Fjala në Kuvend mbi propozimin e dy amendamenteve në arsim / 3 Dhjetor 2024

Fillojmë me amendamentin e zonjës Zhupa: në nenin 12, pika 5, për rritjen e pagës së mësuesve e pedagogëve. Ky ndryshim të pasqyrohet në të gjitha nenet, tabelat dhe anekset shoqëruese të ligjit. 

Zonja Zhupa, fjala për ju. Keni 7 minuta kohë. 

(Ndërhyrje nga salla) 

Ju keni dy amendamente, por ato janë në dy nene të ndryshme. Do të hiqni dorë nga diskutimi i amendamentit kur të vijë diskutimi i nenit. Në rregull, të dyja njëherazi. 

Ina Zhupa – Po, t’i bëj të dyja tani, meqenëse kanë lidhje me njëra-tjetrën, sepse kanë të bëjnë me arsimin. 

Të nderuar kolegë, 

Të dashur qytetarë,

Do të doja që vëmendja e këtij Parlamenti të ishte e shtuar në lidhje me çështjet e arsimit. Dy amendamentet që unë kam propozuar lidhen drejtpërsëdrejti me arsimin, i cili sot është në ditën e tij më të zezë, me një ministre e cila ka për profesion vetëm hajdutërinë, me një ministre që njeh vetëm abuzimin… 

Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, ju lutem, kujdes me fjalorin! 

Ina Zhupa – Të lutem! Për fjalorin mbaj unë përgjegjësi. 

Me një ministre, e cila… 

Elisa Spiropali – Ju tërhoqa vëmendjen në emër të Rregullores! 

Ina Zhupa – A do të ma llogarisësh si kohë edhe këtë bisedën mes nesh? 

(Ndërhyrje nga salla) 

Tani, Rregullorja thotë se hajdutit duhet t’i thuash hajdut, abuzuesit duhet t’i thuash abuzues, ndërsa një njeriu pa pikë përgjegjësie morale, si zonja Manastirliu, që zgërdhihet në ditën e varrimit të një katërmbëdhjetëvjeçari, nuk ke çfarë mund t’i thuash tjetër veçse: ik, jep dorëheqjen me turp dhe mbaj përgjegjësi për dështimin që ke bërë në sistemin parauniversitar! 

Të dashur qytetarë,

Sot në orën 18:00 ju ftoj në marshimin protestë nga shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit, për të kërkuar plotësimin e kërkesave të prindërve, për të kërkuar dorëheqjen e kësaj ministreje të turpit. 

Elisa Spiropali – Po amendamentet ku janë, zonja Zhupa? Pa mirë të gjitha këto retorika politike! Ju lutem tani! 

Ina Zhupa – Zonja Kryetare, e di unë si i them amendamentet. 

Elisa Spiropali – Retorikë politike nga mëngjesi në darkë! Ju lutem, a mund të flisni për buxhetin? 

Ina Zhupa – Lëre, zonja Spiropali, sepse si bashkëdrejtuese e Tiranës nuk e mbron dot. Po bën gjoja, në fakt, sepse ti do të jesh më e lumtur kur ta heqin nga posti i ministres, e mbase kur ta heqin edhe nga posti i drejtueses politike për dështimet që ka bërë.    

Elisa Spiropali – Po më ngatërron me ato të grupit tuaj, zonja Zhupa! 

Ina Zhupa – Jo, zonja Spiropali, nuk të ngatërroj! 

Elisa Spiropali – Se këto problemet e brendshme i reflektoni edhe në foltore. 

Ina Zhupa – Tani, a do të më lësh të mbaroj? 

Elisa Spiropali – Përfundojeni, ju lutem! 

Ina Zhupa – Ose bëjmë bisedë bashkë, me shumë kënaqësi. 

Populli thotë se: kur gomari futet në pallatin mbretëror, nuk bëhet gomari mbret, por pallati mbretëror bëhet stallë.  

Kur Ogerta Manastirliu vihet në krye të Ministrisë së Arsimit, nuk bëhet Ogerta simbol i arsimit dhe i edukimit, por bëhet arsimi çerdhe e inkriminimit dhe e hajdutërisë. Fatkeqësisht, kjo ka ndodhur. Me një ministre e cila sot numëron rekordet e veta, ka jo vetëm krim dhe krim të rëndë në dyert e shkollës, por numërohen shkolla të braktisura, si shkolla e Vaut të Dejës, që përdoret për shtëpi bari, pedagogë të Elbasanit që dalin në biseda në “Sky” e “EncroChat”, duke folur me përfaqësuesit e bandave, universitete që japin diploma false, nxënës që janë të fundit në të gjitha testet e PISA-s, ndërsa zonja thotë: unë jam krenare. Zonja thotë: do ta shikoni përgjigjen në maj. Zonja thotë: është bërë edhe një test, që do të dalë shumë mirë. Nëse do të dalë shumë mirë ky testi, do të thotë se e ka bërë Ogerta vetë, sepse nuk ka test ku mund të dalë mirë sistemi arsimor, ashtu si është katandisur sot. 

