Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, sot kisha për të diskutuar në lidhje me çështje të zonës, por ajo që ndodhi ma ka ndryshuar diskutimin, sepse ky Kuvend nuk mund të mjaftohet vetëm me një minutë heshtje, për një ngjarje tragjike e të paralajmëruar. Ky Kuvend nuk mund të jetë thjesht transmetues i kronikës së zezë, dhe sigurisht që nuk mund të bëjë politikë me vdekjen, por duhet të bëjë disa politika, të cilat u shërbejnë të gjithë qytetarëve shqiptarë pa dallim.
Kemi dështuar. Kemi dështuar të gjithë, sepse, me gjithë përpjekjet tona si opozitë, nuk po arrijmë dot ta shndërrojmë këtë Kuvend në një Kuvend që bën ligje, të cilat u shërbejnë qytetarëve, në një Kuvend që u përgjigjet nevojave të qytetarëve. Ne nuk mund kujtohemi të flasim qoftë për Kodin Rrugor, qoftë për Kodin Penal, qoftë për qytetet tona vetëm në rastet kur ka vdekje. Nëse e shikon ligjin e Policisë së Shtetit, në nenin 128 thotë: “Të angazhohet në veprime policore proaktive dhe të orientuara drejt interesave të komunitetit, për zgjidhjen e problematikave në fushën e rendit e të sigurisë publike”.
Më thoni: kur është hera e fundit që e keni parë Policinë e Shtetit të kujdeset për nevojat e komunitetit, apo që t’u përgjigjet denoncimeve të qytetarëve? Policia e Shtetit është shndërruar në grabitësin e atyre që futen në tenderat e AKSHI-t, në shoqëruesin e kriminelit, në bashkëshoqëruesin e vjedhjes së zgjedhjeve. Ky është dështimi i parë, ky është dështimi i një qeverisjeje, që e ka parë si mjet force për synimet e veta elektorale. Dështimi i dytë është dështimi i qyteteve tona. Qytetet tona janë shndërruar në fjetore, në qytete ku vetëm mund të flesh gjumë në shtëpinë tënde, pa mundur të ndërtosh dot asnjë lloj jete komunitare përveç asaj në shtëpinë tënde. Janë qytete pa sheshe, qytete pa kënde lojërash, qytete pa lulishte, qytete ku në mes të rrugës mund të gjesh çdo gjë, por asgjë që lidhet me komunitetin, asgjë që lidhet me ndërtimin e një hapësire të përbashkët. Kjo sepse meraku ka qenë të betonizohet çdo hapësirë, sepse meraku kanë qenë kullat, sepse edhe atje ku s’ka kulla meraku kanë qenë pallatet. Meraku nuk ka qenë ndonjëherë fëmija, prindi, gjyshërit: ku do ta kalojnë kohën këta, ku do të jetojnë, si do ta mbushin ditën e tyre? Situata vazhdon të jetë e tillë. Në komunitetin durrsak të gjithë shprehin të njëjtën gjë: që kanë paralajmëruar policinë në lidhje me problematikën, por s’ka reaguar askush; shprehen se kanë lajmëruar kryetaren e bashkisë në lidhje me nevojën për kënde lojërash, por s’ka reaguar kurrë. Durrësi është një ndër qytetet më të betonizuara. Nëse kemi këtu një grup, grupin “Miqtë e fëmijëve”, ku unë jam nënkryetare, ne nuk mund të bashkohemi me njëri-tjetrin vetëm për të kërkuar një minutë heshtje. Ne duhet të bashkohemi për të kërkuar edhe ato ndryshime të Kodit Penal, edhe ato ndryshimet e Kodit Rrugor, por mbi të gjitha duhet të ndryshojmë mënyrën se si përdoren institucionet shtetërore në shërbim vetëm të një klientele, në shërbim të të fortit, në shërbim të interesit elektoral, në shërbim të pushtetit.
E di shumë mirë se këtë nuk e bëni dot ju, sepse ju kështu jeni krijuar dhe kështu e mbani pushtetin, por minimalisht, kur ndodhin ngjarje të tilla na i kurseni ngushëllimet tuaja, na e kurseni gjithë atë show-n tuaj, sepse, nëse doni të bëni diçka, e keni në dorë.
Keni votat, keni mundësinë për të ndryshuar. Mos gllabëroni çdo hapësirë publike, mos e përdorni policinë si ushtri votash, por kthejeni në shërbim të komunitetit. Reflektoni, sepse nuk jeni duke ndërtuar një shoqëri që u shërben qytetarëve, por jeni duke ndërtuar një Shqipëri, ku gjithësecili do të ikë nga sytë këmbët.
Faleminderit!

