Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Faleminderit, e nderuar zonja drejtuese e seancës!
E ndoqa me vëmendje raportin e AKEP-it dhe, ashtu siç e kam lexuar me shumë vëmendje, më ka bërë përshtypje, në fakt, se si në listën e rekomandimeve që AKEP-i kishte marrë vitin e shkuar nga parlamenti e që do të raportonte këtë vit, kishte vendosur se të gjitha rekomandimet ishin të zbatuara dhe zbatim të rekomandimeve quante thjesht faktin se kishte bërë një marrëveshje me një institucion apo se kishte bërë një takim me një institucion, por jo me atë që përfaqësonte realizimi i këtij objektivi apo i këtij rekomandimi.
Për t’i marrë me radhë, dua fillimisht të ndalem tek ai që është tregu i telefonisë celulare në Shqipëri.
Nëse hap faqet e internetit, nëse hap faqet e rrjeteve sociale, nëse takon njerëz në rrugë dhe bashkëbisedon me ta në lidhje me ofertat e kompanive celulare, në lidhje me shpejtësitë e internetit, në lidhje me çmimet që paguajnë për kompanitë celulare, të gjithë do të thonë se ka një bashkërendim midis kompanive celulare në dukje për çmimin që vendosin, për ofertat që vendosin, por se nuk ka një bashkërendim të Autoritetit të Konkurrencës me AKEP-in për ta ndaluar një situatë të një tregu të monopolizuar, në fakt, oligopol, se nuk është vetëm një, por janë tre, të cilët bashkërendohen me njëri-tjetrin. Por AKEP-i në raportin e vet nuk kishte paraqitur asgjë në lidhje me këtë situatë.
Pra, duket sikur jetojmë në dy realitete të ndryshme, në njërin realitet ku qytetarët ankohen çdo ditë se si zhduket oferta në telefon, se si minutat nuk korrespondojnë, se si kompanitë i rrisin çmimet në mënyrë të unifikuar me njëratjetrën, kur rritet një paketë te njëra kompani celulare, rritet edhe te dy të tjerat në të njëjtën ditë, duket sikur janë qartësisht të dakordësuara me njëra-tjetrën, por kjo gjë nuk është vënë re nga Autoriteti i Konkurrencës dhe as nga AKEPi, që sot e kemi për të referuar raportin e tij vjetor.
Unë mendoj se këtu ka një problem dhe AKEP-i duhet të përqendrohet që të ketë më shumë në vëmendje konsumatorin, të drejtat e tij, dhe të ketë më shumë presion ndaj rrjetit të kompanive celulare në Shqipëri.
Unë jam deputete e një qarku, i cili ka zona të tëra pa mbulim të internetit dhe pa mbulim të telefonisë celulare. Mjafton të shkosh, po them, në fshatin Fterrë, po përmend një fshat që e kam edhe për zemër, për të kuptuar se nuk mund të përdorësh dot shërbimin e kompanive celulare.
Unë mora një shembull, por kjo ndodh edhe në Veri, edhe në Jug. Andaj është përgjegjësia e një autoriteti si AKEP-i të ushtrojë presionin dhe detyrimet e veta ligjore për shtrirjen e rrjetit të kompanive celulare, të rrjetit të komunikimeve, por gjithashtu edhe të rrjetit të internetit.
Zoti Pëllumbi përmendi, me të drejtë, internetin në shkolla.
Interneti në shkolla është po aq i lidhur me pasjen e një linje interneti në çdo fshat, në çdo qytet, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ju si ligjvënës e dini shumë mirë që sa herë kemi diskutuar për votimin elektronik në të gjithë Shqipërinë, një nga problemet që kemi hasur ka qenë pasja e linjës së internetit e aksesueshme në çdo qendër votimi me internet të pandërprerë. Këto problematika janë diskutuar sa herë është folur për reformën zgjedhor, për të cilën do të flitet përsëri.
