Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Më vjen mirë që për herë të parë që na jepni fjalën këtu në Kuvend, nga kjo foltore, flasim për drejtësinë dhe, në fakt, për drejtësinë e munguar.
Ka dy lloje drejtësish: drejtësi represive dhe drejtësi restauruese. Në Shqipëri kemi krijuar vetëm drejtësinë represive, të cilën doni ta shtoni edhe më shumë, me atë draftin e Kodit Penal, ku e vetmja fjalë dhe i vetmi qëllim është si t’i fusni njerëzit në burg.
Me këtë reformë drejtësie që keni bërë, numri i të paraburgosurve në Shqipëri është 2 593, kurse numri i të dënuarve është 1 824. Kjo do të thotë se 60% e popullatës që ndodhet në burg, janë ata që prezumohen të pafajshëm, dhe vetëm 40% e tyre janë ata që kanë marrë një dënim dhe janë shpallur fajtorë. Por, si e ka Bashkimi Europian? Shtetet e Bashkimit Europian kanë vetëm 20% të paraburgosur, ndërsa ju e matni drejtësinë me statistika. Statistikat e njerëzve që fusni në burg janë suksesi juaj! Por ky nuk është ky suksesi i drejtësisë. Kjo është një drejtësi represive, që nuk sjell asnjë të mirë, as për ata që dënohen, as për shoqërinë shqiptare.
Nga ana tjetër, fjala “gjykatë” është bërë fjala më e tmerrshme dhe më e frikshme për individin në Shqipëri. Janë 150 mijë dosje stok, të patrajtuara, të cilat e kanë kthyer sistemin e drejtësisë në një kolaps të plotë. Dëmi ekonomik dhe pasojat sociale që kanë ardhur nga vonesat në gjyqësor, janë të jashtëzakonshme, aq sa një individ mund të kërcënohet me: do të shkosh në gjyq apo më ço në gjyq, pasi është e pamundur për të marrë drejtësi.
Një pensionist, që pret rivlerësimin e pensionit të tij, e ka të pamundur ta marrë atë, mund të ndërrojë edhe jetë pa e marrë; një tjetër të moshuari për një të drejtë pronësie apo një individi që kërkon zhbllokim të pronës së tij nga përmbarimi, mund t’u shkojë prona deri në ankand dhe nuk arrijnë dot ta marrin zhbllokimin; një i burgosur në mënyrë të padrejtë nuk e merr dot dëmshpërblimin e heqjes së lirisë; një pronar që pret rishikimin e asaj vlere qesharake që jepni ju për shpronësimet apo një bashkëpronar që do të hedhë në gjyq një të afërm të tij për falsifikim, nuk e marrin kurrë të drejtën dhe më pas shkojnë në hasmëri dhe në vrasje. Këto i kemi dëgjuar dhe i dëgjojmë çdo ditë.
Kjo drejtësi e kolapsuar është fuqia e Kryeministrit tuaj. Me këtë drejtësi të kolapsuar, ai mund të bëjë çdo padrejtësi, se në fund të ditës nuk do ta marrë kurrë të drejtën qytetari, biznesi, media në dyert e drejtësisë, sepse proceset mund të shkojnë deri në 15 vjet për të mbaruar një gjyq dhe për të arritur tek ajo drejtësi. Kjo i jep Kryeministrit të drejtën dhe qetësinë për të sulmuar mediet. A e dini ju që, pasi e shembën “Prestige Resort”, ka 3 vjet që e kanë shembur, para dy javësh i vunë edhe një gjobë 4 milionë euro? Qytetari polak, i cili ishte duke bërë pushimet te “Prestige Resort”, e ka çuar çështjen në Luksemburg dhe ka fituar, sepse u ndesh me represionin e shtetit dhe nuk gjeti atë që duhej të gjente. Kryeministri nuk e çan kokën, sepse e di që me drejtësinë shqiptare, biznesit, medies apo qytetarit u duhen 20 vjet për të fituar të drejtën.
