. Ndërkohë, ata që lëshojnë çdo ditë, edhe sot që flasim, 80 mijë euro për inceneratorët, vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre. Kjo është panorama e drejtësisë së re. Çdo gjë tjetër që mund të thuhet këtu, nuk ka asnjë vlerë përballë asaj që shikojnë qytetarët.
Meqenëse koha është e kufizuar, do të doja të kishim një vëmendje të veçantë për hartën gjyqësore. Në datën 18.8. 2021, unë kam marrë një letër nga zoti Merdan Nora, për sa i përket gjykatës së Sarandës. Fatmirësisht, kemi reaguar në kohë. Fatmirësisht, ministri i drejtësisë dhe zonja Llagami reaguan në lidhje me gjykatën e Sarandës, ndaj sot gjykata e Sarandës i ka shpëtuar asaj prerjes së kokave të gjykatave, që kanë bërë me hartën e re gjyqësore. Megjithatë, për t’u treguar e sinqertë, e bëra edhe këtë falënderim për faktin që na kanë dëgjuar, por harta e re gjyqësore ka njëmijë e një probleme. Unë nuk do të merrem me qarqet e tjera, por do të merrem vetëm me qarkun e Vlorës, të cilin e përfaqësoj. Gjithë ky qark, të cilin unë po e marr si rreth, rajon po e quaj, të gjitha këto, pra qarku Vlorë, Gjirokastër, Berat dhe Fier, do të gjykohen në Lushnjë. Mjafton të shikoni hartën, edhe sikur të mos keni asnjë koncept tjetër, për të kuptuar që Lushnja këtu është skaji më verior i këtij rajoni të krijuar nga harta gjyqësore. Nuk po i hy fare faktit nëse duhej të kishim më shumë gjykata apo jo, por po e marr të mirëqenë siç është vendosur, me një gjykatë për këtë rajon, por a nuk do të ishte më normale, më e logjikshme, sikur të ishte në qendër të këtij rrethi, të këtij rajoni, që për rastësi, fatmirësisht i bie të jetë Vlora? I bie që qendra e këtij rrethi të jetë Vlora, dhe Vlora ka të njëjtën largësi nga të gjitha pikat e tjera të rrethit. Të gjithë do të përfitonin, nëse do të ishte Vlora. Pra, përfitojnë të gjithë qytetarët e këtij rajoni, që është ndarë nga sistemi gjyqësor.
Duke zgjedhur skajin më verior, Lushnjën, imagjinoni Konispolin që shkon në Lushnjë, Përmetin që shkon në Lushnjë! Unë e kam kërkuar edhe dje, dhe mendoj se pati një lloj reagimi pozitiv, nuk e di nëse do të mund ta bëjnë këtë ndryshim, por Vlora i ka të gjitha mundësitë për të qenë Gjykatë Administrative e Shkallës së Parë. Ka edhe godinën, tashmë që do t’i ikë Apeli, e ka godinën gati, me standarde europiane, godinë e cila mund të përdoret si Gjykatë Administrative e Shkallës së Parë. (Bie gongu) Gjithnjë nëse doni të bëni një reformë të hartës gjyqësore, e cila do t’u shërbente qytetarëve.
Shumë faleminderit!