Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Sot në rendin e ditë ka shumë çështje, për të cilat do të ishte e udhës që të diskutonin të gjithë anëtarët e Parlamentit, nga opozita dhe nga mazhoranca, siç ishte raporti i Këshillit të Integrimit, siç është mandati i zonjës Xhaçka, siç është komisioni për persekutimin e medies.
Të gjitha këto çështje që trajton sot ky Kuvend, janë çështje që i keni vendosur pa diskutime, pa debate, që, në fakt, janë çështje themelore. Marrëveshjet në planin politik nuk janë as beteja të opozitës, as beteja që lidhen me interesin publik, sepse parimisht marrëveshjet kanë qenë gjithmonë diskutime, ku palët kanë gjetur një konsensus.
Sot ky Parlament ka përballë një mazhorancë, që për herë të parë e ka pranuar me zë dhe figurë, ndryshe nga çfarë thoshte ishkryetari i grupit, Taulant Balla që nuk i komentoni vendimet e gjykatës, por vetëm i zbatoni ato; sot kemi të kundërtën, ju i keni komentuar gjerë e gjatë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në Konferencën e Kryetarëve, i keni komentuar më pas në Këshillin e Mandateve, dhe vini këtu e nuk i zbatoni ato vendime. Për herë të parë ju vendosni që të bëheni mburojë edhe ndaj vendimeve që do të marrë Gjykata Kushtetuese. E keni provuar me vendime, të cilat ishin të prokurorisë, i bëtë mburojë në atë kohë Saimir Tahirit, por nuk e mbrojtët dot gjatë, e mbrojtët në mënyrë të përkohshme. Sot mos u bëni mburojë e Olta Xhaçkës, që më pas të jeni të detyruar të mblidheni për t’i hequr mandatin, sepse për atë pronë të Olta Xhaçkës sot është në burg Jorgo Goro; nuk mund të thoni që nuk ka çështje penale. As ju dhe as ne nuk vendosim për mandatin e Olta Xhaçkës. Ne kemi qëndrimin tonë, ju keni qëndrimin tuaj politik, por ama kemi detyrimin të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia dërguar asaj dhe ta vendosë Gjykata nëse i takon zonjës Xhaçka ta mbajë mandatin apo ta dorëzojë, sepse ka përfituar nga shteti, në konflikt të pastër interesi, duke qenë ministre dhe duke marrë pjesë në ato mbledhje, ku i jepej vetes së saj statusi i investitores strategjike, përkatësisht bashkëshortit të saj.
Pra, një standard i ri, që, në fakt, duhet të ishte një standard që një mazhorancë nuk duhej ta përkrahte kurrë. Gjykata Kushtetuese flet, merr vendim, duke thënë se ju duhet të na e përcillni ne, këtë duhet të bëjmë sot: ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese, bashkëngjitur edhe dy raportet, atë tuajin dhe tonin. Më pas është Gjykata Kushtetuese që vendos për mandatin, pasi ne nuk mund të vendosim dot për njëritjetrin, për mandatet tona, të kolegëve tanë apo kundërshtarëve tanë, këtë e vendos vetëm Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.
Folët gjerë e gjatë për BE-në dhe për çështjen e ndërhyrjes së influencave të huaja në Shqipëri, e përdorët këtë sebep si një problem real, për të krijuar zgjidhje artificiale. Ju sot praktikisht doni të kaloni me një projektvendim një komision, i cili do të bëjë survejimin, përgjimin, auditimin e medies në Shqipëri, ndërkohë që pushtetet në këtë vend janë të ndara: ne jemi pushteti legjislativ dhe pushteti i katërt, ai i medies, nuk mund të jetë kurrsesi në varësinë tonë. Për aq sa na takon, brenda ligjit, ne kemi Komisionin e Medies, dhe mund ta mbikëqyrim nëpërmjet AMA-s dhe instrumenteve të tjera, po kurrsesi nuk mund të krijojmë një zgjidhje që nuk është zgjidhje, siç e kanë parametrat e vendeve perëndimore apo ato amerikane, por është thjesht një metodë enveriste, për të futur ligjin e spiunazhit, ligjin e agjitacion propagandës.
