Fjalimi parë në Kuvendin e Shqipërsië | 17 Shtator 2021

Të nderuar qytetarë,

Kur po vija në këtë sallë më erdhën ndër mend shumë prej emrave dhe prej fytyrave të pakicës qeverisëse. Me askënd nuk kam miqësi personale, por shumë prej tyre i kam denoncuar me dhjetëra herë me fakte dhe prova për afera korruptive, për përfitime të paligjshme, për tenderë, për vjedhje votash.

E kam të vështirë t’ju konsideroj kolegë, pasi të gjithë e dimë se me një ligj tjetër zgjedhor, por, mbi të gjitha, me një drejtësi funksionale shumë prej jush nuk do të kishin fatin dhe mundësinë të ishin pjesë e kësaj salle sot. Ju sot qëndroni pa moral.

Fatkeqësisht, kam parë të keqpërdoren emrat dhe pozitat e shumë grave në radhët e socialistëve. Madje edhe në shfaqjen e parë publike, ku Edi Rama u përbetua se do të ishte ndryshe në raport me Kuvendin, duke vendosur edhe një grua në krye të Kuvendit, nuk i rezistoi tundimit për t’ua marrë të gjithë vëmendjen. Me çfarë? Me atë që ai di të bëj më mirë: me shfaqjet teatrale, me shou, për tituj gazetash, për tituj portalesh, por, fatkeqësisht, nuk zgjidhi asgjë në lidhje me atë për të cilën jemi të gjithë këtu, për problemet dhe shqetësimet e qytetarëve, që na kanë sjellë në këtë sallë.

Si pedagoge kam ardhur herë pas here në këtë sallë me studentët e mi për vizita studimore, ndaj ju them me bindje se te fjalimet e tyre si detyra kursi kam dëgjuar më shumë të vërteta dhe më shumë realitet nga ç’ kam dëgjuar në tetë vjet nga maxhoranca juaj. Ata janë pjesë e një rinie, që, fatkeqësisht, është e tradhtuara e madhe e keqqeverisjes suaj. Të rinjtë që protestuan për një ministre Arsimi, atë që bëri reformën e dështuar në arsim, që edhe ministrja juaj e tanishme e pranoi, atë që ju e promovuat për të bërë reformat të mëdha kushtetuese e vendosët në krye të parlamentit.

Çfarë mesazhi i jepnin ju kësaj rinie? Një reformë të dështuar në arsimin e lartë, që shkatërroi studentët dhe familjet e tyre, ku merita dhe preferenca nuk vlejnë më. Tarifat janë rritur nga 15% deri ne 45%, sipas degëve të ndryshme, duke iu bërë barrë familjeve të varfra shqiptare, dhe shumë të rinj e kanë të pamundur të vazhdojnë studimet. Në çdo cikël, që nga kopshti e deri te studimet e larta, ka rënie të numrit të të regjistruarve.

Sipas UNESCO-s ne kemi financimet më të ulëta në arsim, me vetëm 2,3% të GDP-së, më i ulëti në 20 vjet! 31, 8% e të rinjve, deri në moshën 24 vjeç, që kanë mbaruar arsimin e lartë, sot janë pa punë. Fatmira, Irisi, Valteri, Borana, Anxhela janë vetëm disa nga studentët ekselentë që nuk arrijnë dot të gjejnë asnjë praktikë në institucionet shqiptare, jo më pastaj të punësohen. Kanë investuar shumë, por kanë investuar për t’u endur dyerve të institucioneve shqiptare për të kërkuar një mik, për të mbajtur fotokopje CV-je në dorë, por që nuk e lexon njeri. Po mësojnë gjermanisht dhe po kërkojnë çdo mundësi për të ikur nga ky vend, ashtu siç ikën 183 mijë të rinj nga 2014 deri sot.

Në broshurën tuaj të reklamës, që ju e keni titulluar program qeverisës, ju merrni përsipër se do t’i mësoni rinisë shqiptare dhe fëmijëve shqiptarë atdhedashurinë! Pikërisht ju, ju që arritët ta bëni Shqipërinë të dalë e para, ama në statistikat e drogës, në statistikat e azilit, në statistikat e korrupsionit, në statistikat e keqqeverisjes. Mjafton të kujtojmë pandeminë dhe e kuptojmë shumë mirë se si kujdeseni ju për rininë. I latë vetëm. I latë vetëm dhe i braktisët, pasi ata kishin bërë gjithçka që të vinin në Tiranë për të kryer studimet, por dy ditë përpara u thatë se mësimi do të zhvillohej online. Nuk kanë rëndësi shpenzimet që kishin bërë ata dhe familjet e tyre, por duhej të riktheheshin prapë dhe të bënin mësimin online, ndërkohë që ju nuk ua dhatë në kohë as bursat e tyre, që i kishit detyrim. I detyruat të paguanin tarifa të plota shkollimi. Nuk u dhatë një paketë interneti apo minimumi një tablet, që do të mund t’i lehtësonte ata në shkollimin online.

Flisni për libra falas për arsimin e detyruar, por që në fakt është një mashtrim i madh, sepse ato janë libra borxh. Ato janë libra të përdorur, si një manual për kopje, që nuk ndihmon një fëmijë as të mësojë, jo më të aftësohet me dije.

