Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për kundërshtimin e marrëveshjs së Butrintit | 23 Maj 2022

Për nga toni dhe nga përmbajtja, sapo dëgjova një përrallë, e cila fatkeqësisht nuk ka fare lidhje me realitetin dhe me atë që po përgatitet të ndodhë sot, me një votim të kësaj maxhorance: dhënien e Butrintit me koncesion për dhjetë vjet një fondacioni privat.

Sot m’u kujtua se në maj të vitit 2021 kam bërë një nga vizitat e mia në Butrint, por që ishte ndryshe nga të tjerat, pasi po çoja atje për herë të parë djalin tim, që asokohe ishte dyvjeç, për të parë Butrintin. Nuk e kisha menduar dot, se një vit më vonë do të isha në sallën e parlamentit për ta mbrojtur Butrintin nga një koncesion, nga një model i cili nuk ekziston në asnjë vend të botës. Sot ministrja, ndryshe nga ç’tha në çdo komision, e kishte hequr nga përralla e vet krahasimin me modele të tjera të vendeve të botës, sepse në fakt nuk ka asnjë model.

Na thanë se është si Versaja. Normalisht, hyra dhe e pashë Versajën. Me dekret të vitit 2010/ 1367, Versaja është një fondacion publik, i cili, po, ka privatë brenda, por nga 18 anëtarë të bordit, katër janë privatë. Nuk ka lidhje me Shqipërinë.

Na thanë se është Parku Arkeologjik i Pompeit. Sigurisht, hyra dhe e pashë edhe Pompein, për të kuptuar nëse paska diku një model. Parku Arkeologjik i Pompeit është institut brenda Ministrisë së Kulturës, por me autonomi speciale. Asgjë e përbashkët me ligjin tonë, për t’ia dhënë një privati. Pompei ka katër institucione që e drejtojnë.

Na thanë se është si Muzeu Egjiptian i Torinos. Të paktën shembujt që ka sjellë ministrja, që e ftoj të na sjellë ndonjë shembull tjetër, kjo është Torino, Muzeu i Torinos ka katër përfaqësues shtetërore dhe dy përfaqësues privatë. Na thanë është me Stonehenge – The British Museum. U futa e pashë edhe atë. Jo. Atje është një bord besimi, dhe është bamirësi, charity, që mund të japin edhe donacione.

Asnjë model nuk ka, të paktën nga ato që përmendën vetë.

Pashë modelet amerikane. Mendova: meqë thonë se e kemi me Amerikën, ndoshta është ndonjë model amerikan. Jo vetëm që nuk ka, por në një letër drejtuar Kryetares së Kuvendit, ishkongresmeni Dioguardi, shkruan: “Ju jeni në dijeni se parqet tona, shumë të vlerësuara në Amerikë, menaxhohen ekskluzivisht nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve, një agjenci brenda Departamentit të Punëve të Brendshme të qeverisë amerikane. Në menaxhimin e tyre nuk përfshihen as fondacione private, as partneritete publike-private, as koncesione, as ndonjë model hibrid siç e keni ju në Shqipëri.”

Ku e gjetëm këtë model? Ku është ky model? Asgjëkundi nuk është ky model, sepse nuk ka shtet të papërgjegjshëm, që ia kalon pasurinë kulturore, trashëgiminë kulturore një privati. Në Shqipëri ka një fondacion të krijuar, ku vetëm ministrja është me funksion publik, është ministre, por edhe ajo është me emër aty, ndërsa katër persona të tjerë të bordit janë individë privatë pa asnjë funksion shtetëror.

Thotë se një nga këta të katërt e kam zgjedhur unë. Nuk ka funksion shtetëror. Duhet të ketë funksion shtetëror. Statuti i Torinos thotë: jo si person, por me funksionin e tyre. Të gjithë janë nëpër statutet përkatëse me emrat e funksioneve të tyre: president i kësaj, kryetari i bashkisë, tjetri e tjetri, gjithnjë në funksionet e tyre, jo si emra. Në Shqipëri janë katër individë privatë, së bashku me ministren, që është si emër, por po ia marr të mirëqenë se është si ministre. E padëgjuar në asnjë vend të botës.

Në qoftë se ju, kolegë, e gjeni në ndonjë vend të botës kështu, në këtë mënyrë, siç po e bëjnë këta Butrintin me koncesion, votojeni. Por në asnjë vend nuk e gjeni. Është shpikje shqiptare për të dhënë Butrintin me koncesion. E pastaj thonë: nuk po e shesim. Po kush i ka ato para për të blerë Butrintin? Kush mendoni ju se jeni, që të mund të shisni Butrintin?

