Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Fillimisht, desha të kujtoj që dita e falënderimeve është në fund të nëntorit, jo në fillim të tij, kështu që ndoshta keni ngatërruar datën. (Ndërhyrje pa mikrofon.) Zonja Ministre e nisi duke anatemuar nxënësit me mesatare pesë, duke mos i parë të përshtatshëm për të qenë mësues, por harroi që me mesatare pesë ka pasur ministren e Arsimit, aktualisht Kryetaren e parlamentit, nuk e di nëse ka ndonjë gjë personale me të. Nejse…
Për të kaluar te buxheti, fillimisht duhet parë se si është harxhuar ai që ju keni pasur dhe realisht se çfarë parashikoni për vitin 2022. Unë, zonja Ministre, ju kam pyetur, sot është hera e katërt dhe jam ende pa përgjigje, shpresoj ta marr sot një përgjigje, se keni harxhuar nga buxheti i qytetarëve shqiptarë, i taksapaguesve shqiptarë 270 milionë lekë për kampusin e Sarandës, i cili vazhdon të jetë i mbyllur për tre vjet dhe ju nuk çoni atje pajisje, banka, tabela etj. Në këtë buxhetin për digjitalizim, a keni parashikuar banka, karrige dhe tabela për Sarandën? Kjo ishte pyetja e parë. Për efekt të kohës, do të kaloj direkt te pyetjet.
Në vitin 2015 janë harxhuar 3,5 milionë euro për klasa inteligjente, këtë tender e ka publikuar Agjencia e Prokurimit Publik, dhe planifikohej që deri në vitin 2018 të gjitha gjimnazet e Shqipërisë të ishin të pajisura me tableta. 3,5 milionë euro avulluan dhe pandemia, që ndodhi shumë më pas vitit 2018, kur ju duhet të kishit mbaruar punë me pajisjen me tabletë dhe digjitalizimin, e zbuloi totalisht propagandën tuaj, sepse ju gjeti pa pajisje, pa tableta, pa asgjë. Siç e thatë edhe vetë, ju u detyruat t’u drejtoheshit fondacioneve, organizatave e të tjera për t’ju ndihmuar.
Vazhdojmë me buxhetin dhe premtimet tuaja për këtë vit. Dua t’ju kujtoj, zonja Ministre, se Kosova i ka zeruar tarifat e studentëve. Nuk po flas për vende të tjera, por për gjysmën tonë andej.
Vitin akademik studentët e kanë bërë që nga shtëpia, me shpenzime për paketa interneti, për pajisje dhe për çdo gjë të paguara nga familjarët e tyre.
A nuk do të ishte e logjikshme që ju t’i falnit tarifat, sepse ata as nuk i kanë shfrytëzuar ambientet e shkollës dhe të filloni një politikë ku paratë e buxhetit të shtetit të mos harxhoheshin dhe të mos vidheshin, kryesisht, por të viheshin në funksion të studentëve dhe të pedagogëve të universiteteve shqiptare?
Pyetja tjetër. Ju keni planifikuar në buxhet para për ndërtime, rindërtime, përmirësime të infrastrukturës shkollore.
Po e nis me infrastrukturën parauniversitare. Dua t’ju kujtoj vetëm një rast për të kuptuar si ndërtoni dhe harxhoni paratë e shqiptarëve. Ju kujtoj këtu rastin e shkollës “Ramazan Jangozi” në Thumanë. Ajo shkollë është ndërtuar në shtator të vitit 2019 me bashkëfinancim të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Krujës, me shumën 500 mijë euro dhe u shemb nga tërmeti në nëntor, dy muaj pas përfundimit të ndërtimit të saj. Pra, ju e inauguruat në shtator, harxhuat 500 euro nga paratë e taksapaguesve dhe u shemb në nëntor. Mos vallë edhe në këtë buxhet ju planifikoni shuma të tilla për ndërtime që nuk dihet si do të shkojnë? (Ndërhyrje pa mikrofon.)