Prindërit kanë më shumë merakun se mos u prishet teksti se sa lehtësimin e mësimit të fëmijëve, sepse nuk kanë mundësi të paguajnë parà tekstesh të reja për dikë tjetër kur t’I kthejnë. Asnjë nga ju dhe asnjë nga ne në këtë sallë nuk do t’i jepte fëmijës së tij tekste të përdorura, tekste kopje, tekste borxh, ndaj të njëjtin standard do të kërkojmë çdo ditë për fëmijët e çdo shqiptari.

 Fëmijët shqiptarë nuk kanë nevojë për një zyrë në Kryeministri, ku të rrijë dikush e të quhet ministre, por kanë nevojë për çerdhe, për kopshte, për shkolla cilësore, ku prindërit nuk çojnë me detyrim sipas një liste emërore drutë për sobat që ngrohin shkollat shqiptare. Dilni përtej bllokut dhe do të kuptoni realitetin e fëmijëve shqiptarë. Janë fëmijë që flenë vetëm me një vakt të ngrënë gjatë ditës, që nuk arrijnë dot të kenë një lodër, të kenë veshjet e duhura dhe shërbimin mjekësor të nevojshëm. Prindër që bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme, por nuk arrijnë t’ia dalin dot. Gati gjysma e qytetarëve shqiptarë jetojnë me më pak se 5, 5 dollarë në ditë. Gjashtëdhjetë mijë fëmijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Këto shifra flasin qartë për mungesën e investimeve, për ushqimin, për mirërritjen, për arsimimin, për argëtimin, flasin për një Shqipëri që nuk kujdeset dot as për fëmijët e saj. Më keq se kaq nuk mund te ketë.

Fëmijët shqiptarë ju i keni nxjerrë me gaz nga shtëpitë e tyre, sikur të ishin në zona lufte përballë pushtuesit. Gazin e keni përdorur edhe kundra artistëve, edhe kundër të rinjve që mbronin trashëgiminë kulturore, pasurinë e këtij vendi: Teatrin Kombëtar. Me skena të njohura për talebanët ju e bëtë krimin që pa gdhirë, dhe ende nuk e keni marrë dënimin e merituar. Por ne nuk harrojmë. Drejtësia në këtë vend mund të vonojë, por do të vijë dita kur ju do të dilni para përgjegjësisë. Çdo fjali tjetër për broshurën tuaj të kulturës shuhet me aktin e kryer ndaj Teatrit Kombëtar.

Si deputete e Sarandës lexova në program që flisni me entuziazëm për portet. Në fakt, ju i keni bërë portet të famshme në Europë për fikjen e radarëve, që trafikantët të kalojnë drogën të pashqetësuar.

Nga konkluzionet e takimeve me peshkatarët, të cilët ju ftoj t’i takoni, me punëtorët e Sarandës, dua t’ju bëj me dije se nuk ka kalatë për ankorimin e anijeve, nuk ka shkallë për remontin e tyre, kështu që ata janë të detyruar të shkojnë në Greqi për këtë shërbim. Taksat dhe TVSH-ja po i mbyt. Ata nuk kanë mundësi t’i kryejnë në Sarandë procedurat shtetërore, por duhet të vijnë në Durrës për t’i kryer. Nëse nuk e dini këto, shkoni dhe shikojini, por ju ftoj të shkoni ditën, sepse natën nuk ka drita në port. Në fakt, keni rekord në rrugën Kardhiq – Delvinë, një aks që duhet të përfundonte në vitin 2014, por që falë punës suaj të palodhur, me kësmet të Zotit, mund të përfundojë në vitin 2022.

Turizmi në Sarandë është falë bukurisë që i ka dhëne natyra dhe punës së palodhur të qytetarëve, ndërkohë që qeverisja nuk siguron dot në vitin 2021 as ujë dhe drita 24 orë. Pastaj të tjerat janë luks. Vrasjet për shezllone tregojnë më se qarti se si e menaxhoni ju territorin.

Lexova me habi në broshurën tuaj, që e quani program, ku deklaroni se keni mbjellë 20 milionë pemë. Nëse llogarisni bimën e hashashit, ka shumë mundësi ta keni tejkaluar shifrën. Por pa to jam shumë kureshtare ta shikoj këtë Shqipërinë e programit, ku secilit prej nesh, 2, 9 milionë banorë, na bien të paktën 6 pemë për secilin. Në fakt, ata që realisht mbjellin pemët, ata që punojnë tokën, si fermerët e agrumeve në Bashkinë e Konispolit nuk kanë parë asnjë subvencion nga ju në tetë vjet, nuk kanë para asnjë investim infrastrukturor, që do të mund t’i lehtësonte në shitjen e produktit. Fermerët e agrumeve luten që të mos bjerë breshër. Në fakt, nëse bie breshër, nga ana tjetër, në Greqi, janë shumë të lumtur, ndërsa në Shqipëri janë të braktisurit e mëdhenj.

 Askush nuk beson në ato që thoni. As ju vetë nuk i besoni vetes, sepse keni mashtruar aq shumë në fushatë, sa jeni detyruar të ndërroni drejtuesit politikë nëpër qarqe.

Ne do t’ju qëndrojmë përballë, ne do të jemi këtu për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe për ta sjellë sa më shpejt ndryshimin, në të cilin ata besuan.

Faleminderit!