Ndërkohë, në të gjitha fondacionet, edhe publike e private, gjithmonë ka një përfaqësues të pushtetit lokal, gjithmonë ka kryetarin e bashkisë të atij vendi ku ndodhet siti arkeologjik, ku ndodhet muzeu, ku ndodhet pasuria kulturore. Në Shqipëri e kanë hequr kryetarin e bashkisë, pushtetin lokal, ata që duhet të jenë përgjegjës për territorin e tyre, por edhe për komunitetet. Mjafton të jetë aty një anonim që ka zgjedhur ministrja, ose kushdo qoftë, ose një studiues anglez, që thotë se Butrinti është koloni greke, ndërkohë që Butrintit, me këtë fondacion të krijuar, të modelit vetëm shqiptar, i hiqet mundësia që Kontrolli i Lartë i Shtetit të shikojë se ç’bëhet me paratë atje. Kjo sepse fondacioni është privat, ndaj me të drejtë, si çdo privat, nuk monitorohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në statutin e këtij fondacioni, pika 26, 5 thotë që KLSH-ja nuk ka punë me paratë që mblidhen në Butrint, sepse tekefundit është privat dhe janë në të drejtën e tyre. Përderisa këta po ua dorëzojnë, është normale të mos i japin llogari Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Fondacioni që do të zbatojë menaxhimin thotë se do ta marrë Butrintin për dhjetë vjet, sepse ne do të japim 5 milionë dollarë. Ky është justifikimi pse duhet t’ia japim Butrintin një privati, sepse do të japë 5 milionë dollarë. E para, për dhjetë vjet ai Butrinti prodhon 60 milionë dollarë. E dyta, është e padëgjuar ndonjëherë, se edhe Fondacioni për Butrintin i vitit 1993, i themeluar nga Lordi Rothschild, operoi në vitet më të vështira në Shqipëri, dha kontribut financiar, por s’kërkoi ndonjëherë që ta merrte Butrintin. Fondacioni tjetër amerikan për pasuritë, kërkimet nënujore ka dhënë 4 milionë euro për këto kërkime, por nuk ka kërkuar kurrë që ta merrte në administrim territorin ujor shqiptar. Pra, nuk është arsye e mjaftueshme, që për 5 milionë dollarë t’i jepni me koncesion Butrintin, që prodhon 50 milionë dollarë, dhe një sistem që nuk ekziston askund në botë.

Ndërkohë, thatë disa të pavërteta. Ju jeni atje anëtare e bordit, jeni nominalisht, të gjithë mund ta shikojnë atje, të gjithë mund të shikojnë planin e biznesit, sepse po, Butrinti është mall tregtar, është bërë si biznes, ka një plan biznesi, shqyrtohet nga Komisioni i Ekonomisë, nuk shqyrtohet te kultura, pasi qëllimi ka qenë trajtimi i tij si biznes, trajtimi i tij si fitim, trajtimi i tij si mall, për t’ia dhënë një privati. Pra, për t’ia dhënë një privati, i cili ka advokuar ligjin “Për trashëgiminë kulturore” në 2018-ën, që i hap rrugë, që ka bërë planin e menaxhimit 2020-2030, që po ashtu ka krijuar fondacionin për ta marrë vetë Butrintin, që ka caktuar bordin, i cili vendos për gërmimet, që i bën të gjitha. Dhe ne jemi, thotë atje, në minorancë. Është vetëm ministrja atje, e cila dy vjet do të jetë kryetare bordi, ndërsa më vonë nuk dihet kush do të jetë, pasi do ta zgjedhë vetë bordi.

Nga ana tjetër, ju e dini shumë mirë se me këtë rrezikojmë historinë dhe identitetin shqiptar. Ky është plani i menaxhimit, por në qoftë se ju e retushoni planin e menaxhimit, nuk ka problem, pasi publikimet e Richard Hodges janë të njohura, nuk ndryshojnë, dhe thotë se Butrinti ka qenë vend i një kolonie greke. Butrinti nuk është thjesht një vend, një sit arkeologjik për t’u vizituar, por është historia jonë, është identiteti ynë dhe historia e identiteti ynë, të nderuar kolegë, nuk mund të jepen me koncesion, historia dhe identiteti nuk jepen tek një privat, që t’i shkruajë ai si të dojë.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka miq dhe armiq të përjetshëm, por ka interesa. Ju duhet të mbroni interesat e popullit shqiptar, duhet të mbroni interesat e shqiptarëve, se prandaj jeni zgjedhur, se prandaj jeni në ato karrige. Ju ftoj të mos e votoni këtë akt, i cili dorëzon trashëgiminë kulturore te privati.

