Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë | 2 Dhjetor 2021

Në fakt, këtë maxhorancë unë e kam ndarë në tri kategori: patronazhistë, pasionarë e pasionare dhe kategoria e tretë pastërtorë dhe shkurt, siç ju pëlqen edhe juve, jeni PPP.

Në kategorinë e parë të patronazhistëve keni spiunin modern nën shembullin e partisështet, për të cilën keni aq shumë nostalgji, modelin që ju adhuroni mënyrën se si ju doni të sundojë ligji në këtë vend, ku diktatori i radhës është vetë zot dhe vetë shkop.

Kategorinë e dytë pasionarë dhe pasionare e kam klasifikuar, duke u nisur nga një personazh, të cilin ju, ndoshta, e mbani mend, i luajtur me mjeshtëri në “Portokalli” nga Mariana Kondi, e cila quhej “pasionare llapa”. Pasionaret dhe pasionarët e kësaj mazhorance vijnë këtu e flasin për qeverisjen më të mirë, për arritjet që nuk i ka parë historia, për zhvillim, për pastrim parash, për ligje të mrekullueshme, faleminderit qeverisë, faleminderit ministres, dhe, ndoshta, është kategoria më e parrezikshme, por edhe më e pështira.

 Kategoria e tretë janë ata që unë i kam quajtur pastërtorët; janë pikërisht ata që japin bekimin për të pastruar paratë e pista në këtë vend; janë ata që bëjnë korrupsionin më të madh; janë ata pastërtorët, peshqit e mëdhenj; janë të njëjtët peshq që sot na kanë sjellë ligjin në parlament; janë ata peshq që sot duhej të ishin subjekt i këtij ligji. Ligji nuk do të kishte kuptim nëse ata, që japin garancinë, ata që janë mjeshtrit e pastrimit të parave të pista në Shqipëri, nuk janë subjekt hetimi i ligjit. Shqipëria është në listën gri të pastrimit të parave, ndërkohë që kishte dalë nga kjo listë, por, falë punës suaj të palodhur për të pastruar paratë e pista, u futëm përsëri në këtë listë. Kjo është një arritje juaja, të cilën ne nuk mund t’jua mohojmë, por arritje të tilla u bëjnë dëm vetëm Shqipërisë dhe shqiptareve.

Raporti MONEYVAL i Këshillit të Europës shkruan: “Korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri, i lidhur shpesh me aktivitete të krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe, seriozisht, dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale”; këtë e thotë raporti i Këshillit të Europës dhe nuk e themi ne.

Por pyetja është: kush e bën korrupsionin? A bëhet dot korrupsion i madh pa përfshirë zyrtaret e shtetit, pa dhënë lejet këta, pa dhënë koncesionet këta; pa dhënë PPP-të këta?! Ja, pra, kuptohet fare qartë, mjafton të lexosh raportin se ku është burimi dhe ku duhet ta kërkojmë fajtorin për pastrimin e parave të pista.

Sipas FATF-së, ne jemi në grup me këto vende (dhe unë do të lexoj, për të gjithë ata që nuk e dinë se ku është Shqipëria, se me cilat vende krahasohet për standardet e pastrimit të parave): me Barabdosin; Burginafason; Kamboxhian; Ishujt Kajman; Haitin; Xhamajkën; Jordaninë; Malin; Maltën; Marokun; Mia Maren; Nikaraguan; Pakistanin; Panamanë; Filipinen; Senegalin; Sudanin; Ugandën; Jemenin dhe Zimbabvenë. Kjo është kategoria që jemi ne (lista); kategoria me cilën është Shqipëria. Po çfarë e lidh Shqipërinë me këto vende? Çfarë të përbashkëta ka? Asgjë nuk ka nga gjeografia; asgjë nuk ka nga tradita; asgjë nuk ka nga aspiratat të saj për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Europian, por ka një gjë të përbashkët: ka një udhëheqësi tribale që qeveris me standarde afrikane dhe jo me standardet europiane. Kjo na bën ne bashkë me këto vende, ndaj jemi në të njëjtin raport dhe jemi të detyruar sot që t’i votojmë ligje të tilla; i votojmë ligjet, nuk është problem, por problem është se kush do t’i zbatojë këto ligje?! Ja, e bëmë edhe një check në listën e detyrimeve që na kanë vendosur, mirëpo ata që duhet ta luftojnë, ata e bëjnë procesin.

