Komunikim ne Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit, buxheti 2022, degjesë me Ministren Margariti dhe drejtorin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. | 2 Nentor 2021

Në fakt, ministrja e tha, e ka thënë çdo ministër, e keni të shkruar edhe në projektbuxhet, kur u referoheni dy termave “pandemisë” dhe “tërmetit”. Në fakt, pandemia nuk ju ndali aspak që të shkatërronit Teatrin Kombëtar, në mes të natës, në mes të pandemisë me gaz, me artisët dhe njerëz brenda teatrit, pavarësisht se tërmeti nuk e kishte dëmtuar godinën e Teatrit Kombëtar, nga të paktat që rezistoi edhe kundrejt atyre raporteve të politizuar që bënë institucionet tuaja, duke thënë se godina e teatrit do të binte nga momenti në moment. Meqenëse jemi te buxheti, kur është prishur teatri, është prishur bashkë me rekuizitat brenda. A mund të na thoni, zonja Ministre, ku ndodhet sot pasuria kombëtare e qytetarëve shqiptarë, rekuizitat që ishin brenda Teatrit Kombëtar? Mos më thoni që nuk ishin brenda Teatrit Kombëtar, sepse atje kanë qenë anëtarët e Partisë Demokratike, aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kanë qenë brenda, teatri ka qenë i paprekur, kur kanë nisur fadromat të punojnë, kur kanë qenë brenda njerëzit, jo vetëm materialet! Kjo për sa i përket pjesës së buxhetit që ju shkruani këtu: 900 milionë lekë bashkia Tiranë, për Teatrin e Tiranës, për Teatrin Kombëtar.

Teatri Kombëtar sot është një çështje në SPAK. Për Teatrin Kombëtar, Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim, të cilin ju nuk e respektuat dhe bëtë të njëjtën gjë që kishit bërë përpara, duke ia kaluar truallin me një copë letër Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që teatri ishte shembur. I kaluat truallin dhe parashikoni para për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar, por siç e thashë kjo çështje është ende në SPAK. Thoni që është rritur buxheti, ndërkohë i është rritur buxheti Bashkisë Tiranë dhe ju llogarisni buxhetin e Bashkisë Tiranë te buxheti juaj i ministrisë edhe për pjesën e piramidës, edhe për pjesën e Teatrit Kombëtar.

Çështja e dytë ka të bëjë me trashëgiminë kulturore, edhe Teatrin Kombëtar, e prek kjo çështje. Ju keni bërë një program dhe e keni ndarë me zëra edhe trashëgiminë kulturore, edhe muzetë i keni ndarë më vete, si dhe thatë këtu që keni 40 milionë grante. Tani, unë do ju flas me fakte. Unë jam deputete e Sarandës. Ndër të tjera dhe Butrinti që ju e lavdëruat, nuk ka ciceron, gjeja më minimaliste. Syri i Kaltër ka një rrugë të shkatërruar prej 2 kilometrash dhe çdo njeri që hyn brenda paguan një tarifë të caktuar, e cila besoj se shkon në buxhetin e bashkisë, se tani i përket Bashkisë Sarandë, por nuk ka rrugë dhe është pjesë e trashëgimisë kulturore. Pra, Ministria e Kulturës duhet të parashikojë mirëmbajtjen, rrugët, duhet ta monitorojë, aq më tepër që drejtuesit e bashkive i keni të emëruar, i keni të gjithë tuajt, se I keni emëruar nga partia, nuk i keni të zgjedhur, kështu që fare mirë mund të bashkëpunoni me të ngjashmit tuaj. Të emëruar ju, të emëruar ata, mund të bashkëpunoni të gjithë si ushtarë të bindur të partisë.

Manastiri i Kostarit është pjesë e Bashkisë së Finiqit. Që të shkosh atje duhet të kalosh në një rrugë, e cila është shumë e ngjashme me një shteg dhish. Duhen patjetër makina të larta dhe shoferë shumë të mirë që të marrin përgjegjësinë të të çojnë në një objekt të trashëgimisë kulturore.

E përmendi edhe zoti Gjekmarkaj masakrën që i keni bërë Durrësit me Velierën, se si e keni shkatërruar trashëgiminë kulturore. Ju duhet të jeni në dijeni që në pallate të ndërtuara dhe në proces ndërtimi atje ndodhen rrënoja të trashëgimisë kulturore dhe ju nuk keni ndërhyrë. Mund të na thoni, pse nuk keni ndërhyrë?

Ndërkohë, çështja tjetër, po mundohem të flas shumë shkurt dhe me çështje të caktuara, për arsye të kohës dhe respektit ndaj kolegëve, është Teatri i Kukullave dhe Qendra Kombëtare për Fëmijët. Personalisht që në vitin 2018 e kam parashikuar dhe kam thënë me fakte dhe dokumente betonizimin e Liqenit të Tiranës dhe hapësirës së Gardës së Republikës, e cila iu kthye Bashkisë së Tiranës për të cilën kam një pyetje: a i keni ju paratë apo fondet për të ndërtuar Bibliotekën Kombëtare, Teatrin e Kukullave me paratë tuaja dhe pa skemë PPP-je, që t’ju detyrojë të jepni edhe 5 kulla në shkëmbim të Bibliotekës Kombëtare dhe Teatrit të Kukullave, apo do të funksiononi si me ligjin special “Fusha”, që do të na bëjë teatrin dhe do t’i japim edhe tokën shtetërore dhe kullat nga pas? Më deklaroni ju sot që nuk do të ketë kulla si fasadë, apo projekt PPP-je për të bërë Bibliotekën Kombëtare, Teatrin e Kukullave dhe Qendrën Kombëtare të Fëmijëve, se këtu nuk e deklaroni? Këtu keni vënë disa para, thoni do të bëjmë projektin, pastaj do të thoni se nuk keni lekë, pastaj do të arrijmë tek ajo që unë kam thënë me fakte dhe dokumente në vitin 2018. Veliaj e ka mohuar, ndërsa sot është fakt.