Falemnderit!

PJESA 2:

Falemnderit!

Në fakt, nuk jam arreduese, por Doktore e Shkencave.

Në krye të herës kisha dyshime që bëhej fjalë për një gjë skandaloze, por tani që kam parë dokumentet jam e bindur se është një gjë skandaloze. Mbajte dhjetë minuta fjalim, por nuk na the dot një model që ekziston në ndonjë vend të botës, që është si në Shqipëri. Një, vetëm një na thoni. Ku të doni ju gjejeni, qoftë edhe në Afrikë. Gjejeni ku të doni ju. Na gjeni një model, kur pasuria kombëtare, trashëgimia kulturore i jepet me dominancë privatit. Nuk ka, nuk ekziston.

Për sa i përket entitetit kulturor, dije, mësoje, lexo Neritan Cekën dhe Hasan Cekën, se Butrinti ka identitetin kulturor të Kaonisë epiriote. Ky identitet nuk zëvendësohet dot me identitetet joshkencore të Hodges-it me shokë, të cilët e quajnë Butrintin grek.

Po ashtu, ta dini se studentët e Lorenc Bejkos nuk mund të vijnë dot t’i japin leksione komisionit dhe të na tregojnë se çfarë kemi folur në medie, por duhet të vinë profesorët, duhet të vinë ata, të cilëve jua mohuat të drejtën për të ardhur, duhet të vinte Neritan Ceka, duhet të vinte Apollon Baçe, duhet të vinin ata që kanë punuar, gërmuar dhe shkruar për Butrintin. Por ju e keni frikë të vërtetën, ndaj merrni studentët e Lorencit, me gjithë respektin për studentët.

Nga ana tjetër, për ta mbyllur, Butrinti meriton të menaxhohet nga shteti shqiptar dhe meriton të gjitha donacionet e mundshme, por pa ia dhënë nën kontroll një privati, i çfarëdolloj kombësie të ketë ky privat.

Falemnderit!

PJESA 3:

Faleminderit!

E para, nëse do të ishte në interesin e banorëve, duhet të ishte përfshirë pushteti lokal, kryetari i bashkisë ose një autoritet lokal.

Së dyti, po, ka bileta, do të rritet, nga 11 dollarë, plus 30%, por do të ketë edhe bileta të tjera.

Po, në statut janë parashikuar bare, restorante, dyqane, qendër vizitorësh. Nëse ju miratoni këtë marrëveshje, është pjesë e statutit të fondacionit.

Së treti, roli i shtetit jo vetëm është i cenuar, por është qesharak. Keni 4 persona privatë, pa asnjë funksion. Çfarë funksionesh kanë Martin Mata, Fiona Boriçi, Aleksandër Sarapuli dhe Richard Hodges në shtetin shqiptar? Këta janë 4 personat dhe personi tjetër është Elva Margariti, ministre. Çfarë funksionesh kanë këta, që nuk është cenuar roli i shtetit? Ndërkohë, deri më sot Butrinti drejtohet nga ministri i Kulturës, zëvendësministri i Territorit, drejtori i Institutit të Monumenteve, nga 8 personalitete që kanë funksione, jo emra. Normalisht, nëse do t’ia japësh 4 privatëve, cenon rolin e shtetit.

Së katërti, e pashë që do ta votoni pro, por është e rëndësishme që unë si deputete t’ju kërkoj juve, të paktën, deputetit të zonës së Sarandës, zotit Niko Kuri, që jeton me komunitetin e Finiqit, i takon ata çdo ditë, të mos e votojë këtë projektligj për hir të atyre banorëve dhe të trashëgimisë kulturore.

Faleminderit!

PJESA 3:

Faleminderit!

Në nenin 50 “Replika” të Rregullores së Kuvendit thuhet: “Deputeti ka të drejtën e replikës, kur janë bërë diskutime që kanë shtrembëruar thelbin e fjalës së tij”. Në asnjë pikë këtu nuk thuhet që duhet të përmendet detyrimisht me emër nominativ.

Megjithatë, unë kam vetëm një pyetje: cilin model duhet të zgjedhin për Butrintin, modelin e sallamerisë “Hako”?   Faleminderit!

PJESA 4:

Më përmendi mbi 3-4 herë dhe unë dua ta falënderoj që më përmendi, por dua të them edhe disa të vërteta të tjera.