 Ligjin unë do ta votoj pro, megjithatë kush do ta zbatojë?!

Ne shquheni për injorimin, shkeljen dhe moszbatimin e ligjit, dhe unë do të ju sjell një rast konkret. Si deputete e qarkut të Vlorës, po ju them se jeni duke bërë një krim të madh me të ashtuquajturin aeroportin e Vlorës! Nëse e keni seriozisht, duhet ta bëni aeroportin, por në përputhje me ligjin dhe për të mirën e Vlorës dhe të Shqipërisë.

Leja e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 24 nëntor ishte e kundërligjshme, pasi për projektin ende nuk kishte një studim të miratuar mjedisi dhe nuk janë marrë parasysh konventat ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria bën pjesë.

Në progresraportin e Komisionit Europian shkruhet për aeroportin në zonën “Vjosë-Nartë” se është në konflikt me ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së larmishmërisë biologjike, të cilat Shqipëria i ka ratifikuar. Ja, pra, ligjet i keni, por ju nuk i zbatoni, por ju i shkelni dhe i shkelni me vendimet tuaja. Në fakt, aeroporti i Vlorës nuk ka projekt. Aeroporti i Vlorës nuk ka studim dhe, mbi të gjitha, nuk ka para për t’u ndërtuar, duhen rreth 138 milionë euro. Ku janë këto para? Ku i keni kërkuar?! Pra, nuk keni asgjë! Më 28 nëntor ju inauguruat vetëm shkatërrimin e mjedisit; inauguruat vetëm shkatërrimin e zonave të mbrojtura; inauguruat vetëm shkeljen e ligjit dhe asgjë që lidhet realisht me aeroportin e Vlorës. Arroganca e këtij pushteti vjen këtu e na tregon se si të votojmë ligje për pastrimin e parave, kur, në fakt, “Maliqi” këtu mbrapa nuk pyet fare.

Janë 37 organizata mjedisore, të cilat ju kanë dërguar raporte të sakta pse nuk duhet ta bëni aeroportin atje, sepse jo vetëm e shkatërroni atë mjedis, shkelni ligjet, por është e rrezikshme nëse zgjidhni atë zonë dhe në qoftë se e bëni aty me kokëfortësinë tuaj, sepse të gjithë shpendët rrezikojnë që të futen edhe në motorët e çartërave, të avionëve që do të zbresin atje. Por nuk ka rëndësi, sepse tragjeditë ndodhin, bëhen edhe filma, do të thoni ju, edhe këtë do ta kaloni. Edhe po ndodhi ndonjë gjë, e rëndësishme është që ju të bëni atë që keni menduar për të bërë.

Kështu nuk qeveriset, kështu jeni duke shkatërruar vendin, jeni duke masakruar shqiptarët, jeni duke bërë turpet më të mëdha në histori me gjoja dëshirën për të investuar, me gjoja propagandën për të investuar. Ndaj, përpara se ne këtu sot dhe çdo ditë të diskutojmë për ligje të mira, për përafrim me legjislacionin e Bashkimit Europian, të bëjmë një check në listën e detyrimeve që na vendosin nga ana ligjore, se ne duhet të jemi garantët që ato, që ne shkruajmë dhe për të cilat ngremë dorën apo japim votën tonë pro, të mund të zbatohen dhe të vihen në zbatim për të mirën e qytetarëve shqiptarë dhe jo thjesht të jenë letra për të mbushur sirtarët e ministrive, për të mbushur sirtarët e zyrave të shtetit.

Meqenëse folët këtu për lejet e ndërtimit dhe për shkurtimin e letrave, vetëm futja e dokumenteve është online, më pas çdo gjë tjetër nuk ka lidhje fare me procesin online, dhe ju e dini mirë se si bëhet.

Sot kemi rastin, dhe ju kërkoj edhe juve që jeni prezentë, të tërhiqeni nga masakra që jeni duke parashikuar për aeroportin e Vlorës, si një shenjë që ju ligjet që bëni doni t’i zbatoni.

Ju faleminderit!