Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Zoti Kryetar, nuk kalon me një vërejtje personi, i cili, në vetë të parë, u ka hipur policëve të shtetit mbi koka dhe ka dhunuar Policinë e Shtetit kur ishte në opozitë, dhe sot dhunon qytetarët shqiptarë vetëm se protestojnë kundër vjedhjes! Ju jeni një mazhorancë hajdutësh dhe frikacakësh, sepse i vidhni ata çdo ditë: vidhni paratë e buxhetit të shtetit, u vidhni të ardhmen, u vidhni territorin, u vidhni shëndetësinë, u vidhni arsimin, u vidhni çdo shpresë për të jetuar me dinjitet dhe më pas i dhunoni, se keni frikë të hyni në sallën e Kuvendit të Shqipërisë! I dhunoni, se keni frikë nga veza! Nuk është kualifikuar deri më sot veza si armë që mund të cenojë sigurinë dhe jetën tuaj!
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 2, thotë: “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”. Pra, sovraniteti i përket popullit shqiptar, popullit që sot ka ardhur të kërkojë sovranitetin e vet, dhe ka 53 ditë që e kërkon sovranitetin e vet, sepse ju nuk i përfaqësoni (juve ka ardhur fundi), duke i vjedhur, duke i masakruar e duke marrë vendime të njëanshme!
Dhe ju i quajtët “terroristë” ata të cilët janë qytetarët më të mirë dhe më të përgjegjshëm të këtij vendi, kur të vetmit terroristë jeni ju; terroristë që i keni marrë Shqipërisë çdo të mirë publike!
Jeni terroristë mjedisorë, se i jeni futur mjedisit me fadroma; jeni terroristë të trashëgimisë kulturore; jeni terroristë të shëndetit; jeni terroristë të arsimit! Ju keni shkatërruar çdo sektor të këtij vendi, duke e kthyer të fundit në çdo raport evropian dhe mburreni edhe me ato që jeni më keq se në kohën e qeverisjes “Berisha”. Mburreni edhe për indeksin e performancës në mjedis, kur jeni të 46-t, ndërkohë që në vitin 2010 ishim të 23-tët në botë!
Vjen ministri dhe u thotë protestuesve “budallenj”. A nuk e meriton një vezë ky?! Patjetër që e meriton një vezë, sepse u thotë protestuesve “budallenj”! Protestuesit e paguajnë me taksat e veta, që ky të shëtisë me makinë, të mbrohet nga protestuesit dhe të shesë Shqipërinë!
Ti u thua “terroristë”. A nuk e meriton edhe ti një vezë?! E meriton, patjetër, një dhe më shumë, sepse e keni bërë veten t’ju godasin protestuesit. Ne jemi çdo ditë aty dhe na mirëpresin, bëjnë foto, dhe thonë: na përfaqësoni, kurse ju…
(Ndërhyrje pa mikrofon.) Ju, ju jeni ata që trembeni! Ju jeni ata! (Ndërhyrje pa mikrofon.) Na shikoni, na shikoni, na ndiqni! Ju trembeni, ju zhdukeni! Në fakt, ju nuk duhet të zhdukeni dhe të hyni si minjtë këtu, por duhet të zhdukeni nga jeta politike, sepse jeni e keqja e madhe e këtij vendi!