Nëse hiqet një person nga puna, asnjë problem, 15 vjet i duhet për të marrë të drejtën. Nëse shteti të shkatërron pronën, asnjë problem, sepse i duhen 15 vjet për të marrë drejtësi. Kjo gjë e ka bërë shtetin më arrogant, qeverinë më arrogante, sepse në fund të ditës nuk ka një sistem përballë, që mund t’i kërkojë llogari, që mund të vërë drejtësi, por është kolapsuar sistemi.
Sot në gjykatat e Apelit, si ato të përgjithshme dhe ato administrative, shqyrtohen çështjet e vitit 2018, dhe, nëse kanë fat, mund t’i përfundojnë çështjet më 2030-ën. Kjo nuk është drejtësi, sepse kjo drejtësi e vonuar, në fakt, është drejtësi e mohuar, ku nuk ka më asnjë vlerë ajo e drejtë që merr.
Sot në Shqipëri gjyqtarët intimidohen nga Kryeministri. I merr ai me emër e mbiemër dhe u thotë: nëse nuk ke marrë vendimin, që i shkon përshtat atij dhe qeverisë, je i keqi i sistemit. Pra, duhet të jesh shërbëtor i Kryeministrit, ndryshe intimidohesh, ndryshe përndiqesh, ndryshe ai ta vendos emrin në murin e zi të “Facebook”-ut të tij.
Nga ana tjetër, gjyqtarët vetë, duke pasur një numër dosjesh, rreth 1 mijë për person, kanë kaluar në mungesë totale transparence, kanë filluar t’i bëjnë gjyqet nëpër zyra, me justifikimin se nuk ka salla gjykimi, dhe hajde të pretendosh të marrësh drejtësi.
Me riorganizimin që u është bërë gjykatave, e keni bërë edhe më të vështirë marrjen e drejtësisë. Një qytetare nga Saranda u nis të shkonte në Gjykatën Administrative Lushnje, me të cilën shkova edhe unë për ta shoqëruar, dhe, pasi shkuam atje, pritëm edhe dy orë, na thanë: “Na falni, se gjyqtarja është transferuar në Tiranë dhe nuk ju kemi lajmëruar!”. Kanë kaluar dy muaj dhe ende nuk e dimë se kur do t’i bjerë shorti tjetrës, kur do të lajmërohet dhe kur do të marrë drejtësi.
Kjo është drejtësia juaj: drejtësi në padrejtësi, ku secili shkon drejt vetëgjyqësisë.
(Bie gongu.) Për të shfrytëzuar sekondat e fundit, se i keni lënë të gjitha institucionet në një ditë, meqë kemi edhe ministren e Brendshme këtu, besoj se ju e dëgjuat Prokurorin e Përgjithshëm kur tha se qyteti me kriminalitetin më të lartë është Saranda, qyteti që unë përfaqësoj. Unë kam bërë me dhjetëra deklarata atje. Policia e Shtetit, zonja Ministre, ka dështuar atje. Policia e Shtetit në Sarandë nuk funksionon për të zbuluar kriminalitetin, por është bërë pjesë e bandave rivale. Policia e Shtetit atje i ka çuar bandat në larje hesapesh me njëra-tjetrën, sepse nuk ka shtet. Policia e Shtetit atje e di shumë mirë se kush vendos tritol dhe nuk shkon ta kapë. Policia e Shtetit atje më shumë bëhet garante e njërit kundrejt tjetrit, sesa e lufton krimin.
Niko Peleshi – Faleminderit, zonja Zhupa!
Ju ka mbarur koha.
Ina Zhupa – Po, do ta përfundoj, meqenëse ishin 5 institucione.
Ju lutem shumë, si ministre, shkoni dhe bëni një vizitë në Sarandë, meqë edhe drejtorin e keni me origjinë nga Saranda, dhe do ta kuptoni që Saranda është kthyer si Palermo e viteve ‘80. Shteti atje ka rënë, jua tha vetë Prokurori i Përgjithshëm.
Shumë faleminderit!
Niko Peleshi – Faleminderit, zonja Zhupa!