Puna në këtë drejtim nuk është e shkëlqyer, nuk është zbatuar çdo rekomandim, por duhet akoma edhe më shumë punë. Flasim për Shqipëri digjitale, për digjitalizim të shërbimeve publike, themi që nuk do të ketë më certifikata të marra fizikisht, por do të merren online, por ndërkohë shërbimi i internetit nuk është i garantuar në mënyrë të njëllojtë për çdo qytetar të Shqipërisë. Pra, këtë shërbim nuk e ka njëlloj si ai që jeton në Tiranë, edhe ai që jeton në fshatrat e Markatit, Janjarit, Fterrës, fshatra të zonës sime, apo fshatrat e Veriut. Të themi se po vendosim një standard me digjitalizimin, ndërkohë që gjendja reale e Shqipërisë sot është kjo, janë dy realitete që nuk përputhen me njëra-tjetrën.
Po ashtu, në raport lexova që, sipas AKEPit, shërbimet që u ofrohen përdoruesve me aftësi ndryshe ishin rekomandim i zbatuar, ndërkohë që realisht nuk është bërë asgjë për shërbimin që kërkohet për konvertimin e tekstit, që u lejon personave, të cilët kanë vështirësi në dëgjim ose në të folur të bëjnë thirrje telefonike apo opsione që u vijnë atyre në ndihmë, qoftë në vlefshmërinë e zgjatjes së afatit të rimbushjeve, qoftë në të drejtat e tyre për të marrë kompensim.
E kishim quajtur “rekomandim të zbatuar” vetëm se kishin bërë takime me Ministrinë e Shëndetësisë për të rënë dakord që i meritojnë këto lloj shërbimesh. Takimi nuk është forma e vetme e realizimit, është fillimi i vullnetit për të bërë diçka, por duhet të materializohet që të themi se është rekomandim i zbatuar. Në raport takimet janë vënë sikur janë zbatime të rekomandimeve.
Nga ana tjetër, sipas AKEP-it një rekomandim i zbatuar është të dakordësojë dhe të miratojë marrëveshje ndërkufitare për parandalimin e interferencave kur përdoren frekuencat.
Të jeni të sigurt se kujtdo prej jush, që mund të udhëtojë në zonat ndërkufitare apo afër kufirit, do t’i vijë një mesazh në telefon që i uron mirëseardhjen në këtë shtet apo në atë shtet. Mjafton të kalosh në Qafën e Llogarasë dhe të vjen mesazhi: “Mirë se erdhe në Greqi”! Do të thotë që edhe ky nuk është rekomandim i zbatuar, sepse nëse do të ishte rekomandim i zbatuar, nuk do të kishim interferenca të valëve të kompanive të shteteve të tjera, të cilat hyjnë në territorin shqiptar.
Gjithashtu, në raport ishte vënë një sukses shumë i madh, por që nuk është fare meritë e AKEP-it, sepse është një punë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, i cili ka drejtues zonjën Majlinda Bregu, ish-ministre e Partisë Demokratike, për marrëveshjen e roaming free me vendet e rajonit. Kjo është një arritje e madhe, por AKEP-i nuk mund ta listoj dot këtë rast si sukses të tijin. Ai mund të bëjë gjithçka që ta monitorojë në mënyrë që kompanitë celulare ta zbatojnë dhe të mos i tjetërsojnë të drejtat që duhet të kenë qytetarët.
Gjatë pushimeve verore njerëzit janë më shumë të ekspozuar ndaj tarifave roaming, ndaj AKEP-i mund të ndërhyjë aty për këto tarifa të majme. Ndonjëherë mjafton një harresë në celular për të ardhur një faturë shumë e majme apo që qytetarit t’i shpenzohet e gjithë mbushja e telefonit.
Në fund dua të ndalem në një aspekt, që e përmendi me të drejtë nënkryetarja e Kuvendit. Dua të informoj kryetarin e AKEP-it se AKEP-i ka të gjithë të drejtën ligjore për linket që janë vendosur në YouTube, të hedhura nga portale apo individë, kur është marrë vendimi nga autoritetet që këto linke duhet të fshihen në media. Rasti i fundit, i njohur si “Nusja në Librazhd”, edhe pse AMA ka marrë një vendim që duhet të fshihet nga portalet, edhe sot gjendet në YouTube. I vetmi autoritet që ka mundësi të kërkojë që ky link të fshihet dhe të kalojë në black list është pikërisht AKEP-i, por AKEP-i nuk po i kryen detyrat e veta. AKEP-i duhet ta dijë që domain i vetë është edhe platforma YouTube, nga e cila shpërndahen lajme dhe për të cilat duhet të mbajë një lloj përgjegjësie.
Faleminderit!