Fjalim në Kuvend mbi miratimet e ligjeve me porosi të propozuara nga oligarkët e qeverisë / 27 Maj 2024

Në fakt, po flitet për korrupsionin nga selia që raporti i Transparency International e ka emërtuar si selia që bën korrupsion legjislativ! Nga ky Parlament ju keni miratuar ligje me porosi; ju keni miratuar ligje që ishin forma më e lartë e korrupsionit që ka evidentuar ndonjëherë Departamenti Amerikan i Shtetit; një ligj me porosi për Teatrin Kombëtar; një ligj me porosi për koncesionin e Butrintit; një ligj me porosi nga Shalsi për vjedhjen e pronave publike; një ligj me porosi për mediet audiovizive; një ligj me porosi për lojërat e fatit; një ligj me porosi për Lotarinë Kombëtare; një ligj me porosi për Akademinë e Shkencave; një ligj me porosi për investimet strategjike; një ligj me porosi për zonat e mbrojtura; një ligj me porosi për koncesionet dhe PPP-të, si autostrada MilotBalldren; ligje për oferta të pakërkuara të investimeve tuaja, me demek strategjike, ku koncesionet janë të parat në listën e korrupsionit. Ju keni ofertë të pakërkuar për aeroportin e Vlorës; keni aferën 400 milionë euro të inceneratorëve; keni aferat e koncesioneve në shëndetësi, ku vetëm check-up-i dhe sterilizimi shkojnë 200 milionë euro. Në fakt, keni mbushur një seksion të tërë të Burgut 313 me zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, me ish-ministra dhe ishdeputetë të këtij Parlamenti.  

Më të gjitha këto rekorde, ju sot vini e na flisni për korrupsionin! Meqenëse sekretari juaj i Përgjithshëm përmendi edhe tallavanë, që ju e bëni me pagesë me autobusët e “Rilindjes” nëpër botë, a mund të na thoni, meqë jeni kaq të pastër, se ju kam pyetur edhe herën e kaluar: me çfarë i paguani? Më çfarë i paguani autobusët e bashkive? Me çfarë i paguani udhëtimet e Kryeministrit dhe të zyrtarëve tuaj të lartë? Me çfarë i paguani stadiumet atje? Me çfarë i paguani qëndrimet atje? Na i thoni! Paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë si punë të Kryeministrit dhe të kësaj qeverie, apo i paguajnë oligarkët, që, në shkëmbim, kërkojnë ndonjë ligj me porosi, a ndonjë PPP të radhës? Ja, ky është korrupsioni! 

Ju, në fakt, po punoni çdo ditë që t’i shtoni Shqipërisë diasporën, që të keni më shumë mundësi për të bërë takime, sepse po e shpopulloni këtë vend. Po e shpopulloni këtë vend, por keni 6 muaj që nuk nxirrni dot as shifrat e censit, se nuk dini ku të prisni dhe ku të shtoni, si të fshini një realitet që shqiptarët e shikojnë vetë. Si mundet ju të keni sot kartën morale, kur jeni zbuluar që i vidhni tenderët me 100% të vlerës? Nëse në raportet e dikurshme të OSBE-së flitej për një kryebashkiak të Tiranës, që quhej Edi Rama, i cili merrte 20% të tenderëve, – thoshte OSBE-ja atëherë – tani tenderët merren me 100% të tyre; me kompanitë “5D” apo “5M” apo “5K” ju keni krijuar një standard të ri të korrupsionit. Ju bëni rezolutë, por është njësoj si të bëjnë një rezolutë kundër prostitucionit ato zonjat që punojnë në rrugën e kuqe në Holandë. Dhe me pafytyrësinë e njerëzve, që kapen me presh në duar dhe nuk u intereson, por e quajnë atë si një perime normale, ju vini e na tregoni se e keni prioritet luftën e korrupsionit. Si mund ta keni prioritet, kur ju korrupsionin e emërtoni si dardha dhe kumbulla? E emërtoni si fruta dhe si gjëra normale që mund të ndodhin. I vetmi problem i Kryeministrit tuaj është kur këto fruta nuk i ndani me të dhe kur ia hani mbrapa shpine. Ky është korrupsioni i vetëm që duhet luftuar: korrupsioni që hanë dardha dhe kumbulla mbrapa shpine dhe jo kur i hanë bashkërisht me Kryeministrin.  

Në fakt, shqiptarët sot janë populli më i vjedhur dhe më i varfër në Europë; janë populli që nuk gëzon dot as minimumin jetik; janë populli,  taksat e të cilëve shkojnë në xhepat e qeveritarëve dhe nuk kanë nevojë për rezoluta. Nëse keni ndërmend ta luftoni korrupsionin, të paktën hiqni dorë nga pagesat që u bëni inceneratorëve që nuk ekzistojnë. Kaq e thjeshtë është. Nuk ka një incenerator në Tiranë. Hiqni dorë, çojuani pensionistëve! Ja, e bëtë një akt për të luftuar korrupsionin. Rezolutat mbajini në shtëpitë tuaja. 

 Faleminderit!