Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Dua ta nis me atë që diskutuat gjatë sot, ligjin “Për bashkëqeverisjen”. Mos harroni që ju keni 8 vjet që po bashkëqeverisni pa ligj me oligarkët dhe me përfaqësuesit e botës së krimit. Aq shumë bashkëqeverisët me ta sa na i sollët edhe në këtë sallë, edhe i vendoset në krye të bashkive të vendit! Dhe nuk bashkëqeveriset dot edhe me fajtorin, edhe me të pafajshmin, edhe me atë që gllabëron pronat, edhe me atë që i vidhet prona, edhe me atë që bën korrupsionin, që jeni ju, edhe me atë që është viktimë e korrupsionit, që janë qytetarët shqiptarë. Ju e keni zgjedhur se me kë bashkëqeverisni dhe ky ligji sot është vetëm një tallje me qytetarët.
Sot kemi për votim Konventën e Këshillit të Europës, e cila është një dokument me vlerë për kinematografinë shqiptare. Nuk duhet të harrojmë se ne jemi anëtarësuar në Këshillin e Europës gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike dhe patjetër që të gjitha zhvillimet dhe detyrimet pozitive që vijnë si rezultat i këtij anëtarësimi, ne do t’i mbështesim dhe do të jemi pro në votim, por ky është një rast për të folur për gjendjen e artistëve, për gjendjen e aktorëve, për gjendjen e filmit, për gjendjen e teatrit dhe për gjendjen e kinemave sot.
Sot, Kinostudioja “Shqipëria e Re” është zëvendësuar me Kinoklubi “Qeveria e Rilindur” dhe skandalet që bëni ju, dhe që janë të shumta i konsideroni edhe si ngjarjet që bëhen edhe filma, apo jo?! Madje, aq shumë mund të bëhen sa mund të t’ua kalojnë edhe serialeve të telenovelave turke.
Por, ju jeni në fakt, të vetmit aktorë të mirëpaguar në këtë vend, se aktorët që e kanë për profesion këtë gjë, vuajnë nga pagesa mediokre, vuajnë nga nepotizmi, vuajnë nga një sistem që i detyron, që të gjitha projektet, të gjitha paratë t’i marrin nga ministria dhe nga Qendra, të cilat janë detyrimisht të kontrolluara nga një linjë politike dhe i ndani edhe aktorët, edhe artistët në të majtë e në të djathtë, në ata që duhet të marrin projekte dhe në ata që s`duhet të marrin projekte.
Artistët, ju i keni sulmuar me gaz lotsjellës, i keni anatemuar, i keni keqpërdorur për arsye politike. Edhe në buxhetin që ne jemi duke diskutuar nëpër komisione, kur vjen puna për tek artistët, keni dhënë zero mbështetje, zero rritje pagash, zero, asnjë fjalë për statusin e artistit, as një fjalë për statusin e shkrimtarit, sepse nuk ju intereson. Juve nuk ju intereson të merreni me pjesën e kulturuar të këtij vendi, sepse ata nuk janë të ngjashmit tuaj. Ju nuk keni asnjë lidhje me ta, kështu që normalisht për pjesën që nuk ka lidhje me ju, ju nuk do të jepni shumë mbështetje.
Sigurisht, që është një moment për të folur për kinematë. Mund të na thoni ku janë kinematë? Në Tiranë kinematë janë kthyer në kulla, kinematë publike, kinematë e bashkive, jo kinematë private, kurse nëpër qytete të tjera janë salla takimesh, salla të papërdorura apo shpeshherë nuk ekzistojnë fare, apo janë thjesht janë rrangallë e madhe në mes qytetit dhe kur përdoren, përdoren për qëllime të tjera që nuk kanë asnjë lidhje me kinematografinë.
Cila është sot gjendja e filmit modern? Na thoni sa filma shqiptare prodhohen dhe sa filma shqiptarë prodhohen me paratë e buxhetit të shtetit dhe jo me para që vijnë nga bashkëfinancime private të atyre që prodhojnë filmat, bashkë me produksione të tjera jashtë vendit, që kjo konventë realisht i ndihmon shumë? Por i ndihmon sepse i bëjnë me paratë e veta, i bëjnë me sponsor privat dhe shteti nuk ka asnjë zë të dedikuar për artistët, për filmin, për teatrin.
Përse i përket teatrit, besoj se jeni të vetëdijshëm për krimin që keni bërë, jeni të vetëdijshëm që shumë shpejt, sado që të vonojë drejtësia, do të shkoni përpara drejtësisë për atë që bëtë për Teatrin Kombëtar, sesi shkelët ligjet, sesi shkatërruat pasurinë kombëtare, trashëgiminë kulturore dhe se si sot jeni duke u hetuar nga SPAK-u dhe sillni në buxhetin tuaj se si të ndërtoni mbi një skenë krimi. Nuk ndërtohet atje pa u hetuar dhe gjykuar nga SPAK-u, nuk ndërtohet atje pa rënë dakord me artistët, pa kuptuar që Teatri Kombëtar është pasuri kombëtare, Teatri Kombëtar duhet të ndërtohet aty ku ishte dhe ashtu siç ishte, dhe jo pjesë e anekseve të kullave dhe pjesë e anekseve të pallateve për oligarkët tuaj.
Estrada më e madhe që kemi janë fjalimet tuaja në Kuvend edhe drama më e madhe që kemi është jetesa në varfëri dhe pasiguri e qytetarëve shqiptarë. Kjo është e vetmja gjendje reale konkrete që prekin artistët, qytetarë dhe kushdo që jeton në këtë vend.
Sigurisht që vota jonë pro për këtë konventë, e dimë, nuk do të ndryshojë gjendjen dhe mendësinë me të cilën do të trajtoni artistët, por të paktën ata të kenë një mundësi që me paratë e tyre, sponsorizimet, të përfitojnë më shumë nga ato që japin organizma të tjerë ndërkombëtarë, që kujdesen më shumë se shteti shqiptar për filmin tonë.
Ju faleminderit!