Interpelancë në Kuvendin e Shqipërisë me Ministren e Arsimit znj. Kush për problemet e studentëve në univeristete | 21 Prill 2022

E nderuar zonja Kryetare, Ashtu siç e mbani mend, besoj se protestat e studentëve sollën “Paktin për universitetin” një dokument shtetëror, i cili u shoqërua me vendimmarrje, me VKM dhe me urdhra të Kryeministrit për të ndryshuar realitetin e universiteteve shqiptare.

Uroj që sot ministrja Kushi të mos na thotë se ishte përgjegjësi personale e ish-ministres Shahini, meqenëse iku si ministre, dhe tani nuk ka më përgjegjësi, sepse këto kohë jemi mësuar që edhe kontratat shtetërore, edhe VKM-të t’I quani përgjegjësi personale të një individi, qoftë ky ministër apo deputet! Pra, uroj të përgjigjet për të gjitha çështjet dhe shqetësimet jo vetëm në lidhje me paktin, por edhe për studentët!

Po e filloj me buxhetin e arsimit, që është edhe pika e parë. Buxheti i arsimit në programin tuaj “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, ose siç njihet ndryshe “Tepsia 1,” parashikohej 5% të GDP-së; më pas, në manifestin tuaj 2017-2021, “Tepsia 2” e kishit përsëri në program që 5% e GDP-së do të shkonte për arsimin.

Së fundi, siç do t’ju kishte zili çdo papagall, buxhetin për arsimin e keni përsëri 5%. Në fakt, realiteti nga 2018-ta dhe deri më sot është ndryshe dhe, fatkeqësisht, është me rënie. Në vitin 2018 buxheti për arsimin ka qenë 3,8 % e GDP-së; në vitin 2019 buxheti për arsimin ka qenë 3,3% e GDP-së; në vitin 2020 buxheti për arsimin ka qenë 3,2% e GDP-së; në vitin 2021 buxheti për arsimin ka qenë 3% e GDP-së, ndërsa në vitin 2022 buxheti për arsimin ka qenë 2,6% e GDP-së.

min ka qenë 2,6% e GDP-së. Që këtu e kupton se kërkesat kanë rënë në vesh të shurdhër; e kupton se interesi që ka qeveria për të bërë më të mirën për arsimin është shumë i ulët dhe jo vetëm kaq, por bën regres nga viti në vit, ndërkohë që duhet të bënte progres. Në këto raste është e udhës që të mburren me fondet e Bashkimit Europian, me investime të tjera, duke hequr përgjegjësinë nga vetja dhe nga fondet me financim buxhetor.

Kërkesa e dytë e studentëve ishin tarifat. Kosova na dha një shembull shumë të mirë se si një Kryeministër i përgjegjshëm ndikon tek arsimi, i cili i bëri falas tarifat e universiteteve, ndërsa në Shqipëri tarifat vetëm janë rritur. Unë i kam marrë tarifat që nga viti 2012 -2013, e kam marrë 2012-2013, sepse është viti i fundit që ka qeverisur Partia Demokratike. Unë do t’ju lexoj disa shembuj të thjeshtë: Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë nga 22 000 lekë është bërë 30 000 lekë; Fakulteti i Shkencave të Natyrës nga 17 000 lekë tani është bërë 25 000 lekë; Fakulteti i Gjuhëve të Huaja nga 17 000 lekë tani është bërë 25 000 lekë; Fakulteti i Ekonomisë nga 29 000 lekë tani është bërë 35 000 lekë. Pra, kjo është e kundërta e asaj që duhet të kishit bërë. Kështu keni vepruar edhe me masterat shkencorë, edhe me masterat profesionalë dhe këto të dhëna do t’jua vë në dispozicion, nëse nuk i keni, po ashtu edhe ministres që t’i shikojë. Të gjitha tarifat kanë ardhur në rritje. Masteri shkencor nga 120 000 lekë tani është bërë 150 000 lekë te HistoriFilologji. Nuk po i marr të gjitha degët me radhë, sepse mjafton tendenca për të kuptuar se ku po shkojmë.

