Fjalim në Kuvend, diskutim për mbivendosjen e institucioneve vendore nga qeveria dhe për Diten Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve / 18 prill 2024

Në fakt, ky është një nga ato projektligje, që fare mirë mund të ketë një titull: nuk e dini se ç’ po bëni; shto ujë e shto miell; aspak punë, por shumë rroga, që do të jepen nga shteti shqiptar.  

Jo më larg se 10 ditë më parë ka dalë  VKMja me nr. 227, datë 09.4.2024, ku krijohet Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, një organizëm tjetër që do të ndihmonte ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor. Ndërkohë, sot sillni një ligj, që t’i shtoni kompetencat nga prefekti te nënprefekti. Pra, mbivendosni struktura në pushtetin vendor, edhe pse pushteti vendor ka kryebashkiakë të zgjedhur me votë, të cilët duhet të jenë më afër qytetarëve dhe t’u përgjigjen atyre. Ju shtoni shtresat e pushtetit qendror, që paguhet me taksat e shqiptarëve dhe nuk e di se ç’bën. Minimalisht ministri i Pushtetit Vendor duhet të kishte ardhur këtu sot, që po diskutohet për këtë ligj, i cili, sigurisht, lidhet drejtpërdrejt me pushtetin vendor.  

Në fakt, ju këtë e bëni vetëm për të shtuar zyrtarët tuaj, për të shtuar patronazhistët, për të shtuar njerëzit që i keni gati, si ushtri, për zgjedhjet, dhe nuk e bëni fare për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve apo për të ndihmuar pushtetin lokal dhe banorët e atyre zonave.  

Zoti Balla është drejtues politik në Fier, përveçse ministër i Brendshëm, dhe një nga hetimet e fundit të SPAK-ut është hetimi i Rajmonda Balilajt, ish-prefekte e qarkut të Fierit, e cila prej një muaji vazhdon të mos zëvendësohet. Nuk e di si duhet ta marrim këtë moszëvendësim, si një sfidë ndaj SPAK-ut, apo si një pamundësi resursesh të qeverisë për të vendosur një person në këtë pozicion? Me sa duket sa herë që SPAK-u heton njerëzit tuaj, ju nuk jeni dakord; nuk i mbështesni hetimet; nuk i mbështesni zëvendësimet; nuk i hapni rrugë drejtësisë, por bëni gjithçka për t’i veshur me mbrojtje politike. Pastaj, sa herë hetohen nga opozita ka të gjithë mbështetjen tuaj dhe ky nuk është shembulli i vetëm, por është një shembull minor, në fakt, në krahasim me të gjithë shembujt e tjerë që mund të rendisim këtu. 

Sot, nëse nuk do të ishte ditë seance, do të kisha bërë një deklaratë të dedikuar, por, duke qenë seancë plenare, do të shfrytëzoj momentin e seancës dhe do të përfitoj nga rasti për të rikujtuar atë që duhet ta kishte bërë qeveria, duhet ta kishte bërë ministri i Kulturës, që gjithmonë shkëlqen me mungesën e tij në Kuvend! Sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe Siteve. I vetmi postim që kishin Blendi Gonxhja dhe ministria ishte për shoqatën e motoçiklistëve dhe automobilave, të cilët do të bënin një garë. I ka ngelur ora në kohën kur ka qenë drejtor dhe vazhdon të merret me të njëjtat aktivitete edhe brenda Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.  

Në fakt, kjo duhet të ishte një ditë e rëndësishme, për t’i kthyer sytë dhe për të reflektuar për gjendjen e trashëgimisë kulturore, të monumenteve kulturore, të siteve dhe të parqeve kombëtare në Shqipëri, si i vetmi element që do të jetë çështje e ditës, edhe kur të mos jetë çështje e ditës, që do të jetë e rëndësishme edhe kur asnjë nga ne nuk do të jetë në jetë. Pas 100 vjetëve, me siguri, 99% prej nesh as nuk do të mbahen mend, 1% mund të ketë bërë histori dhe mund të jetë në tekstet e historisë, kurse trashëgimia kulturore do të jetojë përtej, nëse ju nuk e shkatërroni dhe nëse ne të gjithë bashkë e mbrojmë atë.  

Fatkeqësisht keni ndërtuar konceptin e koncesionit në trashëgiminë kulturore, e dhënies te privati dhe trajtimit të saj si një mall tregtar, ku më shumë rëndësi se ruajtja e identitetit, e historisë, e vlerave që duhet të transmetohen për brezat e ardhshëm, ka trajtimi i saj si një mall për përfitim ekonomik; se sa suvenire mund të shiten; se sa lokale mund të bëhen brenda; se çfarë mund të ketë menyja e restorantit dhe se si mund të bëhen party apo kazino brenda zonave të këtyre monumenteve apo parqeve kombëtare. 

