Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Fillimisht dua të falënderoj Fluturën, për raportin!
Besoj se të gjithë jemi dakord të votohet pro dhe kjo është një risi.
Po ashtu, dua të falënderoj edhe përfaqësuesit!
Kam një pyetje për ju, më shumë për të kuptuar brenda temës, sepse kuptohet që për artin,
kulturën dhe për ministrinë në veçanti mund të kemi shumë gjëra, por nuk besoj se është rasti. Më vjen mirë, sepse konventa është diçka që do t’u hyjë në punë për të rritur dinjitetin e producentëve, artistëve, regjisorëve shqiptarë, pasi diçka shumë e mirë ishte edhe fakti i përfshirjes së gjuhës shqipe në bashkëproduksionet që do të bëhen, edhe pse në një përqindje të vogël, që gjuha shqipe të kishte mundësi të shfaqej në filmat e tyre.
Duke marrë shkak nga mënyra se si artistët janë trajtuar në Shqipëri, që nga mungesa e
statusit, pagat, pagesat, projektet selektive e deri tek akti më barbar i shembjes së teatrit, kur vijnë të tilla konventa, për ne është lajm i mirë se të paktën kanë mundësi të bëjnë diçka me jashtë, kur brenda nuk kanë edhe shumë dyer për t’u hapur.
Kam disa pyetje të vogla më shumë për vete, por edhe për kolegët. Nëse ju keni një statistikë apo të dhënë sa kanë qenë bashkëprodhimet me konventën e vjetër? Sa keni ju pritshmëri që kjo do të ndikojë pozitivisht, duke e miratuar këtë rishikim të konventës? Kjo na intereson për të parë gjendjen e filmit shqiptar, si dhe të artit dhe kulturës. Faleminderit!