Keni premtuar praktika për studentët, madje arritët në propozimin që njëmijë studentë ekselentë do të ishin të punësuar në administratën publike. Nëse e keni pasur fjalën për zotin Bllako, që ishte 25 vjeç sekretar i Përgjithshëm i ministrisë, po jua quajmë 1, por ju mungojnë 999 të tjerët, që nuk i keni punësuar në administratë! Ndërkohë, praktikat e studentëve duhej të mos ishte thjesht lënda që ata kanë në kurrikul vitin e tretë, e cila parashikohet vetëm një ditë në javë, që të atashohen në një institucion, por duhet të ishe praktika e integruar me atë që kërkon tregu i punës. Mundësisht ju duhet të kishit marrëveshje dhe të kishit ndikuar si ministri që secili nga universitetet të bënte një kombinim midis teorisë, që bëhet në universitet, dhe praktikës, që duhet të bënte në një biznes apo në institucion, sipas profilit që ka. I vetmi shembull në Shqipëri është rasti i një fakulteti, që është për biznesin, në universitetin e Durrësit, i cili e bën të kombinuar praktikën dhe teorinë, ku studentët e atij fakulteti janë të parët që kanë mundësi punësimi.

Dje në një reportazh pashë që diplomat trajtoheshin si bileta avioni. Kjo sepse studentët duan të marrin një diplomë për të shkuar dhe për të punuar në Gjermani, pra për të ikur jashtë në rastin më të mirë. Ju, si ministri, duhet të bënit një studim të tregut të punës, një studim se për çfarë ka nevojë Shqipëria dhe një studim se cilat janë profesionet që i nevojiten më shumë këtij vendi, në mënyrë që studentët të mos largohen. Strategjia juaj kombëtare e arsimit duket sikur është një strategji për t`iu përgjigjur nevojave që kanë shtetet e tjera për profesionet. Pra, strategjia jonë u përgjigjet atyre dhe jo nevojave që ka zhvillimi i shtetit shqiptar. Për shembull, nga të dhënat e fundit të regjistrimeve për këtë vit ka minus 19,9% regjistrime në bujqësi. Unë mendoj se bujqësia mund të ishte një nga prioritetet që mund të kishte Shqipëria në zhvillimin ekonomik. Kjo duhet të ishte bërë në studimet tuaja dhe duhet t’i kishit orientuar studentët që të shkonin në këtë drejtim dhe jo kjo degë të ishte në rënie. Ndërkohë, degët si: biznesi, administrimi dhe juridiku janë në rritje, si zakonisht juristët, që në Shqipëri punojnë si kamerierë!

Faleminderit!

PJESA 2:

Unë në Komisionin e Medies i thashë zotit Fuga që t’jua ndryshonte pak atë topic point, 3 fatkeqësitë: tërmeti, pandemia dhe lufta, megjithatë ju i kishit përsëri.

Po vazhdoj aty ku e lamë, te Pakti për Universitetin. Premtim tjetër në Paktin për Universitetin ishte karta e studentit. Karta e studentit, sipas Paktit për Universitetin, do të ishte pjesë e projektit për kartën europiane të studentit dhe do lëshohej nga qendra e shërbimeve arsimore dhe ministria do të bënte publike marrëveshjet dhe listën ku do të ofronte shërbime për studentët. Sipas ligjit për arsimin e lartë, ligj që ju nuk e keni ndryshuar, edhe pse keni thënë që është i dështuar, karta e studentit do të ishte një dokument unik i prodhuar nga Ministria e Arsimit. Ndërkohë që të gjithë sot e dimë se karta e studentit është kthyer në një dokument që nuk ofron asgjë thelbësore për studentët, e prodhuar nga Bashkia e Tiranës në disa raste, në raste të tjera Bashkia e Gjirokastrës apo Bashkia e Elbasanit, të cilat kanë universitete dhe nuk ofrojnë të njëjtat gjëra siç i ofron Bashkia e Tiranës. Në vend që të ishin produkte që u referohen nevojave të studentëve, janë bluzat e Noizit, disa kufje nëpër dyqane, pra, nuk janë ato që u kanë kërkuar studentët dhe vlerën që ka karta e studentëve, aq më tepër të jenë ofruar sadopak me kartën europiane të studentit, siç ishte premtimi juaj në Paktin për Universitetin.

Këtu dua të sjell në vëmendje diçka në lidhje me studentët, para se të kaloj në pikën tjetër.

