Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Me vendim nr. 206, datë 16.03.2016, Komiteti i Azilit përbëhej nga 7 persona, ku një ndër ta ishte një përfaqësues i shoqërisë civile, konkretisht i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Rezulton se me vendim nr. 669, datë 10.11.2021, pa asnjë diskutim paraprak dhe pa asnjë arsye objektive përfaqësuesi i shoqërisë civile, konkretisht i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, është hequr nga përbërja e Komisionit, sepse Komisioni është zvogëluar, duke u bërë me 5 përfaqësues, ku 4 janë nga ministritë dhe njëri është përfaqësues i SHISH-it. Nuk kuptohet pse lindi nevoja për ta zvogëluar dhe, nëse lindi nevoja për ta zvogëluar, pse preket pikërisht përfaqësuesi i shoqërisë civile dhe jo përfaqësues të ministrive të tjera prezente atje, duke e çuar numrin në 5, pra prezencën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të SHISH-it dhe të 3 ministrive? Ndër të tjera, Komiteti e ka konfirmuar me shkresë pranë jush angazhimin në cilësinë e anëtarit pranë këtij Komisioni, në përputhje me misionin e organizatës dhe në respektim të pavarësisë organizative të mbrojtur nga nenet 10 dhe 11 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të standardeve ndërkombëtare për gëzimin dhe ushtrimin efektiv të të drejtave të azilkërkuesve në vendin tonë.
Gjithashtu, Këshilli i ka dërguar shkresë ministrisë dhe nuk ka marrë përgjigje për ketë. Për këtë arsye unë pyes ministrin e Brendshëm sot.
PJESA 2:
Nuk është kaq e thjeshtë, ligji, siç e thatë edhe ju, nuk e përcakton përbërjen. Është e vërtetë që keni dërguar një shkresë, por kjo shpresë është protokolluar në datën 14 dhjetor 2021 dhe përgjigjja ka ardhur në datën 29 tetor 2021. Faktet janë të ndryshme.
Vendimi për përjashtim nga Ministria e Brendshme vjen në kohën kur vetë Ministria e Brendshme po përballet me akuza për dhunim të të drejtave të njeriut. Vetë Komisioni i Azilit është institucioni që është akuzuar se lejoi ekstradimin e paligjshëm të shtetasit turk Harun Çelik në janar të vitit 2020.
Po ju kujtoj që gjatë periudhës janar 2020 – prill 2021 përfaqësuesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit kanë marrë pjesë në procedura për 8 azilkërkues dhe në 5 nga vendimmarrjet ata kanë pasur mendim të ndryshëm nga institucionet. Pra, me sa duket ata ishin planprishësit në komision, sepse në të pesta vendimmarrjet anëtari përfaqësues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit ka qëndruar në pakicë. Një nga këto vendime është edhe vendimi i datës 10 shtator 2020 lidhur me ankimin e depozituar nga ana e shtetasit turk Selami Sismek, një rast i njohur për publikun.
Gjykata Administrative deklaroi se Komisioni i Azilit ka shkelur ligjin në këtë rast, por edhe në pesë vendimmarrjet e tjera, ku Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka qëndruar si pakicë, por, siç është shprehur në letrën e tij publike drejtuar jush, ai ka pasur konflikt me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, zotin Plarent Nderca, i cili ka kërkuar edhe largimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit nga mbledhjet e Komitetit të Azilit. Kjo ka çuar në gjetjen e formës institucionale për t’i hequr të drejtën Komitetit për të qenë anëtar përfaqësues në Komitetin e Azilit.
Kjo përbën regres në drejtim të standardeve të mëparshme të transparencës së përgjegjshmërisë së llogaridhënies, por edhe të përfaqësimit të shoqërisë civile në përbërjen e këtij komisioni.
Të gjithë e dimë se të qenit anëtar me të drejtë vote vendimmarrjeje në proces është shumë më e rëndësishme se sa të jesh vëzhgues. Pra, të jesh deputet dhe ta ndjekësh nga salla seancën ka një diferencë shumë të madhe.
Zoti Ministër, meqenëse ju thatë se është çështje që ata nuk kanë kthyer përgjigje, jeni në kohë, është një vendim i Këshillit të Ministrave, me një propozim nga ju, mund ta ndryshoni këtë gjendje dhe të tregoni vullnetin për ta përfshirë shoqërinë civile në një proces të rëndësishëm, që lidhet me të drejtat e njeriut, por dhe me standardet që duhet të arrijmë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, në të cilin ne raportojmë çdo vit.
Faleminderit!