Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Është rastësi kuptimplotë që sot, kur ne po diskutojmë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e kufizimeve të importit për gjetjet arkeologjike dhe etnologjike, kjo përkon me dy ngjarje, siç janë Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit dhe vizita e Gabriel Eskobarit në Shqipëri, si i dërguar i posaçëm për Ballkanin, si zëvendësndihmës i Sekretarit Amerikan të Shtetit për të treguar edhe një herë lidhjen e ngushtë, marrëdhënien e patjetërsueshme që Shqipëria, të gjitha forcat politike shqiptare, kanë dhe do të kenë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si udhërrëfyesit e asaj që ne duam të bëhet edhe demokracia shqiptare, si udhërrëfyesit e vlerave më të mira për të cilat shqiptarët kanë luftuar 31 vjet më parë.
Është më se normale që Partia Demokratike do ta mbështesë këtë marrëveshje, për vetë faktin se është e mirë për vendin tonë, por edhe sepse lidhet me një partner strategjik, me një aleat tonin, i cili vetëm e ndihmon Shqipërinë në sfidat e saj në këtë demokraci.
Siç e thotë edhe vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në shpjegimet e tij zyrtare, kjo marrëveshje ilustron marrëdhënien e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara Amerikës me Shqipërinë për të kundërshtuar trafikimin e pronave kulturore dhe për të ruajtur trashëgiminë.
Marrëveshja u lejon Shteteve të Bashkuara të Amerikës të vendosin kufizime importi për kategori të caktuara të pronave kulturore të Shqipërisë, duke zvogëluar kështu mundësinë për plaçkitjen e vendeve arkeologjike dhe historike në Shqipëri.
Marrëveshja u jep mundësinë autoriteteve amerikane të kenë aftësinë për të riatdhesuar objektet kulturore të trafikuara në Shqipëri dhe të nxisë shkëmbimin e trashëgimisë kulturore shqiptare me institucionet amerikane.
Sigurisht, e thashë, ne do të votojmë pro kësaj marrëveshjeje, por ama nuk mund të lë pa thënë disa të vërteta të mëdha në lidhje me këtë fushë.
Në Shqipëri ka pasuri arkeologjike, por në këta 8 vjet nuk ka pasur vullnet dhe para në dispozicion për t’i vënë në dukje këto pasuri.
Arkeologët në Shqipëri janë gjendur përballë vështirësive të mëdha të punës në terren dhe me zero buxhet për dietat e tyre, për ekspeditat dhe punën në terren. Ata kanë mungesë laboratorësh dhe ambientesh për studimin, konservimin dhe inventarizimin e objekteve arkeologjike që zbulohen. Mungesa e ekspeditave dhe restaurimit të objekteve ekzistuese ka çuar dhe në degradimin e një pjese të tyre, por edhe në hapjen e mundësisë për vjedhjen e tyre nga çdo keqbërës, që i shikon ato si një treg i mirë.
Po të pyesim peshkatarët në qytetet tona bregdetare, do të na tregojnë anije të vjetra të mbytura. Këto anije kanë ngelur objekte të kuriozitetit të atyre që merren me zhytje dhe atyre që kanë dëshirën për të parë, ndërkohë nuk janë bërë objekte të njohjes nga arkeologët dhe objekte të ministrisë për t’u studiuar dhe për të marrë vesh më shumë për atë që përfaqësojnë dhe për periudhat që përfaqësojnë.
Vetë shteti ynë ka zero vëmendje për pasuritë tona arkeologjike. Mjafton të kujtojmë rastin e famshëm të Velierës në Durrës. Është mbuluar me beton një nga strukturat e zbuluara nga sondazhet arkeologjike. Struktura është një pilastër romak, për të cilën ju, përfaqësuesit tuaj në bashki dhe në qeveri, duhej të kishit filluar studimin. Aty supozohej se do të gjendej prania e një porte dhe mund të ishin gjendur edhe gjëra të tjera nga pasuria jonë arkeologjike, por jo, ju zgjodhët me vullnet të qartë politik të shkelni tri ligje, të mos zbatonit vendimet e gjykatës dhe ta betonizonit. Kaq mjafton për të kuptuar merakun e përfaqësuesve tuaj për trashëgiminë dhe pasurinë tonë kulturore.
