Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, siç e përmendi edhe zëvendëskryetari i komisionit, kjo marrëveshje e paraqitur nga Ministria e Kulturës ka qenë nga ato raste ku ne kemi votuar në mënyrë konsensuale pro saj. Kjo marrëveshje synon të krijojë një hapësirë të përbashkët kulturore nëpërmjet zhvillimit të atyre që quhen rrugë kulturore, të cilat synojnë të nxisin ndërgjegjësimin për trashëgiminë kulturore, arsimin, turizmin ndërkufitar cilësor dhe aktivitete të tjera të ngjashme.
Ajo ku unë dua të ndalem është që Shqipëria realisht, siç e tha edhe zonja ministre, dhe i sqaroi me shumë detaje rrugët, merr pjesë në 4 rrugë aktualisht, por kjo nuk do të thotë se është e kufizuar që të jetë pjesë vetëm e këtyre 4 rrugëve, por ka mundësi që gjatë kohës, tashmë si anëtare, me marrëveshjen që ne do të miratojmë sot, të bëhet pjesë edhe e rrugëve të tjera kulturore, po ashtu të jetë edhe propozuese për rrugë kulturore.
Për mua është e rëndësishme që kjo marrëveshje të mos ngelet në kuadrin e një marrëveshjeje të mirë që ne miratojmë dhe bëjmë të gjitha përpjekjet për t’ia sjellë sa më afër publikut, dhe në fund të mos përfitojmë asgjë. Gjithçka varet nga mënyra sesi Ministria e Kulturës, në këtë rast si ministri përgjegjëse, do të zgjedhë të evidentojë të gjitha hapat e mëpasshëm për këtë marrëveshje.
Ndaj përfitoj nga rasti që zonja ministre është këtu, sepse në komision ne na e ka paraqitur zonja zëvendësministre, dhe po them sugjerimet e opozitës, në këtë rast sugjerimet e mia, që kjo marrëveshje që miratojmë sot të ketë sukses.
Së pari, është e rëndësishme të evidentohen saktë të gjitha bashkitë që preken nga 4 rrugët kulturore. Nga ajo që ne diskutuam në komision, ende sot nuk dihet se cilat do të jenë bashkitë që do të përfitojnë. Për shembull, nëse marrim Rrugën e Pemës së Ullirit, direkt hamendësohet pjesa e bregut, e cila mbahet edhe më shumë për kultivimin e pemës së ullirit dhe të shtigjeve, që mund ta ofrojnë këtë lloj rruge edhe si turizëm, por edhe si pjesë ekonomike, por mund të jenë edhe bashki të tjera, të cilat jo detyrimisht janë pjesë e bashkive të bregdetit të jugut, për t’u bashkuar në këtë rrugë kulturore.
Zëvendësministrja na tha në komision se do të jetë vetë ministria, e cila do të bëjë një evidentim të parë të bashkive, që mund të jenë të përshtatshme për secilën nga 4 rrugët kulturore. Por unë mendoj se është e rëndësishme që ju vetë t’u kërkoni këtyre bashkive të vetëpropozohen, pra t’i njihni me 4 rrugët, t’u çoni një dokumentacion të gjitha bashkive të vendit, duke i njohur me 4 rrugët kulturore, me atë çfarë ato përfaqësojnë, me qëllim që secila nga bashkitë të kenë mundësi të vetevidentohet nëse mund të jetë pjesë e këtyre rrugëve kulturore. Në këtë mënyrë jo vetëm që lehtësoni punën tuaj si ministri, edhe në kuptimin operacional, por keni mundësi të jeni më pak të gabueshëm, sepse bashkitë i dinë më mirë vetë resurset dhe atë që paraqesin qoftë nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore, qoftë nga pikëpamja e turizmit, apo arsimit dhe kështu keni mundësi të bashkërendoni me ta, që të përfitojnë sa më shumë nga kjo marrëveshje e rrugëve kulturore.
Së dyti, është e rëndësishme që në këtë marrëveshje të jenë përfitues edhe bizneset lokale të këtyre bashkive që preken nga rrugët kulturore.
Për sa u përket bizneseve lokale, ministrisë po ashtu i lind njëlloj detyrimi joligjor, por një detyrim moral për shkak të asaj që duhet të arrijë për këtë marrëveshje, që të bëjë një fushatë informuese, ndoshta edhe në koordinim me bashkitë për sa u përket mundësive që kanë bizneset lokale për të aplikuar në rrugët kulturore, në projektet e ndryshme dhe për të thithur fonde.