Zonja Ministre, keni vendosur mesatare për hyrjen në universitete dhe në fakultete. Me mesatare nën 6 nuk hyn në universitet dhe për degët e mësuesisë keni vendosur mesataren mbi 7. Për degë të mësuesisë ju keni konsideruar edhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, edhe Fakultetin e Historisë dhe degët e Gjeografisë. Po bëni një diskriminim dhe nuk po lejoni të shkollohen në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ku nuk kanë fare asnjë dëshirë dhe ambicie për t’u bërë mësues, por do të bëhen përkthyes, në Fakultetin e Historisë mund të bëhen guida turistike e të tjera, sepse e keni vendosur ju si kriter përjashtues që ata që futen në atë shkollë duhet të bëhen detyrimisht mësues dhe e keni quajtur Fakultetin e Gjuhëve të Huaja sikur dalin detyrimisht mësues. Kjo është një problematikë që vjen nga vetë universitetet.

Premtimi tjetër, transparenca me buxhetin dhe publikimi i shpenzimeve të institucioneve të arsimit të lartë online. Aktualisht ajo që ju përmendët, zonja Ministre, u-transparenca, është një portal që thjesht jep disa shuma të mëdha parash dhe nuk thotë asgjë, nuk publikon vendimet e zbardhura të bordeve të administrimit, nuk publikon dokumentacionin e prokurimeve publike të universiteteve, tenderat, kontratat, kërkesat për oferta që ne të kuptojmë se si i kanë zgjedhur këto, a i kanë zgjedhur duke parë ofertën më të ulët apo i kanë zgjedhur nën shembullin e qeverisë me një ofertues me ofertën më të lartë, me 99% të fondit limit? Kjo është e rëndësishme për t’u kuptuar.

Nga ana tjetër folët për peshën e studentëve në organet e universiteteve. Kjo është e pavërtetë. Rritja e peshës së studentëve brenda zgjedhjeve të organeve të universiteteve nga dekani, rektori e të tjerë, është kërkuar që nga 10% të kalonte në 50%, ndërkohë që ju nuk keni ruajtur as masën 20% që ka qenë në ligjin e vitit 2007. Kur bëhet një ligj i ri, minimalisht, ose ruhet përqindja që ka qenë, ose rritet. Pra, është pa sens ulja në 10% nga 20% që ishte në vitin 2007 dhe shitja si sukses i përfaqësimit të studentëve në organet vendimmarrëse të universiteteve. Ndërkohë kjo ka qenë dhe është kërkesë dhe ju mund ta reflektoni në ndryshimet që do të bëni në ligj dhe në rregullore.

Sa u përket bordeve të administrimit, që i përmendet edhe ju, sipas ligjit të arsimit të lartë bordet e administrimit përbëhen nga 7 anëtarë të punësuar me kohë të pjesshme, ku anëtarët e ministrisë me anëtarët e universitetit ndryshojnë në raporte në varësi se cili institucion ka peshën më të madhe në buxhet. Pra, kur buxheti është 50% plus për ministrinë, ministria ka 4 përfaqësues dhe 3 universiteti, kur buxheti është 50% plus për universitetin, ndodh e kundërta, ka 4 përfaqësues universiteti dhe 3 ministria. Ndërkohë përbërja e këtij bordi, pra përfaqësuesit, që ju thatë se do të ishin të propozuar nga studentët dhe do të ishin figura publike, në fakt, siç mund t’i shikoni, se emrat janë online, së pari, nuk janë figura publike dhe, së dyti, janë figura të lidhura me qeverinë, në raste të caktuara edhe punonjës të administratës. Konkretisht nga 35 anëtarë të bordeve të administrimit vihet re se 18 prej tyre janë zyrtarë të administratës publike, 8 vijnë nga fusha akademike, 6 nga shoqëria civile dhe 3 vijnë nga fusha e gazetarisë. Ndërsa nga një monitorim i bërë nga shoqëria civile, nga 35 anëtarët e këtyre bordeve 22 janë persona me profil të ulët sa i përket prezencës dhe reputacionit të tyre në publik, e kundërta e asaj që ishte premtuar për figura publike dhe figura me reputacion publik.