Në hyrjen e fasadës së stadiumit kombëtar qëndronin dy basorelieve, që gëzonin statusin e monumentit të kulturës. Sipas ligjeve të këtij vendi, atyre ligjeve që ne miratojmë dhe atyre ligjeve për të cilat ndonjëherë jemi dhe krenarë që i miratojmë, ky monument duhej të ishte i mbrojtur, por ai u masakrua që në momentin kur u hoq dhe sot askush nuk e di se ku mund të shkojë e ta shikojë këtë monument kulture të mbrojtur nga shteti. Pasurinë tonë arkeologjike e keni përdorur si sfond për mitingje elektorale ose, në raste të veçanta, edhe si lokal dasmash luksoze.
Si deputete e qarkut të Vlorës jua them me përgjegjësi që ky është një nga qarqet që ka më shumë pasuri arkeologjike që duhen mbrojtur dhe mirëmbajtur. I vetmi projekt që kishit ju për Butrintin ishte si ta bënit me qofteri brenda, sikur ky ishte halli i madh i parqeve tona arkeologjike dhe me këtë i jepnit një hov të madh turizmit e një hov të madh pasurisë sonë, trashëgimisë sonë arkeologjike! Butrinti (unë ia kam thënë edhe ministres kur ka qenë në komision) nuk ka ciceron, gjënë më minimaliste, për t’u treguar turistëve vlerat, historinë që ai përfaqëson, por edhe shqiptarëve, se nuk supozohet që çdo njeri që viziton Butrintin di gjithçka që paraqet çdo objekt aty.
Manastiri i Kostarit është pjesë e Bashkisë së Finiqit, përsëri në të njëjtin qark që unë përfaqësoj dhe që të shkosh në këtë manastir duhej të kalosh në një rrugë, e cila është e ngjashme me një shteg dhish dhe për të kaluar duhen makina shumë të larta dhe shoferë shumë të mirë, që të mos përfundosh diku në kanal. Ndërkohë, manastiri është i lënë në harresë; vizitohet vetëm në fushatë për t’u treguar banorëve që ne e respektojmë trashëgiminë kulturore, që ne i respektojmë traditat dhe vlerat tuaja, por nuk ka asgjë të mbrojtur dhe asgjë të mbështetur nga shteti për ta kthyer këtë në një vend që vërtet mund të vizitohet, në një vend me vlera, në një vend ku shteti kujdeset për atë që përfaqëson kultura e kësaj treve.
Në bilancin tuaj për vlerat dhe trashëgiminë kulturore ju keni krimin më të madh që mund t’i bëhej një vendi: shembjen e Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar u shemb përmes dhunës, terrorit, paligjshmërisë, duke shpërfillur jo vetëm vullnetin e qytetarëve, por edhe të organizatave prestigjioze që e mbrojnë dhe e vlerësojnë trashëgiminë kulturore, si “Europa Nostra” dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët vazhdimisht ngulën këmbë për dialog dhe për zgjidhje institucionale. Ata madje edhe u vetofruan për të mbledhur fonde nëse Shqipëria nuk do t’i kishte fondet për ta restauruar Teatrin Kombëtar dhe për ta ruajtur atë si vlerë të trashëgimisë sonë kulturore e historike. Por ju zgjodhët që ta shembnit atë në mes të natës me gaz, me artistët brenda, me qytetarët brenda, madje edhe me rekuizitat e teatrit brenda. E pamë se si e shembët dhe se sa u kujdesët ju për pasurinë tonë kulturore!