Të mos harrojmë që kur flasim për bizneset lokale nuk kemi të bëjmë me biznese të mëdha, me stafe të jashtëzakonshme dhe me njohuri të jashtëzakonshme si në paraqitjen e projekteve dhe nënshkrimin e tyre apo edhe në paraqitjen e asaj, që ata duan të arrijnë në këtë aspekt. Për këtë arsye mendoj se është e rëndësishme që Ministria e Kulturës të ketë një bashkërendim me bashkitë përkatëse po ashtu, sepse gjatë gjithë kohës është mirë t’i përfshini bashkitë në këto procese, edhe për të bërë seanca të caktuara informimi, seanca të caktuara ndërgjegjësimi me informacion masiv publik për sa u përket mundësive, që ata të marrin përfitime nga këto projekte, që vijnë nga marrëveshja që ne aderojmë sot për rrugët kulturore.
Shqipëria paguan një tarifë, një biletë hyrëse në shumën 5300 euro dhe është e rëndësishme që kësaj tarife, është një tarifë jo e lartë realisht, t’i marrim maksimumin, pra të kemi mundësinë të marrim sa më shumë fonde, projekte për Shqipërinë, për biznesin lokal, për të rinjtë, për studentët, për bashkitë, të cilët janë aplikues të veçantë. Pra, çdo biznes mund të aplikojë në mënyrë të veçantë dhe pa pasur ndonjë detyrim për t’u lidhur me bashkinë, apo me ministrinë.
Po ashtu është e rëndësishme, në këndvështrimin tim, që të kemi një përfshirje masive dhe sa më cilësore të të rinjve, që janë edhe e ardhmja e vendit, për të pasur mundësi që edhe të promovojnë kulturën tonë, por edhe të bëhen pjesë e këtyre projekteve. Një koordinim dhe bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, ministrja e Arsimit është prezente, do të ishte shumë mirë edhe në kuadrin e informimit të të rinjve, sidomos studentëve, por edhe për atë që unë e kam vënë re si mangësi, sepse ne në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme e kemi hequr totalisht nga kurrikula, nga lëndët trashëgiminë kulturore dhe për mua është e rëndësishme që Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ta evidentojë si të rëndësishme trashëgiminë kulturore dhe futjen e disa moduleve të veçanta brenda lëndëve për ta studiuar edhe trashëgiminë kulturore, në mënyrë të tillë që më pas, kur të jenë studentë apo të evidentohen për projekte të tilla, të kenë njohuri për vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe të kenë mundësi të jenë edhe më të ndërgjegjshëm për t’i mbrojtur ato sa herë që rrezikohen qoftë nga një qeveri apo nga një qeveri tjetër, sepse qeveritë janë të përkohshme, por edukimi i rinisë është diçka e përhershme dhe do t’u shërbejë të gjitha brezave.
Për sa i përket marrëveshjes, sigurisht që unë e deklarova në emër të grupit votën tonë pro dhe të gjithë angazhimin tonë edhe si anëtarë të Komisionit të Medies dhe të Informimit Publik, nëse duhet, për pjesën e informimit publik, për pjesën e seancave të ndryshme, në mënyrë të tillë që të marrim maksimumin.
Ne kemi pasur rastin të miratonim në komision disa marrëveshje, siç ishte edhe ajo për Europën krijuese, të cilat janë në vazhdën e përfitimeve që mund të marrim nga projektet e BE-së dhe nga fondet e BE-së, por t’i lëmë thjesht si marrëveshje të firmosura, si detyra shtëpie për të thënë që ne kemi një, dy, tri, katër gjëra të lidhura me Europën, do të ishte shumë e thjeshtë, por nuk do të ishte në të mirë të qytetarëve.
Unë, si deputete, përfaqësoj një nga zonat, e cila mund të jetë më shumë përfituese, pra qarkun e Vlorës, zonat e Sarandës, Konispolit, Finiqit, pra mund të jetë një nga përfitueset më të mëdha edhe të kësaj marrëveshjeje për rrugët kulturore, sepse, pothuajse në të katra rrugët mund të gjesh prerje në bashkitë që janë pjesë e këtij qarku.
Po ashtu, ne evidentuam edhe mangësi. Kjo lidhet me Ministrinë e Arsimit, por jo detyrimisht vetëm me Ministrinë e Arsimit, sepse autonomia e universiteteve është më e madhe se sa ajo që lidhet me arsimin 9-vjeçar dhe me arsimin e mesëm, ku ministria ka rol, lidhet me atë që quhet “lënda e shkrimit të projekteve”, të atyre që më pas mund të jenë resurse për të ndërmarrë edhe nisma për të qenë pjesë e përfitimeve për rrugët kulturore.
Prandaj zgjodha të flisja në këtë pikë për të dhënë këto sugjerime që kjo marrëveshje, të cilën ne e votojmë pro, të mos shkojë kot, si marrëveshja e radhës, por të kemi përftime maksimale nga kjo marrëveshje.
Faleminderit!