Çështja tjetër lidhet me rishikimin e titujve akademikë, teksteve mësimore dhe verifikimin e plagjiaturave. Zonja Kushi, dibranët kanë një shprehje që thotë se në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari, kështu që unë e kam të vështirë të flas për plagjiatura me ju, që jeni vetë një nga të akuzuarat për plagjiaturë. Duhet të kishte mbaruar tashmë kontrolli antiplagjitaurë dhe rishikimi i titujve akademikë, sipas angazhimeve të marra nga vetë ju në Paktin për Universitetin, që ka tre vjet që është ndërmarrë. Në këta tre vjet ju duhet të kishit bërë të gjithë kontrollin antiplagjiaturë për pedagogët, së pari, dhe pastaj të flisnit për sistemin antiplagjiaturë për punimet e studentëve. Duhet të ishte miratuar ligji i ri për Kodin e Sjelljes dhe integritetin në kërkimin shkencor, si një premtim i marrë nga qeveria “Rama” në Paktin për Universitetin. Duhet të ishte krijuar arkivi digjital i doktoraturave në Republikën e Shqipërisë, si një portal i vetëm. Ka universitete që doktoraturat e mbrojtura pranë tyre i hedhin vetë në faqet e tyre online. Por, siç e thatë edhe ju, në rankimin e fundit që është bërë për faqet online të universiteteve, ne ishim vendi i fundit në rajon për sa i përket hedhjes së të dhënave.

Referuar Paktit për Universitetin ju përmendët edhe realizmin e sondazhit kombëtar. Po, ky ka qenë një nga premtimet. Tani, sondazhin kombëtar ju doni ta bëni me zarfe, doni ta bëni me e-mail-e sekrete, apo si doni ta bëni? Apo doni ta bëni si procedurë e sondazhit kombëtar që do të zhvilloni në datat 25 prill-5 maj?

Gjithashtu, ju kishit premtuar se do të hartonit Kodin e Cilësisë në arsim, i cili duhet të kishte përfunduar që në qershor të vitit 2019, por jemi në vitin 2022 dhe ende nuk është bërë.

Ju keni premtuar biblioteka digjitale dhe fizike në universitete. Sa i përket bibliotekës digjitale mund t’ju them se studentët nuk arrijnë të marrin informacionin që u përkon me kurrikulat e tyre mësimore, nuk kanë akses të marrin asnjë artikull, asnjë material shkencor në gjuhën shqipe që u përputhet me ato që u kërkojnë pedagogët. Pra, në momentin që kurrikula ecën në një drejtim dhe biblioteka digjitale ecën në një drejtim tjetër, atëherë ose përputhni kurrikulat me bibliotekën, ose bibliotekën me kurrikulat. Kjo duhet të jetë një nga detyrat që duhet të kryejë ministria juaj.

Sa i përket pasurisë së librave në këto biblioteka, unë ju ftoj t’i shikoni dhe do të gjeni aty literaturën e para viteve ‘90 në 80% të rasteve të këtyre bibliotekave.

Ndërkohë keni premtuar kampusin universitar të Tiranës. Me urdhër të Kryeministrit, numër 184, datë 26.12.2018 është ngritur një grup institucional i punës për vlerësimin e gjendjes, përmirësimin e masave, përmirësimin e infrastrukturës së kampusit universitar të Tiranës. Ndërkohë ky grup pune duhet të kishte paraqitur edhe një raport dhe duhet të kishte bërë një plan të detajuar për jetësimin e atij projekti, që ishte kampusi universitar i Tiranës. Ndërkohë që kanë kaluar 3 vjet a mund të na thoni këtu nëse i ka përmbushur detyrat e veta grupi i punës? A e kemi sot projektin e kampusit universitar të Tiranës? A e gëzojnë sot studentët atë kampus? Sa tryeza të rrumbullakëta me konsultime keni bërë ju me ekspertët e fushës në këtë drejtim?

Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik kaluam fazën e tretë të një marrëveshjeje me KfW-në gjermane pa na sjellë se çfarë keni bërë në dy fazat e para të kësaj marrëveshjeje dhe ku kanë shkuar paratë që keni marrë nga banka gjermane. Pra, nuk sollët një raport për fazën e parë dhe fazën e dytë, por sollët në komision miratimin për fazën e tretë, për të marrë përsëri para nga KfW-ja.

Nga ana tjetër, zonja Ministre, studentët kanë kërkuar më shumë mundësi që zëri i tyre të dëgjohet edhe nga Ministria e Arsimit. Universitet kanë probleme në mënyrat e administrimit të rektorëve, të dekanëve, të shefave të departamentit, studentët nuk mund të ankohen dhe nuk mund të flasin me të njëjtët persona që janë vetë problemi i situatës. Studentët kanë kërkuar të kenë konsulta me ju dhe ju nuk keni ofruar asnjë konsultë të pavarur me studentët, pavarësisht hallkave drejtuese të universiteteve. Gjithmonë konsultat i bëni me konferencën e rektorëve, me dekanët, duke u përqendruar tek institucioni dhe jo tek ata që janë kryesorët në sistem, studentët. Pra, për studentët nuk flitet sot, por flitet për arritje dhe mosarritje.