Pyetja tjetër është: ju keni sjellë një program me 25 pika, nga të cilat keni nxjerrë edhe buxhetin. Si ka mundësi që nuk vutë sikur një fjalë të vetme, sa për estetikë të paktën, për artistët dhe pagat e tyre, për respektin ndaj atyre që kontribuojnë në art? Nuk pashë asnjë fjalë për ta. Zero mbështetje, zero rritje rrogash, zero mendim që ata përfaqësojnë pjesën më të mirë të shoqërisë dhe kulturës shqiptare, aq më pak, pastaj, të keni menduar që të diskutohej për statusin e artistit apo shkrimtarit, për privilegjet që duhet të kenë, për përfitimet financiare që duhet të kenë apo për mbështetjen që duhet të kenë nga ministria që ju drejtoni, që fokusin kryesor duhet ta ketë tek artistët dhe aktorët Më ka ardhur shumë keq kur Mehdi Malkaj, Neritan Liçaj e aktorë të tjerë kanë ardhur në dyert e ministrisë suaj dhe ju nuk i keni lejuar as të futen brenda e t’i prisni në takim. Ata nuk janë kriminelë, por janë njerëz të nderuar të këtij vendi, që donin të bisedonin me ju, t’ju shprehnin kërkesat nga afër, ndërsa ju, si përfaqësuese e qeverisë dhe si përfaqësuese e përgjithshme e kulturës së këtij vendi, duhet t’i kishit pritur dhe jo t’i linit ata të përballeshin me rojet, sepse, thashë, përfaqësojnë pjesën më të mirë të vendit tonë.

Nga ana tjetër, na ka ardhur një shkresë, drejtuar kryetarit të komisionit, nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, kërkesë për rritje buxheti. A keni ju komunikim me institucionet tuaja të varësisë, a i pyesni për buxhetin, apo i bëni vetë sipas dëshirës, apo jua bën Rama, paraprakisht jua shkruan në copa letre dhe ju pastaj i bëni buxhet? Ata na kanë nisur një kërkesë, ku kërkojnë të merret në konsideratë shtimi i fondit në masën 50 milionë lekë në buxhetin e vitit 2022.

Ç’është e vërteta para disa ditësh ishte edhe sekretarja e Përgjithshme këtu, erdhi edhe zoti Eduart, në mos gabohem, të cilët flisnin për konventën e kinematografisë. Ne e përgëzuam dhe e pyetëm për projektet. Unë nuk jam profesioniste filmi, por ju të paktën duhet ta shqyrtoni këtë kërkesë dhe të na vinit sot e të në thoshit: “Po, merreni parasysh kërkesën e tyre, se ne e kemi harruar” ose ”jo, mos e merrni parasysh, se ne e kemi shqyrtuar, por ata kanë bërë 1, 2 apo 3 gabime”, se janë institucione në varësinë tuaj dhe është mirë që të merreni vesh me njëritjetrin te kjo pjesë.

E fundit, për ta mbyllur, arsimi, kultura, media, të gjitha që ky komision i ka në fokus, në fakt janë më të keqtrajtuarat edhe në buxhet dhe ky nuk është faji juaj, sepse ua ka ndarë qeveria, kanë kuotën më të ulët për sa i përket ndarjes së buxhetit. Kur vjen puna pastaj tek trashëgimia kulturore, te muzetë, tek arti dhe te kultura, në veçanti, që janë ato që ju keni në juridiksionin tuaj, unë nuk shikoj fokus se si ju ta përmirësoni dhe t’u ktheni paratë në zhvillim edhe intelektual, edhe të mendjes, edhe të shoqërisë, edhe të nxënësve, pra nuk keni bërë një kombinim se si mund t’i shërbejë shoqërisë, ndoshta duke u bashkërenduar edhe me Ministrinë e Arsimit apo me ministritë e tjera, edhe me institucionet e varësisë, që edhe buxhetin këtu të mos e kishit të lidhur me Bashkinë e Tiranës apo me vepra që lidhen me më shumë me interesa klienteliste sesa artistike, por ta kishit integruar më mirë edhe me institucione të tjera, të cilat janë pjesë e së njëjtës qeverisje.

 Faleminderit!

REPLIKË:

Zonja Ministre, në ligji nr. 8096 “Për kinematografinë”, në nenin 3, thuhet: “Qendra Kombëtare e Kinematografisë vepron si person juridik-publik me statusin e institucionit qendror në vartësi të Ministrisë së Kulturës, për bashkërendim…”. Kjo gjë vërtetohet edhe nga fakti, që ajo që ju keni në krah, sekretarja e Përgjithshme, ishte po ashtu në krah të drejtorit të qendrës kur prezantoi konventën. Dua t’i them se nëse ju nuk i njihni institucionet në vartësi mos m’i kërkoni mua.

Faleminderit!