Më fal, ju duhet të ndërtoni shkolla që nuk shemben pas dy muajve. (Ndërhyrje pa mikrofon.) Ju lutem, nuk ka mbaruar!
Një shkollë …
Një shkollë që ka dy muaj e ndërtuar, duhet të ketë disa standarde, duhet të kalojë disa teste teknike, inxhinierike dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë ndërtim. Nuk është ndërtim i vitit 1950 dhe mund të ndodhë që të shembet. Kështu që, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Ju i ndërtoni shkollat sa për dukje apo me të gjitha parametrat cilësore, që të jenë sa më shumë rezistente, se tërmetit i rezistoi edhe Teatri?! Paktin me universitetin e shpallët në vitin 2018. Në fakt, paraardhësja juaj, që kishte trupin në Tiranë dhe kokën në Kosovë, deklaroi që do të ndërtonte një bibliotekë digjitale, që ju nuk i kthyet as përgjigje, për … (Ndërhyrje pa mikrofon.) Propaganda nuk është përgjigje. Në çfarë faze jeni me ngritjen e bibliotekës digjitale? Ju keni planifikuar që do të ndërtoni edhe kampuse universitare, por sipas ligjit “Për arsimin e lartë” këto janë në tagrin e institucioneve të arsimit të lartë. A keni ju bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë apo keni planifikuar, si gjithmonë, t’u merrni kompetencat kur bëhet fjalë për paratë?
Në ligjin “Për arsimin e lartë”, në nenin 114 të tij, ju planifikoni kredinë studentore: “Ministria përgjegjëse për Arsimin ndërmjetëson kreditimin e studentëve me qëllim mbështetjen financiare për përballimin e kostove të studimeve”.
Në buxhetin që keni sjellë ju, nuk keni vënë asnjë fjalë për këtë gjë. Cilat janë mekanizmat e ngritur për përfitimin e kredisë studentore dhe, duke qenë se jeni ministre përgjegjëse, sa keni ndërmjetësuar deri tani dhe sa prisni të ndërmjetësoni me këtë buxhet që keni bërë për vitin 2022?
E fundit, për sa i përket sportit, Kryeminsitri Rama dhe Lindita Nikolla në vitin 2016 premtuan futjen e shahut në shkollë. Në cilën fazë jeni me futjen e kurrikulës së shahut në shkolla dhe me marrjen në punë të mësuesve për shahun, meqenëse është premtim i bërë nga Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit?
Për sa i përket fondit që keni vendosur në dispozicion të sportistëve, ai është qesharak dhe mjeran. Keni vendosur 600 milionë lekë në dispozicion dhe keni shkruar atje që është për çdo gjë: për ata që fitojnë olimpiada, për ata që janë ekselentë, për 20-25 sportistët më të mirë. Po ta përpjesëtoje, ishte totalisht qesharak dhe i binte rreth 200 mijë lekë të vjetra për mbijetesë të sportistëve.
Ne e dimë shumë mirë si i keni keqtrajtuar sportistët dhe është arritur deri atje sa sportistët tanë të mos kenë mundësi të shkojnë vetë në olimpiadë. Olimpiada e fundit ishte ajo e Tokios, ku shkoi presidenti i federatës në vend të sportistit, sepse nuk kishin para për të gjithë. Nuk e di nëse ju quani pjesë të delegacionit Veliajn dhe paguani atë, por sportistët nuk kanë shkuar, sepse nuk kanë pasur fondet e duhura.
Buxheti që keni sjellë për sportin është totalisht qesharak dhe nuk planifikon asgjë për pagesat e sportistëve elitarë, nuk planifikon asgjë për rritjen e mundësisë për stërvitje dhe për ambiente të reja stërvitore, nuk planifikon asgjë se si ju të kombinoni bashkë me federatat futjen e sportit si një element kyç në kurrikulat e nxënësve të arsimit parauniversitar. Sporti është i rëndësishëm për shëndetin, por edhe për mendjen e qytetarëve.
Faleminderit!