Në faqen 74 të marrëveshjes, që ju besoj se e keni e lexuar, thuhet se Ministria i garanton fondacionit posedimin dhe gëzimin e plotë e të qetë të pasurisë kulturore të paluajtshme pa asnjë kundërshpërblim. Fondacioni do ta regjistrojë pasurinë në drejtorinë rajonale përkatëse të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës brenda një afati të arsyeshëm nga data e transferimit të pasurisë. Pra, ato që ju thatë janë të pavërteta, për 10 vjet Fondacioni e merr Butrintin me koncesion dhe kjo është e zeza mbi të bardhë. Kush nuk e lexon është problemi juaj. Të 4 anëtarët e tjerë të bordit, përveç ministres Margariti, janë persona privatë, pa asnjë funksion publik shtetëror që të mund të themi se përfaqësojnë shtetin. Ata mund të jenë shokë, ose shoqe të ministres, por nuk kanë funksion. Të gjitha modelet në botë janë me funksione. Na thoni një model të vetëm si Butrinti, ku po e marrin persona privatë dhe hajdeni ta diskutojmë.

Shumë faleminderit!

Zonja Kryetare, në zbatim të nenit 51 të Rregullores, ku përcaktohet sqarimi i votës kundër, thuhet: “Deputeti ka të drejtën e sqarimit të arsyeve të votimit kundër deri në 2 minuta”.

Unë kërkoj të sqaroj votimin tim kundër, siç e lejon Rregullorja e Kuvendit. Mundem? Faleminderit! Unë kam votuar kundër marrëveshjeje për të dhënë me koncesion Butrintin.

Vota ime është kundër llojit të marrëveshjes që ju keni bërë, kundër menaxhimit nga një privat, kundër dhënies me koncesion të pasurisë sonë kombëtare, të historisë dhe të identitetit. Vota ime është kundër, pasi kjo marrëveshje është antikushtetuese, bie në kundërshtim me konventën e Parisit të vitit 1972, ku përcaktohet se shtetet palë dhe shtetet anëtare duhet të kenë të drejtën ekskluzive për të menaxhuar pasuritë e tyre kulturore dhe, në të gjitha rastet, kur fondacionet apo privatët duan t’i afrohen shtetit, duhet të jenë ndihmës ose bashkëpunëtorë, por asnjëherë të mos marrin më shumë se shteti për menaxhimin e pasurisë kulturore.

Së dyti, dua të sqaroj se vota kundër nuk ka të bëjë me punët dhe historikun e mirë që ka AADF-ja për financimet në Shqipëri, si në fushën e kulturës, në fushën e arsimit apo në fushën e rinisë, siç i përmendi edhe ministrja.

Ngatërrimi me qëllim i dy fakteve: i fondeve ta dhëna nga AADF-ja deri më sot në Shqipëri dhe i marrëveshjes së Fondacionit për Menaxhimit e Butrintit bëhet për të kompleksuar këdo që e shikon idenë proamerikane si kompleksuese, duke na quajtur antiamerikanë. Joseph J. DioGuardi ju ka nisur një letër, ku ju kërkon të mos e votoni këtë, është shumë amerikan dhe jo vetëm nga origjina apo shtetësia, por edhe kongresmen amerikan.

Ky është sqarimi im i votës votën kundër dhe u bëj thirrje kolegëve, që nuk kanë votuar ende, të votojnë kundër.

PJESA 5:

Shembulli që solli zoti Xhelili është Muzeu Egjiptian i Torinos.

Më lejoni t’jua lexoj, sepse janë: ministri i Kulturës; presidenti Regione Diemonte, non in propio, ma nella sua qualita del presidente, pra, jo si emër i përveçëm, por në kualitetin e tij si president; presidentja e provincës së Torinos; kryetari i Bashkisë së Torinos dhe dy privatë, kompania San Paolo dhe fondacioni Cassa di Risparmio di Torino. Pikërisht këtë model italian kërkojmë ne për Shqipërinë. E keni shumë të lehtë.

Fusni një ose dy përfaqësues të AADF-së brenda bordit të menaxhimit të Butrintit, që ekziston me VKM-në nr. 176, datë 03.05.2002, ku shteti ka 7 përfaqësues dhe shtohen edhe 2 përfaqësues të fondacionit privat, por ju nuk e doni këtë. Ju keni bërë një model që nuk ekziston. Në relacion ju thoni se keni këtë modelin e Torinos, por nuk e keni, sepse keni vënë persona privatë dhe i keni dhënë shumicën, maxhoritetin, fondacionit privat, në këtë rast fondacionit Butrinti për menaxhimin. Ngatërresën e bëni kastile të gjithë: AADF-në e barazoni me fondacionin e menaxhimit të Butrintit. Butrintin nuk e merr AADF-ja, e merr fondacioni për menaxhimin e Butrintit, ku AADF-ja është brenda.