Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Të nderuar kolegë,
E nderuar Kryetare,
Në fakt, do ta kisha kursyer fjalën sot, për shkak të gjendjes shëndetësore, por e quajta të domosdoshme të flisja, sepse sot Edi Rama bëri edhe aktin e fundit të pranimit të humbjes në zgjedhjet e 11 majit. Sot Rama e pranoi se nuk do të mund të jetë deputet opozite, sepse nuk ka ç’bën më pasi ka qenë Kryeministër për 12 vjet. Edi Rama, kur kishte garancinë e krimit e të oligarkëve, dhe i bënte llogaritë në ato pecetat e tavolinave, në të cilat hante e pinte, jo vetëm që kandidonte për deputet, por kandidonte edhe në dy qarqe, sepse thoshte se kështu i motivonte njerëzit. Për shembull, në zgjedhjet e shkuara kandidoi edhe në Vlorë, edhe në Durrës, ndërsa sot, për herë të parë, pranoi se nuk ka nevojë të kandidojë. Kjo është një nga shenjat e qarta se çfarë pritet pas 11 majit.
Vota e diasporës ju tmerroi, gjë që e pranuat edhe vetë. Fatkeqësisht keni bërë autogola, sepse frikën tuaj e keni reflektuar në vendimet që keni marrë. Kërkesës së Partisë Demokratike për pesë ditë më shumë afat në lidhje me regjistrimin e emigrantëve, që nga data 4 mars të shtyhej deri në datën 9 mars, iu përgjigjët me “jo”. Iu përgjigjët me “jo”, sepse çdo votë emigranti më shumë ishte një votë më shumë kundër Partisë Socialiste. Nëse do të ishte e ndryshme nga kjo, do të kishit pranuar të shtyhej jo 5 ditë, por edhe 15 ditë. Por nuk e pranuat, sepse e dinit se ishte votë kundër jush, nuk e pranuat, sepse i keni marrë sondazhet dhe keni parë se emigrantët kanë marrë përgjegjësinë të ndryshojnë realitetin e 12 vjetëve në Shqipëri.
Jo vetëm kaq, por ju nuk pranuat që emigrantët të regjistroheshin me dokumentet e shteteve ku jetojnë. Kjo ishte një tjetër shenjë e frikës së madhe që keni nga vota e emigrantëve. 245 mijë shqiptarë përbëjnë një armatë të tërë, e cila në masën 75% të saj kërkon rotacionin politik dhe voton Partinë Demokratike, “Aleancën për
Shqipërinë madhështore”, dhe programin që ka kjo aleancë për Shqipërinë e shqiptarët.
Vendimi tjetër, që e bëri të qartë frikën dhe tmerrin tuaj nga e vërteta, nga liria e nga rinia, ishte vendimi i zonjës Manastirliu, ministres më të dështuar të kësaj qeverie, me dakordësinë e Kryeministrit në ikje, për të mbyllur TikTok-un. Mbyllët TikTok-un si një medium lirie, si një medium ku shprehet tërë pakënaqësia e rinisë shqiptare, e opozitarizmit shqiptar, ku nuk funksionojnë filtrat… (Bie gongu.)
…dhe ku nuk funksionojnë ndërhyrjet për të rimodeluar engagement, vetëm e vetëm sepse nuk e kontrolloni dot urrejtjen ndaj qeverisjes tuaj.
Prandaj, më 15 mars, në sheshin “Skënderbej”, të rinjtë do të protestojnë, Partia Demokratike do të jetë atje me ta, sepse nuk protestojmë thjesht e vetëm për TikTok-un, por protestojmë për të drejtën e fjalës… (bie gongu)
…protestojmë për lirinë e shprehjes, protestojmë për një të drejtë kushtetuese. Ne do të jemi atje, dhe Shqipëria do të jetë madhështore pas 11 majit.