Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, nuk i dhatë përgjigje kërkesës së kolegut Shehu dhe kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për një rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Nuk mund ta zëvendësoni këtë gjë me deklarata, ashtu siç nuk mund ta zëvendësoni sjelljen tuaj me fjalë të bukura, sepse sjellja juaj në këtë Kuvend ka qenë një votë kundër votimit të rezolutës për gjenocidin serb, e parë nga të gjithë shqiptarët, të Kosovës, të Shqipërisë dhe kudo; ka qenë qëndrimi i liderit tuaj, i cili ka vajtur me avion special në Kosovë për të lobuar dhe për të kërkuar që ta votonin Gjykatën Speciale; ka qenë qëndrimi i Edi Ramës në krah të Vuçiçit, për të ndërtuar Ballkanin e Hapur dhe për t’i futur një thikë pas shpine Kosovës. Pra, veprimet tuaja kanë treguar dhe kanë vërtetuar shprehjen e Faik Konicës: “Armiku më i keq i shqiptarit është vetë shqiptari.”. Dhe ju jeni armiqtë e shqiptarisë, nëse nuk ngriheni sot, pas atij vendimi tronditës, të pamerituar dhe të padrejtë, të bashkoheni me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për një rezolutë, që nuk është e barabartë, nuk është e njëllojtë dhe nuk ka të njëjtën vlerë me një deklaratë të mirëpritur të Kuvendit të Shqipërisë. Por ju jeni mësuar që t’u bëni dëme shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit, ashtu siç silleni sot me të gjithë shqiptarët, si pushtues, ashtu siç i dhunoni sot shqiptarët, sikur ata të ishin Ushtria Çlirimtare dhe ju pushtuesit, ashtu siç abuzoni me Policinë e Shtetit për ta bërë atë të ngjajë me një polici të pushtuesve, ashtu siç rrethoni Kuvendin e Shqipërisë për të hyrë fshehurazi, sepse keni frikë nga shqiptarët, nga qytetarët, sepse ikni me vrap sa herë që ata ju shikojnë nëpër qytet. Jeni tmerruar, sepse ju etiketojnë për atë që jeni: hajdutë, hajdutë, hajdutë… Kjo është fjala që ju kanë thënë studentët; kjo është fjala që ju thonë shqiptarët.
Mos i vendosni sot vetes dy damka: përveçse hajdutë, të jeni antikombëtarë dhe antishqiptarë. Pranoni që ta fusni rezolutën me procedurë të përshpejtuar, pranoni që të dalim njëzëri dhe ta dënojmë gjenocidin serb!
Shumë faleminderit!