Zonja Ministre, sipas të dhënave të INSTAT-it, për moshat 20 – 24 vjeç, në krahasim me vitin 2001, kemi një tkurrje me 12%, ndërsa në krahasim me vitin e kaluar kemi një reduktimi me 15 mijë të rinj. Kjo është mosha që shkollohet, zonja Ministre, dhe një nga arsyet e ikjes është dështimi i sistemit arsimor shqiptar.

Unë e përmenda rastin e mesatares, ka studentë, të cilët nuk e fitojnë dot të drejtën për të studiuar në Shqipëri, por e fitojnë shumë kollaj në Itali, në Gjermani apo në Spanjë, sepse nuk janë kriteret e mesatares. Ne kemi bërë një interpelancë për maturën shtetërore. Mënyra e provimeve dhe aksesi në universitete jashtë vendit është shumë më e ndryshme dhe më e pranueshme për studentët për t’u bërë pjesë e universiteteve. Pra, nuk e marrin koston e tre vjetëve të gjimnazit për të gjithë jetën e tyre, sepse nuk ndjekin dot degën dhe profesionin që ata duan në të ardhmen. Kjo ishte për pjesën e dytë.

 Faleminderit!

PJESA 3:

Patjetër që dua të flas. Zonja Ministre, ju thatë që u lodhëm nga fatkeqësia, ne nuk u lodhëm nga fatkeqësia, por nga retorika juaj boshe, që çdo dështim të qeverisë e lidhni me fatkeqësinë e tërmetit, me pandeminë dhe me luftën në Ukrainë. Shpresojmë të mos fillojë ndonjë luftë tjetër se dështimet e radhës priten!

Zonja Ministre, na sollët foton e një godine, por, në fakt, interpelanca ishte për atë që keni bërë ju, për të parë fotot e arritjeve tuaja dhe Kampusin Universitar të Tiranës dhe t’ju themi bravo, nuk është për dështimet që ka pasur qeverisja e Partisë Demokratike në vitet 2005 – 2013. Nuk kam ardhur për këtë dhe nuk kam ndonjë interes specifik për të mbrojtur asnjë lloj dështimi që mund të ketë ndodhur në qeverisjen e Partisë Demokratike.

Nga ana tjetër, Kryeministri Rama, meqenëse është këtu, ka premtuar rankimin e universiteteve sipas një sistemi modern nga një agjenci e huaj. Sot dua të di rankimin e universiteteve brenda vendit, si janë të rankuara universitetet. Cili është universiteti më i mirë dhe cilat janë kriteret, në mënyrë që edhe studentët kur të zgjedhin universitetin të dinë se cilit universitet po i drejtohen dhe si është i rankuar.

Meqenëse rankimet ndërkombëtare i anatemoni, nuk i besoni dhe i quani që lidhen vetëm me faqe online, pra me pasqyrën dhe jo me thelbin, që është shumë i mirë, atëherë bëjeni vetë rankimin e universiteteve brenda vendit dhe ne ta dimë se si është cilësia e tyre brenda vendit.

Nga ana tjetër, zonja Ministre, në të gjitha pikat që unë ju thashë për “Paktin e universitetit”, të paktën për 8 pika dhe 2 premtime, që i shtuat dhe i quajtët “Paketa 8 plus”, për asnjërën nga ato ju nuk arritët të thoni që këtë e kemi realizuar dhe e kemi përmbushur. Pra, në 8 pika që ju keni, nuk keni realizuar asnjërën, as tarifat. Ju u mburrët që është rritur numri i ekselentëve dhe keni dhënë bursa. Bravo ju qoftë studentëve që janë më shumë ekselentë nga viti në vit, por kjo nuk është arritje e ministrisë. Ju jepni bursa për aq ekselentë sa ka.

Pra, kur ju në 8 pika nuk keni arritur të realizoni asnjë dhe flisni për sukses, atëherë ju qofshi dhe suksese të tilla mos paftë më Shqipëria!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *