Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Për çudinë time çdo koleg i maxhorancës që ka folur, e ka falënderuar dhe përgëzuar zotin Duka për nismën, por, nga ana tjetër, e ka votuar kundër dhe premton që do ta votojë kundër në këtë seancë. Këto janë dy gjëra të palogjikshme, që vetëm në modelin tuaj, të kësaj maxhorance, mund të ndodhin. Ju keni falënderuar edhe Saimir Tahirin, si ministër model, dhe sot e keni prapa hekurave, apo keni falënderuar investitorët e mëdhenj… (Ndërhyrje pa mikrofon) Por, zoti Duka, keni fatin e mirë që nuk jeni në këtë qeveri, ndryshe fati juaj do të ishte i keq.
Projektligjet që kanë ardhur dhe vijnë në këtë parlament nga deputetët kanë dy fate: ose lihen në harresë, lihen stok, siç është rasti i projektligjit të deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim “Për regjistrin e krimeve seksuale”, i cili ka që në shtator dhe nuk futet për shqyrtim, sepse nuk doni as ta votoni, por nuk keni as këllqe ta rrëzoni, pasi është një gjë e rëndësishme dhe do të dilnit kundër interesit publik ose, në rastin e sotëm, ju i fusni për t’i rrëzuar, por në fund i falënderoni për punën e mirë që kanë bërë.
Sinqerisht, ka qenë një dilemë e madhe nëse kjo qeverisje nuk dinte apo nuk donte, duke parë reagimin që keni ndaj këtij projektligji. Ky projektligj vjen si një kontribut nga deputeti Duka, shoqata e fermerëve, me ekspertizë ligjore nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke jua lehtësuar pjesën e parë të të mosditurit, por ju përsëri nuk doni. Ju nuk doni të bëni më të mirën, të bëni një ndryshim pozitiv, i cili vjen I kërkuar nga vetë fermerët, që vjen i advokuar me ekspertizë ligjore nga ata që e kanë këtë tagër, siç është Komiteti Shqiptar i Helsinkit, sepse në fund të ditës, ju nuk doni që të sillni një përmirësim në bujqësinë shqiptare dhe për fermerin shqiptar.
Përmendët këtu që jua ndalon strategjia. Strategjia që nuk është miratuar ende, strategjia që parashikon nga viti 2021 deri në vitin 2027, por sot jemi në qershor të vitit 2022 dhe ju nuk e keni miratuar, as nuk e keni shkruar ende, ju ndalon që ju ta miratoni këtë projektligj?! Po ku është parë kjo? Përkundrazi, kjo duhet të ishte edhe një kornizë e mirë që ju, duke miratuar këtë projektligj, ta fusnit edhe në strategjinë tuaj dhe ta përshtatnit strategjinë në përputhje me këtë projektligj që i shërben fermerit. Të paktën ndryshoni datat e strategjisë, vëreni strategjia 2023-2027, se nuk ka kuptim “Strategjia 2021”, kur ende jemi në mesin e vitit 2022 dhe ju nuk e keni miratuar.
Skemat e përfitimit të subvencioneve janë diskriminuese. Nga 6 mijë fermerë që kanë aplikuar, kanë përfituar vetëm 3 mijë dhe kriteri ishte shumë i qartë: koha; koha që kanë aplikuar, jo koha brenda apo jashtë afatit, por më i shkathëti më i shpejti, si dhe ora kur kanë aplikuar. Këto janë mistere dhe kritere që mund t’i vendosë vetëm një qeverisje që nuk e ka fare në fokus fermerin dhe bujqësinë shqiptare. Vjet kanë aplikuar për subvencionin e naftës mbi 26 mijë fermerë dhe kanë përfituar rreth 19 mijë; këtë vit kanë aplikuar mbi 50 mijë fermerë, pra dyfishi i fermerëve, dhe është shpërndarë për rreth 20 mijë fermerë. Ndërkohë, vetë shoqata e fermerëve, zoti Eduard Sharka thekson se përfitues për skemën e përfitimit të naftës do të jetë vetëm gjysma e fermerëve, si dhe gjysma e atyre që punojnë në blegtori. Në qoftë se ju këtë e konsideroni sukses, atëherë nuk e kuptoj se çfarë konsideroni dështim!
Keni vendosur si kriter serrat mbi një hektar. Pa sens, i padëgjuar, por jo vetëm kaq, por keni thënë që këtë kriter e keni vendosur që fermerët të kenë mundësi të kooperojnë. Por edhe kur ata kooperojnë dhe e kalojnë mbi një hektar, ju përsëri u vendosini një kriter tjetër diskriminues dhe u thoni se duhet të jenë mbjellë me të njëjtën farë. Kjo nuk ka pikën e kuptimit, sepse i njëjti fermer mund të mbjellë një pjesë me një farë dhe një pjesë me një farë tjetër, ndërkohë që, edhe kur kooperojnë, ju u kërkoni ta mbjellin me të njëjtën farë. Pse? Sepse shpikni artifica për të mos u dhënë paratë dhe për të mos i subvencionuar.