Zonja Manastirliu, ta kam kërkuar në të gjitha këto seanca, vazhdoj të ta kërkoj edhe tani: jep dorëheqjen! Ki pak turp! Ki pak përgjegjësi morale! Ki pak ndjeshmëri njerëzore!  

Fole këtu për oficerët e policisë. Ku janë oficerët e policisë? Ku ishin oficerët e policisë në rastin e Martinit e të Luizit?  

Fole këtu për buxhetin e  arsimit, por në fakt pagat e mësuesve e të pedagogëve janë më të ulëtat. Në këto dhjetë vite mësuesit shqiptarë, nga mësuesit më të paguar në gjithë Ballkanin dhe rajonin, falë një politike që e kishte mësuesin në piedestal, sot kanë rrogat 40% më të ulëta. Pse i kanë rrogat më të ulëta? Sepse krahasuar me inflacionin e katër viteve të fundit, jo të dhjetë viteve, është ulur me 40% fuqia e tyre blerëse. 

Ajo që ka ndodhur në sistemin arsimor është një barbari e vërtetë. Në fakt, është barbari nga një ministre, e cila me të njëjtin standard dhe me të njëjtën barbari udhëhoqi edhe sistemin shëndetësor. Ato që ne vuajmë sot në sistemin shëndetësor janë që të gjitha pasojë e një ministreje, e cila bënte tendera sekretë, e cila i la pa ilaçe, e cila i la pa pajisje, e cila vidhte nga mëngjesi deri në darkë. 

Rrogat e pedagogëve. Universiteti i Tiranës, bashkë me të gjithë pedagogët kërkuan rritjen e pagave, duke raportuar rritjen e pagave edhe në nivelin e rritjes së pagave të administratës, duke e kërkuar këtë edhe për personelin ndihmës. Ju vetë e keni shkruar në strategjinë tuaj, që nuk janë inkurajuese rrogat e pedagogëve. Jepuni para pedagogëve në mënyrë të tillë, që të kenë para për të bërë kërkime, të kenë para për t’i kushtuar vëmendje arsimit, të kenë para që të ndihen të përgjegjshëm, mësuesit dhe pedagogët. Kur i keqpaguan mësuesit dhe pedagogët, mos prisni që ata t’u përgjigjen nxënësve e studentëve, sepse, sigurisht, Blerina, do t’u përgjigjen bandave. Sigurisht që do t’u përgjigjen atyre që u japin para, sepse, në rast se nuk i plotësojnë dot me dinjitet nevojat e tyre, do të bëhen mashat tuaja. 

Nuk ka turp më të madh sesa kur del ti live dhe u çon një mesazh të gjitha zyrave arsimore dhe të gjitha shkollave, që të të bëjnë ty duartrokitje në Facebooklike dhe share, duke dhënë kështu shembullin më perfekt se si nuk duhet të jenë shkollat! Ju zëvendësuat mësuesin, i cili duhej të kujdesej për nxënësin, apo jo, zonja Zake, me mësuesin politikan, me mësuesin që duhet t’i bëjë like e share Ogerta Manastirliut për të mbajtur vendin e punës. 

Nga ana tjetër, ju bëtë një ligj “Për kërkimin shkencor”. U vetëshpallët shkencëtarë të gjithë, gjysma e qeverisë: Ogerta kryeshkencëtare, Rama krye-kryeshkencëtari, e në fund fondet e shkencës vetëm ranë. Në fund, nuk e di nëse i llogaritët rrogat tuaja si fonde për shkencën, e ndoshta do t’i jepni rrogat si kontribut tek ai këshilli që keni krijuar për shkencën. Shqipëria shpenzon për shkencën 746 herë më pak se mesatarja e Bashkimit Europian. 

Këta thonë se në vitin 2030 do të shkojmë në Bashkimin Europian. Nuk e di me çfarë do të shkojmë, sepse ne jemi 746 herë larg asaj që shpenzon mesatarisht Bashkimi Europian për kapitalin njerëzor, në lidhje me kërkimin shkencor.  

Në sistemin tonë të arsimit të lartë punojnë afro 5400 pedagogë e kërkues. Edhe pse me një lexim të parë ky numër mund t’ju duket i madh, në fakt është ende shumë i vogël, pasi janë 2,3 kërkues për 1000 banorë, referuar censusit të vitit 2023. Kjo do të thotë se janë katër herë më pak, krahasuar me vendet e rajonit, si Kroacia, Sllovenia, Serbia, pa përmendur këtu raportin me vendet e zhvilluara dhe me vendet e Bashkimit Europian. 

