Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për raportin e Bashkimit Europian | 17 Mars 2022

Sot flasim për raportin për integrimin dhe të gjithë besoj janë të vetëdijshëm se çështja e të drejtave të njeriut është vlerë bazë e demokracive funksionale, po edhe e vlerave mbi të cilat ngrihet Bashkimi Europian, të cilave raporti i Bashkimit Europian u kushton një pjesë të rëndësishme.

Pikërisht në këtë drejtim unë dua të ndalem sot dhe dua ta filloj me ngjarjet e fundit, me protestat që po ndodhin këto ditë për rritjen e çmimeve, për abuzimin me rritjen e çmimeve, për përfitimet e paligjshme, të cilat qeveria i kërkon edhe në kohë lufte.

Në këto protesta që qytetarët bëjnë me drejtë është vënë re e njëjta gjë: shkelja e të drejtave të njeriut. Policia vepron si bandë pa numra identifikimi. Më gjeni një shtet të Bashkimit Europian që, kur qytetarët protestojnë, policia del si bandë, pa numra identifikimi, e veshur edhe civile, e kryen arrestime!

Më gjeni një vend, ku policia arreston dhe mban në paraburgim njerëz me aftësi të kufizuar, të cilët kanë protestuar për të drejtat e tyre! Në qoftë se arrini ta gjeni një vend të Bashkimit Europian apo një raport të Bashkimit Europian që mund t’i përgëzonte këto sjellje, atëherë, po, ne i paskemi arritur standardet dhe jemi shumë mirë në procesin e integrimit. Por nëse nuk e gjeni, atëherë duhet ta kërkoni te vetja fajin, duhet ta kërkoni te sjellja dhe te veprimet tuaja arrogante, te mungesa e vullnetit politik për t’u shërbyer qytetarëve dhe jo te shkaqe të tjera të politikës së jashtme të Bashkimit Europian, të luftërave apo të politikave të zgjerimit!

Po të dëgjonim Edi Ramën, ne me negociatat kemi kryer punë që prej 6 vjetësh. Çdo vit na i hapnin negociatat, çdo vit festonim me shampanjë, madje bisedonim përmes telefonatash të suksesshme me Merkelin, teksa kalonim “dallgët e integrimit”, siç i quante Kryeministri Rama.

Në fakt, jemi në vendnumëro. Në fakt, raportet e integrimit janë nga viti në vit me shtim problematikash dhe me asgjë të zgjidhur nga ato kritere që vendosen në raportin paraardhës. Ky duhet të jetë reflektim dhe kjo duhet të jetë bazë që gjithsecili nga vendimmarrësit, qoftë parlamenti, por, mbi të gjitha, qeveria, që ka në dorë t’i ndryshojë gjërat, të reflektojë dhe të mbajë përgjegjësinë që i takon para ligjit.

Mosrespektimi i të drejtës së pronësisë dhe trajtimi i shpronësimeve pa procedura të qarta informimi dhe diskutimi me të prekurit është një nga rastet që Bashkimi Europian e ngre, që raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit e ngre, që protestat e banorëve të Laprakës, atyre të lagjes “5 Maji”, të Unazës, të Shkozës, kudo ku ju bëni ligjin pa ligj, ku bëni ligjin me “Maliq”, sepse prishni për t’ia dhënë gjoja publikut dhe pastaj ia jepni po një privati tjetër për interesat tuaja klienteliste; sepse i prishni pronat pa u informuar, pa u dakordësuar, pa u thënë asgjë dhe pa bërë kontrata të rregullta që mund t’u shërbejnë qytetarëve, që më pas të rimarrin të drejtën e tyre të pronësisë; edhe këto e ngrenë.

Në e tyre të pronësisë; edhe këto e ngrenë. Në raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit thuhet: “Pjesa më e madhe e ankesave të shtetasve ka të bëjë me çështjet e pronësisë, ankesa që lidhen me të drejtën e informimit; ankesa që lidhen me procedura jotransparente nga organet e administratës qendrore dhe vendore; shpronësime pa informuar banorët, pa lidhur marrëveshje, por duke përdorur forcën e asaj policie që ju e përdorni si bandë”.

Askush nuk e harron se si i nxorët banorët e “Astirit” me gaz lotsjellës. Ky është respektimi i të drejtave të njeriut? Ky është standardi i Bashkimit Europian? Me këtë standard ata po na bëjnë ne dëmin dhe nuk po na fusin, sepse ne e paskemi arritur standardin e respektimit të të drejtave të njeriut?

Dy skandale të mëdha kanë ndodhur në këtë vend, të cilat nuk mund t’i harrojmë dhe as t’i mohojmë, madje janë pjesë e çdo raportimi të Bashkimit Europian.

Skandali i parë lidhet me periudhën para zgjedhjeve, me sistemin e patronazhistëve, me sistemin e cenimit të të dhënave personale dhe keqpërdorimin nga partia në pushtet për arsye të fitimit të votës së qytetarëve, ku ju numëronit edhe lugët, edhe pirunët, si në kohën e Enverit, se çfarë kishin familjet shqiptare; kur ju dinit: “Me kë jetonte e zonja e shtëpisë, a kishte leje legalizimi, cili ishte numri i kartës së saj të identitetit, kë takonte e çfarë bënte?”, një sistem i mirëfilltë spiunësh, që merrnin të dhëna shtetërore dhe i mbushnin me të dhëna nga terreni!

