Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Nuk kemi si ta shmangim elefantin në dhomë; nuk kemi si të shmangim një nga aferat më të mëdha korruptive që ka bërë kjo qeveri, ky Kryeministër, sigurisht me firmën dhe vulën e tij, me dijeninë dhe me pasionin e tij për të miratuar edhe 17 VKM brenda ditës. Kjo është afera e inceneratorëve.
Komisioni hetimor juve po ju dhemb shumë, po bëni gjithçka ta shmangni, me lloj-lloj marifetesh, duke llogaritur edhe ditët pushim si ditë pune, pastaj u detyruat të tërhiqeshit, jo sepse e kuptuat që pushimi është pushim dhe puna është punë, por sepse ju detyruan të tërhiqeshit, kundër vullnetit tuaj për ta hetuar këtë aferë.
Në fakt, po ta kishit njohur konfliktin e interesit (i referohem edhe fjalës së parafolësit), do ta kishit ditur që nënkryetaren e komisionit hetimor e keni bashkëfirmëtare në këtë aferë të inceneratorëve, e cila në kohën kur ishte ministre e Shtetit dhe ulej përkrah Edi Ramës, në shkresat zyrtare shkruante se kjo firmë që ju sillni nuk është e regjistruar në QKB, kjo firmë që ju sillni për t’i dhënë koncesion, mund të bie ndesh me projekte të tjera që ka marrë Bashkia e Tiranës me japonezët për ujërat dhe vetëm disa ditë më vonë ndryshonte mendim dhe çonte e-mail, ku shprehej se ishte dakord me këtë aferë të inceneratorëve. Zonja vjen në komision dhe e mbron me pasion atë që ka firmosur vetë, në konflikt të plotë interesi, sepse kështu e detyron maxhoranca juaj, kështu e detyron ai, që realisht është kreu i kësaj afere.
Me dëshmitë që po marrim në komisionin hetimor, të cilin po bëni gjithçka për ta bllokuar, dhe nuk ju pëlqen as dëshmia e gazetarëve, që kanë qenë të parët që kanë arritur të merrnin edhe prova dhe të filmonin në këtë incenerator, që groposte dhe gropos mbetjet, shqiptarët po paguajnë miliona euro për inceneratorë që nuk ekzistojnë, për fusha me bar. Shkuam tek inceneratorin i Tiranës dhe pamë një fushë me bar, që supozohej të ishte inceneratori që duhet të digjte plehrat e Tiranës, për të cilat ne paguajmë sikur ata janë duke i djegur. Pra, ne paguajmë lekë për një shërbim që nuk e marrim, ndërkohë pagesat për inceneratorin kanë filluar që në vitin 2018, dhe kemi paguar 35 milionë euro për një shërbim që nuk e kemi marrë. 850 mijë euro janë të faturuara për udhëtime në mes të pandemisë. Këto janë para të qytetarëve shqiptarë.
Administratorja e inceneratorit të Tiranës tha: “Inceneratorin e Tiranës nuk mund të ndërtonim në mes të pandemisë. Na ka dëmtuar shumë pandemia”. I ka dëmtuar pandemia për të ndërtuar, por nuk i ka dëmtuar për të udhëtuar, sepse aty shpërdoronin fondet! Erdhi ishadministratori i Fierit dhe e mori vesh rrogën e tij në komision, që në tatime e ka rrogën 9 milionë lekë, sepse nuk e dinte, nuk ia kishin thënë. Kjo është me siguri një skemë tjetër se si i pastrojnë paratë dhe se si i zhdukin ato.
Ishte interesante që u bëje pyetje dëshmitarëve dhe administratorëve dhe të kthenin përgjigje deputetët e PS-së, se ata nuk kishin përgjigje. Pyesje zonjën Kodra, të përgjigjej zoti Pëllumbi, sepse donte të bënte gjithçka për t’i dhënë përgjigje sugjestionuese që ajo të mos fliste; ajo e shkreta kishte ardhur aty sikur vuante nga ndonjë sëmundje e sklerozës dhe thoshte: “Nuk e di; nuk e mbaj mend; do t’jua them më vonë; do të shikoj se çfarë thonë dokumentet!”.
