Fjalim në Kuvend mbi ngjarjen e rëndë të vrasjes së 14 vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli” dhe problemet e sigurisë së shkollave/ 18 Nentor 2024

Dua të ndaj nga kjo sallë një lajm të hidhur: një 14-vjeçar sapo ka humbur jetën, pasi është vrarë me thikë në derën e shkollës “Fan Noli”. Dua t’i shpreh ngushëllime familjes, por me këtë dua të kuptoni se sa fals dhe sa jashtë realitetit është ky projektbuxhet, që ka një kapitull më vete për sigurinë në shkolla. Në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk u gjend një oficer sigurie që të shmangte  sherrin me thika në oborrin e shkollës “Fan Noli”. Paratë janë, por vetëm propaganda bëhet me sigurinë në shkolla. 

Ministrit Balla dhe ministrja Kushi shkuan shkollë më shkollë për paketën e sigurisë në shkolla, por nuk e di ku e kanë arkivuar atë paketë ministrja Manastirliu  bashkë me këtë ministrin e ri, Hoxha, që e sjell policinë vetëm për t’u përballur me deputetët dhe nuk e ka policinë për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve tanë.  Është rritur siguria në shkolla, oficerët në shkolla, psikologët në shkolla  -thotë Manastirliu. 

Rezultatet janë të qarta, një 14-vjeçar vritet në mes të Tiranës, më 30 tetor ishte një tjetër në Fushë Krujë. Po, ky është rezultat i punës sate të mrekullueshme dhe e buxhetit të mrekullueshëm të kësaj qeverie, që i çon paratë për koncesione, për PPP, dhe jo për punonjës psikologë që t’i shmangin këto konflikte apo punonjës të sigurisë së Policisë së Shtetit, që të qëndrojnë në shkolla dhe të garantojnë ambientet e shkollave, që të mos kthehen në ambientet e vrasjes së fëmijëve tanë.  

T’ju vijë turp! Unë kërkoj sot që ju të largoheni, të jepni dorëheqjen. T’ju vijë turp edhe për këtë buxhet që sillni, edhe për atë propagandë, edhe për jetën e një 14-vjeçari të vrarë në mes të Tiranës, për të cilin ju bashkë me ministrin e Brendshëm, që nuk ka ardhur fare sot në Kuvend, duhet të mbani përgjegjësi! 

Si të flasësh për buxhetin, si të flasësh për shifrat tuaja dhe për propagandën tuaj kur realiteti i bën skanerin më të mirë se çfarë, se ku dhe se si i shpërndani ju paratë? Si të flasësh për arsim kur, në fakt, investimet në arsimin bazë janë zero %; investimet në arsimin e mesëm janë zero %; investimet në arsimin e lartë janë minus 11,9% dhe investimet në kërkimin shkencor minus 22,8%. Këto janë shifrat. 

Pasi futët 7 ministra në Këshillin Shkencor, vutë edhe kryetar të këshillit kryeshkencëtarin Edi Rama, jepni më pak fonde. Tani, në qoftë se doni të llogarisni te fondet e kërkimi shkencor edhe rrogat apo përfitimet tuaja, mund të na thoni se është rritur, por, në fakt, buxhetin e keni ulur. Ju rroftë që bëtë një ligj të ri, që do të mbështesnit kërkimin shkencor dhe, në fakt, shifrat flasin: zero, zero, zero, minus, minus, minus.  

E nisa me arsimin, sepse nuk mund ta shmangia ngjarjen që ndodhi.  

Ju keni rekorde, ku në 54% të shkollave nuk ka internet. Pra, në epokën e digjitalizimit, në epokën e IT-së kudo, në 54% të shkollave, ne nuk kemi internet. Në ato shkolla që ka kompjuter dhe internet, 20 nxënës kanë një kompjuter, pastaj, normalisht që do të dalim të fundit në PISA, normalisht do të dalim të fundit, sepse, kur nuk investohet për arsimin, por investohet vetëm për orendi të zyrave tuaja, për të shtuar numrin e punonjësve të agjencive tuaja, për të shtuar patronazhistët, këto nuk do të sjellin rezultate në arsim, por do të sjellin atë gjendje të mjerueshme që kemi sot.  

