Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Komisioni hetimor për inceneratorët ia ka dalë që, pavarësisht të gjithë përpjekjes së kësaj maxhorance për ta penguar, për të mos e lejuar, për t’i hequr ditët e punës, të zbardhë aferën më të madhe të shekullit që ka ndodhur në Shqipëri:
430 milionë euro abuzim me paratë e qytetarëve shqiptarë! 430 milionë euro, të firmosura nga Edi Rama, për t’iu dhënë tre koncesionarëve, që sot i kanë pronarët në kërkim ndërkombëtar dhe në drejtim të paditur!
430 milionë euro, për t’ia dhënë tri koncesioneve, të cilat, sipas raportit të auditit të Ministrisë së Financave, pra të vetë shtetit, kanë vënë në funksion vetëm 30% të parave që u ka dhënë buxheti i shtetit. Po 70%-shi i parave në xhepat e kujt ndodhet sot? Po 70%-shi i parave cilat zgjedhje do të blejë? Cilat zgjedhje kanë blerë? Po 70%-shi i parave cilët politikanë ka pasuruar dhe po pasurojë?
Sigurisht, një aferë e tillë solli para komisionit hetimor ministra, sekretarë të Përgjithshëm, deputetë dhe vetë dëshmitarin e fundit, Kryeministrin Edi Rama, i cili gjatë gjithë kohës u mundua të tregohej krenar për këtë vepër të jashtëzakonshme të procedurave dhe ndërtimit të tre inceneratorëve fantazmë që nuk djegin asgjë, përveçse parave të shqiptarëve.
Në fund, kur e vumë përpara faktit se pikërisht për ato procedura, për të cilat ai ndihet aq krenar, sot ka në burg ish-ministrin Lefter Koka, kaloi në tilt dhe filloi me një gjuhë mizogjeniste të fshihte atë që e dinë të gjithë shqiptarët sot, se, pa firmën e Edi Ramës, asnjë lek nga buxheti i shtetit nuk do të jepej; pa firmën e Edi Ramës, asnjë kontratë nuk do të ishte e vlefshme.
Lefter Koka nuk është “koka” e kësaj afere. Nuk mund të jetë “koka” e kësaj afere, është bishti i të gjithë kësaj afere dhe “koka” të tjera, ministra, deputetë, sekretarë të Përgjithshëm, njerëz, që janë përfshirë në këtë aferë, duhet të jenë para drejtësisë dhe do të jenë para drejtësisë.
Në atë komision qytetarët shqiptarë kanë pasur mundësi të dëgjojnë çudira, të dëgjojnë gjëra të pamendueshme, se si administratorë të koncesioneve, njerëz që kanë për detyrim menaxhimin e financave të këtyre koncesioneve, që i marrin paratë nga shteti (sepse nuk janë kompani private që prodhojnë diçka vetë dhe bëjnë biznes privat, por marrin nga qytetarët shqiptarë), këto para nuk dinë se ku i çojnë, nuk dinë a kanë tërhequr kesh ndonjëherë në bankë, nuk dinë punonjësit e tyre, nuk dinë ku janë me pastrimin e qyteteve, a po digjen dhe kur do të ndërtohet inceneratori.
Ne shkuam në Sharrë, ku na treguan një fushë me bar dhe na thanë: kjo fushë me bar është inceneratori dhe kjo fusha me bar merr 29 euro për ton për mbetje, në një kohë kur kontrata parashikon që 29-euroshi përfshin edhe djegien imagjinare që u bën plehrave të qytetarëve të Tiranës.
Paratë janë marrë nga buxheti i shtetit dhe paratë nuk janë vetëm të qytetarëve të Tiranës, janë edhe të qytetarëve të të gjithë Shqipërisë.
Po mundohen të bëjnë gjithçka që të harrojmë se në këtë aferë ne kemi mundësinë sot të kemi përballë në zgjedhjet e 6 marsit një nga njerëzit e përfshirë në aferë, atë që kandidon për Bashkinë e Durrësit, atë që është de facto kryetarja e Bashkisë Durrës tashmë dhe ka qenë edhe kur ishte nënkryetare.
Ta harrojë që durrsakët do t’i japin një mandat për të vazhduar vjedhjen e parave të tyre!
Erdhi në komision dhe iku, sepse nuk përgjigjej dot përse e kishte shkelur ligjin, pse e kishte shkelur ligjin “Për prokurimet publike” dhe kishte dhënë 10 milionë euro nga taksat e qytetarëve të Durrësit për inceneratorin që nuk ekziston në Tiranë. Nuk dinte ajo që kërkon votën e durrsakëve, të thoshte pse shkel ligjin, cilat janë interesat, cili është grupi që e detyroi të shkelte ligjin, apo ishte vullneti i saj i plotë për ta bërë këtë gjë.