Komisionit vendosjani emrin “Komisioni 55”, në kujtim të nenit 55 “Për agjitacion dhe propagandë”. Çfarë tagri ka një deputet që të marrë në referencë medien, unë nuk e di; se çfarë kompetencash ka një deputet që t’i marrë në referencë ato që boton media të sakta apo të pasakta, unë prapë këtë nuk e di, pasi nuk ekziston një gjë e tillë. Në Bashkimin Europian zgjidhet nëpërmjet shoqatave të gazetarëve, shoqërisë civile dhe nëpërmjet asaj që quhet forcimi i qytetarëve, që qytetarët vetë të identifikojnë dhe të sinjalizojnë lajmet e rreme në agjencitë përkatëse. Zgjidhjet në Bashkimin Europian janë zgjidhje nga poshtë lart, nuk janë zgjidhje nga lart poshtë, ku ju vendosni diktatin mbi median.
Një problem kaq i madh nuk besoj se mendoni që është problem njëvjeçar, aq sa ju duhet ju për zgjedhjet. Vendosni një komision ad hoc,pa e diskutuar dhe pa e dakordësuar me opozitën, pa e konsultuar me medien dhe shoqërinë civile, pa e konsultuar me organizatat që merren me mbrojtjen e gazetarëve, por vetëm me anëtarësinë tuaj, dhe vini këtu e sillni me urgjencë, a thua se është një problem akut, që doli sot dhe Shqipëria është shumë e rrezikuar!
Ndërkohë që në raportin e “Freedom House” nuk ishte ky një nga problemet që kishte media në Shqipëri, pasi, nëse do të ishte ky problem akut në Shqipëri, patjetër që do të ishte i referuar edhe në raportin e “Freedom House” dhe do të thoshte:
“Influencat dhe ndikimet nga të huajt”, përkundrazi tha: “Ndikimet dhe influencat nga qeveria, subvencionet që marrin mediet nga qeveria; bizneset që janë të lidhura me qeverinë”. Këtë tha “Freedom House”. Këtë doni të adresoni ju?!
Ju doni që ato pak medie, portale dhe medie online, që ju nuk i monitoroni dot sot, t’i kapni dhe t’i monitoroni nëpërmjet këtij komisioni, i cili me demek do të zgjidhë një problem global, me një zgjidhje që nuk është fare globale dhe perëndimore. Ky Parlament nuk mundet sot që të ndërtojë një komision në funksion të zgjedhjeve të vitit 2025; të kontrollit të informacionit për zgjedhjet e vitit 2025; të propagandës, me kasetat e gatshme për vitin 2025. Në fakt, ky ishte një nga problemet që thoshte “Freedom House”: se si gazetarët që bëjnë pyetje kritike ndaj Kryeministrit, ndalohen të marrin pjesë në konferencat e radhës së Kryeministrit; se si çohen kasetat gati, linqet WeTransfer me kronikat që duhet të transmetojnë mediet. Për këtë nuk shqetësoheni, nuk ngriheni as mbi palët, as të gjitha palët, por doni të ngrini një komision, i cili, në fakt, bën vetëm përgjimin e medies, vetëm me qëllimin për ta kontrolluar atë. Nuk është ngritur asnjëherë as në udhëzimet e Bashkimit Europian, as në metodat që ai ka, sesi të ngrihet një komision i njëanshëm që të kontrollojë mediet, sepse, po të ishte kjo një metodë e mirë, patjetër që do ta kishin bërë Gjermania, Franca dhe të gjitha vendet e BE-së, të cilat do të kishin ngritur nga një komision me deputetë, që këta të zgjidhin të gjithë influencën e huaj. Nuk e di se si do t’i vërtetoni ju nga çfarë lajmesh vijnë dhe kush i mbështet.
Në 100 lajme të publikuara gjatë javës së fundit në portale, vetëm 2 lajme lidheshin me politikën e jashtme dhe me një influencë të mundshme të jashtme, kur asnjëra nuk dukej që ishte kundër linjës shqiptare proamerikane dhe proeuropiane. Pra, nuk ka një shqetësim real kaq akut, sa ju të merrni një vendimmarrje kaq akute, me një afat njëvjeçar, pa konsensus dhe pa konsultime, por ka vetëm një gjë që e justifikon: zgjedhjet e vitit 2025. “Antishpifja 2” do të miratohet sot; atë që BE-ja jua ndaloi për ta miratuar si ligj, ju sot do ta sillni si komision parlamentar.
Ju ftoj të mos e votoni dhe të tërhiqeni nga kjo nismë e turpshme!
Faleminderit!