Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Faleminderit, drejtuese e seancës! Zonja ministre tha se nuk po ecim pa drejtim dhe kjo është e vërtetë, sepse ju po ecni në drejtim të humnerës ekonomike, ku po çoni çdo familje shqiptare.
Zonja ministre, meqenëse na kërkuat këshilla konstruktive, atëherë unë po ju jap disa, që besoj se i dini, por thjesht nuk keni vullnetin t’i zbatoni.
Le ta fillojmë me indeksimin 3,3% që u bëtë pensionistëve.
Zonja Ministre, të dhënat që unë po ju paraqes për inflacionin janë nga INSTAT-i. Kur bëhet fjalë për inflacionin e përgjithshëm, në muajin shkurt ai ka qenë 3,9%, ndërkohë pensionistët janë një kategori që nuk preken nga inflacioni për arsimin, nga inflacioni për argëtimin, nga inflacioni për hotelet dhe nga inflacioni për mobile-t, prandaj do të ishte racionale dhe e përgjegjshme nga ana juaj që të merrni parasysh kur flisni për pensionistët, të cilët preken nga inflacioni i kategorisë ushqimore dhe pijet joalkolike, e cila është e vetmja kategori që i prek drejtpërdrejt ata. Me pensionin e tyre ata marrin ushqimet dhe ilaçet dhe nuk e përdorin për asnjë nga kategoritë e tjera të inflacionit, që ju i keni të prodhuara si dokument zyrtar nga vetë INSTAT-i.
Zonja Ministre, përsëri sipas INSTAT-it, inflacioni i këtij grupi, i ushqimeve, është 6,9% dhe brenda këtij grupi pjesa kryesore, sigurisht ushqimet bazë, kanë ardhur gjithmonë në rritje dhe, në muajin shkurt të vitit 2022 ato janë në nivelin 7,3%. Ushqimet që kanë pësuar më tepër rritje janë: buka me 6%, vaji dhe gjalpi me 9,1%, frutat me 8,5%, zarzavatet, përfshirë edhe pataten, me 17%, si dhe grupet e tjera të transportit, të cilat janë rritur me 9%. Prandaj, zonja Ministre, duhet t’i sqaroni shqiptarët, ata e dinë shumë mirë, por ta marrin vesh se indeksimi 3,3% që u bëni pensioneve do të thotë thjesht ulje e pensioneve dhe pensionistët kanë mundësi që të blejnë më pak ushqime me paratë që u ofroni ju. Ky është realiteti sipas asaj që ofron INSTAT-i dhe ju ftoj që ta lexoni dhe ta studioni!
Gjithashtu, qeveria juaj ka TVSH-në më të lartë në rajon për shportën ushqimore dhe ushqimet bazë, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka 5%, Mali i Zi e ka 7%, Kosova e ka 8%, Serbia e ka 10% dhe Shqipëria e ka 20%. Është normale që ju vijnë më shumë të ardhura, sepse 20%-shi, kur vaji kushton 200 lekë, është më pak sesa 20%-shi kur vaji kushton 400 lekë. Ky nuk është suksesi juaj, por janë çmimet e rritura, të cilat ju bëjnë që të merrni më shumë TVSH nga qytetarët shqiptarë.
Sipas kësaj tabele, TVSH-ja e Shqipërisë është më larta nga të gjitha vendet e rajonit, ndërkohë, propozimet e Partisë Demokratike kanë qenë, para luftës në Ukrainë, që TVSH-ja të zbritej në masën 6%, duke u bërë e krahasueshme edhe me rajonin, pra 5, 7, 8 dhe 10%, por që ju nuk e keni marrë parasysh. Sigurisht, që propozimi ynë ka qenë para luftës, por tani është një arsye më shumë që ju ta merrni parasysh, sepse duhet të jeni të përgjegjshëm për gjendjen ekonomike ku ndodhen qytetarët shqiptarë.
Përkundrejt kësaj tabele të TVSH-së, ku Shqipëria është e para, te pagat minimale jemi në vendin e fundit. Pra, tek TVSH-ja jemi të parët, ndërsa te paga minimale që marrin shqiptarët, ashtu siç ju e keni cituar edhe në një emision, jemi në vendin e fundit. Sipas INSTAT-it, paga minimale në Shqipëri është 244 euro, ndërkohë që në Malin e Zi është 331 euro, në Bullgari është 332 euro, në Maqedoninë e Veriut është 342 euro, në Serbi është 366 euro, në Rumani është 466 euro dhe nuk po vazhdoj më tej, sepse arrijmë në shifra që shqiptari i ndershëm nuk i arrin dot as në ëndërr. Pra, zonja Ministre, ky është realiteti i shifrave dhe unë nuk jam duke shtuar e as duke hequr asgjë, përveç të dhënave zyrtare të botuara nga vetë institucionet e shtetit tuaj, që ju besoj se keni dijeni të plotë.