Kur e pyeta “Në planin lokal të Bashkisë Durrës keni pasur mundësinë financiare të ndërtoni edhe dy landfille, një në Sukth dhe një në Gjepalaj, pse nuk zgjodhët këtë skenar që ishte më i lirë, por zgjodhët skenarin për t’i sjellë në landfillin e Sharrës”, përgjigjja e saj ishte: “Nuk kam përgjigje”.
Qytetarët e Durrësit duhet ta dinë që, nëse një kryebashkiake e tillë vazhdon në krye të Bashkisë së Durrësit, do të zgjidhet gjithmonë skenari që pasuron një grup të caktuar, skenari që shkel ligjin, skenari më i shtrenjtë dhe jo ai që u shërben qytetarëve të Durrësit, jo ai që është më i liri dhe me kosto më të ulëta për qytetarët e Durrësit.
Qytetarët e Durrësit dhe, në fakt, të gjashta bashkitë kanë shansin që këtë aferë të inceneratorëve, të cilën ne po e zbulojmë çdo ditë përmes komisionit hetimor e që tashmë është e qartë se çfarë ka ndodhur, të kenë mundësi ta ndëshkojnë me votë.
Drejtësia do të bëjë udhën e vet dhe jam shumë e bindur që nuk do të ngelet vetëm në arrestimin e Lefter Kokës, por edhe qytetarët kanë detyrimin dhe të drejtën të bëjnë ndryshimin, t’i japin një leksion maxhorancës që vjedh paratë e tyre. Në këto 6 bashki të bëjnë zgjedhjen e duhur, të zgjedhin të ardhmen, të zgjedhin ata kandidatë që paraqesin një program për bashkitë e tyre, ata kandidatë që kanë integritet, ata kandidatë që nuk mbrohen nga asnjë njeri i lidhur me korrupsionin apo i akuzuar për korrupsion apo i faktuar për korrupsion.
Komisioni hetimor i inceneratorëve pati mundësinë që në morinë e dëshmitarëve që mori në pyetje, të pyeste edhe tre kryebashkiakë. Secili prej tyre tregonte lloj-lloj përrallash për të justifikuar se si kishin abuzuar me paratë e qytetarëve.
Kryebashkiaku i Tiranës, për shembull, tha: “Vendimin tim të marsit e kam marrë në zbatim të vendimit të këshillit bashkiak të shtatorit”. Pra një vendim, i cili nuk ishte marrë ende, ky e dinte me mend dhe bëri një urdhër, bëri edhe një letër-pranimi për koncesionin, u firmos edhe një kontratë, u paguan edhe paratë në gusht me një vendim që do të dilte në shtator.
dim që do të dilte në shtator. Kryebashkiaku i Fierit nuk dinte të jepte shpjegim përse kishte kaluar nga një tokë shtetërore, që nuk paguhej, te një tokë private, që detyrohej të paguante 460 milionë lekë për ta shpronësuar.
Sepse nuk i bëjnë përshtypje 460 milionë lekë, pasi janë lekët e qytetarëve të Shqipërisë, sepse janë paratë që mund të ishin përdorur për investime për qytetarët. Sigurisht, bëjnë atë që është zgjedhja më oportuniste për “klientin”, për atë klient që ishte një kompani, në fakt, janë të tria kompani me kapital 800 euro, kompani të krijuara posaçërisht për të marrë këto koncesione, kompani të ndërlidhura me njëratjetrën, si dhe kompani që nuk kishin dhe s’kanë as tani, se nuk i kanë ndërtuar inceneratorët, asnjë ekspertizë në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe në fushën e incenerimit!
Paratë e shqiptarëve i morën këto kompani dhe i shpërndanë te kompanitë po në emrin e tyre: Zoto i jepte para Zotos për të konsultuar Zoton, Gugallja i jepte para Gugalljas për të konsultuar Gugalljan, për djegien e mbetjeve që nuk ndodhi kurrë, sepse, në fakt, edhe shqiptarët e dine edhe qytetarët e dinë, se inceneratorët sot nuk djegin asgjë.
Në Tiranë, bashkë me Bashkinë e Durrësit tashmë, pra edhe Bashkia e Tiranës, paguajnë për një incenerim që nuk e marrin. Ndaj, qytetarët e 6 bashkive që kanë zgjedhje, duhet t’i ndëshkojnë me votë kryetarët e tyre për këtë aferë, por edhe sepse qytetarët meritojnë kryetarë të përgjegjshëm, që të drejtojnë bashkitë e tyre me përgjegjshmëri morale, me përgjegjshmëri financiare, por, mbi të gjitha, me përgjegjshmëri ligjore.
Faleminderit!