Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
U uroj punë të mbarë kolegëve të komisionit! Unë jam deputete dhe anëtare për herë të parë e këtij komisioni. Kam ashtu si ju të gjithë përgjegjshmërinë që punën e këtij komisioni ta bëjmë sa më në dobi të qytetarëve, të çështjeve të rëndësishme që trajtojmë për arsimin, medien, sportin, artin, kulturën, si fusha të rëndësishme, sidomos për dy të parat, për shoqërinë shqiptare.
Pavarësisht se nuk e nisëm me këmbën e mbarë javën e kaluar, jo për shkakun tonë, ne ishim këtu fizikisht, firmosëm procesverbalin dhe sot e votuam procesverbalin, edhe pse vetë nuk ishim, sepse jemi aq tolerantë për të kuptuar që, kur ju ktheheni në rrugën e ligjshmërisë, ne duhet të jemi aty për t’ju përshëndetur. Për mua, por edhe për të gjithë anëtarët e komisionit, është prioritare që të kemi sa më shpejt një seancë dëgjimore me ministren e Arsimit, siç edhe e votuam. Unë mendoj ta programojmë, t’i bëjmë kërkesë zyrtare zonjës Kushi, që edhe ajo ta vendosë në agjendën e saj, pasi ka nisur viti shkollor, por ka kaos total. Ka nisur viti shkollor me dy turne, pastaj me një turn, si rrjedhojë e presionit të prindërve të nxënësve të Tiranës kryesisht, pra, është një vendimmarrje e marrë nën presion. Prandaj është e rëndësishme të na sqarojë për vendimet që mori, pra pse mori vendimin e parë dhe pse mori vendimin e dytë. Pra, duhet të na sqarojë nëse për të dytin ishte më shumë presioni i prindërve apo donte të kuptonte gjendjen e arsimit shqiptar.
Unë vetë jam pedagoge, jo më full time, dhe mendoj se është e rëndësishme që për vitin e ri akademik studentët duhet ta dinë nëse do të bëjnë mësim online apo fizikisht. A do të kenë ndonjë udhëzim, apo do ta lënë si vjet për ditën e fundit, ditën e premte, kur studentët i kishin marrë shtëpitë me qira, konviktet kishin nisur të funksiononin, por mësimi u vendos të bëhej online. Kjo është kosto për familjet shqiptare, që i kanë fëmijët studentë. Kështu që mendoj se ne, si komision, duhet ta bëjmë edhe për t’i sqaruar ata, por, edhe për të vënë para përgjegjësisë institucionet, madje ta shtrijmë këtë edhe me rektorët, nëse duhet, për shkak të autonomisë që kanë universitetet. Pra, ta vëmë në agjendë sa më shpejt që të jetë prioritare edhe javën që vjen, nëse ka edhe miratimin e pozitës, përndryshe pastaj veprojmë me forma të tjera të kërkesës parlamentare, sipas Rregullores. Kjo për mua ishte me shumë rëndësi ta ndaja me ju dhe mendoj se do të kemi dhe konsensusin tuaj.
Replikë:
Bëre shumë mirë që e the, por për korrigjim, asnjëherë vendimet e Kryetares së Kuvendit, por edhe vendimet e Konferencës së Kryetarëve, që në këtë rast nuk ka qenë vendim i dakordësuar, nuk mund të jenë mbi Rregulloren e Kuvendit dhe mbi Kushtetutën.