Sigurisht, askush nuk mund të thotë që ky është standard i Bashkimit Europian dhe ky është respektimi i të drejtave të njeriut.

Skandali i dytë është ai që doli po nga ju, po nga institucionet tuaja, me pagat e punonjësve në vend dhe me targat e pronësive të automjeteve. Cili është dënuar? Cili njeri politik, përgjegjës i institucioneve, ka marrë përgjegjësi për këto dy skandale? Ku jemi ne sot me hetimet? Çfarë dinë shqiptarët për këtë rrjedhje të dhënash, për këtë abuzim me të drejtat e tyre? Asgjë. Do ta përdorin për të bërë disa tenderë të radhës, për të bërë disa vjedhje të radhës, por jo për të vënë para përgjegjësisë ata që kanë përgjegjësi, që janë pikërisht qeveria dhe institucionet shtetërore.

Të vetmit që shkuan në prokurori për skandalin e patronazhistëve ishin dy gazetarë, Andi Bushati dhe Armand Shkullaku. U desh ndërhyrja e Gjykatës së Strasburgut për të ndaluar atë që ishte planifikuar të bëhej ndaj gazetarëve, që të bëhej shembull për të tjerët e të mos nxirrnin skandalet e qeverisë. Por këto nuk janë standarde të Bashkimit Europian dhe as standarde që na bëjnë ne një vend të cilit ia paskan mohuar të drejtën për t’u anëtarësuar, se ne i paskemi arritur standardet për Bashkimin Europian?!

Ngjarja tjetër që vlen të përmendet lidhet me të drejtën e informimit, si një e drejtë themelore, e cila është edhe kushtetuese, për t’i dhënë të drejtën e informimit çdo njeriu dhe publikut, si dhe për të garantuar transparencën e institucioneve.

Organizata “Reporterët pa kufij”, që merret me lirinë, me indeksin e lirisë së shtypit, e ka raportuar Shqipërinë si një vend problematik që renditet e 83-ta në klasifikim, ku “Qeveria, – thonë, – përfitoi nga COVID-19 për të fshehur informacionin dhe për të bërë ato të ashtuquajturat “kontrata sekrete” për hir të pandemisë dhe të COVID-it”, ndërkohë që ishin kontrata mirëfilltazi korrupsioni, ku ju fshihni ato letra paçavure që bëni për të mos dalë në sytë e publikut se si jepeshin milionat e shqiptarëve në një dorë me gjoja pretendimin se po bënit luftën ndaj pandemisë.

Qeveria nuk ka hequr akoma dorë nga ligji i medies, i ashtuquajtur “Paketa e shpifjes”. Është e vërtetë që, pavarësisht se Presidenti, me dekretin e datës 12.01.2020 e ka rikthyer në Kuvend paketën antishpifje dhe opinioni i Venecias ka ardhur në qershor të vitit 2020, ende nuk është futur, sipas rregullit, për t’u shqyrtuar në parlament dhe për ta rrëzuar ky i fundit. Por e mbani aty si “as nën mëngë” për të kuptuar se si po shkojnë ngjarjet dhe për ta përdorur në momentin që ju e shikoni si të nevojshëm.

Jo, për aq kohë sa ka një dekret të Presidentit, për aq sa kohë sa ka ardhur opinioni I Venecias dhe ju, maxhoranca juaj, i ka garantuar partnerët tanë europianë se nuk do t’i qëndroni paketës antishpifje, atëherë këtë gjë që ju e keni thënë me fjalë dhe keni treguar se zakonisht nuk e mbani fjalën, duhet ta përktheni në akt politik, siç e detyron agjenda parlamentare dhe rregullat e një shteti ligjor për cilindo Bashkimi Europian, në fakt, dhe për të cilin do të na vlerësonte edhe Bashkimi Europian në raportet e ardhshme.

Lidhur me krijimin Agjencisë për Informim dhe Media, që ju e krijuat, në fakt, që qeveria e krijoi, ku gazetarët do të informohen nga zëdhënësi i qeverisë, nga një pikë e centralizuar dhe jo nga institucionet e tjera, ajo do të monitorojë mediet në lidhje me reagimet ndaj vendimeve të qeverisë.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se si do të përdoren gjetjet e këtij monitorimi. Pra, kjo agjencia e Edi Ramës do të monitorojë mediet, por për çfarë arsyeje dhe se si do t’i përdorë ato? Si një mekanizëm, në fakt, censure, që ju po bëni me një ministri të re propagande, e cila nuk ka lidhje me standardet e Bashkimit Europian, por ka lidhje vetëm me standarde afrikane dhe të vendeve, ku despotët dhe njerëzit autoritarë qeverisin.

Ndaj, kur flasim për kritere të Bashkimit Europian, duhet t’i referohemi realitetit, duhet t’i referohemi asaj që ka bërë dhe nuk ka bërë Shqipëria. Ta gjejmë fajin te vetja jonë, ta gjejmë vullnetin për të ecur përpara dhe jo t’u referohemi palëve të treta sikur ne kemi bërë gjithçka mirë dhe thjesht nuk na duan, se jemi shqiptarë!

Faleminderit!