PJESA 2:
T’ju them të drejtën, arsimi profesional ka qenë një nga premtimet e mëdha të bëra nga Kryeministri Rama që nga viti 2013, duke shpallur me të madhe se do të ishte një nga sukseset e mandatit të tij të parë, sa i takon rritjes së numrit të atyre që do të merrnin arsimin profesional dhe fuqizimit të arsimit profesional. Në fakt, nuk ishte sukses as i mandatit të parë, as i mandatit të dytë, por me sa shoh nga ky buxhet parashikohet që do të jetë dështim edhe në mandatin e tretë. Pse e them këtë? Këtë e them, duke u nisur nga shifrat.
Në buxhetin që ju keni sjellë, fondet për investime në arsimin e mesëm profesional parashikohen me minus 1,8 milionë euro ose 23% më pak. Nëse do të kishin ruajtur atë që thoshte Kryeministri, duhej që nga viti në vit kjo të kishte ardhur me rritje dhe të përkthehej në më shumë studentë, më shumë punësim për këta njerëz, si dhe në politika më mbështetëse nga shteti për arsimin profesional në të gjitha degët.
Megjithatë, është normale që një qeveri, që nuk investon dhe nuk e ka mendjen tek arsimi, por i dërgon paratë në drejtime të tjera, ta reflektonte këtë në buxhetin e vitit 2022. Po ju marr disa shifra konkrete gjatë 3 vjetëve e fundit, për të kuptuar rënien e numrit të nxënësve apo të studentëve që bëjnë kurse profesionale në arsimin professional.
Në vitin 2019 kanë qenë të regjistruar dhe kanë marrë një diplomë, gjithmonë sipas INSTATit, janë të dhëna zyrtare, në total 21289 nxënës dhe aktualisht të regjistruar këtë vit janë 19024 në të gjithë sistemin e arsimit profesional.
Pra, kemi një ulje të atyre që marrin arsim profesional, përkundrejt asaj që ishte premtimi politik se do të kishim një rritje të atyre që marrin arsim profesional, sepse ka nevojë për profesionistë, me sloganin e famshëm “Punë ka, por nuk kemi profesionistë”.
Ndërkohë, ju thatë që bëni edhe studime që lidhen me papunësinë. Unë po ju them që një raport i pavarur dhe shumë profesionist, dhe ju besoj se ndani të njëjtin mendim me mua, se bëhet nga qeveria gjermane, nga GIZ-i dhe nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, tregon se në arsimin profesional papunësia, pasi mbarojnë shkollën, është në masën 28% në përgjithësi dhe, e ndarë sipas rajoneve, arrin edhe në masa të tilla, si në Gjirokastër 66%. Pra, një arsim që ka fokus nxjerrjen sa më shpejt në tregun e punës dhe futjen në tregun e punës, arrin të dështojë edhe në këtë mision, teksa ka papunësinë më të lartë sesa arsimet e tjera bazë, të cilat nuk e kanë këtë qasje kaq të shpejtë me tregun e punës. Pra, ju keni dështuar edhe këtu. Ministria, politika, qeveria kanë dështuar në harmonizimin dhe në bërjen e degëve të tilla, që tregu i punës të ketë kërkesë për to dhe të përkthehet në punësim. Pra, të mos bëjmë arsim profesional njësoj siç u bënë diplomat për juristë, ku kamerieri ishte me diplomë juristi apo shkenca politike dhe, kur dështoni në këtë aspekt të arsimit profesional, do të thotë që nuk i motivoni më as studentët dhe as të rinjtë që të vijnë në arsim profesional; pse të bëjnë një degë, kur papunësia është kaq e madhe dhe në një kuotë kaq të lartë, dhe paratë që u jepni janë shumë të pakta.
A keni bërë një studim paraprakisht, përpara se të bëni këtë buxhet, se cilat janë degët prioritare të cilave duhet t’u jepni buxhet më shumë apo degët e reja që ju duhet të shtoni në arsimin profesional?
Sot nga më të preferuarat është gjuha e huaj, gjermanishtja, por kjo është për një arsye që ju e dini shumë mirë, për arsye sepse duan të ikin nga ky vend dhe të punësohen në Gjermani. Kjo nuk ka lidhje me investimin për të rinjtë shqiptarë që qëndrojnë këtu, që investojnë këtu dhe gjejnë punë këtu.