Koncesioni i Elbasanit, një tjetër koncension i dhënë pa garë, një tjetër koncesion që sot ka në burg ish-ministrin tuaj, deputetin e zgjedhur në zgjedhjet e 25 prillit në Durrës, deputet i zgjedhur i Partisë Socialiste, përveçse ish-ministër i qeverisë “Rama”, dhe jo vetëm kaq, por keni zgjedhur që, edhe shitjen e energjisë t’ia jepni për 25 vjet. Jepu para pafund inceneratorëve, që nuk dihet se ku do të shkojnë, që sipas raporteve tuaja, pra raporteve të auditit të Ministrisë së Financave, u keni dhënë 100% të pagesave, siç e kishit në kontratë, ndërkohë ata nuk kanë zbatuar asgjë dhe vetëm 30% kanë vënë në funksion. Ku shkojnë 70% e parave që u keni dhënë? Kush i merr? Kush janë pronarët fundorë? Ku shkojnë në këto llogaritë offshore? Kush arrin t’i tërheqë apo i ruan me kode dhe emra politikanësh, që nuk dihet se kush janë?
Ndërkohë, me paratë e qytetarëve inceneratori i Tiranës ka blerë Rang Rover 95 mijë euro, ka blerë Mercedes 60 mijë euro. Si mund t’i shërbejnë këto shpenzime pastrimit të qytetit? Si mund t’i shërbejnë këto shpenzime vënies së inceneratorit sa më shpejt në funksion të djegies së mbetjeve?
Çudia tjetër është që sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, ai që ishte autoriteti kontraktor, punësonte edhe të atin në këtë incenerator. A nuk është konflikt interesi? A nuk është shpërdorim detyre? Ndërkohë, ky zotëri promovohet dhe bëhet deputet i Partisë Socialiste, dhe sot është deputet i kësaj partie pikërisht për sjellje të mirë në këtë aferë të inceneratorëve.
Nga ana tjetër, të tria kompanitë ishin pa eksperiencë në fushën e mjedisit, të tria kompanitë e tri koncesioneve u hapën atë muaj që do të merrnin koncesionin dhe kishin në llogaritë e tyre 800 euro kapital dhe do të merrnin miliona euro. Kush nuk e kuptoi që kjo është një aferë e pastër korruptive? Kush nuk e kuptoi që kur ti nuk ke asnjë ekspertizë në këtë fushë, të lindi ideja dhe dëshira që të japësh një ofertë të pakërkuar për Bashkinë e Elbasanit, një ofertë të pakërkuar për Tiranën dhe Fierin? Interesante në Elbasan ishte që, pasi vjen oferta e pakërkuar e “Albtek”-ut, pas dorëzimit kujtohet Këshilli Bashkiak dhe miraton vendimin për shpallje emergjence. Pra, emergjencën e dinte më shpejt shoqëria “Albtek”, se sa Këshilli Bashkiak i Elbasanit.
Besoj se nuk ka sot shqiptar, të madh e të vogël, sado pak ta ndjekë televizionin, që të mos e kuptojë se kjo është një vjedhje dhe një aferë, që nuk mund të shlyhet vetëm me arrestimin e një ish-ministri; nuk mund të shlyhet vetëm duke vënë para përgjegjësisë disa zyrtarë, që vijnë emocionohen dhe qajnë para komisionit, sepse janë në hall të madh, sepse kanë firmosur ndoshta edhe pa dëshirën e tyre, por në shumicën e rasteve kanë firmosur me siguri të detyruar për të firmosur, edhe të shtuna, edhe të diela, për një gjë që ata nuk e dinin se sa miliona euro do të shkonin në xhepat e politikanëve të korruptuar.
Sot asgjë nuk na ndal që ta çojmë deri në fund këtë aferë. Çfarëdo që të bëni, javën tjetër komisioni ka thirrur ish-ministra, ministra, sekretarë të përgjithshëm qoftë të PS-së, qoftë të Kryeministrisë, të cilët duhet të vijnë e të japin llogari para atij komisioni hetimor për veprimet e tyre; të japin llogari për shpërdorimin e parasë publike, të japin llogari për korrupsionin, të japin llogari për këto kontrata që nuk janë në shërbim të qytetarëve, por që janë kontrata mafioze, abuzive dhe në shërbim të atyre që pasurohen me këto para, që duhet të ishin për qytetarët shqiptarë, që mund të ishin shumë mirë për turizmin, meqë çështjen tjetër e kemi për turizmin, mund të ishin shumë mirë për shëndetësinë apo bujqësinë, por jo, janë për xhepat e politikanëve të korruptuar, të cilët me një dorë bëjnë vjedhjen më të madhe prej 430 milionë eurosh, pa destinacion, në xhepat e politikanëve të korruptuar, që sot nga Zëri i Amerikës fshihet Kryeministri dhe thotë se përgjegjësia është individuale, përgjegjësia është e çdo ministri dhe nuk është e Kryeministrit që firmos sipër ministrit. Në ato kontrata Lefer Koka firmos poshtë Edi Ramës, dhe jo sipër tij, sepse qeveria ka një kokë, që nuk është Lefter Koka, por është Edi Rama.
Faleminderit!