Rasti më flagrant, në fakt, është rasti i Butrintit, që vazhdon në Gjykatën Kushtetuese. Është një rast unik në botë jo vetëm për nga rëndësia, që ka si një pasuri e mbrojtur nga UNESCO, por edhe nga modeli i pakrahasueshëm me ndonjë model tjetër, ku fokusi është dhënia me koncesion, shkatërrimi i historisë dhe i identitetit dhe krijimi i një modeli ku institucionet shqiptare, si Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe të tjera, eliminohen fare nga mbikëqyrja, monitorimi apo auditimi i këtij parku.  

Rasti tjetër është ajo që doni të bëni me Bylysin. Pasi janë marrë 6 milionë euro nga fondet e Bashkimit Europian dhe Kooperacioni Italian, tani doni ta jepni edhe këtë më koncesion. Është e pakuptueshme pse duhet një koncesion kur paratë dhe të gjitha kapacitetet e ekspertëve shqiptarë janë.  

Është rasti i amfiteatrit të Durrësit, të cilin, gjithashtu, doni ta jepni me koncesion tek i njëjti koncesionar, tek ADF-ja, që ka marrë edhe Butrintin. 

Për t’i kthyer sytë nga Tirana, jo shumë larg nga kjo sallë kemi ende plagën e hapur të Teatrit Kombëtar, të shkatërruar njësoj si të ishte një luftë në mes të natës, në mes të pandemisë, duke shkatërruar trashëgiminë tonë kulturore. 

Në fakt, këto janë arsyet pse ju sot nuk keni asnjë fjalë për të kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve, sepse, edhe kur merrni parasysh t’i restauroni, shkoni për ndjekje në prokurori, siç është rasti i restaurimeve që bëtë në Shkodër, me Kafen e Madhe apo me Gjuhadolin, për të cilat KLSH-ja ju ka çuar për ndjekje penale, sepse restaurimet i quani si mbivendosje tullash dhe llaçi, ku tenderi dhe paraja janë më të rëndësishëm se ruajtja e vlerave të trashëgimisë dhe e transmetimit të saj te brezat e ardhshëm. 

Unë sot, si deputete, por edhe si përfaqësuese e Partisë Demokratike, dua të them që Partia Demokratike nesër do të bëjë një propozim ligjor, të cilin ndoshta, nëse e keni vullnetin për ta mbështetur, mund ta bëjmë që sot, pa pritur të nesërmen, për të futur në ligj vlerësimin e impaktit në trashëgimi. Ai është një koncept të cilin e përdor UNESCO, është një koncept që e kanë shtetet europiane dhe sa herë duhet të bëhet një ndërhyrje e çfarëdo lloji në monumentet e kulturës, në parqet arkeologjike, në sitet arkeologjike, bëhet ky proces, i cili quhet “Vlerësimi i impaktit në trashëgimi”, që merret pikërisht me vlerësimin e domethënies dhe rëndësisë historike e arkeologjike, kur mendohet të zbatohet një projekt për zhvillimin apo për mirëmbajtjen e tij, për të pasur më të rëndësishme ruajtjen e vlerave dhe të konceptit të trashëgimisë sesa çdo përdorim tjetër për arsye fitimi apo për arsye turizmi ose PR-i. Ky koncept duhet të ishte me kohë, është një standard europian, por, nëse ju vazhdoni me të njëjtën qasje, që të rrëzohet çdo propozim i cili vjen nga ne, edhe gjërat që lidhen me koncepte përtej politikës, siç është trashëgimia kulturore apo zonat e mbrojtura, patjetër Partia Demokratike e shpreh këtë si pikë të rëndësishme të programit të saj për kulturën, ku vlerësimi i impaktit në trashëgimi do të kthehet në një detyrim ligjor, do të jetë pjesë e ligjit për trashëgiminë, ligj i cili patjetër duhet të ndryshojë për të hequr njëherë e mirë atë që ju keni vendosur, për të hequr konceptin e dhënies me koncesion, konceptin e heqjes së shtetit nga detyrimi që ka për të ruajtur, për të mbrojtur dhe për të transmetuar trashëgiminë kulturore te brezat e ardhshëm, me të gjitha vlerat që ka për identitetin dhe për historinë e një vendi.  

Shumë faleminderit!