Fjalim në Kuvend mbi gjendjen e varfërisë ku 47% e fëmijëve jetojnë në varfëri ushqimore – 24 Qershor 2024

Zonja Bilali foli për turizmin, kështu që jemi në të njëjtën tematikë, veçse e shikojmë pak më ndryshe. Në fakt, sezoni turistik, edhe si deputete e Sarandës, ka ngritur shumë problematika në lidhje me mënyrën sesi ju si qeveri e menaxhoni. 

Së pari, është bërë gangrenë dhe është e pashpjegueshme sesi Ministria e Infrastrukturës ka zgjedhur që punimet në autostradën Tiranë – Durrës t’i kryejë gjatë gjithë sezonit turistik, atëherë kur ne presim, sipas jush, 10 milionë turistë, plus 2 milionë banorë, të gjithë ne duhet të kalojmë në vrimën e gjilpërës, në një trafik kilometra të gjatë, duke pritur 2-3 orë, gjë që shkakton kosto financiare për qytetarët, por edhe kosto kohore. Nuk e di me çfarë planifikimi i bëni këto punime, sepse në asnjë vend të botës nuk planifikohet të bëhen punime në një autostradë të vetme, si kjo që ka Shqipëria, e cila shërben për pjesën jugore, dhe ne të gjithë bashkë të kalojmë në vrimën e gjilpërës, me 3-4 orë ndalesë.  Nga ana tjetër, “Shqipëria turistike” është Shqipëria e dritave të fikura, Shqipëria ku mungon energjia elektrike, Shqipëria ku njerëzit nuk kanë mundësi as të freskohen, sepse ju u hiqni energjinë elektrike kudo, në mes të Tiranës, Durrësit, Sarandës, për arsye të pashpjegueshme dhe pa asnjë shpjegim zyrtar nga ministria përkatëse.  

“Shqipëria turistike” është Shqipëria ku plasin ujërat e ndotura në qytetin turistik të Sarandës, duke u bërë si ujëvarë dhe shkojnë në plazhin publik për të mirëpritur turistët, të cilët u detyruan të merrnin çadrat dhe të largoheshin.  “Shqipëria turistike” është Shqipëria e ujit me orar, për shembull, lagjet e Sarandës, si ajo “Kodër”, kanë 3-4 ditë pa u furnizuar me ujë. Ndoshta janë pjesë e eksperimentit që thoshte drejtori i ujësjellësit: i lashë 3-4 ditë dhe nuk i ra njeri telefonit. Ndërkohë jemi në kulmin e sezonit turistik, edhe ato zona që furnizohen, furnizohen me orar. Kjo nuk është mënyra më e mirë për të prezantuar Shqipërinë dhe ata që jetojnë me dinjitet në këtë vend. 

“Shqipëria turistike” është larg asaj që propagandoni ju me video, por është Shqipëria e varfërisë. Më vjen keq që në raportin e fundit të UNICEF-it, i cili u publikua sot, flitet për varfërinë ushqimore të fëmijëve. Si deputete, por edhe si nënkryetare e grupit “Miqtë e fëmijëve” jam thellësisht e shqetësuar. Ky Kuvend duhet të marrë masat për të garantuar vendosjen me ligj të minimumit jetik, që asnjë fëmijë në Shqipëri të mos jetojë në varfëri ushqimore, sepse 47% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri ushqimore.  

Kjo mbledhje e sotme ose mbledhja e ardhshme e këtij Parlamenti, ditën e enjten, nuk duhet të trajtojë asnjë gjë tjetër, përveçse t’i japë prioritet çështjes së fëmijëve të shqiptarëve, pasi 47% e tyre nuk ushqehen dot sipas standardeve që duhet të ushqehet një fëmijë. Ne jemi vendi i fundit në Europë, jemi vendi i parafundit krahasuar me Azinë Qendrore, ne lëmë pas Irakun, Çadin, Kenian dhe Ruandën. Këto vende janë më mirë se Shqipëria për mënyrën se si i ushqejnë fëmijët e tyre. Kjo tregon varfërinë ekstreme të familjeve shqiptare dhe neglizhencën totale të qeverisë.  

Në qoftë se këtij Parlamenti nuk i dhimbsen fëmijët e shqiptarëve, që jetojnë në varfëri ushqimore, nuk po flasim për veshmbathje, nuk po flasim për argëtim apo për edukim, por po flasim për ushqimin, bazën për mirërritjen e një fëmije, atëherë ky Parlament nuk ka funksion tjetër dhe nuk ka pse të ekzistojë. 

Le të mblidhemi të gjithë bashkë, edhe grupi “Miqtë e fëmijëve”, dhe të sjellim këtu propozimin e Partisë Demokratike për vendosjen e minimumit jetik. Jeni duke bërë një krim me fëmijët e shqiptarëve, sepse nuk po merrni në shqyrtim diçka që është kërkuar nga të gjitha raportet ndërkombëtare, nga Avokati i Popullit dhe është depozituar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. 

Ky është turpi më i madh i këtij Kuvendi! Aq sa urojmë zgjedhjet e rektorëve, festat dhe festivalet, që thotë Edona, le të punojmë për fëmijët e shqiptarëve.  

Shumë faleminderit!