Amendamente të propozuara në projekt-buxhetin 2023 | 24 Nentor 2022

Unë kam depozituar ndryshimin në lidhje me rritjen e rrogave të pedagogëve me 30%, siç edhe ata vetë e kanë kërkuar me protesta dhe me peticione, sepse janë në të drejtën e tyre. Vetë ministrja këtu parashtroi që tërmeti, Covid-i dhe lufta, pra të gjitha këto kanë sjellë një inflacion, i cili e ka zhvlerësuar pagën e pedagogëve, të cilët bëjnë një punë fisnike dhe për të cilën ne duhet të kontribuojmë më shumë si shoqëri, sepse lidhet me brezat e ardhshëm dhe me ata që shkollojnë, duke pasur një mision të lartë në formimin e brezave të rinj.  Unë nuk dua ta zgjas më fjalën time, sepse pedagogët kanë folur vetë, madje flasin çdo ditë, por besoj se do të ishte në nderin e këtij parlamenti të votonte rritjen e rrogave me 30% të të gjithë pedagogëve të universiteteve publike të Shqipërisë.

Faleminderit!

Kam kërkuar amendament në lidhje me grantin e punës kërkimore shkencore për stafet pedagogjike. Universitete moderne sot kanë fituar atë që quhet misioni i tretë, i transferimit të dijes dhe të inovacionit. Ne në Shqipëri kemi rreth 6000 pedagogë dhe kërkues njëkohësisht në universitetet publike dhe jopublike, të cilët përbëjnë 95% të të gjithë komunitetit shkencor në vend. Po ta lexosh si numër duket i madh, por, në fakt, kemi dy kërkues për 1000 banorë, që është të paktën 4 herë më i vogël krahasuar me vendet e rajonit.

Komuniteti shumë i vogël akademik shkencor që ka vendi ynë, financimi publik shumë i ulët për kërkimin shkencor, si dhe mungesa e incentivave nxitëse për kërkim në universitete bën që vendi ynë të jetë i fundit për nga prodhimtaria shkencore e njohur ndërkombëtarisht. Ne themi që do t’i rankojmë universitetet, por si mund t’i rankojmë kur ne kemi dhënë më pak se 20 mijë lekë për pedagogë për kërkim shkencor? S mund të prodhohet shkencë dhe si mund të krahasohemi me vendet e tjera?!

Nga ana tjetër, financimi inekzistent i shkencës shkakton një humbje të madhe edhe te vetë pedagogët dhe kërkuesit, të cilët nuk mund të zhvillojnë një karrierë akademike të suksesshme dhe të marrin pjesë aktivisht në zhvillimet ndërkombëtare. Ky është shkak i fortë pse shumica e pedagogëve dhe e kërkuesve të rinj ikin në universitete nëpër botë, ku ne i kemi parë gjatë Covid-it, të cilët bënin lidhje live me emisione të ndryshme.

Gjithashtu, Shqipëria nuk mund të zhvillohet vetëm nga ekspertët shumë të shtrenjtë të studiove të huaja, por edhe nga niveli i akademikëve, i pedagogëve tanë shqiptar.

Për ta mbyllur dua t’ju them se efekti do të ishte i menjëhershëm në ekonomi, sepse, sipas studimeve, investimi në kërkim çon drejtpërdrejt në rritjen e GDP-së, konkretisht, në raportin 1 me 150. Kjo do të thotë se 1 euro që ju investoni sot në kërkimin shkencor do të prodhonte në rritjen e GDP-së me 150 euro. Kështu që ju ftoj ta votoni, sepse është për të mirën e vendit, jo vetëm për të mirën e kërkuesve dhe pedagogëve të universiteteve shqiptare!

Faleminderit!