Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë | 6 Qershor 2022

E hapim sezonin turistik me zjarre strategjike, me zjarre, të cilat jo rastësisht bien pikërisht atje ku duhet ose të fshehin gjurmët e një krimi, ose aty ku duhet të hapen toka të reja për investitorët tuaj strategjikë.

Duke dështuar plotësisht në menaxhimin e këtyre zjarreve, që mendoj se janë zjarre strategjike, Ministria e Mbrojtjes (në fakt, ministri duhej të ishte sot këtu dhe të jepte llogari, madje të sqaronte edhe publikun për gjendjen, në të cilën ndodhet ishulli i Sazanit) nga katër helikopterë “Cougar”, dy i ka në Poloni, një e ka në Itali, se ka bërë një ulje emergjence, duke u kthyer nga Franca, dhe të katërtin e ka në Farkë, sepse nuk del dot, pasi ka rrjedhje vaji. Kjo është eficienca e ushtrisë shqiptare për gjendjet e emergjencës! Kjo është eficienca e një shteti që ka dështuar në mënyrë ulëritëse!

Sigurisht, turizmi ka nisur. Turizmi ka nisur dhe ju e keni nisur në Sarandë shumë më përpara. E keni nisur me afera. E keni nisur duke hequr nga data 26 janar i vitit 2022 me VKM-në nr. 59 nga zonat e mbrojtura zona të tëra të Parkut të Butrintit, 800 hektarë, për t’i hapur për ndërtime. Jo vetëm kaq, por ju keni avancuar, keni ndërtuar. Ata oligarkët, biznesmenët, miqtë tuaj, të cilët e dinë paraprakisht se çfarë do të bëjë qeveria, kanë ndërtuar paraprakisht në atë që ishte zonë e mbrojtur.

Për të gjithë ata që nuk janë njohës të mirë të vendit, po ju them se ky ndërtimi këtu është në zonën e Pemës së Thatë, këtu janë antenat, kjo është zonë e mbrojtur. Kjo duhej të ishte zonë e mbrojtur. Këtu nuk mund të ndërtohej, por këtu është prekur bregdeti shkëmbor i mbrojtur. Këtu është prekur ai që quhet “Macchia mediterranea”, që përsëri ka mbrojtje, por ju keni lejuar të ndërtohet.

Keni bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh! Është ndërtuar, dhe jo vetëm e keni lejuar të ndërtohet, por keni arritur hapin tjetër, e keni hequr nga zona e mbrojtur tashmë me VKM-në e janarit të vitit 2022, që ky ndërtim të vazhdojë i qetë, pse jo, të zmadhohet dhe të vazhdohet me dy resortet e tjera, që ju parashikoni po në këtë zonë të mbrojtur: resortin “Manastir resort” dhe resortin “Jonian Heaven”.

Sigurisht, nuk keni asnjë skrupull dhe këtë aferë e shtrini edhe brenda qytetit antik të Butrintit. Pra, vazhdoni me planin për dhënien me koncesion të Butrintit, për të krijuar parajsën e oligarkëve dhe mbrojtjen e interesit privat, që ju e keni bërë shumë mirë në këtë mandat të tretë, por edhe në mandatin e dytë dhe mandatin e parë. Nga mandati në mandat perfeksionoheni në mënyrën si i shërbeni interesit të privatëve kundër interesit të publikut.

Sot kemi katër minuta kohë për të folur, por ato nuk janë të mjaftueshme për të denoncuar atë çfarë po bëni në zonën e Sarandës, në qarkun e Vlorës në përgjithësi, me ato që quhen “investime të huaja, vjedhje strategjike”.

 Faleminderit!