Fjala për procedurë dhe kërkesë për të risjellë në vëmendje të Kuvendit realizimin e interpelancës së kërkuar me ministrin e mjedisit / 4 Qershror 2026

Zonja zëvendëskryetare, kam kërkuar një interpelancë urgjente me ministrin e Mjedisit, pikërisht për çështjet e zonave të mbrojtura dhe të Zvërnecit. Ky vend ka edhe ministër të Mjedisit, nuk ka vetëm ministër të ndërtimit dhe Infrastrukturës, kështu që, të vijë dhe t’u japë llogari shqiptarëve: çfarë projekti është; a mbrohen zonat e mbrojtura? Ku e keni ministrin e Mjedisit? 

Pse nuk është futur në rendin e ditës interpelanca urgjente? U mësuat ju, kolegë, që nuk pyesnit; betonizonit çfarë të donit. E bëtë kompleks gjirin e Manastirit; nuk pyetët se ishte në zonë të mbrojtur! Dhatë Butrintin me koncesion; nuk pyetët fare! E bëtë aeroportin e Vlorës në zonë të mbrojtur; nuk pyetët! Sot doni t’i hyni Nartës me kokë dhe nuk pyesni! 

Harruat se shqiptarët nuk duan t’ua tregojnë fëmijëve Shqipërinë si një përrallë me flamingo që kanë ekzistuar, dhe vetëm si plastikë e nëpër kopshte zoologjike, por luftojnë për Shqipërinë; luftojnë për Shqipërinë dhe sot janë çuar për një betejë, në fakt, që unë personalisht e kam nisur që me Butrintin. Partia Demokratike e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese ligjin nr. 21/2024 “Për zonat e mbrojtura” dhe ju, zotërinj, për turpin tuaj, e keni miratuar. Sot Bashkimi Evropian po ju kërkon ta shfuqizoni. 

Jua kam sjellë ligjin, por nuk e keni futur as në program. Pse nuk e keni futur? Jua kam sjellë që më 14 maj, është një nga kërkesat e protestuesve, të protestuesve të ndershëm shqiptarë, jo grekë, jo serbë, jo rusë, jo agjentë; janë shqiptarë ata të cilëve u dhimbset Shqipëria! 

 Shikoni standardet e Bashkimit Evropian! Turizmi i qëndrueshëm, të nderuar kolegë, zhvillohet në mjedis të qëndrueshëm. Kështu zhvillohet Shqipëria, duke respektuar mjedisin dhe duke ndërtuar sipas standardeve që kërkon Bashkimi Evropian. Nuk ka turizëm të qëndrueshëm me beton të qëndrueshëm. Nuk ekziston! T’u themi fëmijëve: këtu ka qenë një lagunë, këtu ka qenë një liqen, këtu ka qenë një zonë e mbrojtur, dhe tani është vila e këtij, resorti i atij apo pallati i këtij?! Kjo është historia që doni t’u tregoni ju shqiptarëve?!  

Në fakt, ju sot duhet të tërhiqeni dhe të trembeni nga shqiptarët e ndershëm, të cilët protestojnë atje përtej çdo partie, përtej çdo kahu politik, sepse i bashkon një gjë e vetme: 

Shqipëria; interesi i Shqipërisë! 

Nuk mund të thoni se janë kundër zhvillimit, kur ata kërkojnë të respektohet mjedisi, të respektohet ajo që ka ndërtuar natyra në mijëra vjet dhe ju doni ta prishni në dhjetë ditë. Nuk mund të na thoni se po bëni studim mjedisor me buldozerë dhe po mbroni mjedisin me… 

Ndërhyrja e dytë për procedurë:

Sa për votat e Shqipërisë dhe të vlonjatëve, e dimë shumë mirë se si i keni marrë, e dinë të gjithë shqiptarët, e ka thënë raporti i OSBE-ODIHR- it, e dinë edhe evropianët. Por, zotëri, edhe sikur t’i kishit marrë votat në mënyrë të ndershme, ato 86 mandate nuk janë licenca për të vrarë, nuk janë licenca për t’i skllavëruar shqiptarët, nuk janë licenca për të shkatërruar çdo zonë të mbrojtur këtu.  Ik, ik! Bën shumë mirë që ikën. Ik, se ke frikë të përballesh dhe do të thuash vetëm ato dy fjalët e tua. Ik, sepse kështu je mësuar, të dezertosh. Siç dezertove thirrjen për ushtar atje ku ke marrë pasaportën, dezerto edhe Kuvendin! 

Të nderuar kolegë,  

Ju  e keni votuar ligjin e zonave të mbrojtura; ju nuk e zbatoni rekomandimin e Parlamentit Evropian; ju e lini në sirtar propozimin për anulimin e ligjit nr. 21/2024; ju jeni ata që fusni buldozerë e kamionë dhe rrethoni me tela me gjemba.  

Qeveria juaj është ajo që e bëri policinë të rrinte atje e tulatur dhe e frikësuar nga bandat, sepse ato kishin mbrojtje shtetërore. Qeveria juaj ua shkatërroi jetën shqiptarëve dhe po ua vjedh përditë pasuritë publike. Ata 4 miliardë që thoni këtu, ua keni vjedhur vetëm me aferën e AKSHIt, dhe vini këtu e na bëni moral se kur folët ju e kur folëm ne. Ne kemi folur, sepse kemi 6 vjet që bëjmë betejë këtu, qëkur dhatë me koncesion Butrintin dhe zonat e mbrojtura të Shqipërisë, për t’i bërë plaçkë me 12 bedelë që firmosën. Shyqyr Zotit që shumica e tyre nuk janë më deputetë, dhe mos qofshin më kurrë deputetë ata që kanë vulosur e kanë firmosur për të shfarosur zonat e mbrojtura të Shqipërisë! 

 A duam ne investime të huaja?! Po, i duam kudo nëpër Shqipëri, ku i lejon ligji, por jo të shkatërroni trashëgiminë kulturore dhe atë natyrore të shqiptarëve, sepse nuk është pronë e kësaj qeverie, por është pronë e shqiptarëve dhe ne do ta mbrojmë deri në fund!