Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Shteti ka degraduar kur pushteti u shërben haptazi banditëve të tij, banditëve të veshur me kapuça të zinj, të cilët tërhoqën zvarrë qytetarët shqiptarë protestues, që mbroheshin nga telat me gjemba, që për çudi Kryeministri thoshte se nuk e dinte se si ishin vendosur aty. Ndërkohë, po të ndërtosh një derë në kasollen e dhive, të shikon shteti; ndërsa po të vësh tela me gjemba në zonën e mbrojtur, nuk të shikon shteti! Ndërkohë që i hidhnin spraj policisë, policia rrinte si më e paafta në botë, sepse banditët kishin mbrojtjen shtetërore. Policia e Shtetit u mjaftua duke thënë se do të pezullojë drejtorin. Do ta lërë dy javë në shtëpi me pushime! Në fakt, atje kemi të bëjmë me shpërdorim detyre, ku haptazi jo vetëm u lejua, por edhe u fsheh fakti mbrapa, derisa u publikuan videot. Në fakt, ndonjëherë për ata policët atje më vinte edhe keq, sepse kur shikonin banditët me kapuça të zinj, që kishin mbrojtjen shtetërore, imagjinonin banditët me çantat e zeza, që janë të lidhur me qeverinë dhe kishin frikë se çfarë të bënin. Kështu e keni katandisur Shqipërinë.
Sot Kryeministri, për protestën fajtorin e gjeti nga marksistët, leninistët, komunistët, myslimanët deri te grekët. Të gjithë ishin fajtorë, të gjithë protestuesit kishin një agjendë okulte kundër Kryeministrit, vetëm ai, vetëm Edi Rama nuk kishte faj, kur, në fakt, është fajtori i vetëm, sepse ka miratuar një ligj, të cilin zonjës që foli më përpara nuk ia kishte nxjerrë ChatGpt-ja, ligjin nr.21/2024, që lejon ndërtimin në zonat e mbrojtura, lejon ndërtimin ku t’i dojë qejfi Edi Ramës, që e trajton Shqipërinë si një plaçkë:
vendosi syrin dhe hajde merre, ta gëzosh!
Shqipëria nuk është plaçka e Edi Ramës, asnjë zonë e mbrojtur nuk mund të trajtohet si plaçkë as për investimet shqiptare, as për investimet e huaja, sepse është trashëgimi për brezat e ardhshëm.
Investitorët e huaj janë të mirëpritur kudo në Shqipëri, në prona private apo prona shtetërore, por asnjëherë në zonat e mbrojtura të Republikës së Shqipërisë, që janë pronë e fëmijëve tanë, pronë e Shqipërisë, e asaj që ne do të duhet të krenohemi si shtetas shqiptarë.
Është shumë e thjeshtë: deti nuk është pronë private; detit nuk mund t’i dalë pronari dhe të blihet nga një pronar, sepse është pronë publike, po ashtu lagunat, parqet kombëtare, peizazhet e mbrojtura janë prona publike të shqiptarëve dhe si të tilla duhen të ruhen.
Si ka mundësi që vihen telat, ndërkohë vetë Kryeministri deklaron se nuk paska asnjë program?! A e dini ju që, sipas ligjit, hartohen plane, bëhen publike dokumentet, zhvillohet konsultim publik, merren miratimet, vendosen tabelat, pastaj bëhen rrethimet? Ndërsa këtu bëhen rrethimet, merren protestuesit dhe trajtohen si kriminelë nga banda me kapuça të zinj, të cilët më pas del dhe i anatemon Kryeministri. Sot kam në dispozicion vetëm 4 minuta, por zgjidhja është shumë e thjeshtë: miratoni projektligjin që kam depozituar më 14.5.2026, të shfuqizohet ligji nr.21/2024 “Për zonat e mbrojtura”. Ky është ligji që do të mbrojë Zvërnecin, Nartën, Butrintin, Karavastanë dhe çdo zonë të mbrojtur të Shqipërisë, siç e kërkon Bashkimi Evropian dhe interesi publik.
Nuk bëhen lobime private dhe dallavere klienteliste në emër të pasurisë kombëtare të shqiptarëve.
Faleminderit!

