Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Kam dy seanca që pres ta marr fjalën sipas radhës, që në seancën e kaluar, por më mirë vonë sesa kurrë. Ky Parlament duhet të ishte i shqetësuar dhe duhet ta kishte futur për diskutim në rendin e ditës raportin e dalë nga Transparency International, ku Shqipëria ka rënë me 11 vende për sa i përket nivelit të korrupsionit. Jo vetëm që Parlamenti nuk e diskuton, por Parlamenti është bërë strofka më e lartë e korrupsionit, duke prodhuar atë që nga Departamenti Amerikan i Shtetit quhet “korrupsioni legjislativ”.
Këtu është bërë si një fabrikë ligjesh me porosi, të cilat vijnë sipas orekseve: ose për të mbrojtur qeveritarët, ose për t’u dhënë copa të Shqipërisë oligarkëve dhe klientëve, dhe ne thjesht duhet të votojmë. Ne mund të flasim kundër, por kartonët i keni gati për të prodhuar ligje që të dhuroni Shqipërinë.
Keni formën e dytë të sofistikuar, që kalon përsëri sot me një projektvendim që nuk e diskutojmë dot, atë që quhet korrupsioni politik, ku njerëzit, të cilët duhet të ushtronin detyrat kushtetuese në mënyrë të pavarur, tre muaj pasi kanë lënë mandatin kushtetues, votohen dhe mbështeten nga mazhoranca, siç është rasti i ishkryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, e cila tre muaj pasi është larguar nga posti i kryetares së Gjykatës Kushtetuese votohet nga mazhoranca socialiste si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, për të treguar, në fakt, atë që e kemi thënë gjithmonë, që siç po e mbështesni sot, ju ka mbështetur ajo në çdo vendimmarrje në Gjykatën Kushtetuese.
Së treti, keni korrupsionin penal, për të cilin McAllister ju tha dje se është testi kritik, të cilin ju keni dy muaj që e mbani në sirtarët e Kuvendit; keni dy muaj që i garantoni mbrojtje zëvendëskryeministres, ministres dhe deputetes suaj.
Korrupsioni penal është ai që cenon drejtpërdrejt edhe atë për të cilën jeni mburrur vetë: reformën në drejtësi, e që ju do të ishit pishtarët e reformës në drejtësi. Për ju reforma në drejtësi është shumë e mirë për aq kohë sa merret me opozitën, por kur vjen puna që duhet të arrestohen dhe duhet të gjykohen anëtarët e qeverisë, atëherë ju ndryshoni ligjet, merrni masa për t’i mbyllur në sirtarët e Kuvendit dhe ajo nuk ka më asnjë kuptim për ju. Ndaj, ju lutem të fusni në rendin e ditës së kësaj seance ose të seancës së ardhshme një diskutim për raportin për korrupsionin në Shqipëri, se Shqipëria ka humbur plot 11 vende dhe kjo është e gjitha meritë ekskluzive e qeverisë dhe e mazhorancës suaj!