Jo më larg se dje shembët ish-godinën e ATSH-së, e cila ka marrë statusin “Monument kulture e kategorisë II” në datë 05.03.2007 që mban autorësinë e Maks Velos. Ju e shembët pa pyetur për ligjin, sepse ligji nuk e lejon; pa pyetur për vlerat e saj, sepse kështu e keni vendosur ju, kështu e kanë vendosur institucionet që ju komandoni, duke gjetur kleçka, që nuk kanë vlerë, si: është e prishur, ka krisje, mund të jetë e rrezikshme, siç thatë edhe për teatrin, por ai u mbijetoi tërmeteve.
Në fakt, Maks Velo, përveç monumenteve kulturore, na ka lënë edhe një shprehje lapidare, ndër të tjera, kur fliste për Tiranën ka thënë: “Këta të vjedhin edhe ajrin”.
Meqenëse sot po flasim për vjedhje të mundshme të trashëgimisë sonë arkeologjike dhe etnologjike, ata që duhet t’i prekë realisht kjo marrëveshje dhe çdo ligj të këtij vendi janë ata që ndodhen në këtë sallë, anëtarët e kësaj maxhorance që e kanë keqtrajtuar trashëgiminë kulturore, e kanë vjedhur nga qytetarët trashëgiminë tonë kulturore, e kanë shkatërruar trashëgiminë tonë arkeologjike e kulturore, sepse ky është vullneti juaj, sepse ju doni të na vidhni edhe ajrin.
Faleminderit!
PJESA 2
Replikë:
Kryetare, në këto 100 ditë në parlament kam vënë re se në asnjë rast nuk na e jepni fjalën pasi shtypim butonin e teknologjisë që kërkon fjalën. Përfaqësuesit e opozitës gjithmonë duhet të thërrasin e të bërtasin, të tërheqin vëmendjen për të marrë fjalën qoftë për procedurë, qoftë për replikë. Unë besoj se kjo teknologji na është vënë për të na e lehtësuar komunikimin me ju, që jeni atje lart, por edhe që të sillemi në mënyrë sa më të kulturuar në sallën e Kuvendit. Kjo ishte thelbësisht për procedurë.
Nga ana tjetër, kur kolegu mbrapa referohet: “E dashur kolege parafolëse”, besoj se me rregull të treshit kuptohet, nuk ka nevojë të jesh e shkëlqyer në mësime, që bëhet fjalë për atë që foli para atij kolegu, kjo do të thotë që isha unë. Në këtë mënyrë më lind e drejta që t’i kthej përgjigje për pyetjen dhe vërejtjen që kishte.
Me këtë rast, përfitoj nga procedura, për t’i thënë që në datën 3 prill të vitit 2000 qeveria socialiste ka marrë vendimin për të shpallur ansambël monument kulture aksin kryesor të qendrës historike të kryeqytetit dhe kompleksi i Teatrit Kombëtar ka qenë i shënuar me numrin 32, si objekt i mbrojtur brenda kësaj qendre historike; kjo për ata që nuk e dinë dhe për ata që e quajnë Teatrin Kombëtar si një godinë e përshtatshme për t’u shembur dhe për t’u kthyer në kullë.
Përveç krimeve të tjera që janë bërë në Teatrin Kombëtar, është bërë edhe ky krim, që është shembur një monument kulture i mbrojtur nga shteti. Aty ka aq shumë krime, që nga vendimi që nxori Gjykata Kushtetuese, dhe ju si maxhorancë vazhdoni t’i qëndroni krimit tuaj për ta shkatërruar atë që është vlera e Teatrit Kombëtar dhe, sipas ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, edhe rindërtimi aty ku ishte dhe ashtu siç ishte, është në nderin tuaj, nëse e riktheni dhe e bëni teatrin ashtu siç e kërkojnë aktivistët, siç e kërkojnë qytetarët dhe historia.
Faleminderit!