Sigurisht që në këto raste ju thoni: “Ku do të gjenden paratë, ne s’kemi para”, por ju keni para, keni 430 milionë euro, të cilat po i shpërdoroni dhe po i vidhni me aferën e inceneratorëve dhe sot, në njoftimet që i dhatë Kuvendit, çojnë përpara drejtësisë një nga deputetët e radhës së Partisë Socialiste, deputetin Alqi Bllako. Ja pra që paratë janë aty, por ju keni zgjedhur që, edhe ndërkohë që arrestohej Lefter Koka, të vazhdoni të bëni pagesa për inceneratorët. Jam e sigurt që edhe kur të arrestohet Alqi Bllako, ju prapë do të vazhdoni pagesat për inceneratorët dhe nuk do t`i ndaheni, sepse jeni vetë pjesë e keshit që ju vjen nga këto pagesa. Kjo nuk ka logjikë tjetër, sepse si ka mundësi që ju, jo ju si individë, por ju, si qeverisje, nuk ndaleni me pagesat, kur të gjithë ata që firmosin, i gjithë komisioni i ofertave dhe zyrtarë të lartë po shkojnë një nga një në burg?! Sot, ndërkohë që administratorët e këtyre kompanive janë në burg, pronarët janë në kërkim ndërkombëtar, keni një ish-ministër tuajin në burg dhe një deputet në burg, ju vazhdoni të thoni që do të jepni para për inceneratorin e Elbasanit dhe inceneratorin e Fierit.
Inceneratori i radhës do të jetë ai Tiranës, ku zullumi është bërë edhe më i madh dhe paratë publike janë edhe më të mëdha. Inceneratori i Tiranës është më interesanti, sepse është thjesht një fushë me bar. Ndërkohë që në dy inceneratorët e tjerë, për të cilët sot ka të arrestuar, kemi të paktën një godinë për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, në inceneratorin e Tiranës kemi një fushë me bar, që e paguajmë, të paktën, 70 mijë euro në ditë, kemi një fushë me bar që e paguajmë 29 euro për ton mbetje për incenerim imagjinar. A mund të ishin këto para për qytetarët shqiptarë në këtë krizë?! A mund të ishin këto para, që të mund të investoheshin në shërbime publike?! Po, sigurisht, por kjo do të ndodhte nëse do të kishim një qeveri të përgjegjshme, e cila nuk bënte thjesht akte normative sa për t’u hedhur hi syve, por që korrigjonte një nga vjedhjet më të mëdha që ka bërë vetë. Tashmë që nuk mund të fshiheni dot më, thoni se inceneratorët janë vepër e madhe e interesit publik, ndërkohë ata s`kanë bërë asnjë ditë incenerim dhe i kanë marrë 3 kompani, të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën. Këto kompani e kanë nisur punën e tyre me një kapital 800 euro dhe sot nga SPAK-u dalin fakte sesi paratë e shqiptarëve çohen në kompani të tjera nënkontraktore, në kompani fantazmë, të cilat nuk përfaqësojnë asgjë, përveçse lidhjet klienteliste me ata njerëz që po shkojnë një nga një në burg.
Zonja ministre e Financave, ju ftoj të jeni ju ajo që i kërkoni qeverisë të anulojë pagesat për 3 inceneratorët dhe paratë e destinuara për këtë vjedhje të shkojnë si para për pensionistët shqiptarë, për arsimtarët shqiptarë, për familjet në nevojë dhe për shëndetësinë. Pra, paratë të shkojnë në këtë sektor, të bëhen të prekshme nga njerëzit dhe ta ndalni njëherë e mirë dhënien e parave për një vepër, që tashmë nuk ka shqiptar, i majtë, i djathtë apo pa parti, të mos e dijë që kjo është një vepër kriminale, një vjedhje e bërë me firmën e Edi Ramës. Edi Rama ka qenë dhe është personi që ka vënë firmën në të tri inceneratorët, sepse, nëse nuk do ta kalonte me VKM, të jeni të sigurt se çdo procedurë që do të mund të bënte Lefter Koka, Alqi Bllako, Arben Ahmetaj dhe kushdo qoftë, nuk do të kishte asnjë vlerë pa firmën e zotit Edi Rama, Kryeministrit të Shqipërisë, i cili është koka e këtij grupi të strukturuar kriminal, të cilët vjedhin paratë e qytetarëve shqiptarë dhe nuk kanë mundësi të indeksojnë pensionet, aq sa për ushqimet bazë të paktën të pensionistëve, dhe fshihen pas skemave për të mos u dhënë asgjë, përkundrazi, t`i lënë në mëshirë të fatit, siç kanë bërë gjatë të gjithë kohës me qytetarët shqiptarë.
Faleminderit shumë!