Përmendët këtu fondet që vijnë nga Bashkimi Europian. Bëtë shumë mirë që i përmendët fondet e IPARD-it, që vijnë nga Bashkimi Europian, por nuk na thatë një të vërtetë të madhe: që një fermer të marrë të paktën një përfitim nga fondet e BE-së, nga IPARD, duhet të kapë shifrën e plot plus 10 mijë eurove. I përkthyer ndryshe, ky instrument bën gati të pamundur që fermerët e vegjël, fermerët që nuk i kanë këto kapacitete për të bërë projekte teknike që e kalojnë shifrën 10 mijë euro, të përfitojnë.
Në regjistrat e Ministrisë së Bujqësisë kemi 354 mijë fermerë të regjistruar, të cilët ndahen në 3 kategori: kategoria e fermerëve që prodhon për konsum vetjak dhe që bën blegtori, po ashtu, për konsum vetjak, i mbarështon; kategoria e fermerëve, që prodhon për konsum vetjak, por tepricën e nxjerr për tregun vendas; kategoria e tretë janë fermerët dhe subjektet tregtare që japin për tregun vendas dhe për eksport.
Sipas ekspertëve, edhe grupimi i parë, edhe grupimi i dytë nuk kanë mundësi që të përfitojnë drejtpërdrejt nga programi i IPARD-it. Këtu dy grupime përbëjnë rreth 82% të fermerëve të regjistruar në Shqipëri. Pra, pjesë e IPARD-it janë vetëm 18% e fermerëve.
Nga ana tjetër, thatë që keni një skemë që subvencionon me 37 milionë dollarë. Bëjmë një llogari shumë të thjeshtë: 37 milionë dollarë për 354 mijë fermerë që janë regjistruar, sa dollarë i bie për fermerë dhe për fermë? I bie10 dollarë. Ndaj, ju keni vendosur këto skema dhe këto kritere të shpikura që të kenë mundësi vetëm një sasi e limituar fermerësh të marrin diçka dhe të tjerët të mos marrin asgjë. Ndryshe, në qoftë se do të ishit të barabartë, shifra juaj qesharake do ta kthente edhe subvencionin, po aq qesharak, në 10 dollarë për fermerë.
Bujqësia kontribuon 20% të GDP-së dhe merr nga buxheti i shteti vetëm 2,2% të GDP-së. Ajo që ndodh, në fakt, në Shqipëri është edhe më e çuditshme. Edhe paratë që janë të dedikuara për bujqësinë, nuk i merr si mbështetje direkte fermeri, por pjesa më e madhe e tyre shkojnë për institucionet, për entet që merren me monitorimin e bujqësisë, dhe këtë e thotë FAO.
Dua t’ju paraqes një grafik, i cili tregon se si Shqipëria është e fundit nga rajoni; nuk po e krahasoj me vendet e BE-së, sepse këtu diferenca është e tmerrshme, por po e krahasoj me Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe me Serbinë, për të parë që në Shqipëri fermeri shqiptar merr subvencion direkt që shkon 3 euro dhe 42 euro të tjera shkojnë për institucionet, shkojnë për entet që merren me administrimin dhe me monitorimin. Ndërkohë, raporti duhet të jetë i ndryshëm, duhet të jetë që të shkojë për fermerin shqiptar dhe jo paratë të ngelen nëpër institucione, nëpër agjenci, nëpër ministri, në administrimin tuaj më të mirë dhe më profesional.
Në fund të ditës vlerësimi që FAO i bën Shqipërisë analizon se me këtë nivel financimesh Shqipëria nuk ofron asistencë të mjaftueshme për fermerët shqiptarë, që ata të përballen me konkurrencën e tregut, por jo vetëm kaq. Dua t’ju sjell në vëmendje se në vitet para anëtarësimit, pra para se të jesh anëtar i BE-së, do të duhet të akordosh nga buxheti i brendshëm të paktën 1/3-n e fondeve që pret nga buxheti i Bashkimit Europian. Pra, në këtë mënyrë ju duhet të paktën t’i pesëfishoni fondet për bujqësinë shqiptare. Me sa duket, vullnetin nuk e keni dhe këtë vullnet e tregoni edhe sot, kur doni të rrëzoni një projektligji, që është tërësisht në shërbim dhe në të mirë të fermerëve shqiptare. Faleminderit!