Fjalim në Kuvend mbi problematiken e bizneseve hoteliere në Jug të vendit – 12 Qershor 2024

Si fillim, edhe unë dua t’ju tërheq vëmendjen, pasi është e padëgjuar që e gjithë qeveria të mos ketë asnjë përfaqësues, ndërkohë që diskutohet për ligje që janë sjellë nga qeveria. 

Të paktën zëvendëskryeministrja, që është edhe propozuesja e këtij ligji, do të duhej, sipas Rregullores, të ishte atje, aq më tepër kur unë të paktën, kisha ndërmend t’i adresoja problematika që vijnë nga urdhrat e nxjerra nga ministria e saj. Është e pakuptimtë, unë e kuptoj që është periudhë pushimesh, por për Parlamentin e Shqipërisë nuk kanë nisur pushimet, ndërkohë që për qeverinë paskan nisur.  Dua t’i bashkohem urimit të gjeneral Kollçakut për Kombëtaren, duke qenë kjo seanca që paraprin edhe hapjen e kampionatit. Janë ato rastet e pakta kur Shqipërisë i dëgjohet emri për mirë në mediat botërore, pasi për punët e qeverisë i dëgjohet emri vetëm për keq dhe njihet në raportimet ndërkombëtare si narkoshteti apo si “Kolumbia europiane” në mes të Ballkanit. Kështu që është lajm i mirë sa herë mund të na dalë emri për mirë nëpër gazetat europiane, në gazetat gjermane, pas publikimeve të Bild dhe pas publikimeve të Rai 3, që tregojnë gjendjen e mjerueshme në të cilën është katandisur vendi teksa qeveriset më shumë nga bandat dhe nga lidhjet tuaja si qeveri dhe mazhorancë me krimin, sesa nga lidhjet tuaja me qytetarët. 

Shqetësimi im i parë, për të cilin do të kisha dashur të ishte edhe ministrja këtu, ka të bëjë me një problematikë të vazhdueshme, sidomos muajin e fundit, që lidhet me gjobat e vendosura në biznesin e hoteleri-turizmit në Shqipëri, akti normativ nr. 8, i datës 28.12.2023. Me demek, me qëllimin e mirë për të menaxhuar ujërat e ndotura janë vendosur disa rregulla të pazbatueshme dot nga bizneset; janë paracaktuar impiantet se ku do të merren; është futur mekanizmi e-Albania që nuk u kthen përgjigje qytetarëve për të marrë lejet për ato impiante dhe përkundrejt moszbatimit të këtij detyrimi për të blerë impiantin që do qeveria, ku do qeveria, duke i marrë leje qeverisë nga eAlbania për të bërë trajtimin e ujërave të ndotura përkundrejt kësaj, vihen gjoba të majme.  

Sot bizneset e Sarandës janë të gjitha me gjoba të majme, jo se nuk i trajtojnë ujërat e ndotura, i trajtojnë dhe i kanë trajtuar në mënyra të tjera, të cilat deri dje kanë qenë të ligjshme dhe janë lejuar nga shteti shqiptar, që nga gropat septike e me radhë, por sot ato quhen të paligjshme, sepse kanë nxjerrë një akt normativ, zonja Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit dhe zonja Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, të dyja ministritë, me qëllimin e vetëm që të bëjnë gjobvënien ndaj bizneseve. Unë po u referohem bizneseve të Sarandës, pasi atë zonë përfaqësoj, por në dijeninë time është një situatë në të cilën ndodhen të gjitha hoteleritë që janë në vijë bregdetare, në vijë lumore apo në vijë liqenore, pasi kështu e parashikon akti normativ i dy ministrive. 

Ju ftoj të tërhiqeni. Do të kisha dashur të ishin këtu për të kthyer përgjigje, por ikin, u fshihen përgjegjësive dhe dhënies së përgjigjeve para qytetarëve, jo para meje, sepse po bëhet një masakër. Ju e dini që këto gjoba janë vendosur si tituj ekzekutivë, gjoba të cilat mund të ankimohen vetëm në gjykata, pra nuk ka akte administrative brenda strukturës administrative të shtetit shqiptar. Sa u takon gjykatave është një kalvar i gjatë, prandaj nuk po i futem diskutimit se çfarë ndodh me këto gjoba, dhe dy gjoba të përsëritura çojnë në heqjen e licencës së biznesit. Nuk bëhet fjalë për një, për dy apo për pesë raste të njerëzve që ndotin. Patjetër që ne do t’u bashkoheshim juve nëse ujërat e zeza do të hidheshin në det, por bëhet fjalë thjesht se ju doni të marrë atë impiant që doni ju, aty ku e doni ju, sa para e doni ju, për lidhje të caktuara që kanë ministri të caktuara. 