Investimi i planifikuar nga ana juaj për shkencën nuk mbështet pedagogun, nuk mbështet universitetet, nuk jep një faturë financiare për ligjin e ri që miratuat, por vetëm mban të pandryshueshëm një investim qesharak prej 0,06 % të GDP-së, ndërkohë që Turqia, Sllovenia, Kroacia e Serbia investojnë mbi dhjetë herë më shumë se Shqipëria. 

Në relacionin tuaj ju thoni se në vitin 2027 do të kemi 8,8 kërkues për 1000 banorë. Kjo do të thotë se ju do ta rrisni numrin me 2,5 herë. Po mirë, si do ta rrisni numrin me 2,5 herë, kur nuk rrisni investimin me asnjë herë, kur i mbani fondet njëlloj siç i kishit? Si do të rritet ky numër? Do të rritet në mënyrë magjike? Do të rritet duke parë Ogertën? Apo mos vallë do të bëjmë shkencë duke dëgjuar përrallat që tregon Ogerta Manastirliu në këtë Parlament nga mëngjesi deri në darkë? Apo do të rritet duke dëgjuar teorinë, sipas së cilës është TikTok-u që na e paska fajin që ka dështuar Ogerta në sistemin arsimor? Na e paska fajin TikTok-u që shkoi autori me thikë, sepse ishte TikTok-u që ia dha thikën! Ia paska fajin TikTok-u që oficeri i sigurisë nuk lajmëroi psikologët! Na e paska fajin TikTok-u që ne dalim të fundit në çdo rankim për matematikë, për lexim, për shkencë! Na e paska fajin TikTok-u që Ogerta zgërdhihet gjithë kohën me Mirelën, dhe nuk e ka idenë se çfarë bëhet me arsimin! Na e paska fajin TikTok-u që vjedhin nga mëngjesi në darkë fondet e shqiptarëve, aq sa pastaj nuk ka më para për këto amendamente që themi ne këtu! 

Në lidhje me ato që ne ju propozojmë, të paktën këto që unë propozoj, mjaftojnë që ju të hiqni dorë nga charter-at e Edi Ramës, mjafton që Edi Rama të udhëtojë si njeri normal, me një biletë normale avioni, e të mos marrë charter personal, e kësisoj paratë dalin; dalin paratë për arsimin, dalin paratë për kërkimin shkencor. 

Mjafton që të keni vullnetin për t’i bërë. 

A doni një krahasim për kërkimin shkencor? Do t’ju përmend vetëm katër institucione të propagandës, që, në fakt, nuk bëjnë asgjë përveç propagandës: Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Agjencia për Media dhe Informim, Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, Drejtoria e Medias në Bashkinë e Tiranës, që kanë 174 punonjës. Këta bëjnë gjithë ditën likeshare e propagandë. Instituti i Historisë, Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Gjuhësisë, Instituti i Antropologjisë kanë 69 punonjës të parashikuar. 

Kuptojeni se cili është prioriteti: propaganda apo shkenca, patronazhistët apo intelektualët? Ku çohen paratë e shqiptarëve? 

Se përse duhen 69 punonjës në Agjencinë për Media dhe Informim, unë nuk e di, sepse as nuk jemi më të informuar, as nuk kemi medie më të lira, as nuk kemi më shumë transparencë, po përkundrazi kemi më shumë vjedhje, më shumë grabitje, më shumë hedhje hi syve.  

Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Po t’ju bëj unë juve një pyetësor në lidhje me faktin se çfarë bën kjo agjenci, ju as që ia keni idenë. Ama keni 70 veta aty, ndërkohë që Instituti i Historisë ka 18 veta, sepse ju nuk keni buxhet, se nuk ka buxhet Ogerta për t’i çuar te shkenca! 

Le pastaj Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve! Edhe një diçka që kishte Presidenti i Republikës, ia morët ju, pasi do të shpërndanit ju urdhra e medalje. 

(Ndërhyrje pa mikrofon) 

Në mungesë të dorëheqjes së zonjës 

Manastirliu, unë propozoj t’i jepet një medalje për shërbime të larta ndaj hajdutërisë, si zonja më abuzuese me fondet shtetërore dhe si shkatërrimtarja e arsimit në Shqipëri. 

(Bie gongu.)  

Ogerta, ik! Largohu! Jep dorëheqje! 

Të dashur qytetarë, shihemi në orën 18:00 para shkollës “Fan Noli”, për të marshuar drejt ministrisë së turpit, që përfaqësohet nga një zonjë turpi këtu! 

Shumë faleminderit!

Screenshot