Ju duhej të na kishit sjellë në buxhetin e vitit 2022 degët prioritare, si do të harxhonit për secilën degë dhe si e reflektoni këtë të lidhur me tregun e punës brenda Shqipërisë, jo me tregun e punës çfarë kërkon Gjermania.
Kjo mungon dhe unë nuk e gjeta në buxhetin tuaj.
Për ne si deputetë është e rëndësishme që arsimi profesional të trajtohet në kuadër të gjithë asaj që lidhet me arsimin dhe jo vetëm me Ministrinë e Financave, dhe për këtë unë nuk kam mundësi t’ju kërkoj juve filozofinë e arsimit, se si do të ndryshohet mësimdhënia, se si mund të futen praktikat profesionale më të gjera në kurrikulën e arsimit profesional, sepse ju do të thoni që jeni përfaqësues të Ministrisë së Financave. Megjithatë, ju sugjeroj një bashkëpunim edhe më të mirë me ministrinë, ndoshta, edhe me qendrat që ju, kur të na vini edhe me buxhetet, edhe me raportimet e mëtejshme, ndoshta në seancat dëgjimore, t’i keni të integruara si informacione, që paratë e shqiptarëve të shkojnë atje ku u shërbejnë më mirë studentëve, nxënësve shqiptarë për t’u punësuar nesër dhe për të qenë të dobishëm për familjet shqiptare. Faleminderit!
PJESA 3:
Zoti drejtues, meqë ishte koment për fjalën time, për mua është e papranueshme, dhe do të jetë gjithmonë e papranueshme, që si Kryeministri, si ish-ministrja në një moment të caktuar dhe ju tani, ta konsideroni popullin shqiptar dhe njerëzit e Shqipërisë si dembelë, si njerëz që nuk e duan punën, si njerëz që nuk kanë dëshirë të punojnë, sepse mundësitë në Shqipërinë tonë të begatë socialiste janë të pafundme dhe të arta, por janë njerëzit që nuk duan të punojnë dhe nuk e kanë dëshirë punën. Kjo është e papranueshme dhe është një tallje me qytetarët që kërkojnë çdo ditë të punësohen, kërkojnë edhe një punë me një pagë minimaliste, bëjnë edhe sakrifica të mëdha me disa punësime dhe ky nuk është realiteti i qytetarëve shqiptarë. Për sa i përket pjesës së parë të pagave të tregut privat, prandaj është qeveria dhe prandaj qeveria mban disa përgjegjësi në këtë vend. Qeverisja vendos se çfarë kërkon tregu i punës, që të mos diplomohen më shumë marangozë, kur kërkohen më shumë hidraulikë, fjala bie, dhe i jep më shumë buxhet asaj shkolle që kërkon tregu i punës, integron më shumë direkt gjatë kohës që bëjnë tregun e punës me bizneset që e ofrojnë këtë, vendos masa për dyshemenë e pagesave, vendos masa për sigurimet shoqërore, për sigurimet shëndetësore, prandaj është qeveria, si rregullator që të t’i japë mundësinë dhe të krijojë hapësira që ata të zgjedhin vërtet degën që duan, por i udhëzuar, duke ndërtuar zyrat e karrierës, duke ndërtuar mirinformimin, duke ndërtuar bordet e tregut të punës, duke pasur institucione të cilat japin llogari dhe përgjigjen për arsimin profesional.
Unë jua thashë me fakte, se këtu është ulur buxheti për arsimin e mesëm profesional, që do të thotë se ajo që thonë se do të rrisim numrat etj., ashtu siç ka rënë edhe numri i studentëve, është thjesht fasadë dhe nuk është problemi i popullit, por është problemi i qeverisë.
Bie dakord te modeli i qeverisë. Në fakt, qeveria është modeli më i keq dhe qeveria është modeli që nuk e do punën, por do vetëm qejfet dhe darkat te Nusreti.