Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Flasim për administratën publike, por, në fakt, mendoj që nuk duhet të harxhojmë kohë, pasi çdo qytetar e di se si administrata publike në Shqipëri është kthyer në vendin e punësimit të militantëve, të patronazhistëve. Mjafton të shikoni shifrat e INSTAT-it për ta kuptuar se si kthehet në një tullumbace të madhe elektorale, siç i hedh majanë brumit për t’u fryrë, ju i hidhni zgjedhjet administratës publike dhe fryhet administrata publike.
Është bërë një rritje, pra nga 171 000 në vitin 2018 punësimi në administratën publike në vitin 2021 ka shkuar në 183 000, pra rritet 6,2%, vetëm se viti 2021 ishte vit elektoral dhe ju interesonte të shtonit njerëz të punësuar me kontrata të përkohshme në shtet për të garantuar blerjen e votës në një mënyrë formale.
Ndërkohë, sektori privat, që duhet të jetë kryesori, ai që duhet të ketë rritjen më të madhe, aty ku duhet të jenë punësimet më të mëdha, u rrit po në të njëjtën periudhë vetëm me 2,4% për të kuptuar se si e keni shndërruar administratën publike.
Pavarësisht se keni një administratë publike me 183 000 punonjës me të gjitha kapacitetet për të bërë më të mirën për ekonominë, për çdo fushë tjetër, ju keni zgjedhur që asetet kombëtare dhe trashëgiminë kulturore ta menaxhojë privati.
Dua të përfitoj nga ky rast për të sjellë në vëmendje rrëzimin dhe mosdekretimin nga Presidenti, kthimin në parlament të ligjit të koncensionit të Butrintit. Është e rëndësishme të kuptoni se keni një shans të dhënë nga Presidenti i Republikës për të mos e shkelur Kushtetutën, për të mos e shkelur ligjin, për të arritur që ta ktheni atë turp që bëtë, duke votuar një marrëveshje që jep me koncesion Butrintin, në favorin tuaj dhe të bashkohemi për të ngritur një komision të posaçëm për menaxhimin e Butrintit, që të gjejmë formën më të mirë, e cila garanton administrimin e kësaj pasurie botërore.
Ajo që keni bërë me koncesionin e Butrintit nuk është gjë tjetër vetëm shkelje, shkelje, shkelje e ligjeve, e Kushtetutës, e rregullave të këtij vendi, që nga shpallja partner strategjik nga një organ, i cili nuk ka asnjë kompetencë për ta shpallur partner strategjik, si Këshilli Kombëtar i Pasurive Kulturore, dhe ka shpallur partner strategjik AADF-në, duke mos e pasur në kompetencat e veta ligjore mundësinë për të shpallur partnerë strategjikë. Që këtu bie e gjithë ngrehina, sepse supozohet që ti të japësh një koncesion të tillë, duhet të kesh një partner strategjik.
Ndërkohë, ju kemi thënë që është në shkelje të Kushtetutës, sepse Kushtetuta thotë që marrëveshjet ndërkombëtare janë hierarki më e lartë se çdo akt tjetër ligjor dhe keni shkelur Konventën e Parisit, që thotë se duhet të jetë shteti garant për mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe për ruajtjen e saj për brezat e ardhshëm.
Pavarësisht se në çdo komision jua dhashë me fakte dhe prova, ju nuk u tërhoqët nga projekti juaj, nuk i ndryshuat asnjë germë asaj kontrate koncesionare, ku u hiqnit çdo të drejtë shtetit, çdo të drejtë organeve shtetërore për të monitoruar dhe për të kontrolluar, për të audituar, siç ishte KLSH-ja, ju e latë të pandryshuar, e latë ashtu siç ishte, pavarësisht të gjitha diskutimeve dhe, pavarësisht fakteve që ju erdhën përballë me prova se si po shkelnit ligjet e vendi dhe Kushtetutën e vendit.
Në qoftë se do të vazhdoni me të njëjtën kokëfortësi, sepse keni 71 vota të marra edhe nga kjo administratë publike, që e përdoret për fushatë, atëherë do të jeni të detyruar që kjo marrëveshje t’ju rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese dhe do të jetë edhe më keq për atë që ju përfaqësoni, por edhe për procesin, sepse do të zgjasë një proces, i cili në fund do t’ju tregojë ashtu siç jeni: shkelës të Kushtetutës.
Reflektoni që të bëjmë një punë të përbashkët, për hir të pasurisë sonë kombëtare, të historisë dhe identitetit shqiptar dhe të arrijmë në një produkt që i shërben trashëgimisë kulturore, jo për t’u hequr mundësinë privatëve që të jenë donatorë, përkundrazi, të jenë shumë, por për t’i dhënë gjithë mundësinë shtetit që të jetë kontrollues dhe faktor kryesor në administrimin e pasurisë kulturor, jo si në rastin e tanishëm, kur kemi vetëm një përfaqësues, ministren e Kulturës si funksion dhe 4 persona privatë, të cilët janë aty dhe nuk përfaqësojnë asgjë në lidhje me shtetin shqiptar.
Së fundi, sigurisht, keni arsye shteruese edhe nga relacioni i Presidentit të Republikës në kthimin e dekretit, por do të doja të përfitoja nga këto sekonda për ta lidhur me çështjen e “Syrit të Kaltër”. Iku ministrja Kumbaro. Në mediet greke, jo gazetarë, por kryetari i Bashkisë së Korfuzit është shprehur se është në diskutime për një projekt për të marrë ujin e burimit të “Syrit të Kaltër” dhe për të furnizuar Korfuzin.
Ju e keni kaluar, duke thënë se kjo gjë nuk është e vërtetë. Unë dua t`ju besoj, por rastet na kanë treguar që fjalët tuaja janë të pabesueshme, sepse të tjera thoni e të tjera bëni. Shpresoj që të mos jetë edhe ky një rast, por që t’i qëndroni asaj deklarate publike, ku “Syri i Kaltër” të ruhet monument kulturore.
Faleminderit!