Ju ftoj të reflektoni në këtë drejtim, sepse bëhet fjalë për atë që është mburrja e Shqipërisë, turizmin, bëhet fjalë që ju të thoni se sa shumë e ndihmoni pjesën e strukturave akomoduese, sa Shqipëria do të jetë gati për të pritur 10 milionë e kusur turistë, por në fakt, çfarë bëni?! I godisni me gjoba 15 milionë lekë të vjetra deri në 30 milionë lekë të vjetra bizneset e ndershme turistike të strukturave akomoduese në Bregdetin e Shqipërisë.

Çështja e dytë që kam, e cila është me shumë rëndësi, për të mos e marrë fjalën në pikën e radhës, ka të bëjë me një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që pritet të diskutohet, taksimi i profesioneve të lira.  

Së pari, dua t’i bashkohem thirrjes së emisionit “Piranjat”, duke bërë një thirrje nga salla e Kuvendit që t’i bashkohen protestës para Gjykatës Kushtetuese të gjithë profesionistët e lirë, të gjithë qytetarët që do të preken nga kjo taksë, sepse do të rriten çmimet dhe do të jenë në kurriz të qytetarëve. Në datën 13 qershor, ora 18:00, do të mbahet një protestë qytetare, ku pa asnjë dallim politik apo partiak do të protestojmë të gjithë bashkë për një padrejtësi që është bërë nga kjo qeveri. Kjo taksë ka filluar, pavarësisht se është në Gjykatën Kushtetuese, administrata tatimore shqiptare ka lëshuar fatura tatimore duke vendosur edhe tejkalimin e asaj 15 deri në 23%, duke arritur të faturojë deri në 30% të xhiros së profesionistëve të lirë. Dua t’ju them se nuk janë pak, por janë 29 mijë profesionistë të lirë në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare, janë 29 mijë profesionistë që taksohen me një ligj antikushtetues, sepse diferencon kategori të caktuara të qytetarëve, duke favorizuar një profesion apo një sektor të biznesit të vogël dhe duke i trajtuar ndryshe profesionet e lira. Pra, ndryshe trajtohet një biznes i vogël që bëhet nga joprofesionistë, një dyqan, dhe ndryshe një biznes i vogël që bëhet nga profesionistë të lirë, që kanë investuar edhe në shkollimin e tyre për ta ndërtuar atë lloj biznesi që ju e taksoni aq shtrenjtë sot. 

Sigurisht që ky ligj shkakton pasiguri, kaos në strukturat e bizneseve, sjell humbje besimi te sistemi fiskal, por mbi të gjitha ndikon negativisht në pjesën më vitale të sektorit të shërbimeve, duke u parashikuar nga ekonomistët se do ta tkurrë ekonominë shqiptare me 12 deri në 14%, sepse është një ekonomi që mbahet nga bizneset e vogla dhe këto do të lënë hapur hapësira që do të shfrytëzohen sidomos nga biznesi i madh, që mund të jetë edhe arsyeja e vërtetë, lobime të caktuara për të cilat qeveria vendos këtë taksim ndaj profesionistëve të lirë në Shqipëri.  

Ndaj, në protestën e datës 13 qershor, ora 18:00, Gjykata Kushtetuese do të ketë mundësi të shohë edhe qytetarët, edhe profesionistët e lirë aty, ta shohë padinë jo si një padi të opozitës dhe një padi politike, por si një padi qytetare në shërbim të qytetarëve. Besimi te Gjykata Kushtetuese është jashtëzakonisht shumë i pakët, unë personalisht kam pasur përballje në Gjykatën Kushtetuese me një vendim shumice 5 me 4, ku të paktën 3 gjyqtarë ishin në konflikt të pastër interesi dhe kishin treguar gjatë gjithë seancave që kishin anshmëri dhe njohje me subjektet e tjera në hetim, në këtë rast me ADF-në. Ata morën një vendim për të cenuar trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe për të hapur një metodë koncesionare në Shqipëri. Janë të njëjtët gjyqtarë, prandaj edhe besimi është i vogël, mund të arrihet edhe si në marrëveshjen me Italinë apo si për Butrintin, këto shumicat e brishta 5 me 4 që ju garantojnë ju që të qeverisni të qetë pa jua prishur ato vendimet që keni marrë në paradhoma të tjera, sepse ky Kuvend shërben vetëm si noter i vendimeve që ju merrni në paradhoma të tjera, ndaj presioni pozitiv, presioni qytetar pozitiv ndaj Gjykatës Kushtetuese për të zbatuar vetëm Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe për të ndjekur vetëm interesin shtetëror dhe interesin publik, është pozitiv.  

Ata duhet ta kuptojnë se janë aty për të përfaqësuar Kushtetutën, për të përfaqësuar rendin kushtetues në Shqipëri, edhe pse ndoshta ndonjëri nga ata nuk ka fare lidhje me gjykimin dhe me gjykatën dhe janë falë konjukturave politike atje, për të respektuar pozicionin që paguhet me taksat e qytetarëve shqiptarë, të japin drejtësi dhe të shfuqizojnë ligjin për taksën e profesioneve të lira. 

Ju faleminderit!