Të nderuar kolegë, 73% e drejtorëve të shkollave të arsimit parauniversitar janë patronazhistë. Pse them që janë patronazhistë? Sepse nuk kanë dalë nga Shkolla e Drejtorëve. Vetëm 27% janë marrë nga Shkolla e Drejtorëve, e cila ka kualifikuar 908 drejtues, kurse 73% paguhen nga ky buxhet për t’i mbajtur ison Partisë Socialiste, për t’u bërë presion mësuesve për të mos marrë pjesë në fushatë dhe për të rrjepur nga fondet që janë për nxënësit, sepse nuk i zgjedhin as me institucionet që bëjnë vetë. Bënë portalin që bënë, “Mësues për Shqipërinë”. Unë kam listën dhe kur fillova me emra në komision, zonja tha: nuk do të merremi me emra. Me emra, pra, nga Berati, në Kukës, në Peshkopi, në Sarandë të gjithë që fitojnë, po nuk patën teserën e Partisë Socialiste nuk u del vendi i punës, nuk ka para për ta.Mungesa e ngrohjes në shkolla, shkoni dhe shikoni se si ngrohen në fshatra, shkoni dhe shikoni se si mbledhin paratë për të blerë dru. Ky është buxheti i arsimit?! Nuk ka lekë, nuk ka para ky buxhet, që t’i çojnë për ngrohjen e shkollave  dhe pastaj na tregoni përralla këtu me dy-tre shkolla në mes të Tiranës? Pse dy-tre shkolla në mes Tiranës janë realiteti i Shqipërisë? Dy-tre shkolla që i bëni me  çmime trefish më të shtrenjta nga sa i bën Bashkimi Europian, që e bën një shkollë me 700 mijë euro, dhe ju e bëni një shkollë me 2,3 milionë euro? Kjo është rritja që na tregoni në arsim? 

Vetëm në vitin shkollor 2022-2023 janë raportuar se kanë braktisur arsimin në të dyja vitet 2830 nxënës. Pse e braktisin arsimin? E braktisin, sepse ikin, shpopullohet vendi; e braktisin, sepse nuk kanë mundësi ekonomike që ta ndjekin dhe dalin rrugëve për të lypur apo shkojnë për të punuar me prindërit e tyre; e braktisin, sepse ky shtet nuk kujdeset për ta.  

Ti nuk ke asnjë politikë dhe asnjë para në buxhet që të mbështesësh nxënësit; ti thua libra falas, kur u jep libra borxh që nuk përdoren; ti, bashkë me ministrin e Financave, i cili më parë gënjeu në të gjitha përgjigjet që dha, mburreni… 

(Ndërhyrje pa mikrofon) 

Kush të pyeti për bujqësinë? Pyet Fridën për bujqësinë, se ta sqaron Frida bujqësinë! 

Ky mburret se është shpopulluar Shqipëria, ky mburret duke thënë: meqenëse kemi popullsi më pak, kemi të ardhura më shumë. Po, sigurisht, po të shkojë popullsia një milion, pritini edhe të ardhurat 13 mijë euro. Sa më pak të jetë popullsia, aq më e lartë do t’ju dalë juve. Është njëlloj sikur jemi dy persona, njëri ha dy pula dhe mesatarisht të dy kemi ngrënë nga një pulë, po ai tjetri është thjesht me barkun bosh dhe po vdes. Këto janë statistikat e ministrit tuaj të Financave.  

Sipas ministrit tuaj të Financave, nuk ka sot shqiptarë me pagë poshtë 860 eurove, me ato të ardhura mujore që na tregoi. Përralla me mbret, që nuk i besoni as vetë. I keni mashtruar njerëzit, po i mashtroni njerëzit dhe keni sjellë këtu një buxhet të vjedhjes, një buxhet të oligarkëve, një buxhet elektoral bashkë me ato premtimet elektorale që bëri Kryeministri, se çfarë do të japë në fushatë zgjedhore, sepse gjithmonë e gjen një sebep: në mos tërmeti, pandemia; në mos pandemia, pensionistët, bonusi, por, në fakt, në buxhet këto nuk i keni të parashikuara. Në buxhet nuk ka asnjë lekë më shumë, sepse buxheti i ka të parashikuar mirë, qartë dhe bukur milionat për inceneratorët, milionat për check up-in, milionat për sterilizimin dhe zero, zero, zero për arsimin. T’ju vijë turp!  

Zonja Manastirliu, që do ta marrësh fjalën pas meje, jep dorëheqjen, ik me turp, se kjo që ka ndodhur sot është një skandal! 

Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, ju lutem, përfundoni, ka mbaruar koha!

Ina Zhupa – Ka mbaruar koha, por nuk kanë mbaruar skandalet! 

Fjala ndërpritet.